BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • ijwbq artikulli 66
  • A ekziston ferri? Çfarë thotë Bibla për ferrin?

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • A ekziston ferri? Çfarë thotë Bibla për ferrin?
  • Përgjigje për pyetje rreth Biblës
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Përgjigjja e Biblës
  • A është ferri një vend ku njerëzit mundohen përjetësisht?
  • A e mbështet idenë e ferrit shëmbëlltyra e Jezuit për njeriun e pasur dhe Lazarin?
  • A përfaqëson ferri ndarjen nga Perëndia?
  • A është kthyer ndokush nga ferri?
  • Kush shkon në ferr?
    Përgjigje për pyetje rreth Biblës
  • Çfarë ka ndodhur me zjarrin e ferrit?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2002
  • Çfarë është në të vërtetë ferri?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2002
  • A ekziston me të vërtetë ferri?
    Ti mund të jetosh përgjithmonë në parajsë mbi Tokë
Shih më tepër
Përgjigje për pyetje rreth Biblës
ijwbq artikulli 66
Pikturë fetare ku tregohen njerëz duke vuajtur në ferrin e zjarrtë.

A ekziston ferri? Çfarë thotë Bibla për ferrin?

Përgjigjja e Biblës

Disa përkthime të Biblës, si për shembull, Përkthimi i Dom Simon Filipajt, përdorin fjalën «ferr» në disa vargje. (Proverbat 7:27; Mateu 5:30) Siç tregohet edhe nga figura në këtë artikull, e cila bazohet në disa mësime fetare, shumë njerëz besojnë se ferri është një vend me zjarr të përjetshëm ku ndëshkohen të ligjtë. Por, a e mëson vërtet Bibla këtë?

Në këtë artikull

  • A është ferri një vend ku njerëzit mundohen përjetësisht?

  • A e mbështet idenë e ferrit shëmbëlltyra e Jezuit për njeriun e pasur dhe Lazarin?

  • A përfaqëson ferri ndarjen nga Perëndia?

  • A është kthyer ndokush nga ferri?

  • Vargje nga Bibla për ferrin, ose Varrin

  • Terma të Biblës në gjuhët origjinale

  • Si lindi doktrina e ferrit të zjarrtë

A është ferri një vend ku njerëzit mundohen përjetësisht?

Jo. Fjalët «Sheol» në hebraisht dhe «Hades» në greqisht, pra, në gjuhët në të cilat u shkrua Bibla në fillim, në disa versione të Biblës janë përkthyer «ferr». Mirëpo, në thelb, këto fjalë do të thonë «varr», domethënë varri i përbashkët i njerëzimit. Bibla shpjegon se njerëzit që janë në «varr», thjesht nuk ekzistojnë më.

  • Të vdekurit janë të pavetëdijshëm dhe nuk mund të ndiejnë dhimbje. «Në Sheol ku po shkon nuk ka më as punë, as mendim, as njohuri dhe as dituri.» (Eklisiastiu 9:10, Përkthimi Diodati i Ri i Rishikuar) Pra, Sheoli, ose ferri, siç e kanë përkthyer disa, nuk është një vend me njerëz që ulërijnë nga dhimbjet. Përkundrazi, Bibla thotë: «U pështjellofshin të pabesët dhe rënçin në heshtje në Sheol [«ferr», 30:18, Douay-Rheims].»—Psalmi 31:17; Dio; Psalmi 115:17.

  • Si dënim për mëkatin, Perëndia ka caktuar vdekjen, jo mundimin në një ferr të zjarrtë. Zoti i tha njeriut të parë, Adamit, se po të shkelte ligjin e Tij, Adami do të vdiste. (Zanafilla 2:17) Zoti nuk përmendi fare tortura të përjetshme në ferr. Më vonë, pasi Adami mëkatoi, Perëndia i shpalli dënimin me këto fjalë: «Ti je pluhur dhe në pluhur do të kthehesh.» (Zanafilla 3:19) Adami thjesht nuk do të ekzistonte më. Nëse Perëndia do ta çonte Adamin në një ferr të zjarrtë, me siguri do ta përmendte. Edhe sot Zoti nuk e ka ndryshuar dënimin për shkeljen e ligjeve të tij. Qindra vite më vonë pas mëkatit të Adamit, Perëndia frymëzoi një shkrimtar të Biblës të thoshte: «Paga që paguan mëkati, është vdekja.» (Romakëve 6:23) Nuk nevojitet një ndëshkim i mëtejshëm, sepse «kush ka vdekur, është shfajësuar nga mëkati i vet».—Romakëve 6:7.

  • Ideja e torturave të përhershme është e neveritshme për Zotin. (Jeremia 32:35) Ajo bie ndesh me mësimin e Biblës se «Perëndia është dashuri». (1 Gjonit 4:8) Ai dëshiron që ta adhurojmë të motivuar nga dashuria, jo nga frika se mos torturohemi përjetësisht.—Mateu 22:36-38.

