SHALMANESERI
[nga gjuha akadiane që do të thotë «Shulmani (një perëndi asirian) është më i larti»].
Këtë emër e mbanin pesë monarkë asirianë; por, me sa duket, vetëm dy prej tyre kishin lidhje të drejtpërdrejtë me Izraelin: Shalmaneseri III dhe Shalmaneseri V. Në Bibël përmendet vetëm ky i fundit.
1. Shalmaneseri III hipi në fronin e Asirisë pas të atit, Ashurnasirpalit II. Në një mbishkrim, ai e quan veten «mbreti i botës, mbreti që nuk ka rival, ‘Dragoi i Madh’, (e vetmja) fuqi në (katër) anët (e dheut)». (Ancient Near Eastern Texts, nga Xh. Priçardi, 1974, f. 276) Mendohet se mbretëroi rreth 35 vjet. Nga këto, 31 vjet i kaloi në luftë për të ruajtur dhe zgjeruar sundimin asirian. Shalmaneseri III ndërmori mësymje të shpeshta në perëndim, kundër mbretërive aramaite të Sirisë.
Mbishkrimi që mendohet se përmend Akabin. Një mbishkrim në monolit i Shalmaneserit III, përshkruan betejën e Karkarit (afër Hamathit, në luginën e Orontesit), e cila u bë vitin e gjashtë të mbretërimit të Shalmaneserit. Atje asirianët luftuan kundër një aleance armike prej 12 mbretërish, kryesisht sirianë. Por ndër ta përmendet edhe A-ha-ab-bu matSir-ʼi-la-a-a. Në veprat e sotme studimore, ky emër zakonisht përkthehet «Akab izraeliti». (Shih Ancient Near Eastern Texts, f. 279.) Pjesëmarrja e Akabit në betejë si aleat i sirianëve pranohet gjerësisht si fakt. Mirëpo Bibla nuk e përmend këtë ngjarje dhe, ndonëse në pamje të parë emrat ngjajnë, ka arsye të forta për të dyshuar se A-ha-ab-bu matSir-ʼi-la-a-a është Akabi i Izraelit. Një enciklopedi (Encyclopædia Biblica, Londër, 1899, vëll. I, kol. 91) thotë: «Emri Ahabbu Sirʼlai, siç e pranojnë sot shumica e studiuesve, mund të ketë vetëm kuptimin Akabi i Izraelit (ose, siç mendon Homeli, i Jezreelit).» (Kursivi është yni.) Kjo tregon se ky identifikim nuk është pranuar gjithmonë gjerësisht si sot dhe se përkthimi «izraeliti» për matSir-ʼi-la-a-a ka qenë objekt dyshimesh. Duhet përmendur se matSir-ʼi-la-a-a nuk është termi që përdoret në mbishkrimet asiriane për mbretërinë veriore të Izraelit. Mbishkrimet e tjera asiriane të asaj kohe i referohen atij vendi ose me emrin e kryeqytetit, Samarisë (në mbishkrime Sa-me-ri-na), ose si Bit Hu-um-ri-ia (vendi i Omrit), shprehje që përdorej edhe një shekull pas vdekjes së Omrit.—Ancient Near Eastern Texts, f. 284, 285.
Në mbishkrimet e Shalmaneserit tregohet se vitin e 18-të të mbretërimit të tij, pra 12 vjet pas betejës së Karkarit, ai luftoi kundër Hazaelit të Damaskut. Gjithashtu shkruhet: «Në atë kohë mora haraçin nga banorët e Tirit e të Sidonit, si dhe nga Jehu, biri i Omrit.» (Ancient Near Eastern Texts, f. 280) Prandaj, sikur A-ha-ab-bu të jetë mbreti Akab, kjo do të krijonte kontradiktë në kronologjinë biblike, e cila tregon se nga vdekja e Akabit deri te mbretërimi i Jehut kaluan afro 14 vjet—periudhë që përfshin mbretërimin e Ahaziahut dhe të Jehoramit. (1Mb 22:51; 2Mb 3:1) Edhe pse shumica e komentuesve thonë se bashkimi i supozuar i Akabit me aleancën siriane ndodhi nga fundi i mbretërimit të tij, kjo prapëseprapë nuk përputhet me kronologjinë biblike. Studiuesit Kamphauzen dhe Kitel e kuptuan problemin dhe hodhën mendimin se në dokumentet asiriane, emri i Akabit është ngatërruar me emrin e Jehoramit. (Dictionary of the Bible, nga Hejstinsi, 1904, vëll. I, f. 53) Megjithatë, Bibla nuk tregon askund që Jehorami të ketë marrë pjesë në betejën e Karkarit.
