BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • fy kap. 12 f. 142-152
  • Ju mund t’i kaloni problemet që dëmtojnë një familje

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Ju mund t’i kaloni problemet që dëmtojnë një familje
  • Sekreti i lumturisë familjare
  • Nëntema
  • DËMI QË SHKAKTON ALKOOLIZMI
  • ÇFARË MUND TË BËJË FAMILJA?
  • DËMI QË SHKAKTON DHUNA FAMILJARE
  • SI TË SHMANGIM DHUNËN FAMILJARE?
  • TË NDAHENI APO TË QËNDRONI BASHKË?
  • FUNDI I PROBLEMEVE DËMPRURËSE
Sekreti i lumturisë familjare
fy kap. 12 f. 142-152

KAPITULLI DYMBËDHJETË

Ju mund t’i kaloni problemet që dëmtojnë një familje

1. Cilat probleme të fshehura ekzistojnë në disa familje?

MAKINA e vjetër sapo është larë dhe lyer me dyllë. Kalimtarëve u duket e shkëlqyeshme, gati e re. Por nën sipërfaqe, ndryshku gërryes po e tret trupin e automjetit. Është njësoj edhe me disa familje. Ndonëse në pamje të jashtme gjithçka duket mirë, fytyrat e qeshura fshehin frikë dhe dhimbje. Prapa dyerve të mbyllura elementët gërryes po e copëtojnë paqen familjare. Dy nga problemet që mund të kenë këtë ndikim janë alkoolizmi dhe dhuna.

DËMI QË SHKAKTON ALKOOLIZMI

2. (a) Cila është pikëpamja e Biblës mbi përdorimin e pijeve alkoolike? (b) Çfarë është alkoolizmi?

2 Bibla nuk e dënon përdorimin e kujdesshëm të pijeve alkoolike, por dënon dehjen. (Proverbat 23:20, 21; 1. Korintasve 6:9, 10; 1. Timoteut 5:23; Titit 2:2, 3) Por alkoolizmi është më shumë se vetëm dehje; është një shqetësim kronik pas pijeve alkoolike dhe një humbje e kontrollit si pasojë e konsumimit të tyre. Alkoolistët mund të jenë njerëz të rritur. Mjerisht, ata mund të jenë edhe të rinj.

3, 4. Përshkruani pasojat e alkoolizmit mbi shokun bashkëshortor të alkoolistit dhe mbi fëmijët?

3 Shumë kohë më parë, Bibla ka treguar se keqpërdorimi i alkoolit prish paqen në familje. (Ligji i përtërirë 21:18-21) Ndikimet gërryese të alkoolit i ndien e gjithë familja. Gruaja mund të jepet e tëra në përpjekje për të ndaluar pirjen e alkoolit apo për të përballuar sjelljen e paparashikuar të të shoqit.a Ajo mundohet duke fshehur pijet e forta alkoolike, duke i derdhur, duke mbajtur fshehur lekët e tij dhe duke i bërë thirrje dashurisë së tij për familjen, për jetën, madje edhe për Perëndinë, por alkoolisti vazhdon të pijë. Ndërkohë që këto përpjekje për të kontrolluar pijen e tij hasin në dështime të vazhdueshme, ajo ndihet e zhgënjyer dhe e paaftë. Mund të fillojë të vuajë nga frika, zemërimi, ndjenja e fajit, nervozizmi, ankthi dhe mungesa e respektit për veten.

4 Edhe fëmijët nuk u shpëtojnë pasojave të alkoolizmit tek prindërit. Disa janë rrahur fizikisht. Të tjerë janë ngacmuar seksualisht. Ndoshta, ata mund t’ia vënë fajin vetes që prindi është alkoolist. Gjithnjë e më shumë aftësia e tyre për të pasur besim te të tjerët humbet për shkak të sjelljes së paqëndrueshme të alkoolistit. Ngaqë nuk mund të flasin lirshëm për atë që po ndodh në shtëpi, fëmijët mund të mësojnë t’i ndrydhin ndjenjat e tyre, shpesh me pasoja të dëmshme fizike. (Proverbat 17:22) Këta fëmijë mund ta mbartin këtë mungesë të besimit dhe të respektit te vetja, deri kur të rriten.

