AZARIAHU
[Jehovai ka ndihmuar].
1. Pasardhës i Judës nga Tamara; nga shtëpia e Etanit.—1Kr 2:4, 6, 8.
2. Levit, pasardhës i Kehathit; bir i Sofonisë dhe paraardhës i profetit Samuel.—1Kr 6:33, 36.
3. Pasardhës i Aaronit nga trungu i Eleazarit; bir i Ahimaazit.—1Kr 6:9.
4. Një nga princat e Solomonit. (1Mb 4:2) Ai paraqitet si biri i priftit Sadok; mund të ketë qenë vëllai i Ahimaazit.—1Kr 6:8.
5. Bir i Natanit; princi që emëroi Solomoni në krye të 12 nëpunësve që i siguronin ushqim shtëpisë së mbretit.—1Mb 4:5, 7, 19.
6. Profet, bir i Odedit, që në vitin 963 p.e.s. nxiti Asën «të kërkonte Jehovain». Kështu mbreti zhduku «gjërat e neveritshme» nga tërë vendi dhe e nxiti popullin të bënte besëlidhje me Perëndinë duke u betuar se «kushdo që nuk do të kërkonte Jehovain, Perëndinë e Izraelit, do të vritej».—2Kr 15:1-15.
7, 8. Dy nga shtatë bijtë e Jehozafatit; përmenden i dyti dhe i pesti. I ati u dha shumë dhurata dhe qytete të fortifikuara, por kur vëllai i tyre i madh, Jehorami, u bë mbret, i vrau. (2Kr 21:1-4) «Duket e palogjikshme të mendosh [siç bëjnë disa] se emri u përdor dy herë ngaqë djemtë nuk ishin vëllezër të një barku ose ngaqë njëri nga të dy kishte vdekur tashmë që foshnjë.» (The Interpreter’s Dictionary of the Bible, nga Xh. A. Batriku, 1962, vëll. 1, f. 325) S’para ndodh që dy vëllezër të kenë të njëjtin emër, dhe faktikisht në hebraisht mes dy emrave ka një ndryshim të vogël në shkrim dhe në shqiptim, ʽAzarjáh («Jah ka ndihmuar») dhe ʽAzarjáhu («Jehovai ka ndihmuar»).
9. Bir i një burri me emrin Jehu dhe i ati i Helezit; nga fisi i Judës. E ndanin shtatë breza nga paraardhësi i tij egjiptian Jarha.—1Kr 2:3, 34-39.
10. Mbret i Judës, djali i vogël i Jehoramit dhe i Atalisë; quhet edhe Jehoahaz dhe Ahaziah.—2Mb 8:25-29; 2Kr 21:17; 22:1, 6; shih AHAZIAHU nr. 2.
11. Bir i Jerohamit. Një nga pesë krerët e qindësheve që, në vitin 898 p.e.s., ndihmuan për të rrëzuar Atalinë, uzurpuesen e fronit, dhe për të bërë Jehoasin mbret të Judës.—2Kr 23:1-15.
12. Bir i Obedit. Një nga pesë krerët e qindësheve që, në vitin 898 p.e.s., ndihmuan për të hipur në fron Jehoasin në vend të Atalisë.—2Kr 23:1-15.
13. Mbret i Judës për 52 vjet (829-778 p.e.s.). Bir i Amaziahut dhe i Jekolisë. (2Mb 14:21; 15:1, 2) Te 2 Mbretërve 15:13 ai quhet Uziah.—Shih UZIAHU nr. 3.
14. Kryeprift, bir i Johananit dhe pasardhës i Aaronit. (1Kr 6:1-10) Kur mbreti Uziah tentoi me arrogancë të paraqiste temjan në tempull, mbase ky Azariah e urdhëroi të dilte. Mbreti nuk ia vuri veshin dhe Jehovai e goditi me lebër. (2Kr 26:16-21) Rreth tri dekada pas vdekjes së Uziahut, gjatë vitit të parë të mbretërimit të Hezekisë (745 p.e.s.), Azariahu që shërbente akoma si kryeprift (ose një tjetër që kishte të njëjtin emër), e pranoi se Jehovai i kishte bekuar reformat e mbretit.—2Kr 31:9, 10, 13.
