-
«Planet e tua do të jenë të sigurta»Kulla e Rojës—2007 | 15 Maj
-
-
NË NJË melodi që kompozoi, psalmisti David u lut: «Krijo tek unë një zemër të kulluar, o Perëndi, dhe vër brenda meje një frymë të re, të palëkundur! Më rikthe ngazëllimin e shpëtimit prej teje, dhe më mbështet duke më dhënë një frymë të gatshme!» (Psalmi 51:10, 12) I penduar pas mëkatit që kishte kryer me Betshebën, në këto vargje Davidi iu përgjërua Perëndisë Jehova që t’i pastronte zemrën dhe t’i vinte brenda frymën ose prirjen mendore që të vepronte drejt.
A krijon vërtet Jehovai tek ne një zemër të re, duke vënë brenda nesh një frymë të re e të gatshme? Apo një zemër e kulluar është diçka që duhet të përpiqemi ta fitojmë e ta ruajmë? «Ai që shqyrton zemrat është Jehovai», por deri në ç’pikë përfshihet në atë që ndodh brenda nesh? (Proverbat 17:3; Jeremia 17:10) Sa ndikon ai në jetën tonë, në motivet dhe në veprimet tona?
-
-
«Planet e tua do të jenë të sigurta»Kulla e Rojës—2007 | 15 Maj
-
-
Kush duhet «të vërë në radhë mendimet e zemrës»?
«Njeriut i takon të vërë në radhë mendimet e zemrës»,—thuhet te Proverbat 16:1a. Pra, është e qartë se e kemi ne përgjegjësinë ‘t’i vëmë në radhë mendimet e zemrës’. Jehovai nuk bën ndonjë mrekulli që të përgatitë zemrën tonë dhe të na japë një frymë të gatshme. Duhet të bëjmë vetë përpjekje për të fituar njohurinë e saktë të Fjalës së tij, Biblës, për të medituar rreth asaj që mësojmë dhe për t’i vënë mendimet tona në përputhje me mendimet e tij.—Proverbat 2:10, 11.
Gjithsesi, kërkesa e Davidit për «një zemër të kulluar» dhe «një frymë të re» tregon se ai e pranonte prirjen e tij mëkatare dhe nevojën për ndihmën e Perëndisë që të pastronte zemrën. Ngaqë jemi të papërsosur, ne mund të tundohemi që të kryejmë «veprat e mishit». (Galatasve 5:19-21) Na duhet ndihma e Jehovait që t’i bëjmë «të vdesin gjymtyrët e trupit [tonë] në tokë në lidhje me kurvërinë, ndyrësinë, urinë seksuale, dëshirat e dëmshme dhe lakminë». (Kolosianëve 3:5) Sa jetësore është pra që t’i lutemi për ndihmë atij, për të mos u dorëzuar para tundimeve dhe për të hequr nga zemra jonë tiparet mëkatare!
-