ÇFARË MUND TË BËJË FAMILJA?

5. Si mund të trajtohet alkoolizmi dhe përse është e vështirë?

5 Edhe pse shumë autoritete thonë se alkoolizmi nuk mund të kurohet, shumica janë dakort se njëfarë përmirësimi është i mundur me anë të një programi të përkores totale. (Krahaso Mateun 5:29.) Megjithatë, të bindësh një alkoolist që të pranojë ndihmë, është më e lehtë ta thuash se ta bësh, pasi ai zakonisht nuk pranon se ka ndonjë problem. Por, nëse pjesëtarët e familjes ndërmarrin hapa për të përballuar ndikimet që ka pasur tek ta alkoolisti, ai mund të fillojë të kuptojë se ka një problem. Një mjek me përvojë në ndihmën e alkoolistëve dhe të familjeve të tyre thotë: «Unë mendoj, se gjëja më e rëndësishme për këto familje është thjesht të kujdesen për aktivitetet e tyre të përditshme, në mënyrën më dobiprurëse që munden. Gjithnjë e më shumë, alkoolisti do të ballafaqohet me ndryshimin e madh që ekziston mes tij dhe pjesës tjetër të familjes.»

6. Cili është burimi më i mirë i këshillave për familjet me një pjesëtar alkoolist?

6 Nëse në familjen tuaj keni ndonjë alkoolist, këshillat e frymëzuara të Biblës mund t’ju ndihmojnë të jetoni në mënyrën më të shëndetshme që është e mundur. (Isaia 48:17; 2. Timoteut 3:16, 17) Le të shqyrtojmë disa parime që kanë ndihmuar familjet për të përballuar me sukses alkoolizmin.

7. Nëse një pjesëtar i familjes është alkoolist, kush e ka përgjegjësinë?

7 Mos merrni gjithë fajin përsipër. Bibla thotë: «Secili do të mbajë barrën e vet.» Gjithashtu: «Secili nga ne do t’i japë llogari Perëndisë për veten e vet.» (Galatasve 6:5; Romakëve 14:12) Alkoolisti mund të përpiqet të hedhë mendimin se përgjegjësinë e kanë pjesëtarët e tjerë të familjes. Për shembull, mund të thotë: «Po të më trajtonit më mirë, s’do të pija.» Nëse të tjerët tregojnë se janë dakort me të, atëherë po e inkurajojnë që të vazhdojë të pijë. Por, edhe sikur të kemi rënë viktima të rrethanave apo të njerëzve të tjerë, të gjithë ne, përfshirë edhe alkoolistët, jemi përgjegjës për ato që bëjmë.​—Krahaso Filipianëve 2:12.

8. Cilat janë disa mënyra për të ndihmuar një alkoolist që të përballojë pasojat e problemit të tij?

8 Mos mendoni se gjithmonë mund ta mbroni alkoolistin nga pasojat e pijes së tij. Një proverb i Biblës, që bën fjalë për dikë që ishte i zemëruar, mund të zbatohet po njëlloj për një alkoolist: «Po nuk u ndëshkua, ai do të bëhet edhe më tepër.» (Proverbat 19:19) Lëreni alkoolistin që të ndiejë pasojat e pirjes. Lëreni ta rregullojë vetë rrëmujën që mund të ketë bërë apo t’i japë vetë shpjegime punëdhënësit të nesërmen pasi ka qenë i pirë.

9, 10. Përse familjet e alkoolistëve duhet të pranojnë ndihmë dhe kujt duhet t’ia kërkojnë atë pikësëpari?

