Perëndia
Përkufizimi: Qenia Më e Lartë, emri i përveçëm i të cilit është Jehova. Në gjuhën hebraike, termat që përdoren për «Perëndi», përcjellin idenë e forcës, si edhe të madhështisë, të dinjitetit e të shkëlqimit. Përveç Perëndisë së vërtetë, ka edhe perëndi të rreme. Disa prej këtyre e kanë bërë veten perëndi; të tjerë janë kthyer në objekte adhurimi nga ata që u shërbejnë.
A ka arsye të vlefshme për të besuar te Perëndia?
Psal. 19:1: «Qiejt shpallin lavdinë e Perëndisë, hapësira qiellore flet për veprën e duarve të tij.»
Psal. 104:24: «Sa të shumta janë veprat e tua, o Jehova! Që të gjitha i ke bërë me mençuri. Toka është plot me ato që ke bërë ti.»
Rom. 1:20: «Cilësitë e tij të padukshme, . . . shihen qartë që nga krijimi i botës, pasi dallohen nga gjërat e bëra.»
Në një revistë thuhej: «Ndër profanët vazhdon të ekzistojë pikëpamja se shkencëtarët e kanë ‘hedhur poshtë’ fenë. Sipas kësaj pikëpamjeje, normalisht pritet që shkencëtarët të mos jenë besimtarë; që Darvini të ketë ngulur gozhdët e fundit në arkivolin e Perëndisë; dhe se, që atëherë, një seri e njëpasnjëshme risish shkencore dhe teknologjike të kenë përjashtuar mundësinë e ndonjë ringjalljeje të Tij. Por kjo pikëpamje është krejtësisht e gabuar.»—New Scientist, 26 maj 1977, f. 478.
Një anëtar i Akademisë Franceze të Shkencave tha: «Rregulli në natyrë nuk u shpik nga mendja e njeriut apo nga disa forca mendjeholla. . . . Ekzistenca e rregullit nënkupton ekzistencën e një intelekti organizues. Ky nuk mund të jetë asgjë tjetër veçse intelekti i Perëndisë.»—Marrë nga libri Dieu existe? Oui (Paris, 1979), i Kristian Kabanisë, që citon Pier-Pol Grasenë, f. 94.
Shkencëtarët kanë identifikuar 100 elemente kimike. Struktura e tyre atomike zbulon një lidhje të ndërlikuar matematike mes elementeve. Tabela periodike e elementeve është dëshmi e qartë se kemi të bëjmë me projektin e një krijuesi. Një strukturë e tillë, që të lë pa mend, nuk mund të jetë fryt i rastësisë.
Ilustrim: Kur shohim një kamerë, një radio ose një kompjuter, e pranojmë menjëherë se duhet ta ketë bërë një projektues me intelekt. A do të ishte e arsyeshme, pra, të thoshim se gjërat shumë më të ndërlikuara, si syri, veshi dhe truri i njeriut, të mos i ketë bërë një Projektues me intelekt?
Shih edhe faqet 205-207, te tema «Krijimi».
A provon ekzistenca e ligësisë dhe e vuajtjeve se nuk ka Perëndi?
Shembuj: Fakti që thikat janë përdorur për të vrarë, a provon se askush nuk i ka bërë ato? Fakti që avionët bombardues përdoren në kohë lufte, a tregon se ata nuk i ka projektuar dikush? Apo përkundrazi, është mënyra se si përdoren që i sjell vuajtje njerëzimit?
A nuk është e vërtetë se shumica e sëmundjeve janë pasojë e kushteve të mjera të jetesës së njeriut dhe të faktit që ai e ka prishur mjedisin në dëm të vetes dhe të të tjerëve? A nuk janë luftërat që bëhen mes njerëzve, shkaku kryesor i vuajtjeve njerëzore? A nuk është gjithashtu e vërtetë që, ndërsa miliona njerëz vuajnë nga mungesa e ushqimit, në vende të tjera ka ushqim me tepri, duke treguar kështu se një nga problemet që fshihen pas, është lakmia e njeriut? Të gjitha këto gjëra nuk dëshmojnë që s’ka Perëndi, por që mjerisht njerëzit po i keqpërdorin aftësitë që u ka dhënë Perëndia si edhe vetë tokën.
A interesohet vërtet Perëndia se çfarë na ndodh ne njerëzve?
