ZEMRA
Organ i rëndësishëm i trupit që ka si funksion kryesor të pompojë gjakun që ushqen qelizat.—Le 17:14.
Zemra zë një vend të rëndësishëm në Shkrime, ku përmendet me mijëra herë në një mënyrë ose në një tjetër. Fjalët që përkthehen «zemër» në hebraisht janë lev, leváv, kurse në greqisht kardía, dhe shkrimtarët e Biblës i kanë përdorur në kuptim të mirëfilltë e në kuptim të figurshëm.
Zemra si organ. Shkrimtarët e Biblës i referohen zemrës si organ relativisht në pak raste. Për shembull, kur Jehu e qëlloi Jehoramin «mes shpatullave . . . shigjeta i doli nga zemra».—2Mb 9:24; shih edhe Da 28:30.
Zemra e figurshme. Në pjesën më të madhe të rasteve kur del në Shkrime, fjala «zemër» përdoret në kuptim të figurshëm. Thuhet se ajo përfaqëson «pjesën qendrore në përgjithësi, pjesën e brendshme, pra, njeriun e brendshëm ashtu siç shfaqet në të gjitha veprimtaritë e tij të ndryshme, në dëshirat e tij, në dashurinë, emocionet, pasionet, qëllimet, mendimet e tij, në perceptimet, përfytyrimet, mençurinë, njohurinë, aftësitë, në bindjet dhe në arsyetimet e tij, në kujtesën dhe në vetëdijen e tij».—Journal of the Society of Biblical Literature and Exegesis, 1882, f. 67.
Kështu, në Shkrime zemra e figurshme nuk përfaqëson vetëm vatrën e ndjenjave e të motiveve dhe as nënkupton thjesht intelektin. «Për semitët . . . gjithçka unike e njeriut, për sa u përket ndjenjave, si dhe intelektit e vullnetit, i atribuohej zemrës.» Ajo është «tërësia e njeriut të brendshëm në kontrast me mishin, domethënë me njeriun e jashtëm e të prekshëm».—L’emploi métaphorique des noms de parties du corps en hébreu et en akkadien, nga E. Dormi, Paris, 1963, f. 113, 114, 128.
Për Perëndinë që shqyrton zemrat, ka rëndësi çfarë është një njeri nga brenda, jo thjesht çfarë duket nga jashtë. (Pr 17:3; 24:12; Ps 17:3; 1Sa 16:7) Prandaj Shkrimet na këshillojnë: «Më shumë se gjithçka tjetër që duhet ruajtur, ruaj zemrën [njeriun e brendshëm në tërësi], sepse prej saj dalin burimet e jetës.» (Pr 4:23) Gratë e krishtere këshillohen të kujdesen para së gjithash, jo për stolisjen e jashtme, por për ‘njeriun e fshehtë të zemrës me veshjen e paprishshme të frymës së qetë e të butë, e cila ka vlerë të madhe në sytë e Perëndisë’.—1Pj 3:3, 4.
Në disa fragmente biblike, termi «zemër» përqendrohet tek aftësia për të menduar në mënyrë të kthjellët, megjithatë, jo në kuptimin që e veçon këtë aftësi nga gjithçka tjetër që përbën njeriun e brendshëm. Moisiu e nxiti Izraelin: «Sot ti e di mirë dhe ngulite në zemër [ose «mendje»] se Jehovai është Perëndia i vërtetë.» Më vonë, ai u tha izraelitëve: «Jehovai nuk ju ka dhënë një zemër [ose «mendje»] për të kuptuar.» (Lp 4:39; 29:4) Në Shkrimet Hebraike dhe në Shkrimet e Krishtere Greke disa herë zemra është përdorur edhe për intelektin, si në rastet kur lidhet me «mendimet» (Mt 9:4), ‘arsyetimin’ (Mr 2:6), ‘kuptueshmërinë’ (1Mb 3:12; Mr 6:52) dhe «njohurinë» (Pr 15:14).