Gjithashtu, është e vështirë të shpjegohet pse Akabi do të bashkohej me armiqtë e betuar të Izraelit në atë koalicion. Në fakt, një enciklopedi thotë: «Vërejmë se [Akabi] çuditërisht ka hyrë në aleancë me armikun e tij të vjetër, Benhadadin, kundër Shalmaneserit të Asirisë, edhe pse duhet të ishte i kënaqur ta shihte Benhadadin të dërrmuar dhe, veç kësaj, Asiria nuk përbënte ndonjë rrezik urgjent.» (The Encyclopedia Americana, 1956, vëll. I, f. 269) Akabi sapo kishte bërë dy luftëra me sirianët dhe, ndonëse mes Izraelit dhe Sirisë pati një periudhë të shkurtër armëpushimi, vitin e tretë të kësaj periudhe Akabi bëri betejën përfundimtare me ta, në të cilën humbi jetën. (1Mb 22:1-4, 34-37) Orvatjet për të shpjeguar hyrjen e tij në koalicionin sirian, qoftë me dëshirë si një aleat, qoftë me detyrim, nuk janë bindëse.
Përfundimisht, forcat e mëdha ushtarake që kishte A-ha-ab-bu sipas mbishkrimit të Shalmaneserit, nuk përkojnë me çka tregon Bibla për arsenalin luftarak të Izraelit. Mbishkrimi thotë se A-ha-ab-bu solli «2.000 karroca», më shumë nga çdo mbret tjetër aleat. Ata që përkrahin teorinë se A-ha-ab-bu është mbreti Akab, janë të vetëdijshëm se këtu ka diçka që nuk shkon. Por, për të plotësuar numrin e karrocave të luftës, ata e ndërlikojnë problemin, duke hedhur idenë e një bashkimi tjetër të çuditshëm të kontingjenteve të Judës, Tirit, Edomit e madje edhe të Moabit me forcat e Akabit. (Encyclopædia Biblica, vëll. I, kol. 92; The Encyclopædia Britannica, 1910, vëll. I, f. 429) Vlen të përmendet se edhe mbreti i fuqishëm Solomon kishte vetëm 1.400 karroca gjatë mbretërimit të tij.—1Mb 10:26.
Po të mbajmë parasysh gjithë sa u tha, ka shumë të ngjarë që përkthimi A-ha-ab-bu matSir-ʼi-la-a-a si «Akab izraeliti» të mos jetë i saktë, e ndoshta deshifruesit e mbishkrimit ishin të etur ta lidhnin atë emër me ndonjë figurë të njohur historike. Duhet vërejtur se po te ky mbishkrim përmendet «Musri». Ndonëse ky term në vende të tjera përdoret për Egjiptin, këtu përkthyesit e hedhin poshtë këtë lidhje si të palogjikshme dhe janë të mendimit se ky emër «mbase i referohet një vendi në jug të Azisë së Vogël». (Ancient Near Eastern Texts, f. 279, shën. 9) Duket se ekzistojnë arsye po aq të forta për të menduar se edhe lidhja e fjalës matSir-ʼi-la-a-a me Izraelin është e palogjikshme. Ndoshta këtë do ta tregojë koha.
Siç duket, udhëheqësit kryesorë të koalicionit sirian me të cilin u ndesh në Karkar Shalmaneseri III, ishin mbreti Adad-Idri i Damaskut dhe mbreti Irhulen i Hamathit. Shalmaneseri pohonte se korri një fitore të madhe, por, me sa duket, jo aq sa t’u jepte mundësi asirianëve të përparonin drejt perëndimit. Në të vërtetë, në vitet pasuese përmenden beteja të tjera kundër Adad-Idrit të Damaskut.
