Të rinjtë pyesin . . .
Përse të rinjtë e tjerë dëfrehen, kurse unë jo?
«Duam vetëm të dëfrehemi, por është kaq e vështirë»,—ankohet Juliani 15-vjeçar.
NUK është aspak e jashtëzakonshme dëshira për t’u dëfryer, sidomos kur je i ri. Për shumicën e të rinjve, dëfrimi është po aq i rëndësishëm sa ngrënia dhe gjumi. Të shtytur nga bashkëmoshatarët dhe mjetet e informacionit, të rinjtë ndjekin me pasion një shumëllojshmëri të madhe aktivitetesh argëtuese. Sipas një ankete, vizitat tek miqtë, shikimi i televizorit, vajtja në kinema apo në ndonjë festë dhe kërcimi ishin të parat në listën e aktiviteteve më të preferuara të mbrëmjes nga adoleshentët. Edhe leximi, lojrat, sportet dhe dëgjimi i muzikës pëlqeheshin nga të rinjtë.
Duke pasur në dispozicion kaq shumë aktivitete dëfryese, të rriturit mund ta kenë të vështirë të kuptojnë arsyen përse disa të rinj, si Juliani, mendojnë se nuk po dëfrehen mjaft. Saktësisht këtë e kanë pohuar edhe disa të rinj të krishterë. Një Dëshmitare e Jehovait në moshë të re me emrin Mirela, shprehet kështu: «Të gjithë shokët në shkollë i sheh duke organizuar festa e duke shkuar andej-këndej, ndërsa vetë ndihesh i lënë jashtë çdo gjëje.» Por, a është vërtet gjendja kaq e nderë?
Mos ndoshta Bibla i ndalon çastet argëtuese? Përkundrazi. Bibla e quan Jehovain «Perëndia i lumtur». (1. Timoteut 1:11, BR) Prandaj, nuk duhet të të habisë fakti që mbreti Solomon tha: «Për çdo gjë ka një kohë të caktuar, . . . një kohë për të qarë dhe një kohë për të qeshur; një kohë për të vajtuar dhe një kohë për të kërcyer.» (Eklisiastiu 3:1, 4, BR) Fjala origjinale hebreje e përkthyer këtu ‘qesh’ dhe terma të ngjashme me të, mund të nënkuptojnë edhe «festoj», «luaj», «bëj lojëra», ‘ofroj dëfrim’ dhe «kaloj çaste të bukura».—2. Samuelit 6:21; Jobi 41:5; Gjykatësit 16:25; Dalja 32:6; Zanafilla 26:8.
Në kohët biblike, populli i Perëndisë kryente një shumëllojshmëri aktivitetesh të shëndetshme, si luajtja në instrumente muzikore, këndimi, kërcimi, bisedimi dhe lojrat. Përveç këtyre, kishin raste speciale për të festuar dhe një shoqëri të gëzuar. (Jeremia 7:34; 16:9; 25:30; Luka 15:25) Përse jo, edhe vetë Jezu Krishti mori pjesë në festimin e një martese.—Gjoni 2:1-10.
Kështu, pra, nuk është e ndaluar që të rinjtë e krishterë të dëfrehen në mënyrë të shëndetshme. Në fakt, Bibla thotë: «Gëzohu, pra, o i ri, në rininë tënde, le të gëzohet zemra jote në ditët e rinisë sate.» Megjithatë, Solomoni u shton këtyre fjalëve një paralajmërim: «Por dije që për të gjitha këto gjëra Perëndia do të të thërrasë në gjyq.» (Eklisiastiu 11:9) Po, Perëndia të konsideron përgjegjës për zgjedhjet që bën. Prandaj, kur bëhet fjalë për argëtimin, duhet të «kujdesemi që mënyra në të cilën ecim nuk është si të marrët, por si persona të mençur». (Efesianëve 5:15, 16, BR) Për ç’arsye? Sepse shumë të rinj bëjnë zgjedhje shumë të dobëta në këtë aspekt.
Kur zbavitja del jashtë kontrollit
Le të shohin se çfarë ngjau në kohët biblike. Disa izraelitë humbën çdo ndjenjë ekuilibri, kur ra fjala për argëtimin, duke organizuar festa të shfrenuara, që zgjasnin gjithë natën. Profeti Isaia tha: «Mjerë ata që ngrihen herët në mëngjes për t’u turrur pas pijeve dehëse dhe vonohen deri në mbrëmje sa të flakërohen nga vera! Në banketet e tyre ka qeste, harpa, dajre, fyell dhe verë.» Nuk themi se ishte e gabuar të rrije në shoqëri për të ngënë, për të dëgjuar muzikë e për të kërcyer. Por, për këta njerëz të dhënë pas gostive, Isaia thotë: «Ata nuk i kushtojnë kujdes veprës së Zotit.»—Isaia 5:11, 12.
