ZOANI
Qytet i lashtë egjiptian, i ndërtuar shtatë vjet pas Hebronit, prandaj tashmë ekzistonte rreth kohës kur Abrahami hyri në Kanaan (1943 p.e.s.). (Nu 13:22; Zn 12:5; 13:18) Emri biblik i Zoanit përkon me emrin egjiptian (dʽnt) të një qyteze në pjesën verilindore të zonës së Deltës, rreth 56 km në jugperëndim të Port-Saidit. I njohur më shumë me emrin grek Tanis (pranë San-el-Hagarit të sotëm), ai shtrihej mbi degën tanitike të Nilit.
Te Psalmi 78:12, 43, kur përshkruhen veprat e mrekullueshme që bëri Jehovai për Izraelin e që çuan deri te Dalja, shprehja ‘fusha e Zoanit’ është përdorur në mënyrë paralele me shprehjen ‘vendi i Egjiptit’ (Dio). Për këtë arsye, disa studiues mendojnë se takimet e Moisiut me faraonin u bënë në Zoan. Për të njëjtën arsye, janë bërë përpjekje për ta lidhur Zoanin (Tanisin) me qytetin e Ramsesit, si dhe me qytetin e Avarisit, për të cilin Manetoja flet në tregimin e tij për të ashtuquajturit mbretër hyksosë. Ja përse shumë vepra referimi të sotme pohojnë se emri i Zoanit ndryshoi në Avaris nën sundimin e hyksosëve, pastaj u bë Ramses nën sundimin e dinastisë së Ramsesëve dhe, së fundi, u bë përsëri Zoan (por në formën greke Tanis). Sidoqoftë, është për t’u vënë re se Bibla e përdor emrin Zoan në mënyrë koherente, përpara Daljes (që në kohën e Abrahamit), në kohën e Daljes dhe deri në shekujt e tetë, të shtatë e të gjashtë p.e.s. (në kohën e profetëve Isaia dhe Ezekiel).
Sikur Zoani të ketë qenë vendi i takimeve të Moisiut me faraonin, kjo do të na jepte njëfarë ideje se ku ka nisur udhëtimi i Daljes. Por faktorë të ndryshëm e vënë në pikëpyetje këtë pikëpamje. Që ta marrim Zoanin si vendnisjen e mundshme, duhet që shprehjen ‘fusha e Zoanit’ të mos e konsiderojmë thjesht si paralele me ‘vendin e Egjiptit’, por si një shprehje shumë më specifike, që tregon vendin e saktë ku ndodhën mrekullitë. Mirëpo, ky lloj specifikimi kaq i kufizuar nuk do të përputhej me situatën, sepse Dhjetë Plagët nuk ndodhën vetëm në një pjesë të Egjiptit (në një pjesë të deltës), por anembanë vendit. Nga ky këndvështrim, gjen mbështetje ideja se shprehja ‘fusha e Zoanit’ është përdorur në mënyrë paralele me ‘vendin e Egjiptit’.
Përpjekjet e studiuesve të sotëm për ta paraqitur Zoanin (apo Avarisin ose Ramsesin, sipas lidhjes që ata mundohen të bëjnë) si rezidencën e faraonit në kohën e Daljes, nuk gjejnë mbështetje nga Bibla dhe as përputhen me të në aspekte të ndryshme. Bibla thotë se takimi i parë i Moisiut me faraonin u bë buzë lumit Nil. (Da 7:14, 15) Faktikisht, Zoani (Tanisi) nuk ndodhet buzë lumit, por në skaj të një prej degëve të lashta që formoheshin nga rrjedha kryesore. Në orvatje për ta lokalizuar Ramsesin në të njëjtin vend me Zoanin ose Tanisin, atyre u kalon pa vënë re fakti që Zoani ekzistonte tashmë si qytet që në kohën e Abrahamit, kurse Ramsesi biblik nisi të ndërtohej nga izraelitët në Egjipt rreth 400 vjet më vonë (vetëm nëse me fjalën «ndërtuan» Bibla nënkupton «forcuan» ose «fortifikuan»).—Da 1:11.
