DËSHTIMI
Nxjerrje e embrionit ose fetusit përpara se ky të jetë i aftë të jetojë jashtë trupit të nënës. Dështimi (aborti) mund të jetë i provokuar, domethënë ndërprerje e qëllimshme e shtatzënisë, ose spontan, domethënë ndërprerje për shkaqe natyrore e të pashmangshme. Termi hebraik shakhál, që do të thotë ‘dështoj’ (Da 23:26; Ho 9:14), është përkthyer edhe ‘lë pa njeri’ (Lp 32:25), ‘lë pa fëmijë’ (Le 26:22) dhe ‘dal pa fryt’ (Ma 3:11). Rrënja e fjalës hebraike johcéʼth, e përkthyer ‘dështoj’ te Psalmi 144:14, do të thotë «dal». (Krahaso Zn 27:30, Kris.) Fjalët ‘i dështuar’ dhe «dështak» (Ps 58:8; Ek 6:3) janë përkthime të fjalës hebraike néfel, e cila vjen nga nafál që do të thotë «bie».
Dështimi mund të shkaktohet nga ndonjë aksident, sëmundje infektive, stresi apo ngarkesa mendore a fizike, ose nga ndonjë dobësi e përgjithshme trupore e nënës. Uji pranë Jerikosë ishte vdekjeprurës dhe shkaktonte dështime te gratë, mirëpo Eliseu, profeti i Jehovait, e ktheu në ujë të mirë me anë të një mrekullie.—2Mb 2:19-22.
Provokimi me dashje i abortit me mjete artificiale, duke përdorur ilaçe apo ndërhyrje mjekësore, me qëllimin e vetëm të heqjes së një fëmije të padëshiruar, është një krim i rëndë në sy të Perëndisë. Si një dhuratë e çmuar e Perëndisë, jeta është e shenjtë. Prandaj, ligji që Perëndia i dha Moisiut nuk e mbronte jetën e foshnjës së palindur vetëm nga aborti kriminal. Edhe nëse disa burra ziheshin e një grua shtatzënë pësonte një aksident vdekjeprurës, që shkaktonte vdekjen e saj ose të fëmijës, ata ‘do ta paguanin shpirt për shpirt’. (Da 21:22-25) Sigurisht, para se të jepnin këtë dënim, gjykatësit shqyrtonin rrethanat dhe deri në ç’masë kishte qenë i qëllimshëm veprimi. (Krahaso Nu 35:22-24, 31.) Sidoqoftë, duke nënvizuar se sa e rëndë konsiderohej çdo përpjekje e qëllimshme për të shkaktuar dëme, dr. Xh. Gleni komenton: «Embrioni i gjallë në mitër ËSHTË një njeri më vete, prandaj të shkatërrosh atë, do të thotë të shkelësh urdhërimin e gjashtë.»—The Bible and Modern Medicine, 1963, f. 176.
Me të drejtë, fryti i barkut është një bekim nga Jehovai. (Le 26:9; Ps 127:3) Ja përse, kur premtoi se Izraeli do të kishte mbarësi, Perëndia e siguroi me fjalët vijuese se shtatzënitë do të përfundonin me sukses dhe do të lindnin fëmijë: «Në vendin tënd nuk do të ketë asnjë grua që të dështojë dhe asnjë grua shterpë.» (Da 23:26) Nga ana tjetër, siç duket nga lutja e një njeriu të drejtë, Perëndia do ta tregonte mosmiratimin për armiqtë e tij duke bërë që gratë e tyre të dështonin dhe ata të mos e shihnin diellin kurrë si foshnjat e dështuara.—Ps 58:8; Ho 9:14.
Mes gjithë atyre dhembjeve, Jobi mendonte se më mirë të kish qenë «si foshnja që dështon pa e marrë vesh kush». Ky njeri i munduar thirri: «Pse nuk vdiqa që në bark të nënës?!» (Jb 3:11-16) Edhe Solomoni arsyetoi se një dështak është më mirë se një njeri që jeton shumë vjet, por kurrë s’e gëzon jetën.—Ek 6:3.
Disa sëmundje ngjitëse që shkaktojnë dështime, mund të prekin edhe kafshë të tilla, si gjedhët, kuajt, dhentë e dhitë. Dështimet e kafshëve që vinin si pasojë e lënies pas dore apo sëmundjeve, ishin një fenomen i njohur qysh në ditët e patriarkëve Jakob dhe Job.—Zn 31:38; Jb 21:10.