Shumë të rinj sot, bëjnë të njëjtën gjë: nuk mbajnë parasysh Perëndinë, kur duan të argëtohen. Disa i shpërfillin me paturpësi normat hyjnore, duke kryer marrëdhënie seksuale paramartesore, vandalizma, duke abuzuar me drogën dhe duke u sjellë në mënyra të tjera të pakujdesshme «për t’u dëfryer». Megjithatë, në raste të tjera, të rinjtë vërtet nuk sillen keq me qëllim. Më mirë të themi, nuk arrijnë të veprojnë, duke u treguar të përkorë dhe të shmangin teprimet. (Proverbat 23:20; 1. Timoteut 3:11) Kështu, kur mblidhen për të kaluar disa çaste të bukura, situata priret të dalë jashtë kontrollit.—Krahaso 1. Korintasve 10:6-8.
Kohët e fundit, revista Zgjohuni! u ka drejtuar disa të rinjve këtë pyetje: «Çfarë ndodh sot nëpër festat e organizuara nga të rinjtë e botës?» Një vajzë adoleshente u përgjigj: «Merret drogë dhe teprohet me pije alkoolike. Ndodh vërtet ashtu.» Një djalë me emrin Denis, u shpreh kështu për disa djem të shkollës së tij, që shkojnë nëpër festa: «S’dinë gjë tjetër, veç të mburren sa kanë pirë.» Juliani arriti deri aty, sa tha: «Në një festë të botës gati gjithmonë ndodhin gjëra të këqija.» Meqenëse «gostitë» ose «festat e shfrenuara» dënohen nga Bibla, të rinjtë me frikë Perëndie i shmangin grumbullimet në shoqëri, që njihen për gjëra të tilla.—Galatasve 5:21; Byington.
Edhe disa forma argëtimi në dukje të padëmshme, mund të fshehin pas rreziqe. Shumë nga filmat më të zakonshëm që shfaqen sot, paraqesin, për shembull, skena nudo, seks sheshit dhe dhunë të neveritshme. Këngët që janë në krye të klasifikimit, shpesh përmbajnë tekste pornografike. Koncertet ‘rock’ janë zakonisht një vend, ku abuzohet me drogën, ku bëhet potere dhe ku ka dhunë.a
Kur prindërit thonë jo
Çfarë nxjerrim nga gjithë sa thamë? Me pak fjalë, nëse je i krishterë, nuk mund të bësh të gjitha gjërat që bashkëmoshatarët e tu kanë qejf t’i bëjnë. Në fund të fundit, Jezui tha se ithtarët e tij nuk do të ishin «pjesë e botës» dhe kjo do të thotë të jesh i ndryshëm nga të tjerët. (Gjoni 15:19, BR) Nëse prindërit e tu kanë frikë Perëndie, ata janë thellësisht të vetëdijshëm për këtë fakt. Prandaj, nganjëherë, nga dëshira për të të mbrojtur, prindërit mund të të shkurajojnë ose të të ndalojnë kategorikisht disa gjëra, që të rinjve të tjerë u lejohen. Kjo nuk është gjithmonë e lehtë për t’u pranuar. «Njerëzit duan të dëfrehen,—insistoi një adoleshente.—Kur ishin të rinj, edhe prindërit tanë janë dëfryer, por nganjëherë duket sikur duan të na mbajnë të mbyllur brenda.»
Ndjekja e këshillës së prindërve në këtë fushë mund të mos jetë një gjë e lehtë, edhe atëherë kur në thelb je në një mendim me ta. Një i ri me pamje prej atleti, që ne do ta quajmë Fredi, kujton: «Kisha qejf të luaja basketboll me skuadrën e shkollës. Shumë njerëz më shtynin që të luaja dhe kjo gjë disi më shqetësonte. Por, më pas, fola me prindërit.» Prindërit i vunë në dukje Fredit rreziqet e ‘shoqërive të këqija’ dhe i kujtuan sasinë e kohës që do t’i kishin çuar dëm aktivitetet sportive. (1. Korintasve 15:33) «Kështu, nuk munda të luaja basketboll me skuadrën e shkollës»,—thotë Fredi me hidhërim. Ai iu bind këshillës së prindërve, megjithatë përsëri i vinte keq që nuk mund të luante basketboll.
