Ligji përpara Krishtit
«Sa shumë e dua ligjin tënd! Ai është përsiatja ime gjithë ditën.»—PSALMI 119:97.
1. Çfarë i qeveris lëvizjet e trupave qiellorë?
QYSH nga fëmijëria, ka të ngjarë që Jobi t’u ketë ngulur sytë yjeve i mrekulluar. Mbase, prindërit i kishin mësuar emrat e kostelacioneve të mëdha dhe ato që ata dinin për ligjet që qeverisnin lëvizjet e kostelacioneve nëpër qiell. Mbi të gjitha, njerëzit në kohën e lashtë i përdornin lëvizjet e pandryshueshme të këtyre kostelacioneve të mëdha dhe elegante, për të shënuar ndryshimin e stinëve. Por, edhe pse i shihte qiejt me frikë e nderim të thellë, Jobi nuk e dinte se cilat forca të fuqishme i mbanin këto formacione yjore së bashku. Prandaj, ai nuk mundi t’i përgjigjej Perëndisë Jehova, i cili e pyeti: «A ia di ti qiellit ligjet?» (Jobi 38:31-33, DSF) Po, yjet qeverisen nga ligje; dhe këto ligje janë kaq të sakta dhe të ndërlikuara, saqë edhe shkencëtarët e sotëm nuk i kuptojnë dot plotësisht.
2. Përse mund të themi se gjithë krijimi qeveriset nga ligje?
2 Jehovai është Ligjdhënësi Suprem në univers. Të gjitha veprat e tij qeverisen nga ligjet. Biri i tij i dashur, «i parëlinduri i çdo krijese», i bindej me besim ligjit të të Atit, përpara se të ekzistonte universi fizik! (Kolosianëve 1:15) Edhe engjëjt drejtohen nga ligje. (Psalmi 103:20) Edhe kafshët qeverisen nga ligjet, ndërsa u binden urdhrave instinktive që Krijuesi i tyre ka programuar për to.—Proverbat 30:24-28; Jeremia 8:7.
3. (a) Përse njerëzimi ka nevojë për ligje? (b) Në ç’mënyrë e qeverisi Jehovai kombin e Izraelit?
3 Ç’të themi për njerëzimin? Edhe pse jemi bekuar me dhurata të tilla, si inteligjenca, morali dhe karakteri frymor, ne kemi ende nevojë për ligjin hyjnor, i cili do të na drejtojë në përdorimin e këtyre aftësive. Prindërit tanë të parë, Adami dhe Eva, ishin të përsosur, prandaj për të udhëhequr ata nevojiteshin vetëm pak ligje. Dashuria për Atin qiellor duhet t’u ketë dhënë atyre arsye më se të mjaftueshme për t’u bindur me gëzim. Por ata nuk u bindën. (Zanafilla 1:26-28; 2:15-17; 3:6-19) Si rrjedhojë, pasardhësit e tyre ishin krijesa mëkatare, të cilat kishin nevojë për më shumë ligje që do t’u siguronin drejtim. Me kalimin e kohës, Jehovai e plotësoi me dashuri këtë nevojë. Ai i dha Noes ligje specifike, të cilat ai duhej t’ia transmetonte familjes. (Zanafilla 9:1-7) Shekuj më vonë, nëpërmjet Moisiut, Perëndia i dha kombit të Izraelit një kod ligjor të hollësishëm e të shkruar. Kjo ishte hera e parë që Jehovai qeveriste një komb të tërë me ligjin hyjnor. Shqyrtimi i këtij ligji do të na ndihmojë të kuptojmë rolin jetësor që luan ligji hyjnor në jetën e të krishterëve sot.
Qëllimi i Ligjit të Moisiut
4. Përse do të ishte një sfidë për pasardhësit e zgjedhur të Abrahamit të prodhonin Farën e premtuar?
4 Apostulli Pavël, një studiues i thellë i Ligjit, pyeti: «Atëherë, pse u dha ligji?» (Galatasve 3:19) Për t’u përgjigjur, duhet të kujtojmë që Jehovai i premtoi mikut të tij, Abrahamit, se linja e tij familjare do të prodhonte një Farë, e cila do të sillte bekime të mëdha për të gjitha kombet. (Zanafilla 22:18) Por këtu ishte edhe sfida: pasardhësit e zgjedhur të Abrahamit, izraelitët, nuk ishin të gjithë individë që e donin Jehovain. Me kalimin e kohës, shumica e tyre doli se ishin njerëz me qafë të fortë dhe rebelë; disa ishin pothuajse të paqeverisshëm! (Dalja 32:9; Ligji i përtërirë 9:7) Për njerëz të tillë, fakti që ndodheshin mes popullit të Perëndisë ishte thjesht një çështje lindjeje, jo se ata kishin zgjedhur.
