BARAKIAHU
[Jehovai ka bekuar].
I ati i Zakarisë të cilin e vranë «mes shenjtërores dhe altarit».—Mt 23:35; Lu 11:50, 51.
Fjalët «bir i Barakiahut» nuk gjenden në tregimin e Lukës dhe, sipas Kodikut Sinaitik (atij origjinal), nuk gjenden as në tregimin e Mateut. Mendohet se Jehojada, i ati i Zakarisë që u vra, mund të ketë pasur dy emra, siç kanë pasur edhe personazhe të tjera biblike.—Krahaso Mt 9:9 dhe Mr 2:14; Mt 10:2, 3.
Në përgjithësi pranohet se këtu Jezui e kishte fjalën për Zakarinë «birin e priftit Jehojada». (2Kr 24:20-22) Ky është përfundimi më logjik, pasi libri i Kronikave renditet i fundit në kanonin judaik tradicional ku, sipas asaj që thuhet në Shkrimet Hebraike, Abeli është i pari, kurse Zakaria i fundit njeri i drejtë që është vrarë. Sipas 2 Kronikave 24:21, Zakaria u vra «në oborrin e shtëpisë së Jehovait». Altari i blatimeve të djegura ishte në oborrin e brendshëm, jashtë shenjtërores dhe përballë hyrjes së saj. Kjo përkon me vendin ku e vendosi Jezui ngjarjen, pra «mes shenjtërores dhe altarit».
Për gjakun e Abelit dhe të Zakarisë ishte parathënë se do të kërkohej llogari. (Zn 4:10; 2Kr 24:22) Gjithashtu, ka një ngjashmëri të madhe mes rrethanave dhe ngjarjeve në kohën e Zakarisë, birit të Jehojadës, me ato të brezit që jetoi kur Jezui tha këto fjalë. Fjalët e fundit të Zakarisë qenë: «Jehovai shikoftë dhe shpagoftë!» Fjalët e tij profetike nuk vonuan të përmbusheshin. Vendin e sulmoi një ushtri e vogël sirianësh dhe Jehovai dha në duart e tyre ushtrinë e madhe të Judës; princat e Judës u vranë dhe u plaçkitën. Sirianët ekzekutuan gjykimin kundër Jehoasit dhe e lanë me shumë lëngata; më pas, atë e vranë shërbëtorët e tij. (2Kr 24:23-25) Pasi foli për fajin e gjakut që rëndonte mbi ata të cilëve u ishte drejtuar, Jezui tha: «Të gjitha këto gjëra do të bien mbi këtë brez.» (Mt 23:36) Profecia e Jezuit u përmbush si në Jerusalem, edhe në Jude, nga viti 70 deri në vitin 73 të e.s.