ASAFI
[Ai (Perëndia) ka mbledhur].
1. Pasardhës i Levit nga Gershomi. (1Kr 6:39, 43) Gjatë mbretërimit të Davidit (1077-1038 p.e.s.), levitët e zgjodhën Asafin si një nga cimbalistët dhe këngëtarët kryesorë që shoqëruan Arkën nga shtëpia e Obed-Edomit për në «Qytetin e Davidit». (1Kr 15:17, 19, 25-29) Që nga ai moment, Asafi bashkë me Hemanin dhe Etanin shërbyen para tabernakullit për të dirigjuar muzikantët ose këngëtarët. (1Kr 6:31-44) Njësoj si Hemani dhe Jeduthuni (që me sa duket ishte Etani), Asafi është quajtur ‘vegimtar’ dhe ‘profetizoi me harpë’.—1Kr 25:1-6; 2Kr 29:30; 35:15.
Bijtë e Asafit vazhduan të ishin një grup i veçantë në gjirin e instrumentistëve dhe të këngëtarëve. Ata luajtën një rol të rëndësishëm kur u përurua tempulli dhe kur Arka u çua nga Sioni në tempull (2Kr 5:12); në kohën e reformave të mbretit Hezekia (2Kr 29:13-15) dhe në kohën e Pashkës së madhe që u kremtua gjatë mbretërimit të Josisë. (2Kr 35:15, 16) Disa nga pasardhësit e tij bënin pjesë në grupin e parë të të mërguarve që u kthyen në Jerusalem nga Babilonia.—Ezd 2:1, 41; Ne 7:44.
Mbishkrimet e Psalmeve 50 dhe 73 deri në 83 ia atribuojnë këto këngë Asafit. Megjithatë, duket se në këto raste emri i tij i referohet shtëpisë atërore i së cilës ishte kreu, pasi disa nga psalmet (Ps 79, 80) flasin për ngjarje më të vonshme se koha e Asafit.
2. Pasardhës i Kehathit, birit të Levit. Pasardhësit e tij shërbenin si derëtarë në tabernakull gjatë kohës së mbretit David.—1Kr 26:1; Nu 16:1.
3. Mes zyrtarëve të mbretit Hezekia (745-717 p.e.s.) përmendet «regjistruesi Joah, biri i Asafit». (2Mb 18:18, 37; Is 36:3, 22) Megjithëse Xhon Kito në një vepër të tij e përdor termin ‘regjistrues’ në lidhje me Asafin, sipas pjesës më të madhe të studiuesve, ai i referohet Joahut (pra Joah ben Asafi, regjistruesi). (Cyclopædia of Biblical Literature 1880, vëll. I, f. 233.) Përderisa termi «bir» shpesh përdoret në kuptimin e «pasardhësit», disa janë të mendimit se ky Asaf është Asafi nr. 1.
4. ‘Rojtari i pyllit’ të mbretit Artakserks në kohën kur Nehemia u kthye në Jerusalem (455 p.e.s.). (Ne 2:8) Kjo zonë pyjore ishte ndoshta në Liban, që gjithashtu gjendej nën kontrollin e Persisë. Emri hebraik i këtij rojtari mund të tregojë se ai ishte një hebre që shërbente në këtë post zyrtar, ashtu si Nehemia kishte shërbyer në postin e kupëmbajtësit të mbretit, një funksion relativisht i rëndësishëm.—Ne 1:11.