5. (a) Çfarë u mësoi Jehovai izraelitëve nëpërmjet Ligjit të Moisiut? (b) Në ç’mënyrë ishte projektuar Ligji për të ndikuar në sjelljen e atyre që ishin nën të?
5 Si mund ta prodhonte një popull i tillë Farën e të përfitonte prej saj? Në vend se t’i kontrollonte si robotë, Jehovai i mësoi nëpërmjet ligjit. (Psalmi 119:33-35; Isaia 48:17) Në fakt, fjala hebraike për «ligj», toh·rahʹ, do të thotë «mësim». Çfarë mësonte ai? Pikësëpari, ai u mësoi izraelitëve nevojën që kishin për Mesinë, i cili do t’i çlironte nga gjendja e tyre mëkatare. (Galatasve 3:24) Ligji mësonte, gjithashtu, frikën hyjnore dhe bindjen. Në përputhje me premtimin që iu bë Abrahamit, izraelitët duhej të shërbenin si dëshmitarë të Jehovait për të gjitha kombet e tjera. Kështu, Ligji duhej t’u mësonte atyre një kod të lartë e fisnik sjelljeje, e cila do të pasqyronte mirë Jehovain; ai do t’i ndihmonte izraelitët që të mbeteshin të ndarë nga praktikat e korruptuara të kombeve përreth.—Levitiku 18:24, 25; Isaia 43:10-12.
6. (a) Afërsisht sa statute përmbante Ligji i Moisiut dhe përse kjo shumë nuk duhet konsideruar e tepërt? (Shiko shënimin.) (b) Ç’mendjehollësi mund të fitojmë nëpërmjet studimit të Ligjit të Moisiut?
6 Nuk habitemi, pra, tek shohim që Ligji i Moisiut përmbante shumë statute, mbi 600.a Ky kod i shkruar rregullonte fushat e adhurimit, të qeverisjes, të moralit, të drejtësisë, madje edhe të dietës e të higjienës. Megjithatë, a do të thotë kjo se Ligji ishte vetëm një masë me rregulla të ftohta e me urdhërime të ngurta? Larg qoftë! Studimi i këtij kodi të Ligjit ofron një thesar mendjehollësie mbi personalitetin e dashur të Jehovait. Le të shqyrtojmë disa shembuj.
Një ligj që shfaqte mëshirë dhe dhembshuri
7, 8. (a) Si e theksonte Ligji mëshirën dhe dhembshurinë? (b) Si e zbatoi me mëshirë Jehovai ligjin e tij, në rastin e Davidit?
7 Ligji theksonte mëshirën dhe dhembshurinë, sidomos kundrejt të varfërve dhe të pandihmëve. Të vejat dhe jetimët veçoheshin për mbrojtje. (Dalja 22:22-24) Kafshët e punës mbroheshin nga shfaqja e egërsisë. Të drejtat bazë të pronësisë respektoheshin. (Ligji i përtërirë 24:10; 25:4) Edhe pse kërkonte dënimin me vdekje për vrasësit, Ligji tregohej i mëshirshëm në rastet e vrasjeve aksidentale. (Numrat 35:11) Me sa duket, gjyqtarët izraelitë kishin njëfarë lirie, kur vendosnin dënimin për disa shkelje, në varësi të qëndrimit të shkelësit.—Krahaso Daljen 22:7 dhe Levitikun 6:1-7.
8 Jehovai dha shembullin për gjyqtarët, duke e zbatuar Ligjin me vendosmëri kur ishte e nevojshme, por me mëshirë sa herë ishte e mundur. Për mbretin David, i cili kishte kryer tradhti bashkëshortore dhe vrasje, u tregua mëshirë. Jehovai nuk e la pa ndëshkuar, pasi nuk e mbrojti nga pasojat e tmerrshme të mëkatit të tij. Por, për shkak të besëlidhjes së Mbretërisë e meqë ishte për nga natyra një njeri i mëshirshëm dhe tregoi një qëndrim të penduar thellë, Davidit nuk iu mor jeta.—1. Samuelit 24:4-7; 2. Samuelit 7:16; Psalmi 51:1-4; Jakovit 2:13.
9. Çfarë roli luante dashuria në Ligjin e Moisiut?