Sipas këtyre studiuesve, Zoani (Avarisi ose Ramsesi, si thonë ata) ishte kryeqyteti i Egjiptit në kohën e Daljes, kurse Bibla e quan thjesht një ‘qytet-depo’. Po ashtu, duke pohuar se Ramsesi II ishte faraoni i kohës së Daljes, meqë ai thotë se kishte ndërtuar qytetin e Ramsesit (apo, më saktë, një vend të quajtur Per-Ramses), ata shpërfillin faktin që ndërtimi i Ramsesit filloi 80 a më shumë vjet para Daljes (para lindjes së Moisiut [Da 1:11–2:10]), kurse historianët thonë se Ramsesi II sundoi vetëm rreth 66 vjet.—Shih RAMSESI.
Sidoqoftë, mbetet pyetja se përse shprehja ‘fusha e Zoanit’ është përdorur, me sa duket, në mënyrë paralele me ‘vendin e Egjiptit’, në lidhje me veprat e mrekullueshme të Jehovait. Edhe pse nuk mund të mënjanojmë plotësisht një lidhje të mundshme me oborrin e faraonit, është plotësisht e mundur që lashtësia e Zoanit ta ketë nxitur psalmistin ta përmendë në këtë mënyrë, përderisa duket që ishte një nga qytetet më të hershme të ndërtuara në Egjipt. Ose mund të jetë përmendur për shkak të rëndësisë së tij apo edhe të vendndodhjes në hyrje të Egjiptit për ata që vinin nga Palestina, dhe ndoshta ishte qyteti i parë i madh që pa familja e Jakobit kur vajti në Egjipt. (Krahaso Is 30:2-4; shih HANESI.) Për shkak se gjendet pranë skajit verior të Egjiptit, «fusha» e tij mund t’i referohet në mënyrë të figurshme tërë luginës së Nilit që, nga aty, shtrihej në jug deri në kufirin jugor të Egjiptit.
S’ka dyshim që Zoani (Tanisi) ishte një qytet i rëndësishëm, sidomos për sa i përket tregtisë dhe ndërtesave fetare. Ka dëshmi që tregojnë se, nga koha e «dinastive» të hershme e më tej, mbretërit egjiptianë bënë atje shumë ndërtime. U ndërtua një tempull i madh, rreth 305 m i gjatë. Faraoni Ramsesi II bëri në Tanis një statujë gjigante monolite të vetes, e cila ishte nja 28 m e lartë dhe peshonte mbi 800 tonë. Mbretërit asirianë Esar-Hadoni dhe Ashurbanipali e përmendin Zoanin (Saʼnu ose Siʼnu në mbishkrimet kuneiforme) si një qytet mbretëror me në krye një princ. Para tyre, në shpalljen hyjnore kundër Egjiptit, profeti Isaia kishte folur për «princat e Zoanit» dhe i kishte radhitur ata me princat e Nofit (Memfisit), duke nxjerrë në pah edhe rëndësinë politike të Zoanit. (Is 19:1, 11-13) Thuhet se Tirhakahu, mbreti etiopas i Egjiptit dhe bashkëkohës i Isaisë, e ka përdorur Zoanin (Tanisin) si një qendër administrative për Egjiptin e Veriut.
Pushtimi i Egjiptit nga mbretërit asirianë Esar-Hadoni dhe Ashurbanipali, tregoi sa «pa mend» ishin këshilltarët nga Zoani. (Is 19:13) Më pas, rreth vitit 591 p.e.s., profeti Ezekiel paralajmëroi se Egjipti do të pushtohej edhe nga mbreti babilonas Nabukodonosori dhe se ai ‘do t’i vinte zjarrin Zoanit’. (Ezk 29:17; 30:1, 10, 14) Sidoqoftë, Zoani (Tanisi), me sa duket, e mori veten dhe vazhdoi të ishte qyteti më i madh i Egjiptit në zonën e deltës, deri në kohën e Aleksandrit të Madh. Më pas, qyteti i ri i Aleksandrisë e eklipsoi rëndësinë ekonomike të Zoanit (Tanisit) dhe qyteti pësoi një rënie të vazhdueshme.