Po, ai interesohet vërtet! Shqyrtoni këto fakte: Bibla thotë se Perëndia i dha njeriut një fillim të përsosur. (Zan. 1:27, 31; Ligj. 32:4) Por, që njeriu të vazhdonte të gëzonte miratimin e Perëndisë, kjo do të varej nga bindja e tij ndaj Krijuesit. (Zan. 2:16, 17) Nëse do të bindej, do të vazhdonte të gëzonte një jetë njerëzore të përsosur, pa sëmundje, pa vuajtje e pa vdekje. Krijuesi do t’i siguronte atij udhëheqjen e duhur dhe do të përdorte fuqinë e Tij për ta ruajtur njerëzimin nga çfarëdo e keqe. Por njeriu e hodhi poshtë udhëheqjen e Perëndisë; ai zgjodhi udhën e vetëqeverisjes. Në orvatje për të bërë diçka për të cilën nuk ishte krijuar i tillë, ai i ka sjellë vetes të këqija. (Jer. 10:23; Ekl. 8:9; Rom. 5:12) Megjithatë, gjatë shekujve Perëndia ka kërkuar me durim ata që nga dashuria për të dhe për udhët e tij, kanë qenë të gatshëm t’i shërbejnë. Ai u vë përpara mundësinë të gëzojnë tërë bekimet që u janë privuar për shkak të papërsosmërisë dhe të qeverisjes së keqe të njeriut. (Zbul. 21:3-5) Masa që mori Perëndia nëpërmjet Birit të tij për t’i shpenguar njerëzit nga mëkati dhe vdekja, është një dëshmi e mrekullueshme e dashurisë së madhe që ka ai për ta. (Gjoni 3:16) Gjithashtu, Perëndia ka caktuar një kohë kur do të shkatërrojë ata që e rrënojnë tokën, kurse ata që e duan drejtësinë, do t’i bëjë ta gëzojnë jetën, në përputhje me qëllimin që kishte në fillim.—Zbul. 11:18; Psal. 37:10, 11; shih edhe temat «Vuajtjet» dhe «Ligësia».
A është Perëndia një person real?
Hebr. 9:24: «Krishti . . . hyri . . . në vetë qiellin, që të paraqitet tani për ne përpara personit të Perëndisë.»
Gjoni 4:24: «Perëndia është Frymë.»
Gjoni 7:28: «Ai që më dërgoi, është real»,—tha Jezui.
1 Kor. 15:44: «Nëse ka trup fizik, ka edhe frymor.»
A ka Perëndia ato lloj ndjenjash që kanë njerëzit e gjallë?
Gjoni 16:27: «Ati ju ka vetë për zemër, ngaqë më keni pasur për zemër mua dhe keni besuar se unë erdha si përfaqësues i Atit.»
Isa. 63:9: «Ai vuajti për të gjitha vuajtjet e tyre. . . . Me dashurinë dhe dhembshurinë e tij, ai i ribleu.»
1 Tim. 1:11: ‘Perëndia i lumtur.’
A ka Perëndia një fillim?
Psal. 90:2: «Para se të lindnin malet, para se të sillje në jetë si me dhembje lindjeje tokën dhe vendin, mot e jetë, ti je Perëndi.»
A është e arsyeshme kjo? Mendja jonë nuk mund ta kuptojë këtë plotësisht. Por kjo nuk është një arsye e vlefshme për ta hedhur poshtë. Shembuj: (1) Koha. Askush nuk mund të thotë se kur filloi të ekzistojë koha. E është një fakt që ndonëse jeta jonë mbaron, koha nuk mbaron. Ne nuk e hedhim poshtë idenë e kohës ngaqë nuk kuptojmë plotësisht disa veçori të saj. Përkundrazi e rregullojmë jetën në përputhje me të. (2) Hapësira. Astronomët nuk gjejnë as fillim dhe as fund në hapësirë. Sa më larg këqyrin në univers, aq më shumë gjëra të tjera gjejnë atje. Ata nuk i hedhin poshtë gjërat që tregojnë dëshmitë; shumë thonë se hapësira është e pafund. I njëjti parim zbatohet edhe për ekzistencën e Perëndisë.
Shembuj të tjerë: (1) Astronomët thonë se nxehtësia e diellit në bërthamën e tij është 15.000.000° C. A e hedhim dot poshtë këtë ide meqë nuk mund ta kuptojmë plotësisht një nxehtësi të tillë? (2) Astronomët thonë se përmasat e Udhës së Qumështit janë kaq të mëdha, saqë një rrezeje drite që udhëton me shpejtësi 300.000 km/sek do t’i duheshin 100.000 vjet për ta përshkuar atë. A e koncepton në të vërtetë mendja jonë një largësi të tillë? E megjithatë ne e pranojmë, sepse provat shkencore e mbështetin atë.