Mbishkrime për Hazaelin dhe Jehun. Në përmbushje të profecisë që Jehovai tha nëpërmjet Eliseut, Hazaeli, shambelani i mbretit Ben-Hadad të Damaskut, vrau zotërinë e tij dhe u bë mbret, ndoshta diku nga fundi i sundimit të mbretit Jehoram (rr. 917-905 p.e.s.). (2Mb 8:7-15) Këtë e vërteton një mbishkrim i Shalmaneserit III, ku thuhet: «(Vetë) Hadadezeri [Adad-Idri, me sa duket Ben-Hadadi II i Damaskut] vdiq. Hazaeli, një njeri i thjeshtë (fjalë për fjalë: bir i askujt), shtiu në dorë fronin.» Flitet se vitin e 18-të dhe të 21-të të mbretërimit të Shalmaneserit ka pasur luftëra me Hazaelin; asirianët korrën fitore, por kurrë nuk arritën ta merrnin Damaskun.—Ancient Near Eastern Texts, f. 280.
Edhe emri i Jehut, mbretit të Izraelit (rr. 904-877 p.e.s.), shfaqet në Obeliskun e Zi të Shalmaneserit (që tani ndodhet në Muzeun Britanik), në një basoreliev ku paraqitet dikush që ndoshta është ambasador i Jehut, teksa gjunjëzohet para mbretit asirian dhe i jep peshqeshe. Mbishkrimi thotë: «Haraçi i Jehut (Ia-ú-a), bir i Omrit (Hu-um-ri) [domethënë pasues i Omrit]; mora prej tij argjend, ar, një kupë të artë saplu, një vazo të artë me fund me majë, gota të arta, kova të arta, kallaj, një skeptër.» (Ancient Near Eastern Texts, f. 281) Kur Bibla flet për Jehun, nuk e përmend këtë haraç. Edhe pse mbreti izraelit fare mirë mund ta ketë bërë këtë gjë, duke mbajtur parasysh rrethanat që përshkruhen te 2 Mbretërve 10:31-33, nuk duhet përjashtuar mundësia që monarkët mburravecë asirianë t’i kenë shtrembëruar faktet, si në mbishkrimet, edhe në basorelievet e tyre.
2. Shalmaneseri V ishte pasuesi i Tiglath-Pileserit III. Nga sa tregojnë dokumentet jobiblike, mbretërimi i tij është i mjegullt. Sipas listave të mbretërve, ai duhet të ketë mbretëruar pesë vjet në Babiloni me emrin Ululaja. (Ancient Near Eastern Texts, f. 272, shën. 4) Gjithashtu, Jozefi citon historianin Menander, i cili përshkruan rrethimin e Tirit nga Shalmaneseri V. (Antikitete judaike, IX, 283-287 [xiv, 2]) Veç këtyre të dhënave, burimi kryesor i informacioneve për këtë mbret është Bibla.
Sundimi mbi Izraelin. Kur në Izrael mbretëronte Hoshea (rr. 758-740 p.e.s.), Shalmaneseri V u fut në Palestinë dhe Hoshea, që u bë vasal i tij, u detyrua të paguante një haraç vjetor. (2Mb 17:1-3) Megjithatë, më vonë Hoshea nuk ia pagoi më haraçin dhe u zbulua se po komplotonte me Soin, mbretin e Egjiptit. (Shih SOI.) Ndaj Shalmaneseri e futi në burg Hoshenë dhe pastaj e rrethoi Samarinë për tre vjet, derisa qyteti mjaft i fortifikuar ra dhe izraelitët i çuan në mërgim.—2Mb 17:4-6; 18:9-12; krahaso Ho 7:11; Ezk 23:4-10.
Bibla nuk e tregon emrin e mbretit asirian që përfundimisht pushtoi Samarinë.—Shih SARGONI.
Me rënien e Samarisë në vitin 740 p.e.s., mori fund sundimi 257-vjeçar i mbretërisë dhjetëfisëshe të Izraelit.
[Figura në botimin e shtypur]
Obelisku i Shalmaneserit ku tregohet Jehu (ose ka më shumë të ngjarë emisari i tij) që i paguan haraçin mbretit asirian