9 Pranoni ndihmë nga të tjerët. Proverbat 17:17 thotë: «Miku të do në çdo kohë, por vëllai lind për ditë të vështira.» Kur në familje keni një alkoolist, jeni të trazuar. Keni nevojë për ndihmë. Mos ngurroni të mbështeteni për ndihmë te ‘miqtë’ e vërtetë. (Proverbat 18:24) Duke folur me të tjerët që e kuptojnë problemin apo që kanë kaluar një situatë të ngjashme, mund të siguroni sugjerime praktike për çfarë të bëni dhe çfarë të mos bëni. Por jini të ekuilibruar. Flitni me ata tek të cilët keni besim, që do ta mbrojnë «të folurin [tuaj] me mirëbesim».​—Proverbat 11:13.

10 Mësoni të keni besim te pleqtë e krishterë. Pleqtë në kongregacionin e krishterë mund të jenë një burim i madh ndihme. Këta burra të pjekur janë mësuar nga Fjala e Perëndisë dhe kanë përvojë në zbatimin e parimeve të saj. Ata mund të jenë «si një mbrojtje nga era dhe një strehë kundër uraganit, si rrëke uji në një vend të thatë, si hija e një shkëmbi të madh në një tokë të zhuritur». (Isaia 32:2) Pleqtë e krishterë nuk mbrojnë nga ndikimet e dëmshme vetëm kongregacionin në përgjithësi, por edhe ngushëllojnë, freskojnë dhe kanë një interes personal për secilin individ që ka probleme. Përfitoni plotësisht nga ndihma e tyre.

11, 12. Kush e siguron ndihmën më të madhe për familjet e alkoolistëve dhe si jepet kjo mbështetje?

11 Mbi të gjitha, merrni fuqi nga Jehovai. Bibla na siguron me ngrohtësi: «Zoti [Jehovai, BR] qëndron afër atyre që e kanë zemrën të thyer dhe shpëton ata që e kanë frymën të dërmuar.» (Psalmi 34:18) Nëse ndiheni zemërthyer dhe frymëdërmuar për shkak të presioneve të bashkëjetesës me një familjar alkoolist, ta dini se «Jehovai qëndron afër». Ai e kupton se sa e vështirë është gjendja në familjen tuaj.​—1. Pjetrit 5:6, 7.

12 Besimi në atë që Jehovai thotë në Fjalën e tij, mund t’ju ndihmojë të përballoni ankthin. (Psalmi 130:3, 4; Mateu 6:25-34; 1. Gjonit 3:19, 20) Studimi i Fjalës së Perëndisë dhe zbatimi në jetë i parimeve të saj, të aftëson për të marrë ndihmën e frymës së shenjtë të Perëndisë, e cila mund t’ju pajisë me «fuqi përtej asaj që është normale», për të përballuar problemet ditë pas dite.​—2. Korintasve 4:7.b

13. Cili është problemi i dytë që dëmton shumë familje?

13 Abuzimi me alkoolin mund të çojë në një tjetër problem që dëmton shumë familje: dhuna familjare.

DËMI QË SHKAKTON DHUNA FAMILJARE

14. Kur zuri fill dhuna familjare dhe si është gjendja sot?

14 Akti i parë i dhunshëm në historinë e njerëzimit ishte një ngjarje e dhunës familjare që përfshiu dy vëllezër, Kainin dhe Abelin. (Zanafilla 4:8) Qysh prej atëherë, njerëzimi është goditur gjithmonë me të gjitha mënyrat e dhunës familjare. Burra që godasin gratë e tyre, gra që sulmojnë burrat, prindër që rrahin mizorisht fëmijët e vegjël dhe fëmijë të rritur që abuzojnë me prindërit e moshuar.

15. Si ndikohen emocionalisht pjesëtarët e familjes nga dhuna familjare?

15 Dëmi që shkakton dhuna familjare, është shumë më i madh se shenjat fizike. Një grua e rrahur tha: «Duhet të përballosh një ndjenjë të madhe faji dhe turpi. Më të shumtën e mëngjeseve, ke dëshirë të rrish në shtrat, duke shpresuar që ka qenë vetëm një ëndërr e keqe.» Fëmijët që shohin apo provojnë dhunën familjare, mund të bëhen edhe ata vetë të dhunshëm kur të rriten e të kenë familjen e tyre.