9 Veç kësaj, Ligji i Moisiut theksonte dashurinë. Përfytyro sikur një nga kombet e sotme të ketë një kod ligjor, i cili në fakt të kërkojë dashuri! Prandaj, Ligji i Moisiut nuk mjaftohej vetëm duke ndaluar vrasjen; ai urdhëronte: «Do ta duash të afërmin tënd si veten tënde.» (Levitiku 19:18) Ai jo vetëm e dënonte trajtimin e padrejtë të banorëve të huaj, por edhe urdhëronte: «Ti do ta duash si veten tënde, sepse edhe ju ishit të huaj në vendin e Egjiptit.» (Levitiku 19:34) Ai jo vetëm që quante të paligjshme tradhtinë bashkëshortore, por e urdhëronte burrin ta bënte të gëzuar gruan e tij! (Ligji i përtërirë 24:5) Vetëm në librin e Ligjit të përtërirë, fjalët hebraike që nënkuptojnë cilësinë e dashurisë janë përdorur mbi 20 herë. Jehovai i siguroi izraelitët për dashurinë e tij për ta: të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen. (Ligji i përtërirë 4:37; 7:12-14) Vërtet, urdhri më i madh i Ligjit të Moisiut ishte: «Ti do ta duash, pra, Zotin [Jehovain, BR], Perëndinë tënd, me gjithë zemër, me gjithë shpirt dhe me tërë forcën tënde.» (Ligji i përtërirë 6:5) Jezui tha se gjithë Ligji varej në këtë urdhërim, bashkë me urdhrin për të dashur të afërmin. (Levitiku 19:18; Mateu 22:37-40) Nuk habitemi që psalmisti shkroi: «Sa shumë e dua ligjin tënd! Ai është përsiatja ime gjithë ditën.»—Psalmi 119:97.
Keqpërdorimi i Ligjit
10. Si e trajtoi pjesa më e madhe e judenjve Ligjin e Moisiut?
10 Sa tragjike ishte, pra, që Izraeli tregoi një mungesë të madhe çmueshmërie për Ligjin e Moisiut! Populli nuk iu bind Ligjit, e shpërfilli atë, apo e harroi fare. Ata e ndotën adhurimin e pastër me praktikat e pështira fetare të kombeve të tjera. (2. Mbretërve 17:16, 17; Psalmi 106:13, 35-38) Gjithashtu, ata e tradhtuan Ligjin edhe në mënyra të tjera.
11, 12. (a) Si shkaktuan dëm grupet e krerëve fetarë pas ditëve të Ezdrës? (Shiko kutinë.) (b) Përse rabinët e lashtë e panë të nevojshme «të bënin një gardh mbrojtës rreth Ligjit»?
11 Disa nga dëmet më të mëdha ndaj Ligjit u shkaktuan pikërisht nga ata, të cilët pohonin se e mësonin dhe e ruanin atë. Kjo ndodhi pas ditëve të skribit të besueshëm, Ezdra, në shekullin e pestë p.e.s. Ezdra luftoi me forcë kundër ndikimeve korruptuese të kombeve të tjera dhe theksoi leximin dhe mësimin e Ligjit. (Ezdra 7:10; Nehemia 8:5-8) Disa mësues të Ligjit pohuan se ndiqnin hapat e Ezdrës dhe formuan atë që u quajt «Sinagoga e madhe». Ndërmjet thënieve të saj ishte direktiva: «Bëni një gardh mbrojtës rreth Ligjit.» Ata mësues arsyetonin se Ligji ishte si një kopsht i çmuar. Në mënyrë që askush të mos kalonte kufirin e këtij kopshti, duke shkelur ligjet e tij, ata krijuan ligje të tjera, «Ligjin gojor», për t’i ruajtur njerëzit që të mos u afroheshin gabimeve të tilla.
12 Disa mund të arsyetojnë se krerët judenj ishin të justifikuar të mendonin kështu. Pas ditëve të Ezdrës, judenjtë u sunduan nga fuqitë e huaja, sidomos nga Greqia. Për të luftuar ndikimin e filozofisë dhe të kulturës greke, grupe me krerë fetarë lindën mes judenjve. (Shiko kutinë, faqe 10.) Me kohë, disa prej këtyre grupeve nisën të rivalizonin, madje të dilnin mbi priftërinë levite, si mësues të Ligjit. (Krahaso Malakinë 2:7.) Duke filluar nga viti 200 p.e.s., ligji gojor nisi ndikimin e tij në jetën e judenjve. Së pari, këto ligje nuk ishin bërë për t’u shkruar, nga frika se mos merreshin si të barabartë me Ligjin e shkruar. Por pak nga pak, mendimi njerëzor doli përpara atij hyjnor, kështu që së fundi ky «gardh» në të vërtetë dëmtoi vetë «kopshtin» që duhej të mbronte.