«Kushedi çfarë po humb»
Cilado qoftë situata jote, në të njëjtën mënyrë edhe ti herë pas here mund të shkurajohesh, tek dëgjon shokët e shkollës të mburren çfarë qejfi kanë bërë. «Përse të rinjtë e tjerë dëfrehen sa u do qejfi, kurse unë jo?»—mund të pyesësh. Po, si mund ta mposhtësh ndjenjën se po humb diçka të bukur?
Mund të jetë e dobishme për ty të lexosh Psalmin 73 dhe të meditosh mbi përvojën e shkrimtarit të Biblës, të quajtur Asaf. Në Psalmin 73 vargun 2 dhe 3, ai pohon: «Sa për mua, gati-gati po më pengoheshin këmbët dhe për pak hapat e mia do të shkisnin. Sepse i kisha zili mburravecët.» Por, ndërsa Asafi bënte një jetë të kufizuar, të tjerët mburreshin se mund të bënin çfarë t’u donte qejfi, siç duket pa asnjë pasojë. Dukej sikur kishin me bollëk dhe akoma fitonin gjithnjë e më shumë. (Psalmin 73 Vargu 12) Në këtë mënyrë, Asafi u shkurajua kaq shumë, sa bërtiti me zë: «Më kot, pra, pastrova zemrën time dhe i lava duart në pafajësinë time.»—Psalmi 73:13.
Lumturisht, Asafit i erdhi gjykimi para se të bënte ndonjë veprim të nxituar. Ai bëri një vizitë në «shenjtoren e Perëndisë» dhe në ato mjedise të shëndetshme, reflektoi seriozisht mbi çështjen. Pa kaluar shumë, Asafi kishte nxjerrë një përfundim të denjë për vëmendje, në lidhje me të pafetë që i janë dedikuar kërkimit të kënaqësive: «Me siguri, ti i vë në vende të rrëshqitshme dhe kështu i bën që të bien në shkatërrim.»—Psalmi 73:17, 18.
E njëjta gjë mund të thuhet për shumë nga bashkëmoshatarët e tu, që janë vënë në kërkim të kënaqësive. Ndoshta ata mendojnë se po kalojnë çaste të gëzuara tani. Por, kënaqësia që vjen nga mëkati është vetëm e përkohshme. (Hebrenjve 11:25) Duke qenë se nuk ndjekin normat e Biblës, ata qëndrojnë «në vende të rrëshqitshme» dhe rrezikojnë në çdo moment të përjetojnë një rënie të tmerrshme papritur e pakujtuar. Fjala e Perëndisë deklaron: «Ç’të mbjellë njeriu, atë edhe do të korrë.» (Galatasve 6:7) Me siguri që të ka rënë në vesh për të rinj të moshës tënde, të cilët kanë pësuar një vdekje të parakohshme, sëmundje të transmetuara në rrugë seksuale, shtatzëni të padëshiruara apo kanë përfunduar në burg, si pasojë e trimërive për «dëfrim». A nuk do të ishte më mirë atëherë, që të mos përziheshe në të tilla gjëra?—Isaia 48:17.
Solomoni na jep një këshillë të mirë, kur thotë: «Zemra jote mos i pastë zili mëkatarët, por vazhdoftë gjithnjë në frikën e Zotit; sepse ka një të ardhme dhe shpresa jote nuk do të shkatërrohet.» (Proverbat 23:17, 18) Është e vërtetë, për asnjë çast «kënaqësie» nuk ia vlen të humbasim shpresën e jetës së përhershme në parajsën mbi tokë.
Ndërkohë, si mund ta plotësosh dëshirën tënde të natyrshme për të pasur vërtet çaste të bukura herë pas here? A ka mënyra të shëndetshme dhe të sigurta për ta bërë? Ç’mund të thuhet, nëse paratë dhe burimet e tjera janë të kufizuara? Revista Zgjohuni! ka kërkuar sugjerime dhe ide nga të rinj rreth gjithë botës. Për këto do të flitet në një artikull të ardhshëm të kësaj rubrike.
[Shënimi]
a Shiko artikullin «Të rinjtë pyesin . . . A duhet të marr pjesë në koncertet ‘rock’?», në numrin 22 dhjetor 1995, botuar në anglisht.
[Figura në faqen 10]
A duhet të ndihesh i veçuar, për shkak se nuk mund të marrësh pjesë në atë që bota e quan dëfrim?