16, 17. Çfarë është abuzimi emocional dhe si ndikon ai mbi pjesëtarët e familjes?

16 Dhuna familjare nuk kufizohet me abuzimin fizik. Shpesh sulmi bëhet me fjalë. Proverbat 12:18 thotë: «Kush flet pa mend është si ai që shpon me shpatë.» Këto ‘shpime’ që karakterizojnë dhunën familjare përfshijnë përdorimin e fjalëve sharëse, të bërtiturat, kritikat e vazhdueshme, sharjet poshtëruese dhe kërcënimet për dhunë fizike. Plagët e dhunës emocionale janë të padukshme dhe shpesh kalojnë pa u vënë re nga të tjerët.

17 Sidomos e trishtueshme është rrahja emocionale e një fëmije: kritikat dhe shpërfilljet e vazhdueshme kundrejt aftësive të fëmijës, inteligjencës apo vlerës së tij si person. Ky abuzim me fjalë mund të shkatërrojë frymën e fëmijës. Vërtet, të gjithë fëmijët kanë nevojë të disiplinohen. Por Bibla i udhëzon baballarët: «Mos provokoni për zemërim bijtë tuaj, që të mos i lëshojë zemra.»​—Kolosianëve 3:21.

SI TË SHMANGIM DHUNËN FAMILJARE?

18. Ku nisi dhuna familjare dhe cilën rrugë tregon Bibla për ta ndalur atë?

18 Dhuna familjare zë fill në zemër e në mendje; mënyra si veprojmë nis nga mënyra si mendojmë. (Jakovit 1:14, 15) Për të ndalur dhunën, abuzuesi duhet të transformojë mënyrën e tij të të menduarit. (Romakëve 12:2) A është e mundur? Po. Fjala e Perëndisë ka fuqinë të ndryshojë njerëzit. Ajo mund të çrrënjosë edhe ato pikëpamje shkatërruese «të ngulura fortësisht në llogore». (2. Korintasve 10:4; Hebrenjve 4:12) Njohuria e saktë e Biblës mund të ndihmojë për të arritur një ndryshim të plotë te njerëzit, të cilëve u është thënë të veshin personalitetin e ri.​—Efesianëve 4:22-24; Kolosianëve 3:8-10.

19. Si duhet ta konsiderojë dhe ta trajtojë një i krishterë shokun bashkëshortor?

19 Pikëpamja për shokun bashkëshortor. Fjala e Perëndisë thotë: «Burrat duhet t’i duan gratë e veta porsi trupat e tyre. Kush do gruan e vet, do vetveten.» (Efesianëve 5:28) Bibla thotë, gjithashtu, se burri duhet t’i japë gruas së tij nder «si një ene më delikate». (1. Pjetrit 3:7) Gratë janë të nxitura që «të duan burrat e tyre» dhe të kenë «respekt të thellë» për ta. (Titit 2:4; Efesianëve 5:33, BR) Sigurisht, asnjë burrë me frikë Perëndie nuk mund të thotë me të drejtë se e nderon vërtet gruan e tij, nëse e sulmon atë fizikisht apo me fjalë. Po kështu, asnjë grua që i bërtet të shoqit, që i drejtohet atij në mënyrë sarkastike apo që e shan vazhdimisht, s’mund të thotë se e do dhe e respekton me të vërtetë.

20. Përpara kujt kanë përgjegjësi prindërit për fëmijët dhe përse ata nuk duhet të presin gjëra të paarsyeshme nga fëmijët e tyre?