Ndotja e farisenjve
13. Si e justifikuan disa krerë fetarë judenj vendosjen e shumë rregullave?
13 Rabinët arsyetonin se meqë Tora, apo Ligji i Moisiut, ishte e përsosur, duhej të përmbante një përgjigje për çdo pyetje që mund të lindte. Ky nocion nuk ishte aspak i nderuar. Në të vërtetë, ai u jepte rabinëve lejen për të përdorur arsyetimin dinak njerëzor, duke bërë të dukur sikur Fjala e Perëndisë ishte bazë për ligje në të gjitha çështjet, disa personale, disa thjesht të parëndësishme.
14. (a) Si e frynë krerët fetarë judenj parimin biblik të ndarjes nga kombet, në një ekstrem jobiblik? (b) Nga duket se rregullat e rabinëve nuk arritën të mbronin popullin judaik nga ndikimet pagane?
14 Vazhdimisht, krerët fetarë merrnin parime nga Shkrimet dhe i frynin deri në ekstreme. Për shembull, Ligji i Moisiut nxiste ndarjen nga kombet, kurse rabinët predikonin një lloj përbuzjeje të paarsyeshme për çdo gjë që s’ishte hebraike. Ata mësonin se një jude nuk duhej të linte gjedhët në hanin e një pagani, sepse paganët «dyshohen për marrëdhënie me kafshët». Një grua judeje nuk lejohej të ndihmonte gjatë lindjes një grua pagane, sepse në këtë mënyrë ajo do të ishte «duke ndihmuar në lindjen e një fëmije idhujtarie». Meqë dyshonin me të drejtë për gjimnazet greke, rabinët ndalonin të gjitha ushtrimet atletike. Historia provon se të gjitha këto s’bënë shumë punë për të mbrojtur judenjtë nga bindjet pagane. Në fakt, vetë farisenjtë filluan të mësonin doktrinën pagane greke të pavdekshmërisë së shpirtit!—Ezekieli 18:4.
15. Si i shtrembëruan krerët fetarë judenj ligjet e pastrimit dhe të incestit?
15 Farisenjtë shtrembëruan, gjithashtu, ligjet e pastrimit. Thuhej se po të kishin mundësi, farisenjtë do të pastronin edhe vetë diellin. Ligji i tyre pohonte se shtyrja e «vajtjes në banjo», do ta ndotte një njeri! Larja e duarve u shndërrua në një rit të ndërlikuar, me rregulla se cila dorë duhej larë e para dhe në ç’mënyrë. Gratë konsideroheshin veçanërisht të papastra. Në bazë të urdhrit biblik për të mos ‘iu afruar’ asnjë marrëdhënieje mishore (që në fakt ishte një ligj kundër incestit), rabinët vendosën që një burrë s’duhej të ecte prapa gruas së tij; ai s’duhej as të fliste me të në vende publike.—Levitiku 18:6.
16, 17. Si u zgjerua ligji gojor mbi urdhrin për të mbajtur një të shtunë javore dhe me çfarë rezultati?
16 Veçanërisht famëkeq është imitimi qesharak frymor që ligji gojor i bëri ligjit të së shtunës. Perëndia i dha Izraelit një urdhër të thjeshtë: të mos bënte asnjë punë ditën e shtatë të javës. (Dalja 20:8-11) Megjithatë, ligji gojor shkoi më tej, duke përcaktuar rreth 39 lloje të ndryshme punësh të ndaluara, duke përfshirë lidhjen apo zgjidhjen e një nyjeje, qepjen e dy sythave, shkrimin e dy letrave në hebraisht e kështu me radhë. Kështu, secila prej këtyre punëve të ndaluara kërkonte ligje të tjera që s’kishin të sosur. Cilat nyje ishin të ndaluara dhe cilat jo? Ligji gojor u përgjigjej këtyre pyetjeve me rregulla arbitrare. Shërimi nisi të konsiderohej si një punë e ndaluar. Për shembull, të shtunën ishte e ndaluar të rregulloje një gjymtyrë të thyer. Një njeri që kishte dhembje dhëmbi mund të përdorte uthull për të regjur ushqimin, por nuk duhej të thithte uthullën nëpër dhëmbë. Kjo mund t’i shëronte dhëmbin!