15. Princ i Efraimit, bir i Jehohananit. Pasi mundi Judën në mes të shekullit të 8-të p.e.s., Izraeli mori 200.000 robër dhe Azariahu me princa të tjerë të Efraimit i liruan dhe i ndihmuan materialisht gjatë kthimit.—2Kr 28:5-15.
16. Pasardhës i Levit nga Kehathi. Në vitin 745 p.e.s., Joeli, biri i tij, ndihmoi në pastrimin e tempullit sipas urdhrit të Hezekisë.—2Kr 29:1-12, 15.
17. Pasardhës i Levit nga Merari; bir i Jehalelelit; një nga ata që morën pjesë në pastrimin e tempullit sipas urdhrit të Hezekisë.—2Kr 29:1-12, 15.
18. Bir i Merajotit; paraardhës i Ezdrës.—Ezd 7:3.
19. Bir i Hilkiahut, kryepriftit gjatë mbretërimit të Josisë; i ati i Serajahut (2Mb 22:3, 4; 1Kr 6:13, 14); paraardhës i kopistit Ezdra.—Ezd 7:1.
20. Bir i Hoshajahut. (Jr 43:2) Quhet edhe Jezania (Jr 40:8; 42:1) dhe Jazaniah (2Mb 25:23). Azariahu ishte një nga krerët e forcave ushtarake që mbështetën Gedaliahun (Jr 40:7-10); një nga burrat që i kërkuan Jeremisë t’i lutej Perëndisë që t’u jepte drejtim (Jr 42:1-3); gjithashtu, një nga «burrat arrogantë» që nuk e pranuan përgjigjen që u dha Jehovai nëpërmjet Jeremisë.—Jr 43:1-3.
21. Një nga të rinjtë hebrenj të marrë robër në Babiloni në vitin 617 p.e.s., të cilit ia ndryshuan emrin në Abednego, që duket se do të thotë «shërbëtor i Nebos [një perëndie babilonase]». (Dn 1:3-7) Pas tre vjetësh stërvitjeje të veçantë, Azariahu dhe shokët e tij (Danieli, Hananiahu, Mishaeli) ishin «dhjetë herë më të mirë se gjithë priftërinjtë që merreshin me magji dhe ndjellësit e frymërave» në Babiloni. (Dn 1:5, 14-20) Fillimisht i kërcënuar me vdekje (Dn 2:13-18), pastaj i ngritur në pozitën e administratorit (Dn 2:49), Azariahu përballoi sprovën më të madhe të besnikërisë ndaj Jehovait kur e hodhën në një furrë të tejnxehur, ngaqë nuk pranoi të adhuronte shëmbëlltyrën e ngritur nga Nabukodonosori. (Dn 3:12-30) Ai ishte pa diskutim një njeri me besim. Apostulli Pavël e përmendi tërthorazi si një nga ata që «i qëndruan forcës së zjarrit».—He 11:34.
22. Një nga ata që u kthyen në Jerusalem me Zorobabelin në vitin 537 p.e.s., pas mërgimit në Babiloni. (Ne 7:6, 7) Tek Ezdra 2:2 quhet Serajah.
23. Një nga priftërinjtë që pas mërgimit jetuan në Jerusalem. (1Kr 9:11) Në një listë paralele (Ne 11:11) emri i tij është Serajah. Ndoshta ishte Azariahu nr. 22.
24. Bir i Masejahut, birit të Ananiahut. Në vitin 455 p.e.s., nën mbikëqyrjen e Nehemisë, ai meremetoi një pjesë të murit të Jerusalemit afër shtëpisë së tij.—Ne 3:23, 24.
25. Një burrë të cilin Nehemia e ngarkoi të merrte pjesë me Ezdrën dhe të tjerë në procesionin që do të ecte mbi murin e rindërtuar të Jerusalemit, me rastin e përurimit të tij; mbase Azariahu nr. 27.—Ne 12:31-36.
26. Një nga 13 levitët që ndihmuan Ezdrën të shpjegonte Ligjin teksa i lexohej popullit.—Ne 8:7, 8.
27. Prift ose paraardhës i një prifti, që vulosi ‘marrëveshjen e denjë për besim’ në kohën e guvernatorit Nehemia.—Ne 9:38; 10:1, 2, 8.