Motivimi, forca që na shtyn për një veprim a sjellje të caktuar, është një tjetër aspekt jetësor i personit të brendshëm që paraqitet nga «zemra». Kështu, ata që dhanë kontribute për ndërtimin e tabernakullit e bënë «të shtyrë nga zemra». (Da 35:21, 26, 29; 36:2) Hamani i lig ‘u bë aq trim’ (fjalë për fjalë «e mbushi zemrën»), sa komplotoi kundër judenjve. (Es 7:5, shën., NW; Ve 5:3) Te Hebrenjve 4:12 shpjegohet se fjala ose premtimi i Perëndisë, si një shpatë e mprehtë, është në gjendje «të dallojë mendimet dhe qëllimet e zemrës». Edhe Jezui tregoi se nga zemra buron forca që motivon sjelljen tonë, qoftë e mirë, qoftë e keqe. (Mt 15:19; Lu 6:45) Që të zhvillojmë motive të drejta, Bibla na këshillon të mos lejojmë që marrëdhëniet me të tjerët të njollosen nga dëshira për të përfituar (Jd 16) ose të mos lejojmë që dashuria për para, pra etja për pasuri, të përcaktojë drejtimin tonë në jetë. (1Ti 6:9, 10; Pr 23:4, 5) Përkundrazi, na nxit të ushqejmë dashuri të vërtetë për Perëndinë si themeli për shërbimin që i bëjmë atij (1Gjo 5:3; Lp 11:13) dhe dashuri vetëmohuese si udhërrëfyese në marrëdhëniet me të bashkëkrishterët. (Gjo 15:12, 13) Gjithashtu, na nxit ta bëjmë shprehi t’i duam të tjerët siç duam veten. (Lu 10:27-37; Ga 6:10) Sigurisht, për të zhvilluar këto motive duhet përdorur aftësia për të menduar kthjellët.—Ps 119:2, 24, 111.
Gjendja e zemrës së figurshme shfaqet në prirjen, në qëndrimin tonë, qoftë krenar apo të përulur. (Pr 16:5; Mt 11:29) Edhe ndjenjat e emocionet tona janë pjesë e njeriut të brendshëm. Në to përfshihet dashuria (Lp 6:5; 1Pj 1:22), gëzimi (Lp 28:47; Gjo 16:22), trishtimi dhe dhembja (Ne 2:2; Ro 9:2), urrejtja (Le 19:17). Për shembull, zemra mund ‘të ketë ankth’ (Is 35:4), mund ‘ta shpojnë’ dhembjet (Ps 109:22), mund ‘të mpaket’ nga frika e vuajtjeve (Lp 20:8). Në Shkrimet e Krishtere Greke, kur zemra dhe mendja përmenden bashkë, «mendja» i referohet intelektit, kurse «zemra» emocioneve, dëshirave dhe ndjenjave të njeriut të brendshëm. Për shembull, Jezui tha: «Duaje Jehovain, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde.» (Mt 22:37) Me këto fjalë tregoi se dashurinë e tij për Perëndinë njeriu duhet ta shprehë jo vetëm me dëshirat, ndjenjat dhe emocionet e tij, por edhe me mënyrën si e përdor aftësinë për të menduar, si për shembull duke marrë njohuri për Perëndinë dhe Krishtin.—Gjo 17:3.
Të gjitha këto funksione, aftësi, emocione dhe cilësi nuk i atribuohen zemrës si organ, por zemrës së figurshme që paraqet personalitetin e brendshëm në tërësi.
Zemra mund të jetë «e pabesë». Megjithëse i përsosur, Adami lejoi që zemra t’i joshej; ai e hodhi poshtë të vërtetën dhe u largua nga Perëndia. (Shih Jk 1:14, 15.) Kështu, të gjithë njerëzit, si pasardhës të Adamit mëkatar, janë ngjizur në mëkat dhe kanë lindur në faj. (Ps 51:5) Pas Përmbytjes, Perëndia tha për gjithë njerëzimin mëkatar: «Zemra e njeriut priret nga e keqja që në rini të tij.»—Zn 8:21.
