GATHI
[shtypëse rrushi].
Qytet i sundimtarëve të aleancës filistine. (1Sa 6:17, 18) Për shkak të vendndodhjes në lindje të rrafshinës së Filistisë, Gathi luajti rol të rëndësishëm në sundimin e zonës herë nga izraelitët e herë nga filistinët. Ishte vendlindja e Goliadit dhe e luftëtarëve të tjerë gjigantë; në kohën që izraelitët kaluan Jordanin për në Tokën e Premtuar, atje jetonin anakimët. (Js 11:22; 1Sa 17:4; 2Sa 21:15-22; 1Kr 20:4-8) Banorët e Gathit quheshin gititë.—Js 13:3.
Kur Josiu pushtoi Tokën e Premtuar, nuk u përfshi territori i zënë nga filistinët. Ai do të merrej më vonë. Sidoqoftë, kur Jehovai udhëzoi Josiun t’u caktonte vendin fiseve, në pjesën e Judës përfshihej territori ku ndodhej Gathi.—Js 13:2, 3; 15:1, 5, 12.
Në periudha të papërcaktuara, me gititët u ndeshën si efraimitët, ashtu edhe beniaminitët, siç vërehet edhe në gjenealogjitë.—1Kr 7:20, 21; 8:13.
Në ditët e Samuelit, arka e besëlidhjes që kishin marrë filistinët u çua në Gath duke u sjellë pasoja shkatërrimtare banorëve të tij. (1Sa 5:8, 9) Nuk kaloi shumë dhe izraelitët i mposhtën filistinët, e «Izraelit iu kthyen qytetet që i kishin marrë filistinët, nga Ekroni deri në Gath». (1Sa 7:14) Më vonë, pasi Davidi vrau Goliadin, gititin gjigant, Izraeli i ndoqi filistinët deri në Ekron dhe Gath.—1Sa 17:23, 48-53.
Pas kësaj, kur u detyrua t’ia mbathte nga Sauli, Davidi u strehua në Gath. Por shërbëtorët e Akishit, mbretit të Gathit, nisën të thoshin: «A nuk është ky Davidi, mbreti i vendit?» Atëherë Davidi u frikësua dhe u hoq si i çmendur që të ikte e të shpëtonte. (1Sa 21:10-15) Në kujtim të kësaj përvoje në Gath, Davidi thuri dy psalme. (Ps 34:Mbishk.; Ps 56:Mbishk.) Davidi shkoi përsëri në Gath, por kësaj here jo më si i arratisur i vetmuar, por si udhëheqës i 600 luftëtarëve që kishin me vete familjet e tyre. Pa dyshim, Akishi donte mbështetjen e Davidit kundër Saulit, prandaj i lejoi të banonin të sigurt në qytetin e Ziklagut deri kur Sauli u vra 16 muaj më vonë. Pas kësaj Davidi shkoi në Hebron. (1Sa 27:2–28:2; 29:1-11; 2Sa 1:1; 2:1-3) Në këngën e përvajshme që thuri për Saulin dhe Jonatanin, Davidi tha se lajmi për vdekjen e Saulit do të gëzonte e ngazëllonte qytetet filistine të Gathit dhe Ashkelonit.—2Sa 1:20.
Gjatë mbretërimit të Davidit, Gathi dhe fshatrat e tij ranë në dorë të izraelitëve. (1Kr 18:1) Disa burra të Gathit u bënë përkrahës besnikë të Davidit dhe, kur ai iku për shkak të Absalomit, mes atyre që e shoqëruan kishte 600 gititë. (2Sa 15:18) Mirëpo, gjatë mbretërimit të Solomonit, Akishi përmendej prapë si mbret i Gathit. (1Mb 2:39-41) Duket se Akishi ishte princ vasal dhe jo mbret në kuptimin e zakonshëm të fjalës. (Shih SUNDIMTARËT E ALEANCËS.) Rehoboami, pasuesi i Solomonit, rindërtoi dhe fortifikoi Gathin.—2Kr 11:5-8.
Hazaeli, mbreti i Sirisë, e mori Gathin aty pas vitit të 23-të të mbretërimit të Jehoasit në Judë (876 p.e.s.). (2Mb 12:6, 17) Më vonë filistinët duhet ta kenë shtënë përsëri në dorë qytetin, sepse Uziahu e rimori në fushatën kundër tyre. (2Kr 26:3, 6) Profeti Amos, dhe më pas edhe Mikea, e përmendin Gathin si qytet të huaj. (Am 6:2; Mi 1:10) Pasi Sargoni, mbreti asirian, mburret se e pushtoi jo shumë kohë pas vitit 740 p.e.s., historia nuk jep më të dhëna për Gathin, dhe më vonë Bibla nuk e përmend mes qyteteve filistine.—So 2:4; Jr 25:17, 20; Za 9:5, 6.
Vendndodhja e saktë e Gathit nuk dihet. Edhe pse janë propozuar disa të tilla, gërmimet arkeologjike në shumicën e këtyre vendeve nuk kanë nxjerrë ndonjë gjë që të përputhet me përshkrimet historike të Gathit. Tani disa studiues mbështetin idenë se ndodhej në Tell-es-Safi (Tel-Zafit), 18,5 km në lindje-juglindje të Ashdodit. Johanan Aharoni thotë: «Meqë në këtë rajon më jugor nuk mbetet ndonjë tell i përshtatshëm, duhet të rishqyrtojmë një propozim më të hershëm se vendndodhja e Gathit ishte Tell-es-Safi. Ky vend është i madh dhe i rëndësishëm, me një qytet të së njëjtës epokë që shtrihet nën këmbët e tij, në të cilin janë zbuluar plot enë balte filistine. Ai gjendet në pikën ku Vadi-es-Santi (lugina e Elahut) hyn në Shefelahun perëndimor dhe kjo përkon mjaft mirë me tregimin e fitores së Davidit ndaj gititit Goliad. Ata u ndeshën shumë më në lindje, mes Sokohut e Azekahut (1 Sam. 17.1), dhe më pas izraelitët i ndoqën filistinët ‘deri në Gath . . . dhe deri te portat e Ekronit, kështu filistinët e plagosur ranë në udhën nga Sharaimi deri në Gath e Ekron’ (1Sa 17 vrg. 52).»—The Land of the Bible, versioni i A. Reinit, 1979, f. 271.