17 E kështu, i errësuar nën peshën e qindra rregullave njerëzore, ligji i së shtunës e humbi domethënien e tij frymore për shumicën e hebrenjve. Kur Jezu Krishti, «zoti i së shtunës», kreu të shtunave mrekulli të mahnitshme që të ngrohnin zemrën, skribët dhe farisenjtë nuk u prekën. Ata kishin merak vetëm sepse dukej sikur ai po shpërfillte rregullat e tyre.—Mateu 12:8, 10-14.
Mësime nga marrëzia e farisenjve
18. Cila ishte pasoja e shtimit të ligjeve dhe traditave gojore mbi Ligjin e Moisiut? Ilustro.
18 Shkurtimisht, mund të themi se këto ligje dhe tradita shtesë iu ngjitën Ligjit të Moisiut, ashtu siç ngjiten gaforret këmbëngushta pas trupit të anijes. Pronari i anijes harxhon shumë kohë e përpjekje për të kruar këto krijesa të mërzitshme nga anija, sepse ato ngadalësojnë shpejtësinë e anijes dhe shkatërrojnë bojën kundër ndryshkut. Ngjashëm, ligji gojor dhe traditat e rënduan Ligjin dhe e bënë objekt të keqpërdorimit gërryes. Megjithatë, në vend se t’i kruanin këto ligje të huaja, rabinët vazhduan të shtonin edhe të tjera. Në kohën kur Mesia erdhi për të përmbushur Ligjin, «anija» kishte një kore kaq të trashë me «gaforre këmbëngushta», sa mezi qëndronte mbi ujë! (Krahaso Proverbat 16:25.) Në vend se ta mbronin besëlidhjen e Ligjit, ata krerë fetarë kryen marrëzinë, duke e tradhëtuar atë. Por, përse dështoi «gardhi» i tyre me rregulla?
19. (a) Përse dështoi «gardhi mbrojtës rreth Ligjit»? (b) Nga duket se krerëve fetarë judenj u mungonte besimi i sinqertë?
19 Krerët e judaizmit nuk arritën të kuptonin se beteja kundër korrupsionit zhvillohet në zemra dhe jo nëpër faqet e librave të ligjeve. (Jeremia 4:14) Çelësi i fitores është dashuria: dashuri për Jehovain, për ligjin e tij dhe për parimet e tij të drejta. Një dashuri e tillë prodhon një urrejtje përgjegjëse për atë që edhe Jehovai urren. (Psalmi 97:10; 119:104) Ata që i kanë zemrat plot me dashuri, mbeten të besueshëm ndaj ligjeve të Jehovait në këtë botë të korruptuar. Krerët fetarë judenj patën privilegjin e madh për të mësuar popullin, në mënyrë që të nxitnin e të frymëzonin këtë lloj dashurie. Përse dështuan ata në këtë pikë? Është e qartë se atyre u mungonte besimi. (Mateu 23:23, shënimi në BR) Sikur të kishin besim se fuqia e frymës së Jehovait vepron në zemrat e njerëzve me besim, ata s’do të kishin pasur nevojë të mbanin nën kontroll të rreptë jetën e të tjerëve. (Isaia 59:1; Ezekieli 34:4) Duke mos pasur besim, ata nuk përcollën besim; e rënduan popullin me urdhërime të bëra nga njerëzit.—Mateu 15:3, 9; 23:4.
20, 21. (a) Çfarë ndikimi të përgjithshëm pati mbi judaizmin mentaliteti i drejtuar nga tradita? (b) Çfarë mësimi nxjerrim nga ajo që ndodhi me judaizmin?
20 Krerët judenj nuk nxitën dashurinë. Traditat e tyre prodhuan një fe që merakosej tepër për gjërat e jashtme, me një bindje mekanike sa për sy e faqe, një terren pjellor për hipokrizinë. (Mateu 23:25-28) Rregullat e tyre prodhuan arsye të panumërta për të gjykuar të tjerët. Prandaj, farisenjtë krenarë dhe autoritarë, u ndien të justifikuar për të kritikuar edhe vetë Jezu Krishtin. Ata e humbën nga sytë qëllimin kryesor të Ligjit dhe nuk e pranuan Mesinë e vërtetë. Prandaj, atij iu desh t’i thoshte kombit të Izraelit: «Ja, shtëpia juaj po ju lihet e shkretë.»—Mateu 23:38; Galatasve 3:23, 24.