  • Njerëz të mirë shkuan në ferr. Ato Bibla që fjalën Sheol e kanë përkthyer «ferr», tregojnë se edhe njerëz si Jakobi dhe Jobi, pritnin të shkonin në ferr. (Zanafilla 37:35; Jobi 14:13) Madje, edhe për Jezu Krishtin thuhet se ka pritur në ferr, ose në Hades, pasi vdiq dhe para se të ringjallej. (Veprat 2:31, 32) Pra, kuptohet qartë se fjala «ferr» që është përdorur në disa Bibla, ka thjesht kuptimin Varr.a

A e mbështet idenë e ferrit shëmbëlltyra e Jezuit për njeriun e pasur dhe Lazarin?

Këtë shëmbëlltyrë e tregoi Jezui dhe është dokumentuar te Luka 16:19-31. Shëmbëlltyrat janë tregime që na mësojnë parime morale ose pikëpamjen e Perëndisë për çështje të ndryshme. Shëmbëlltyra për të pasurin dhe Lazarin nuk ishte një ngjarje reale. (Mateu 13:34) Për të ditur më shumë rreth kësaj shëmbëlltyre, shih artikullin «Cilët ishin njeriu i pasur dhe Lazari?»

A përfaqëson ferri ndarjen nga Perëndia?

Jo. Mësimi se të vdekurit janë të vetëdijshëm se janë të ndarë nga Perëndia, bie në kundërshtim me Biblën, e cila mëson qartë se të vdekurit janë plotësisht të pavetëdijshëm.—Psalmi 146:3, 4; Eklisiastiu 9:5.

A është kthyer ndokush nga ferri?

Po. Bibla përmban tregime të hollësishme për nëntë njerëz që përfunduan në Varr (që në disa Bibla e kanë përkthyer «ferr») dhe u kthyen përsëri në jetë nëpërmjet ringjalljes.b Nëse ata do të kishin qenë të vetëdijshëm në ferr, me siguri do të kishin folur për të dhe për gjërat që kishin përjetuar atje. Mirëpo është interesante që asnjë prej tyre nuk tha se kishte përjetuar tortura a diçka tjetër. Pse? Siç mëson Bibla në secilin rast, ata kishin qenë të pavetëdijshëm, si në një «gjumë» të thellë.—Gjoni 11:11-14; 1 Korintasve 15:3-6.

a Shih kutinë «Terma të Biblës në gjuhët origjinale».

b Shih 1 Mbretërve 17:17-24; 2 Mbretërve 4:32-37; 13:20, 21; Mateun 28:5, 6; Lukën 7:11-17; 8:40-56; Gjonin 11:38-44; Veprat 9:36-42; Veprat 20:7-12.

Vargje nga Bibla për ferrin, ose Varrin

Jobi 14:13: «Ah, sikur të më fshihje në Varr [«ferr», Douay-Rheims Version]! . . . Të vije një afat e të më kujtoje!»

Kuptimi: Besniku Job e dinte se ferri (Varri) do t’i sillte lehtësim nga dhimbjet dhe se Perëndia do ta rikthente përsëri nga varri në jetë.

Psalmi 145:20: «Jehovai i mbron të gjithë ata që e duan, kurse të ligjtë do t’i shfarosë krejt.»

Kuptimi: Zoti do t’i shfarosë, pra, do t’i shkatërrojë përgjithmonë të ligjtë. Nuk do t’i mbajë gjallë në ferr për t’i torturuar.

Eklisiastiu 9:10: «Nuk ka as punë, as plan, as njohuri, as mençuri në Varr [«ferr», Douay-Rheims Version], ku po shkon.»

Kuptimi: Ata që janë në Varr, ose ferr, nuk janë të vetëdijshëm dhe s’mund të vuajnë. Veç kësaj, s’ka diskutim se shkrimtari i Biblës ua drejtoi këto fjalë të mençura njerëzve të mirë.

Veprat 2:31: «E dinte që më përpara se Krishti do të ringjallej dhe tha për të se nuk u braktis në Varr [«ferr», King James Version].»

Kuptimi: Kur vdiq, Jezu Krishti shkoi në Varr (ose në «ferr» sipas disa përkthimeve të Biblës).

Romakëve 6:23: «Paga që paguan mëkati, është vdekja.»

Kuptimi: Dënimi i plotë për mëkatin është vdekja, jo mundimi në ferr.

Zbulesa 20:13: «Vdekja dhe Varri [«ferri», King James Version] i dorëzuan të vdekurit që gjendeshin në ta.»

Kuptimi: Ata që gjenden në ferr, janë të vdekur dhe do të kthehen sërish në jetë me anë të ringjalljes.

Zbulesa 20:14: «Vdekja dhe Varri [«ferri», King James Version] u vërvitën në liqenin e zjarrtë.»