Çfarë është më e arsyeshme: që universi është vepër e një Krijuesi të gjallë e të mençur apo që ka lindur rastësisht nga një burim i pajetë pa e drejtuar një person me intelekt? Disa kanë pikëpamjen e dytë, sepse po të besojnë ndryshe, kjo do të thotë se duhet të pranojnë ekzistencën e një Krijuesi, cilësitë e të cilit nuk mund t’i kuptojnë plotësisht. Gjithsesi është një fakt i njohur se shkencëtarët nuk e kuptojnë plotësisht funksionimin e gjeneve që ndodhen në qelizat e gjalla dhe të cilat përcaktojnë se si do të zhvillohen këto qeliza. Po ashtu ata nuk kuptojnë plotësisht funksionimin e trurit njerëzor. Por, kush do ta mohonte se këta ekzistojnë? A mund të presim në të vërtetë të kuptojmë gjithçka për Personin që është kaq i madh, sa mundi të krijonte universin bashkë me tërë strukturën e tij të ndërlikuar dhe përmasat e tij mahnitëse?
A është e rëndësishme të përdoret emri i Perëndisë?
Rom. 10:13: «Kushdo që thërret emrin e Jehovait, do të shpëtojë.»
Ezek. 39:6: «Njerëzit kanë për ta marrë vesh se unë jam Jehovai.»
Jezui i tha Atit të tij: «Unë ua kam bërë të njohur emrin tënd [ithtarëve të tij të vërtetë] dhe do ta bëj të njohur.»—Gjoni 17:26.
Shih edhe faqet 180, 181 te tema «Jehovai».
Përderisa dikush ka një fe, a ka rëndësi se kujt Perëndie i shërben?
1 Kor. 10:20: «Gjërat që flijojnë kombet, ua flijojnë demonëve dhe jo Perëndisë.»
2 Kor. 4:4: «Perëndia i kësaj bote ua ka verbuar mendjen [jobesimtarëve], që ndriçimi i lajmit të mirë të lavdishëm për Krishtin, i cili është shëmbëlltyra e Perëndisë, të mos depërtojë.» (Këtu Djalli quhet ‘perëndi’. Shih edhe 1 Gjonit 5:19; Zbulesën 12:9.)
Mat. 7:22, 23: «Shumë do të më thonë [Jezu Krishtit] atë ditë: ‘Zotëri, Zotëri, a nuk profetizuam në emrin tënd, a nuk dëbuam demonë në emrin tënd dhe a nuk kryem shumë vepra të fuqishme në emrin tënd?’ E megjithatë do t’u them atyre: ‘Kurrë nuk ju kam njohur. Largohuni nga unë, ju që bëni paligjshmëri!’» (Edhe sikur të pohojmë se jemi të krishterë, nuk është një garanci se po i shërbejmë në mënyrë të pranueshme Perëndisë së vërtetë.)
Shih edhe faqet 115, 116 te tema «Feja».
Nëse Jehovai është ‘i vetmi Perëndi i vërtetë’, ç’lloj ‘Perëndie’ është Jezui?
Vetë Jezui e quajti Atin e tij ‘i vetmi Perëndi i vërtetë’. (Gjoni 17:3) Jehovai vetë tha: «Veç meje nuk ka tjetër Perëndi.» (Isa. 44:6) Apostulli Pavël shkroi se për të krishterët e vërtetë «ka një Perëndi të vetëm, Ati». (1 Kor. 8:5, 6) Pra, Jehovai është i pashoq; askush tjetër nuk është në pozitën e tij. Jehovai është krejt i ndryshëm nga objekte të tilla adhurimi, siç janë idhujt, njerëzit e hyjnizuar dhe Satanai. Të gjithë këta janë perëndi të rreme.
Jezui është quajtur në Shkrime «një perëndi», e madje edhe «Perëndi i Fuqishëm». (Gjoni 1:1; Isa. 9:6) Por askund nuk thuhet për të se është i Plotfuqishëm siç është Jehovai. (Zan. 17:1) Për Jezuin thuhet se është «pasqyrimi i lavdisë së Perëndisë», por Ati është Burimi i kësaj lavdie. (Hebr. 1:3) Jezui nuk kërkon në asnjë mënyrë pozitën e Atit të tij. Ai tha: «Jehovain, Perëndinë tënd, adhuro dhe vetëm atij bëji shërbim të shenjtë.» (Luka 4:8) Jezui ekziston «në formë Perëndie» dhe Ati ka urdhëruar që «në emër të Jezuit, të përkulet çdo gju», por e gjithë kjo bëhet «në lavdi të Perëndisë, Atit».—Filip. 2:5-11; shih edhe faqet 191-195.