21 Çfarë mësimi nxjerrim ne? Është e qartë se një mentalitet i ngurtë, me mendjen nga traditat, nuk nxit adhurimin e pastër të Jehovait! Por, a do të thotë kjo se adhuruesit e sotëm të Jehovait s’duhet të kenë fare asnjë rregull, me përjashtim të atyre që janë shprehur qartë në Shkrimet e Shenjta? Jo. Për një përgjigje më të plotë, le të shqyrtojmë më tej se si Jezu Krishti e zëvendësoi Ligjin e Moisiut me një ligj të ri dhe më të mirë.
[Shënimi]
a Natyrisht, është gjithsesi një numër shumë i vogël në krahasim me sistemin ligjor të kombeve moderne. Për shembull, qysh prej fillimeve të viteve ’90, ligjet federale të Shteteve të Bashkuara mbushin mbi 125.000 faqe, me mijëra ligje të reja që shtohen çdo vit.
A mund të shpjegosh?
◻ Si qeveriset gjithë krijimi nga ligji hyjnor?
◻ Cili ishte qëllimi kryesor i Ligjit të Moisiut?
◻ Nga duket se Ligji i Moisiut theksonte mëshirën dhe dhembshurinë?
◻ Përse krerët fetarë judenj shtuan rregulla të panumërta në Ligjin e Moisiut dhe me çfarë rezultati?
[Kutia në faqen 10]
Krerët fetarë judenj
Skribët: Ata e konsideronin veten si pasardhës të Ezdrës dhe si shpjegues të Ligjit. Sipas librit A History of the Jews, «skribët nuk ishin të gjithë njerëz fisnikë dhe përpjekjet e tyre për të nxjerrë domethënie të fshehura nga ligji, shpesh degjeneruan në formula pa kuptim dhe në kufizime absurde. Këto kufizime u përforcuan në zakone, të cilat u bënë shpejt tirane të pamëshirshme».
Hasidizmi: Emri do të thotë «të përshpirtshmit» apo «të shenjtët». Të përmendur së pari si klasë aty nga viti 200 p.e.s., ata ishin të fuqishëm politikisht, mbrojtës fanatikë të pastërtisë së Ligjit kundër tiranisë së ndikimit grek. Hasidizmi u nda në tri grupe: farisenjtë, saducenjtë dhe esenët.
Farisenjtë: Disa studiues besojnë se emri vjen nga fjalët «të ndarët» apo «separatistët». Në fakt, ata ishin fanatikë në përpjekjet e tyre të forta për të qenë të ndarë nga paganët, por, gjithashtu, ata e konsideronin vëllazërinë e tyre si të ndarë dhe më të lartë se populli i zakonshëm jude, i cili nuk merrte vesh nga ndërlikimi i ligjit gojor. Një historian thotë për farisenjtë: «Po t’i shohësh në përgjithësi, ata i trajtonin njerëzit si të ishin fëmijë, duke formuluar dhe përcaktuar edhe hollësitë më të vogla të kremtimeve rituale.» Një studiues tjetër thotë: «Fariseizmi prodhoi një tërësi rregullash ligjore, të cilat shtriheshin mbi çdo situatë, me pasojën e pashmangshme të zmadhimit të gjërave të vogla dhe zvogëlimit të gjërave të mëdha (Mat. 23:23).»
Saducenjtë: Një grup që ishte i lidhur shumë ngushtë me aristokracinë dhe me priftërinë. Ata iu kundërvunë me forcë skribëve dhe farisenjve, duke thënë se ligji gojor nuk ishte aq i vlefshëm sa Ligji i shkruar. Por që ata e humbën këtë betejë, duket nga vetë Mishna: «Zbatohet një përpikmëri më e madhe ndaj [mbajtjes së] fjalëve të skribëve, sesa ndaj [mbajtjes së] fjalëve të Ligjit [të shkruar].» Talmudi, i cili përfshin shumë komente mbi ligjin gojor, më vonë shkoi aq larg, sa tha: «Fjalët e skribëve janë . . . më të dashura se fjalët e Torës.»
Esenët: Një grup asketësh, të cilët u vetizoluan në bashkësi të ndara. Sipas The Interpreter’s Dictionary of the Bible, esenët ishin akoma edhe më shumë ekskluzivë se farisenjtë dhe «në disa raste bëheshin më farisenj se farisenjtë».
[Figura në faqen 8]
Mbase prindërit i kanë mësuar Jobit ligjet që qeverisin kostelacionet