Është lavdërim apo lajkë?
DIKUSH të thotë: «Ky model i flokëve të shkon shumë!» Është lavdërim apo lajkë? «Ky kostum të rri shumë mirë!» Lavdërim apo lajkë? «Është dreka (darka) më e shijshme që kam ngrënë ndonjëherë!» Është lavdërim apo lajkë? Kur na bëjnë komplimente të tilla, ndoshta pyesim veten nëse janë njëmend të sinqerta dhe të vërteta, apo nëse kanë si qëllim thjesht që të na bëjnë qejfin, pa qenë medoemos se ai që i thotë i mendon me të vërtetë.
Si mund ta dimë nëse ajo që na thotë një person është lavdërim apo lajkë? A ka rëndësi kjo? A nuk mundet që thjesht ta pranojmë për atë që duket se është dhe të gëzojmë kënaqësinë që na jep? Ç’të themi kur jemi ne që u bëjmë lavdërime të tjerëve? A i kemi shqyrtuar ndonjëherë motivet tona? Duke menduar në lidhje me këto pyetje, mund të ndihmohemi për t’i shquar gjërat dhe për ta përdorur gjuhën në një mënyrë që i sjell lavdi Perëndisë Jehova.
Përkufizimi i lavdërimit dhe i lajkës
Nga Webster’s Dictionary lavdërimi është përkufizuar si një shprehje miratimi apo lëvdimi dhe kjo fjalë mund të tregojë, gjithashtu, adhurim ose dhënie lavdie. Është e qartë që dy kuptimet e fundit i referohen vetëm lavdërimit që i drejtohet Perëndisë Jehova. Kjo është pjesë përbërëse e adhurimit të vërtetë, siç nxiti psalmisti i frymëzuar: «Sepse është i mirë . . . , është i këndshëm: lavdërimi është i përshtatshëm.» «Çdo gjë që merr frymë le të lavdërojë Jah.»—Psalmi 147:1; 150:6, BR.
Megjithatë, kjo nuk do të thotë se njerëzve nuk mund t’u bëhen lavdërime. Mund t’u bëhen në kuptimin e lëvdimit, aprovimit ose të një gjykimi të favorshëm. Në një shëmbëlltyrë të dhënë nga Jezui, një zotëri i thotë shërbëtorit të tij: «Të lumtë, shërbëtor i mirë dhe besnik!»—Mateu 25:21.
Nga ana tjetër, lajka është përkufizuar si lavdërim fals, i pasinqertë apo i tepruar, ku lajkatari zakonisht motivohet nga interesi vetjak. Lëvdimi ose miklimi hileqar bëhet që një tjetër të të marrë me sy të mirë, për të nxjerrë përfitime materiale ose për të krijuar një ndenjë detyrimi ndaj lajkatarit. Pra, lajkatarët motivohen nga egoizmi. Sipas Judës 16, ata janë «gati me lajka për njerëzit e tjerë, kur shohin njëfarë përfitimi në të».—The Jerusalem Bible.
Pikëpamja biblike
Cila është pikëpamja biblike mbi lavdërimin e njerëzve të tjerë? Në lidhje me këtë, Jehovai na la një shembull për ta ndjekur. Në Bibël na thuhet se do të na lavdërojnë, nëse bëjmë vullnetin e Jehovait. Apostulli Pavël tha se «secili do të ketë lavdërimin e vet nga Perëndia». Pjetri na thotë se cilësia e provuar e besimit tonë mund «të dalë për lëvdim». Kështu, fakti që Jehovai do t’i lavdërojë njerëzit, na tregon se bërja e lavdërimeve të çiltra është një akt i përzemërt, i dashur dhe dobiprurës, një akt që nuk duhet kaluar pa u vënë re.—1. Korintasve 4:5; 1. Pjetrit 1:7.
Një burim tjetër prej të cilit mund të na vijë lavdërimi, sipas Biblës, janë autoritetet qeveritare që vëzhgojnë sjelljen tonë të mirë dhe na lëvdojnë me ndershmëri. «Bëj të mirën,—na thuhet—dhe do të kesh lavdërim nga ai.» (Romakëve 13:3) Ne mund të marrim lavdërime edhe nga njerëz, të cilët e mendojnë sinqerisht atë që thonë dhe që prapa lavdërimit të bërë nuk fshehin asnjë motiv. Në Fjalët e urta 27:2, Shkrimet e frymëzuara thonë: «Le të të lëvdojë një tjetër dhe jo goja jote.» Kjo tregon se të pranosh lavdërime nga njerëzit është diçka e përshtatshme.