20 Pikëpamja e duhur për fëmijët. Po, fëmijët e meritojnë, madje kanë nevojë për dashurinë dhe kujdesin e prindërve të tyre. Fjala e Perëndisë i quan fëmijët «një trashëgimi që vjen nga Zoti» dhe «një shpërblim». (Psalmi 127:3) Prindërit kanë përgjegjësinë përpara Jehovait që të kujdesen për këtë trashëgimi. Bibla flet për «gjërat fëminore» dhe për «marrëzinë» e fëmijërisë. (1. Korintasve 13:11; Proverbat 22:15) Prindërit nuk duhet të habiten nëse fëmijët e tyre bëjnë marrëzira. Fëmijët s’janë të rritur. Prindërit nuk duhet të kërkojnë më tepër se sa është e përshtatshme për moshën e fëmijës, ambientin familjar dhe aftësinë.​—Shiko Zanafillën 33:12-14.

21. Cila është mënyra hyjnore e konsiderimit të prindërve të moshuar dhe e trajtimit të tyre?

21 Pikëpamja për prindërit e moshuar. Levitiku 19:32 thotë: «Çohu në këmbë para atij që ka kokën të zbardhur, nderoje plakun.» Ligji i Perëndisë, pra, ushqente respekt dhe nderim të madh për moshën e thyer. Kjo mund të jetë një sfidë, nëse një prind i moshuar duket tepër kërkues apo është i sëmurë dhe ndoshta lëviz e mendon me vështirësi. Sido që të jetë, fëmijët s’duhet të harrojnë «t’ua shpërblejnë prindërve të tyre». (1. Timoteut 5:4) Kjo mund të nënkuptojë trajtimin e tyre me dinjitet dhe me respekt, mbase edhe duke u kujdesur për ta financiarisht. Keqtrajtimi fizik apo tjetërsoj i prindërve të shkuar në moshë, bie absolutisht ndesh me mënyrën që Bibla na thotë të sillemi.

22. Cila është cilësia kryesore në kapërcimin e dhunës familjare dhe si mund të ushtrohet ajo?

22 Kultivoni vetëkontroll. Proverbat 29:11 thotë: «Budallai e shfryn gjithë zemërimin [frymën, BR] e tij, por i urti e frenon dhe e ul.» Si mund të kontrolloni frymën tuaj? Në vend se të lini që inati të rritet përbrenda, veproni me të shpejtë për të zgjidhur vështirësitë që ngrihen. (Efesianëve 4:26, 27) Largohu, nëse e ndjen se po humbet kontrollin. Lutuni që fryma e shenjtë e Perëndisë të prodhojë te ju vetëkontrollin. (Galatasve 5:22, 23) Dalja për një shëtitje apo marrja me ndonjë ushtrim fizik mund t’ju ndihmojë të kontrolloni emocionet. (Proverbat 17:14, 27) Përpiquni të jeni «të ngadalshëm në zemërim».​—Proverbat 14:29.

TË NDAHENI APO TË QËNDRONI BASHKË?

23. Çfarë mund të ndodhë, nëse një pjesëtar i kongregacionit të krishterë, vazhdimisht dhe pa u penduar, lëshohet në shpërthime të dhunshme zemërimi, duke përfshirë mbase edhe abuzimin fizik me familjen e tij?

23 Ndër gjërat e dënuara nga Perëndia, Bibla rendit «armiqësitë, grindjet, . . . shpërthimet e zemërimit» dhe pohon se «ata që praktikojnë gjëra të tilla nuk do të trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë». (Galatasve 5:19-21, BR) Prandaj, kushdo që pohon se është i krishterë, por vazhdimisht dhe pa u penduar lëshohet pas shpërthimeve të dhunshme të zemërimit, duke përfshirë mbase edhe abuzimin fizik të shokut bashkëshortor apo të fëmijëve, mund të përjashtohet nga kongregacioni i krishterë. (Krahaso 2. Gjonit 9, 10.) Në këtë mënyrë, kongregacioni mbahet i pastër nga personat që abuzojnë.​—1. Korintasve 5:6, 7; Galatasve 5:9.

24. (a) Në ç’mënyrë mund të zgjedhin për të vepruar bashkëshortët që janë viktima të abuzimit? (b) Si mund ta mbështesin miqtë dhe pleqtë e kujdesshëm një viktimë të abuzimit, por çfarë nuk duhet të bëjnë ata?

