Filozofia
Përkufizimi: Fjala filozofi vjen nga një fjalë greke, rrënja e së cilës do të thotë «dashuri për mençurinë». Me termin filozofi, këtu nënkuptojmë atë sistem që pa pranuar besimin te Perëndia, mundohet t’u paraqitë njerëzve një pikëpamje të njësuar për universin dhe përpiqet t’i bëjë ata të zhvillojnë gjykimin e tyre të mprehtë. Ka të bëjë kryesisht me spekulimin dhe jo me hulumtimet për të kërkuar të vërtetën.
Si mund të fitohen njohuria dhe mençuria e vërtetë?
Prov. 1:7; Psal. 111:10: «Të kesh frikë nga Jehovai është hapi i parë drejt njohurisë . . . [dhe] mençurisë.» (Nëse universi nuk do të ishte vepër e një Krijuesi inteligjent, por thjesht e një force të verbër dhe pa arsye, a mund të ekzistonte një pikëpamje e njësuar për universin? A mund të rezultojë ndonjë gjë e ngjashme me mençurinë nga studimi i diçkaje që, në vetvete, është pa arsye? Ata që përçapen të kuptojnë universin ose jetën në vetvete, duke lënë mënjanë Perëndinë dhe qëllimin e tij, s’bëjnë gjë tjetër veçse dështojnë. Ata keqinterpretojnë atë ç’ka mësojnë dhe keqpërdorin faktet që mbledhin lart e poshtë. Mohimi i ekzistencës së Perëndisë, shkatërron çelësin që të çon drejt njohurisë së saktë dhe e bën të pamundur mbajtjen e një strukture të qëndrueshme mendimi.)
Prov. 2:4-7: «Nëse vazhdon t’i kërkosh si argjendin dhe nëse vazhdon të rrëmosh për to si për thesare të fshehura, atëherë do të kuptosh frikën nga Jehovai dhe do të gjesh njohurinë e Perëndisë. Sepse Jehovai jep mençuri dhe prej gojës së tij burojnë njohuria dhe aftësia dalluese. Për të drejtët, ai do të ruajë si thesar mençurinë.» (Jehovai na jep ndihmën që na duhet nëpërmjet Fjalës së tij të shkuar dhe organizatës së tij të dukshme. Ndërsa ne duhet të kemi dëshirë të zjarrtë për të fituar njohuri dhe mençuri, e të bëjmë përpjekjet e nevojshme, duke e përdorur aftësinë tonë të të menduarit në një mënyrë ndërtuese.)
A është realiste që të presim të gjejmë të vërtetën absolute nga ky Burim?
2 Tim. 3:16; Gjoni 17:17: «I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia.» «[Jezui i tha Atit të tij qiellor:] Fjala jote është e vërteta.» (A nuk është e arsyeshme të besojmë se Krijuesi i universit e kupton plotësisht atë që ka bërë? Në Bibël, ai nuk na ka treguar gjithçka për universin, megjithatë ajo që ka thënë, nuk është spekulim, përkundrazi, është e vërtetë. Ai ka shpallur në Bibël qëllimin e tij për tokën dhe për njerëzimin, si edhe ka treguar në ç’mënyrë do ta përmbushë këtë. Fuqia e tij e gjithpushtetshme, mençuria e tij e pakrahasueshme, drejtësia e tij e patëmetë dhe dashuria e tij e madhe garantojnë se ky qëllim do të përmbushet, madje në mënyrën më të mirë. Cilësitë e tij na sigurojnë se fjala e tij përmes së cilës ai na njeh me qëllimin e tij është krejtësisht e besueshme, po, është e vërtetë.)
Nga e kanë origjinën filozofitë njerëzore?
Nga njerëz që kanë kufizime: Bibla na bën të ditur: «Njeriut që ecën, nuk i takon as të drejtojë hapat e vet.» (Jer. 10:23) Historia dëshmon se përpjekja për të shpërfillur këtë kufizim, nuk ka sjellë rezultate të mira. Në një rast, «Jehovai iu përgjigj Jobit nga stuhia me fjalët: ‘Kush je ti që e errëson atë që vendosa unë, duke thënë fjalë pa njohuri? E pra, tani, ngjishe rrobën në ijë po të jesh burrë, dhe unë do të të pyes e ti m’u përgjigj. Ku ishe ti, kur unë i vura themelet tokës? Thuama nëse ke kuptueshmëri.’» (Jobi 38:1-4) (Njerëzit, nga natyra, kanë kufizime. Përveç kësaj, përvoja e tyre e jetës është mjaft e shkurtër dhe, zakonisht, e kufizuar nga kultura ose mjedisi të cilit i përkasin. Njohuria që zotërojnë, është e ngushtë, dhe gjërat janë kaq të gërshetuara me njëra-tjetrën, saqë ata zbulojnë gjithnjë aspekte që nuk i kishin shqyrtuar siç duhej. Çdo filozofi që nxjerrin, pasqyron këto kufizime.)