Perëndia i tha kombit rebel të Judës: «Zemra është më e pabesë se çdo gjë tjetër. Ajo është e rrezikshme.» (Jr 17:9) Kjo këshillë serioze tregon se kush do që t’i pëlqejë Perëndisë nuk duhet t’i kushtojë vëmendje vetëm se si u shfaqet të tjerëve, por se çfarë është në të vërtetë, pra njeriut të brendshëm. Një individ mund të ketë qenë i krishterë për shumë vite, ta njohë shumë mirë Biblën dhe të jetë i sigurt se mund të përballojë më së miri çfarëdolloj situate që mund të lindë. Sidoqoftë, edhe pse e di mirë se një veprim është i gabuar dhe dënohet shprehimisht në ligjin e Perëndisë, mendimet dhe dëshirat që ushqen fshehurazi mund ta joshin të mëkatojë.
Për këto arsye, ndonëse e njeh të vërtetën dhe mund ta konsiderojë veten të pjekur, një i krishterë duhet të mos harrojë se zemra është e pabesë, ndaj duhet të bëjë shumë kujdes të mos e futë veten në situata tunduese.—Mt 6:13; 1Ko 10:8-12.
Shërbim me «gjithë zemër». Që të funksionojë normalisht, zemra duhet të jetë e plotë si organ, por nga ana tjetër zemra e figurshme mund të jetë e ndarë. Davidi u lut: «Bashkoje zemrën time, që t’i frikësohet emrit tënd», duke lënë të kuptohet se zemra mund të jetë e ndarë për sa i përket asaj që do dhe që i frikësohet. (Ps 86:11) Një njeri i tillë mund të jetë «me zemër të lëkundur», që e adhuron Perëndinë në mënyrë të vakët. (Ps 119:113; Zb 3:16) Gjithashtu, një njeri mund të ketë një ‘zemër me dy faqe’ (fjalë për fjalë «një zemër dhe një zemër»), të përpiqet t’u shërbejë dy zotërinjve ose të thotë me mashtrim një gjë, ndërkohë që mendon një gjë krejt tjetër. (1Kr 12:33; Ps 12:2, shën., NW) Jezui e dënoi hipokrizinë e atyre që e kishin zemrën me dy faqe.—Mt 15:7, 8.
Kush përpiqet t’i pëlqejë Perëndisë, nuk duhet të jetë as me zemër të lëkundur, as me zemër me dy faqe, por duhet t’i shërbejë atij me gjithë zemër. (1Kr 28:9) Kjo kërkon përpjekje këmbëngulëse, pasi zemra është e rrezikshme dhe priret të bëjë të keqen. (Jr 17:9, 10; Zn 8:21) Prandaj duhet të lutemi me zjarr (Ps 119:145; Va 3:41), të studiojmë rregullisht Fjalën e Perëndisë (Ezd 7:10; Pr 15:28), të predikojmë me zell lajmin e mirë (krahaso Jr 20:9) dhe të shoqërohemi me të tjerë që ashtu si ne i shërbejnë Jehovait me gjithë zemër.—Krahaso 2Mb 10:15, 16.
Çfarë do të thotë shprehja «i mungon zemra»?
Në disa raste, Shkrimet flasin për një njeri të cilit «i mungon zemra». Sipas një vepre referimi, kjo shprehje do të thotë «pa inteligjencë». (Lexicon in Veteris Testamenti Libros, nga Koleri dhe Bomgartneri, Lajden, 1958, f. 470) Në një vepër tjetër referimi thuhet se një njeri i tillë është «pa kuptueshmëri». (A Hebrew and English Lexicon of the Old Testament, nga Vilhelm Geseni, përkthyer në anglisht nga E. Robinsoni, 1836, f. 517) Shprehja «i mungon zemra» tregon se ai individ nuk ka gjykim të mirë ose aftësi dalluese. Pra, ajo është në kontrast me ‘kuptueshmërinë’ (Pr 10:13) dhe ‘aftësinë dalluese’. (Pr 11:12; 15:21) Në raste të tjera, tregon dikë ‘të papërvojë’, ‘të marrë’, që s’ka mençuri. (Pr 7:7; 9:1-9, 16; 10:21) Duke përdorur termin «zemër», këto shkrime tregojnë se njeriut të brendshëm në tërësi i mungojnë cilësitë e mira.