24 Ç’të themi për të krishterët që kohët e fundit kanë pësuar rrahje nga një shok bashkëshortor që abuzon e që nuk tregon shenja ndryshimi? Për një arsye apo për tjetrën, disa kanë zgjedhur të qëndrojnë me bashkëshortin që abuzon. Disa të tjerë kanë vendosur të largohen, duke menduar se shëndeti i tyre fizik, mendor dhe frymor, mbase edhe vetë jeta e tyre, ka qenë në rrezik. Ajo që vendos të bëjë një viktimë e dhunës familjare në këto rrethana, është një vendim personal përpara Jehovait. (1. Korintasve 7:10, 11) Duke u nisur nga qëllime të mira, miqtë, të afërmit apo pleqtë e krishterë mund të kenë dëshirë të ofrojnë ndihmë dhe këshilla, por ata s’duhet të bëjnë presion mbi viktimën që të veprojë në ndonjë mënyrë të veçantë. Është një vendim që duhet ta marrë ai apo ajo.​—Romakëve 14:4; Galatasve 6:5.

FUNDI I PROBLEMEVE DËMPRURËSE

25. Cili është qëllimi i Jehovait për familjen?

25 Kur Jehovai i lidhi së bashku në martesë Adamin dhe Evën, ai s’kishte aspak si qëllim që familjet të gërryheshin nga problemet dëmprurëse, si alkoolizmi ose dhuna. (Efesianëve 3:14, 15) Familja duhej të ishte një vend ku të lulëzonte dashuria dhe paqja dhe ku secili pjesëtar do të gjente kujdes për nevojat e tij mendore, emocionale dhe frymore. Me ndërfutjen e mëkatit, jeta familjare u prish me të shpejtë.​—Krahaso Eklisiastiun 8:9.

26. Çfarë e ardhme i pret ata që përpiqen të jetojnë në përputhje me kërkesat e Jehovait?

26 Lumturisht, Jehovai nuk ka hequr dorë nga qëllimi i tij për familjen. Ai premton se do të sjellë një botë të re paqësore, në të cilën njerëzit «do të qëndrojnë të sigurt dhe askush nuk ka për t’i trembur». (Ezekieli 34:28) Në atë kohë, alkoolizmi, dhuna familjare dhe të gjitha problemet e tjera që dëmtojnë familjet e sotme, do të jenë gjëra të së shkuarës. Njerëzit do të qeshin, jo për të fshehur frikën dhe dhimbjen, por sepse do të gjejnë «kënaqësi të këndshme në bollëkun e paqes».​—Psalmi 37:11, BR.

a Edhe pse ne po u referohemi alkoolistëve si meshkuj, parimet që gjejnë zbatim këtu janë njësoj edhe kur femra është alkooliste.

b Në disa vende ekzistojnë qendra trajtimi, spitale dhe programe përmirësimi, të specializuara në ndihmën për alkoolistët dhe për familjet e tyre. Kërkimi apo jo i një ndihme të tillë është një vendim personal. Shoqata Watch Tower nuk mbështet ndonjë trajtim të veçantë. Megjithatë, duhet bërë kujdes në mënyrë që, duke kërkuar ndihmë, të mos përfshihemi në aktivitete që bien në kompromis me parimet e Shkrimeve.

SI MUND T’I NDIHMOJNË KËTO PARIME BIBLIKE . . . FAMILJET, PËR TË SHMANGUR PROBLEMET QË MUND TË SHKAKTOJNË DËME SERIOZE?

Jehovai e dënon keqpërdorimin e alkoolit.​—Proverbat 23:20, 21.

Çdo individ është përgjegjës për veprimet e tij.​—Romakëve 14:12.

Pa vetëkontroll nuk mund t’i shërbejmë Perëndisë në mënyrë të pranueshme.​—Proverbat 29:11.

Të krishterët e sinqertë i nderojnë prindërit e tyre të moshuar.​—Levitiku 19:32.

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo