BUZËT
Meqë janë pjesë e gojës dhe luajnë rol të rëndësishëm në formimin e fjalëve, «buzët» (heb., safáh; gr., kheílos) përdoren në mënyrë të figurshme për të folurit ose gjuhën si mënyrë komunikimi. (Pr 14:3; 1Ko 14:21) Me raste ato përdoren paralelisht me «gjuhën» si organ (Ps 34:13; Pr 12:19) ose me ‘gojën’. (Ps 66:14; Pr 18:7) Para ngatërrimit të gjuhëve në Babel, «gjithë toka kishte vetëm një gjuhë [fjalë për fjalë ‘buzë’] dhe përdorte të njëjtat fjalë». (Zn 11:1, 6-9; njësoj përdoret edhe te Ps 81:5; Is 19:18.) Nëpërmjet profetit Sofonia, Perëndia premtoi se ‘do t’ua ndryshonte popujve gjuhën në një gjuhë [buzë] të kulluar’. Kështu, të gjithë së bashku do të lëvdonin me fjalët e tyre Jehovain dhe qëllimet e tij të drejta që do të përmbusheshin nëpërmjet Krishtit Jezu.—So 3:9; krahaso Pr 12:19.
Buzët nuk tregojnë medoemos se çfarë ka në zemër një njeri, pasi mund të nxjerrin fjalë të shtira. (Mt 15:8) Megjithatë, buzët nuk mund t’ia fshehin Perëndisë gjendjen e vërtetë të zemrës (He 4:13), dhe patjetër do ta nxjerrin se çfarë ka njeriu në zemër.—Pr 26:23-26; Mt 12:34.
Moisiu donte ta shmangte daljen para faraonit, sepse ishte «i parrethprerë në buzë», shprehje që jep idenë sikur buzët e tij kishin një lapër të mishtë ose lafshë, prandaj ishin tepër të gjata e të trasha për të folur me lehtësi. Mbase atij i mbahej goja. (Da 6:12, 30) Kur e thirri Jehovai, Isaia u tregua i gatshëm të shërbente, por tha me keqardhje se do të merrte fund, pasi ai, një njeri me buzë të papastra, kishte parë Jehovain në vegim dhe nuk ishte i denjë të shpallte mesazhin e kulluar të Tij. Atëherë Jehovai bëri që buzët e Isaisë të pastroheshin.—Is 6:5-7; krahaso Gjo 15:3; Is 52:11; 2Ko 6:17.
Profecia e Hozesë i inkurajoi izraelitët t’i paraqitnin Jehovait «demat e rinj» të buzëve të tyre, domethënë flijime lëvdimesh të sinqerta. (Ho 14:2) Apostulli Pavël i referohet kësaj profecie kur i nxit bashkëbesimtarët t’i paraqitin Perëndisë «një flijim lëvdimi, domethënë frytin e buzëve që shpallin publikisht emrin e tij».—He 13:15.
«Buzët lajkatare» janë sinonim i fjalëve mashtruese. (Ps 12:2, 3) Këto buzë, njësoj si buzët e ashpra ose gënjeshtare, mund të shkaktojnë dëm—plagosin thellë si shpatë ose helmojnë si nepërkë. (Ps 59:7; 140:3; Ro 3:13) Ai që «i hap shumë buzët» flet pa u menduar ose pa mençuri. (Pr 13:3) Kjo mund ta çojë në rrënim, pasi Perëndia do t’i kërkojë llogari për fjalët e tij.—Lp 23:23; Nu 30:6-8; Pr 12:13; krahaso Jb 2:10; Mt 12:36, 37.