Konteksti në të cilin është përdorur në Shkrime shprehja «i mungon zemra», tregon se ajo mbart idenë e gjykimit jo të mirë ose të mungesës së aftësisë dalluese. Te Proverbat 6:32 (shën.) i mençuri thotë se atij që kryen kurorëshkelje «i mungon zemra». Disa përkthime të tjera thonë: «njeri pa mend» (Dio), «i pamend» (DSF), «ka humbur logjikën» (ECM), «pa gjykim» (NIV), «është një budalla i marrë» (NE). Kush kryen kurorëshkelje është «një budalla i marrë», sepse korr fryte të hidhura nga imoraliteti seksual. (Pr 1:2-4; 6:23-35; 7:7, 21-27) Nga jashtë mund të duket njeri i nderuar, por njeriu i brendshëm paraqet mangësi serioze.
Një proverb tjetër thotë: «Njeriu që ka një zemër pa gjykim të mirë [«i mungon zemra», shën.] e jep dorën në shenjë marrëveshjeje, duke u bërë plotësisht garant për shokun e tij.» (Pr 17:18) Ndoshta i ndikuar nga sentimentalizmi, bën një marrëveshje që mund ta çojë në humbjen e parave dhe në vështirësi ekonomike të rënda. Ndonëse me qëllime të mira ose me motive të lavdërueshme, ai jep prova se nuk ka gjykim të mirë.
Në kontrast me njeriun «që i mungon zemra», proverbat flasin edhe për njeriun «që fiton një zemër me kuptueshmëri». Proverbat 19:8 thotë: «Kush fiton një zemër me kuptueshmëri, e do shpirtin e vet. Kush e ruan aftësinë dalluese, ka për të gjetur mirë.» Ky është një njeri që tregon shumë kujdes se çfarë është në të vërtetë thellë brenda tij. Ai e përdor mendjen për të fituar njohuri të saktë për Perëndinë dhe për udhët e tij; mediton për këto gjëra dhe përpiqet t’i zbatojë. Modelon me kujdes gjithë ç’ka për zemër, dëshirat, ndjenjat dhe synimet në jetë në përputhje me atë që e di se Perëndia miraton. Në këtë mënyrë, ai nxjerr dobi dhe tregon se «e do shpirtin e vet». Duke punuar në këtë mënyrë me njeriun e brendshëm, ai «e ruan aftësinë dalluese», sepse forcon në mënyrë të shëndetshme faktorët që ndikojnë fuqishëm në aftësinë e tij për të menduar kthjellët e për të vepruar me mençuri.
Zemra e Perëndisë. Jehovai zbulon se ka ndjenja dhe emocione, pasi në Bibël thuhet se ai ka «zemër». Në kohën e Përmbytjes ai «u hidhërua në zemër»; i erdhi keq që njerëzit hodhën poshtë sundimin e tij të drejtë dhe u detyrua të kthehej nga mbështetës në shkatërruesin e tyre. (Zn 6:6) Nga ana tjetër, ‘zemra’ e Perëndisë gëzon kur shërbëtorët e tij janë besnikë. (Pr 27:11) Mizori të tilla, si flijimi i njerëzve në zjarr që praktikohej nga disa izraelitë jobesnikë, nuk i kishin shkuar asnjëherë ndër mend Perëndisë, provë që tregon se ai s’mund të jetë kurrë Perëndi i mundimit të përjetshëm.—Jr 7:31; 19:5.
Qendra ose mesi i diçkaje. Meqenëse zemra është një organ qendror i trupit, në disa raste ajo i referohet qendrës ose mesit të diçkaje, si për shembull ‘zemra e tokës’ (Mt 12:40), ‘zemra e detit’ (Da 15:8; Gjo 2:3) dhe ‘mesi i [fjalë për fjalë “zemra e”] pemës së madhe’ (2Sa 18:14). Te Ligji i përtërirë 4:11 shprehja «në mes të qiellit» do të thotë fjalë për fjalë «në zemër të qiejve».—Shih shën., NW.
Në profeci. «Zemra» përdoret në kuptimin simbolik në profecinë e Danielit 7:4, ku një bishë si luan që paraqet mbretërinë e Babilonisë e vunë të qëndronte mbi dy këmbë dhe iu dha «një zemër njeriu», domethënë nuk kishte më ‘zemrën [e guximshme] të luanit’. (2Sa 17:10) Atë e mposhti ‘ariu’ simbolik, Medo-Persia.—Dn 7:5; shih BISHAT SIMBOLIKE.