Janë fryt i njerëzve të papërsosur: «Të gjithë kanë mëkatuar dhe nuk e kanë arritur lavdinë e Perëndisë.» (Rom. 3:23) «Ka një udhë që njeriut i duket e drejtë, por vdekja është fundi i saj.» (Prov. 14:12) (Për shkak të papërsosmërisë, filozofitë njerëzore shpesh pasqyrojnë një egoizëm që mund të çojë në kënaqësi të çastit, por edhe në zhgënjim e shumë palumturi.)
Janë të ndikuara nga demonët: «E gjithë bota dergjet nën pushtetin e të ligut.» (1 Gjon. 5:19) «[Ai] që quhet Djall dhe Satana, . . . mashtron gjithë tokën e banuar.» (Zbul. 12:9) «[Ju] ecnit dikur në të njëjtën udhë që ecën edhe sistemi i kësaj bote, duke vepruar në përputhje me sundimtarin e autoritetit të ajrit, frymës që tani vepron në bijtë e mosbindjes.» (Efes. 2:2) (Filozofitë që i nxitin njerëzit të mos u binden kërkesave të drejta e të shëndetshme të Perëndisë, pasqyrojnë këtë lloj ndikimi. S’është çudi që filozofitë dhe planet njerëzore, siç dëshmon edhe historia, shpesh kanë kredhur në hidhërim një pjesë të mirë të njerëzimit.)
Pse japim prova të një gjykimi të mirë, nëse studiojmë mësimet e Jezu Krishtit në vend se filozofinë njerëzore?
Kolos. 1:15-17: «Ai [Jezu Krishti] është shëmbëlltyra e Perëndisë së padukshëm, i parëlinduri i gjithë krijimit. Sepse, me anë të tij u krijua gjithçka në qiej dhe në tokë. . . . Gjithçka tjetër u krijua nëpërmjet tij dhe për të. Gjithashtu, ai është para çdo gjëje tjetër, dhe me anë të tij erdhi në jetë gjithçka.» (Marrëdhënia e ngushtë që ai gëzon me Perëndinë, i jep mundësi të na ndihmojë që të mësojmë të vërtetën rreth Perëndisë. Për më tepër, duke qenë se nëpërmjet tij u krijua gjithçka, Jezui njeh plotësisht gjithë universin e krijuar. Asnjë filozof nuk mund të na ofrojë ndonjë nga këto mundësi.)
Kolos. 1:19, 20: «Sepse Perëndisë iu duk e udhës që gjithë plotësia të banonte në të [Jezu Krishtin] dhe, nëpërmjet tij, të pajtonte përsëri me veten të gjitha gjërat e tjera, e të bënte paqe me gjakun që ai derdhi kur ishte në shtyllën e torturës.» (Pra, Jezu Krishti është ai përmes të cilit Perëndia ka si qëllim të pajtojë me veten të gjithë krijimin. Perëndia i ka besuar Jezuit sundimin mbi gjithë tokën, siç tregohet te Danieli 7:13, 14. Ne mund të fitojmë jetën, nëse përpiqemi ta njohim Jezuin dhe nëse i zbatojmë udhëzimet e tij.)
Kolos. 2:8: «Ruhuni që të mos ju bëjë ndokush prenë e vet nëpërmjet filozofisë dhe mashtrimeve boshe, sipas traditës së njerëzve, sipas gjërave elementare të botës, e jo në përputhje me mësimet e Krishtit.» (Do të ishte një gabim i madh po të zgjidhnim një filozofi të tillë njerëzore që të çon në mashtrim, në vend të mençurisë së vërtetë që mund të fitojmë si dishepuj të Jezu Krishtit, personit më të rëndësishëm në univers, pas Perëndisë!)
Si e sheh Perëndia «mençurinë» e filozofisë njerëzore?
1 Kor. 1:19-25: «Është shkruar: ‘Do t’i jap fund mençurisë së të mençurve dhe do ta flak tej zgjuarsinë e të zgjuarve.’ Ku janë të mençurit? Ku janë skribët? Ku janë debatuesit e kësaj bote? A nuk e bëri Perëndia të marrë mençurinë e botës? Meqë bota nëpërmjet mençurisë së vet nuk arriti ta njohë Perëndinë, Perëndia me mençurinë e vet e pa të udhës që nëpërmjet marrëzisë [siç i duket botës] së asaj që predikohet, të shpëtojë ata që besojnë. . . . Sepse një gjë e marrë e Perëndisë [siç i duket botës] është më e mençur se njerëzit, dhe një gjë e dobët e Perëndisë [siç mund ta shohë bota] është më e fortë se njerëzit.» (Kjo pikëpamje e Perëndisë, pa dyshim që s’është e papeshuar ose e paarsyeshme. Ai na ka siguruar Biblën, librin më të qarkulluar në botë, që është një pohim i qartë i qëllimit të tij. Ka dërguar dëshmitarët e tij që të flasin për të me të gjithë ata që dëgjojnë. Ç’marrëzi do të ishte për cilëndo krijesë të mendonte se është më e mençur se Perëndia!)