Nëse dikush thotë:
‘Nuk besoj te Perëndia’
Mund të përgjigjesh: ‘Gjithmonë ke pasur këtë mendim? . . . Para se të arrije në këtë përfundim, a shqyrtuat prova që ju bindën?’ Pastaj mund të shtosh: ‘Kjo është një temë që më intereson shumë dhe për të cilën kam menduar gjatë. Ja disa pika që m’u dukën mjaft të dobishme: . . . (Në faqen 279 shih nëntemën «A ka arsye të vlefshme për të besuar te Perëndia?», shih edhe faqet 205-207, te tema «Krijimi».)’
Ose mund të thuash: ‘A doni të thoni se nuk besoni se ka një Krijues apo keni parë kaq shumë hipokrizi te kishat, saqë nuk keni besim te gjërat që mësojnë ato?’ Në qoftë se është rasti i dytë, mund të shtosh: ‘Ka një ndryshim të madh midis feve të ndryshme të krishtere dhe krishterimit të vërtetë. Në fakt, fetë e krishtere i kanë shtypur njerëzit, por krishterimi i vërtetë nuk i ka shtypur. Fetë e krishtere janë përfshirë në luftëra, por jo krishterimi i vërtetë. Fetë e krishtere nuk kanë siguruar udhëheqjen e duhur morale, por jo krishterimi i vërtetë. Fjala e Perëndisë, Bibla, nuk i mbështet këto fe, përkundrazi i dënon ato.’
Një mundësi tjetër: ‘Kam bërë biseda interesante edhe me njerëz të tjerë që mendojnë si ju. Disa prej tyre thonë se nuk mund të pajtojnë besimin te Perëndia me tërë vuajtjet dhe ligësinë e kësaj bote. A mendoni edhe ju kështu: (Nëse po, përdor pjesë nga materiali në faqet 280, 281, poshtë nëntemës «A provon ekzistenca e ligësisë dhe e vuajtjeve se nuk ka Perëndi?»)’
‘Unë besoj vetëm atë që shoh, dhe unë nuk e kam parë kurrë Perëndinë’
Mund të përgjigjesh: ‘Kjo pikëpamje është shumë e zakonshme në ditët e sotme. Dhe ka një arsye për këtë. Jetojmë në një shoqëri që iu jep rëndësi të mirave materiale. Megjithatë ju jeni një person që i pëlqen të jetë realist, apo jo?’ Pastaj mund të shtosh: (1) ‘A ka disa gjëra që nuk mund t’i shohim me sy, por që besojmë se ekzistojnë, sepse ka arsye të vlefshme për këtë? Marrim për shembull, ajrin. Ne mund ta ndiejmë atë kur fryn erë. Ne themi se na mbush mushkëritë, edhe pse nuk e shohim. Meqë shohim efektet e ajrit, ka arsye të vlefshme për të besuar se ai ekziston, apo jo?’ (2) ‘Po ashtu ne nuk mund ta shohim forcën e rëndesës. Por kur hedhim diçka, shohim provën se forca e rëndesës vepron. Gjithashtu nuk i shohim aromat, por i ndiejmë me hundë. Nuk mund të shohim valët e zërit, por veshi i kap ato. Pra, ne besojmë në gjëra që nuk mund t’i shohim, vetëm nëse kemi arsye të vlefshme për këtë, apo jo?’ (3) ‘E pra, a ka prova se ekziston vërtet një Perëndi i padukshëm? (Përdor materialin në faqen 279, te nëntema «A ka arsye të vlefshme për të besuar te Perëndia?»)’
‘Unë Perëndinë e konceptoj sipas mendjes sime’
Mund të përgjigjesh: ‘Gëzohem që keni menduar për këtë çështje dhe që besoni te Perëndia. A mund t’ju pyes se si e konceptoni Perëndinë?’ Pastaj mund të shtosh: ‘Jam i sigurt që mendoni se është e rëndësishme të sigurohemi se çfarëdo gjëje që të besojmë, të jetë në përputhje me atë që Perëndia thotë vetë. A mund t’ju tregoj vetëm një mendim nga Bibla, lidhur me këtë çështje? (Psal. 83:18)’