Nuk është kështu në lidhje me bërjen apo marrjen e lajkave. Pse lajkatimi është kaq i papëlqyeshëm për Jehovain? Para së gjithash, ai është i pasinqertë dhe Jehovai e dënon mungesën e sinqeritetit. (Krahaso Fjalët e urta 23:6, 7.) Më tepër akoma, ai nuk është i ndershëm. Duke përshkruar njerëzit që e meritojnë mosaprovimin e Perëndisë, psalmisti thotë: «E gjithë ajo që bëjnë është që gënjejnë njëri-tjetrin, buzë lajkatuese, biseda nga një zemër e dyfishtë. Jahveh preftë çdo buzë lajkatuese.»—Psalmi 12:2, 3, JB.
Mbi të gjitha, lajka nuk është diçka e dashur. Ajo motivohet nga egoizmi. Pasi foli për lajkatarët, psalmisti David citoi sikur ata thonë: «Me gjuhën tonë do të sundojmë; buzët tona na përkasin neve; kush është zot mbi ne?» Jehovai i përshkruan persona të tillë egoistë si ‘plaçkitës të të brengosurve’. (BR) Gjuhët e tyre lajkatuese janë përdorur jo për të ndërtuar të tjerët, por për t’i plaçkitur dhe për t’i brengosur ata.—Psalmi 12:4, 5.
Lajka: Një grackë
«Njeriu që i bën lajka të afërmit të tij, shtrin një rrjetë mbi hapat e tij.» Kështu thotë mbreti i mençur Solomon dhe sa e vërtetë është kjo! (Fjalët e urta 29:5) Farisenjtë u përpoqën që me lajka t’i ngrinin një grackë Jezuit. Ata thanë: «Mësues, ne e dimë se ti je i vërtetë dhe që mëson udhën e Perëndisë në të vërtetë, pa marrë parasysh njeri, sepse ti nuk shikon pamjen e jashtme të njerëzve.» Sa çarmatosëse është dukur kjo! Por Jezui nuk u mashtrua nga i foluri i tyre i sheqerosur. Ai e dinte se ata nuk besonin në mësimet e tij të vërteta, por që ishin thjesht duke u përpjekur ta zinin në grackë në të folur, në lidhje me çështjen e pagimit të taksave Cezarit.—Mateu 22:15-22.
Në kontrast të thellë me Jezuin ishte mbreti Herod i shekullit të parë. Kur ai mbajti një fjalim publik në qytetin e Cezaresë, populli iu përgjigj: «Zë i Perëndisë dhe jo i njeriut!» Në vend që ta qortonte ashpër popullin për një lavdërim të tillë të bujshëm dhe fals, Herodi e pranoi lajkën. Engjëlli i Jehovait solli një shpagim të menjëhershëm, sepse Herodi u mbërthye nga një mori krimbash, që çoi në vdekjen e tij.—Veprat 12:21-23.
Një i krishterë i pjekur duhet të jetë syçelur që lajkën ta pranojë për atë që është. Pleqtë e kongregacionit duhet të jenë veçanërisht syhapët kur dikush që është i përfshirë në një çështje gjyqësore e bombardon me komplimente, ndoshta deri në atë pikë sa e krahason një plak me një tjetër dhe duke thënë se sa më i përzemërt dhe më me empati është ai plak me të cilin po flet.
Bibla tregon qartë një kurth tjetër që mund të ngrihet, kur përshkruan se si mund të grishet në imoralitet një i ri nga një grua joshëse. (Fjalët e urta 7:5, 21) Ky paralajmërim i përket situatës së sotme. Mes atyre që çdo vit përjashtohen nga kongregacioni i krishterë, shumë janë hequr për sjellje imorale. A mund të ketë nisur një rënie e tillë në mëkat të madh me një lajkë? Meqenëse njerëzit kanë shumë dëshirë t’u bëhen komplimente dhe që për ta të flitet mirë, i foluri i sheqerosur nga buzët lajkatuese mund ta ulë rezistencën e një të krishteri ndaj sjelljes së papërshtatshme. Kur dikush nuk ruhet nga gjëra të tilla, kjo mund të çojë në pasoja serioze.