Kuptimi: Pasi Varri (ose ferri) të boshatiset plotësisht nëpërmjet ringjalljes, ai do të shkatërrohet përgjithmonë nga një zjarr simbolik. Pastaj, vdekja që erdhi nga mëkati i Adamit, nuk do të ekzistojë më.—Romakëve 5:12.

Terma të Biblës në gjuhët origjinale

Siç tregohet te lista e mëposhtme, përkthyesit e Biblës kanë krijuar konfuzion të panevojshëm duke përdorur fjalën «ferr» për ato fjalë që në gjuhën origjinale kanë kuptime të tjera. Në disa raste, duket se kanë dashur të përhapin kastile idenë se të ligjtë do të torturohen përjetësisht, e jo se do të shkatërrohen.

  • Sheol (hebraisht שְׁאוֹל), Hades (greqisht ᾅδης)

    Kuptimi: Varri i përbashkët i njerëzimit.—Psalmi 16:10; Veprat 2:31

    Është përkthyer: Varr, ferr, Nëntoka (Filipaj); bota e të vdekurve (Bibla ECM)

  • Gehena (greqisht γέεννα)

    Kuptimi: Shkatërrim i përhershëm.—Mateu 5:30

    Është përkthyer: Gehena; ferr (ECM, Filipaj)

  • Tartari (greqisht ταρταρόω)

    Kuptimi: Gjendja e poshtëruar e demonëve, që janë krijesa të liga qiellore.—2 Pjetrit 2:4

    Është përkthyer: Tartar; ferr (King James Version, New International Version); humnerat e errëta (ECM)

  • Apoleia (greqisht ἀπώλεια)

    Kuptimi: Shkatërrim.—Mateu 7:13

    Është përkthyer: Shkatërrim; rrënim (ECM); ferr (Good News Bible)

  • Pyr (greqisht πῦρ)

    Kuptimi: Zjarr, si në kuptim literal, edhe figurativ.—Luka 17:29; Juda 23

    Është përkthyer: Zjarr; zjarri i ferrit (God’s Word Translation)

Si lindi doktrina e ferrit të zjarrtë

Origjinë pagane: Egjiptianët e lashtë besonin se ferri i zjarrtë ekzistonte. Libri Ȧm-Ṭuat (Amduat), i cili tregon për zakonet e funeraleve dhe që historianët besojnë se daton që nga shekulli i 16-të p.e.s., flet për ata që «duheshin hedhur me kokë në gropat me zjarr dhe . . . nuk do të ishin në gjendje të iknin nga flakët».—The Egyptian Heaven and Hell.

Të krishterët e parë nuk e besonin këtë doktrinë: «Duhet theksuar se në B[esëlidhjen] e R[e] nuk gjejmë gjëkundi që ferri i zjarrtë të ketë qenë pjesë e predikimit të [të krishterëve të parë].»—A Dictionary of Christian Theology.

Filozofia greke depërton tinëzisht: «Aty nga mesi i shekullit të 2-të [të e.s.], të krishterët që kishin studiuar disi filozofinë greke, nisën të ndienin nevojën që ta shprehnin besimin e tyre me terma filozofikë. . . . Filozofia që u përshtatej më mirë, ishte platonizmi [mësimet e Platonit].» (Encyclopædia Britannica) Pjesë e asaj filozofie ishte edhe doktrina e mundimit me zjarr pas vdekjes. «Nga të gjithë filozofët klasikë grekë, ai që ka ndikuar më shumë në pikëpamjet tradicionale për ferrin, është Platoni.»—Histoire des enfers (Historia e ferrit).

Ferri i zjarrtë u përdor për të përligjur torturat: Gjatë periudhës historike që njihet gjerësisht me termin Inkuizicioni Spanjoll, thuhej se atyre që dënoheshin për herezi dhe që digjeshin në turrën e druve, u jepej mundësia «të provonin pak zjarrin e përhershëm të ferrit», gjoja me shpresën se do të pendoheshin para se të vdisnin. (The Spanish Inquisition, nga Xhina Plejdi) Po kështu, thuhet se mbretëresha Maria I e Anglisë që dogji në turrën e druve rreth 300 protestantë, është shprehur: «Meqë shpirtrat e heretikëve në botën e përtejme do të digjen përjetësisht në ferr, nuk ka gjë më të drejtë sesa të imitoj hakmarrjen Hyjnore duke i djegur në tokë.»—Universal History, nga Aleksandër Tajtlëri.

Ndryshime në kohët tona: Disa fe e kanë zbutur mësimin e ferrit, me sa duket më shumë të shtyrë nga dëshira për të kënaqur besimtarët e tyre se sa për të hedhur poshtë një mësim të rremë. (2 Timoteut 4:3) «Njerëzit dëshirojnë një Perëndi që është i ngrohtë dhe ledhatar. . . . Është e papranueshme për kulturën e sotme të flasësh për mëkat dhe faj.»—Profesor Xhekson Kerrolli.

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo