MERODAK-BALADANI
[nga gjuha babilonase që do të thotë «Marduku ka dhënë një bir»].
«Biri i Baladanit» dhe mbreti i Babilonisë që i dërgoi letra dhe një dhuratë mbretit të Judës, Hezekisë, pasi ky ishte shëruar nga një sëmundje. (Is 39:1) Te 2 Mbretërve 20:12 quhet «Berodak-Baladani», por në përgjithësi ky ndryshim mendohet se është ose gabim kopjimi, ose një orvatje për të transliteruar një bashkëtingëllore të gjuhës akadiane me një tingull mes germës «m» dhe «b».
Në mbishkrimet kuneiforme asiriane dhe babilonase, emri i Merodak-Baladanit del si «Marduk-Apla-Idina». Në to ai paraqitet si sundimtari i një krahine kaldease të njohur si Bit-Jakin, që ndodhej në zonën moçalore sipër Gjirit Persik dhe në jug të Babilonisë. Ai pohon se ka prejardhje mbretërore, duke pretenduar se mbreti i Babilonisë, Eriba-Marduku (që mendohet se sundoi në fillim të shekullit të tetë p.e.s.), ishte paraardhës i tij.—Iraq, Londër, 1953, vëll. XV, f. 124.
Tiglath-Pileseri III, që ishte mbret edhe gjatë mbretërimit të Akazit në Judë (761-746 p.e.s.), e përmend Merodak-Baladanin si sundimtar të një fisi kaldeas, i cili i bëri nderime gjatë një fushate të asirianëve në Babiloni.
I dërgon delegacion Hezekisë. Thuhet se Merodak-Baladani hyri në Babiloni dhe u vetëshpall mbret në kohën kur u ngjit në fronin e Asirisë Sargoni II. Në këtë veprim, Merodak-Baladani kishte mbështetjen e elamitëve. Ndonëse pas pak Sargoni u mundua ta dëbonte nga Babilonia, kaldeasi arriti ta ruante pozitën e tij atje për një periudhë rreth 12-vjeçare, sipas «Listës së mbretërve babilonas». Ndoshta atëherë e dërgoi delegacionin te mbreti Hezekia, në vitin e 14-të të sundimit të mbretit judeas (732 p.e.s.) ose pak pas kësaj. Disa, ndër të cilët edhe historiani jude Jozef, janë të mendimit se interesimi i Merodak-Baladanit për shëndetin e Hezekisë nuk ishte thjesht një formalitet dhe se motivi i vërtetë ishte të fitonte mbështetjen e mbretërisë së Judës, bashkë me atë të Elamit, që të formonte një koalicion kundër Asirisë. Sido që të jetë, veprimi i Hezekisë, që u tregoi të dërguarve kaldeas shtëpinë mbretërore të thesarit dhe arsenalin e armëve (2Mb 20:13), u dënua me forcë nga profeti Isaia, si shenjë paralajmëruese e pushtimit të mëvonshëm të Judës nga Babilonia.—Is 39:2-7.
Mposhtet nga Asiria. Nga fundi i sundimit të tij mbi Babiloninë, që zgjati rreth 12 vjet, Merodak-Baladani humbi mbështetjen kryesore, Elamin, kur Asiria korri fitore mbi atë mbretëri. Më pas, atë vetë e sulmuan dhe u detyrua t’ia mbathte nga Babilonia. Edhe pse e la Babiloninë në dorë të asirianëve, Merodak-Baladani siç duket e mbajti pozitën si sundimtar i Bit-Jakinit. Në «Listën e mbretërve babilonas» flitet për një mbretërim të dytë prej nëntë muajsh (Polihistori thotë gjashtë muaj) të «Mardukaplaidinit» si mbret i Babilonisë, vitin e dytë pas vdekjes së Sargonit. Në përgjithësi pranohet se bëhet fjalë për të njëjtin mbret, i cili bëri një orvatje të dytë për të marrë fronin e Babilonisë. Gjithsesi, duhet vërejtur se në këtë rast mbishkrimet babilonase e quajnë «Mardukaplaidini, me origjinë nga Habi» dhe jo «Mardukaplaidini, [nga] dinastia e Vendit të Detit», si në rastin e mbretërimit të parë. (Ancient Near Eastern Texts, nga Xh. Priçardi, 1974, f. 272) Mbretërimi i dytë ishte tepër i shkurtër, sepse shpejt mbreti asirian Senakerib pushtoi Babiloninë dhe Merodak-Baladanit iu desh të kërkonte strehim në Elam, ku duket se mori fund karriera e tij ambicioze. Me gjithë dështimet e Merodak-Baladanit, kaldeasit më vonë u bënë grupi etnik mbizotërues në Perandorinë Babilonase.
[Figura në botimin e shtypur]
Merodak-Baladani i dhuron truall një funksionari; mbreti Hezekia u tregoi mikpritje të pavend lajmëtarëve të Merodak-Baladanit