Ruajtja nga lajkat
Lajka kënaq dashurinë për veten ose sqimën e atij që lajkatohet. Ajo ka tendencën që t’i japë një personi një pikëpamje të fryrë për vlerat e veta, duke e bërë që në njëfarë mënyre të ndihet më lartë se të tjerët. Filozofi Fransua de la Roshëfukold e krahasoi lajkën me paratë e falsifikuara, «të cilat, po të mos qe për sqimën, nuk do të kishin fare qarkullim». Kështu, mënyra për t’u ruajtur është t’ia vëmë veshin këshillës praktike të apostullit Pavël: «Unë i them secilit prej jush të mos e vlerësojë veten më shumë se sa duhet ta çmojë, por të ketë një vlerësim të përkorë, sipas masës së besimit që Perëndia i ndau secilit.»—Romakëve 12:3.
Megjithëse prirja jonë e natyrshme është që dëshirojmë të dëgjojmë atë që na pëlqen veshi, ajo për të cilën kemi vërtet nevojë në shumicën e rasteve janë këshillat dhe disiplina, të bazuara në Bibël. (Fjalët e urta 16:25) Mbreti Ashab dëshironte të dëgjonte vetëm atë që i pëlqente; shërbëtorët e tij i kërkuan madje profetit Mikajah që fjala e tij të bëhej «si ajo e secilit prej tyre [profetëve lajkatarë të Ashabit] dhe shpall edhe ti gjëra të mira». (1. Mbretërve 22:13) Nëse Ashabi do të kishte qenë i gatshëm të dëgjonte atë që iu tha me çiltërsi dhe të ndryshonte mënyrat e tij rebele, mund të kishte penguar të ndodhnin humbjet e tmerrshme të Izraelit në betejë, si dhe vdekjen e vetvetes. Për mirëqenien tonë frymore, duhet të jemi të shpejtë për t’iu përgjigjur këshillës së prerë, por megjithatë të dashur, të pleqve të krishterë të emëruar, të cilët dëshirojnë të na ndihmojnë të qëndrojmë në shtegun e drejtë të së vërtetës, në vend se të kërkojmë njerëz që vazhdojnë të na thonë sesa të mrekullueshëm jemi, duke na gudulisur veshin me një të folur lajkatues!—Krahaso 2. Timoteut 4:3.
Të krishterët duhet që kurrë dhe për asnjë arsye të mos u drejtohen lajkave. Ashtu si Elihu besimplotë, ata luten me vendosmëri: «Mos më lër të jem i njëanshëm ndaj askujt, as të mos i bëj lajka asnjë njeriu; sepse nuk di se si të lajkatoj, përndryshe Bërësi im do të më hiqte shpejt.» Më pas, ashtu si Pavli, ata duhet të jenë në gjendje të thonë: «Nuk kemi përdorur kurrë . . . fjalë lajkatuese dhe as nuk jemi nisur nga motive lakmie.»—Jobi 32:21, 22 An American Translation; 1. Thesalenikasve 1Se 2:5, 6.
Lavdërim kur është i merituar
Fjala e urtë e frymëzuar tregon se lavdërimi mund të veprojë si një gur prove, duke thënë: «Poçja shkrirëse është për argjendin dhe furra për arin, por lavdërimi është prova e karakterit.» (Fjalët e urta 27, 21, The New English Bible) Po, lavdërimi mund të ushqejë ndjenja epërsie ose krenarie, duke çuar kështu në rënien e një personi. Nga ana tjetër, ai mund të zbulojë modestinë dhe përulësinë e tij, nëse pranon detyrimin që i ka Jehovait për çdo gjë që ka bërë, e cila i ka sjellë lavdi atij.
Lavdërimi i sinqertë për sjelljen dhe arritjet me vlera ndërton si atë që e jep, ashtu dhe atë që e merr. Ai i kontribuon çmueshmërisë së ngrohtë dhe të shëndetshme për njëri-tjetrin. Ajo inkurajon përpjekjen për synime që meritojnë lavdërime. Lavdërimi i merituar që u jepet të rinjve, mund t’i bëjë ata të kenë dëshirë të punojnë më fort. Ai mund të ndihmojë për të modeluar karakterin e tyre, ndërsa synojnë të jetojnë në lartësinë e standardeve që pritet prej tyre.
Prandaj, le të shmangim lajkat, qoftë nëse na i bëjnë apo i bëjmë ato. Le të jemi të përulur, kur pranojmë lavdërimin. Le të jemi bujarë dhe me gjithë shpirt në dhënien e lavdisë rregullisht Jehovait, në adhurimin tonë, si edhe të tjerëve sinqerisht, në formën e lëvdimit dhe çmueshmërisë së shëndetshme, duke mos harruar se «sa e mirë është fjala që thuhet në kohën e duhur».—Fjalët e urta 15:23.