ELAHU
[1-5: lidhet me fjalën hebraike, ʼEl, «Perëndi».]
1. Sheik edomit që duket se banonte në fshatin e Elathit.—Zn 36:40, 41, 43; 1Kr 1:52; shih ELATHI, ELOTHI; TIMNA nr. 3.
2. Bir i zbuluesit Kaleb; i ati i Kenazit nga fisi i Judës.—1Kr 4:15.
3. Mbreti i katërt i mbretërisë veriore dhjetëfisëshe të Izraelit. Elahu hipi në fron rreth vitit 952 p.e.s. pas vdekjes së të atit, Baashës, dhe sundoi në Tirzah deri vitin pasues. (1Mb 16:8) Kur Elahu ishte i dehur, Zimri, kreu që mbikëqyrte gjysmën e karrocave, e vrau që të merrte mbretërinë dhe pastaj shfarosi gjithë shtëpinë e Baashës, duke përmbushur kështu profecinë e Jehovait.—1Mb 16:1-14.
4. I ati i mbretit Hoshea, monarkut të fundit të mbretërisë veriore.—2Mb 15:30; 17:1; 18:1, 9.
5. Pasardhës i Beniaminit që jetoi në Jerusalem.—1Kr 9:3, 7, 8.
Në çfarë vendi u përball Davidi me Goliadin?
6. [Pemë e madhe.] Ultësirë ose luginë, e cila mbase e mori emrin nga një pemë jashtëzakonisht e madhe që ndodhej atje. «Në ultësirën e Elahut» izraelitët luftuan me filistinët që i përfaqësonte Goliadi. (1Sa 17:2, 19; 21:9) Zakonisht e lidhin me luginën pjellore Vadi-es-Sant, një nga vadet kryesore që shtrihet nga rrafshinat e Filistisë, kalon përmes Shefelahut dhe arrin deri në rajonin malor të Judës. Ky vad kalon mes vendndodhjeve të sugjeruara për Azekahun dhe Sokohun. (1Sa 17:1) Pra, ndodhej rreth 25 km në jugperëndim të Jerusalemit. Kjo rrafshinë e ujitur mirë është afro gjysmë kilometri e gjerë dhe mjaft e sheshtë. Forcat kundërshtare u përballën me njëra-tjetrën në luginë; secila palë ishte pozicionuar mirë në një shpat mali, ndoshta filistinët në jug dhe izraelitët në veri ose verilindje. Nëpër ultësirë kalonte ‘shtrati i përroit’, mbase shtrati i tharë që gjendet ende atje. (1Sa 17:40) Ndoshta ushtritë u vonuan «dyzet ditë» ngaqë sulmi nga ai pozicion ishte i rrezikshëm për të dyja palët. Ushtarët duhej të kalonin shtratin e përroit dhe pastaj të ngjiteshin në shpatin përballë, duke u bërë kështu shënjestër e lehtë për armikun. (1Sa 17:16) Davidi zgjodhi pesë gurë të lëmuar nga shtrati i përroit kur kaloi që të përballej me Goliadin. Pas fitores së Davidit, ushtria filistine e shpartalluar ia mbathi përposh luginës deri në rrafshinën e Filistisë e në qytetet e Gathit dhe Ekronit.—1Sa 17:52.