RAHABA
1. [Heb., Raháv, ndoshta: e gjerë; me hapësirë.] Një prostitutë nga Jerikoja që u bë adhuruese e Jehovait. Në pranverë të vitit 1473 p.e.s., dy zbulues izraelitë shkuan në Jeriko dhe bujtën në shtëpinë e Rahabës. (Js 2:1) Nuk thuhet sa gjatë qëndruan atje, por Jerikoja nuk ishte aq e madhe sa të duhej një kohë e gjatë për ta hetuar.
Në disa qarqe, sidomos mes judenjve tradicionalistë, nuk pranohet që Rahaba ishte vërtet e përdalë ose prostitutë në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, por opinioni i tyre nuk duket me baza. Fjala hebraike zohnáh ka të bëjë gjithmonë me marrëdhëniet e paligjshme qoftë në aspektin seksual, qoftë në aspektin e jobesnikërisë frymore, dhe kur i referohet një gruaje imorale, përkthehet prostitutë. Nuk përkthehet «zonjë shtëpie», «hanxheshë» ose me terma të tjerë të ngjashëm. Veç kësaj, për kananitët prostitucioni nuk ishte një zanat me nam të keq.
Njerëzit e diktuan që dy mysafirët e Rahabës ishin izraelitë dhe njoftuan mbretin. Por Rahaba i fshehu pa vonesë nën kërcejtë e lirit që po thaheshin në tarracë, e kështu kur autoritetet vajtën për t’i kapur, i çoi në një drejtim tjetër pa ngjallur dyshime. Me këtë, Rahaba tregoi përkushtim më të madh ndaj Perëndisë së Izraelit, sesa ndaj popullit të vet që ishte dënuar.—Js 2:2-7.
Nuk dihet se kur e kuptoi Rahaba qëllimin e zbuluesve dhe synimet e Izraelit për Jerikonë. Sido të ketë qenë, ajo u tregoi se qytetin e kishte zënë frika dhe lemeria kur kishte dëgjuar bëmat e Jehovait për të shpëtuar Izraelin gjatë më shumë se 40 viteve të kaluara. Ajo u kërkoi zbuluesve të betoheshin se do ta linin gjallë atë dhe familjen e saj—të atin, të ëmën dhe familjarët e tjerë. Ata i dhanë fjalën, me kusht që ajo të mblidhte gjithë familjen në shtëpinë e saj, të varte në dritare një kordon me ngjyrë të kuqe të ndezur dhe të mos tregonte që ata kishin qenë aty, gjëra që ajo premtoi se do t’i bënte. Që t’i mbronte edhe më shumë zbuluesit, ajo i ndihmoi të zbritnin nga një dritare (shtëpia e saj ishte mbi murin e qytetit) dhe u tregoi si të mos binin në duart e ndjekësve, të cilët ishin nisur drejt Jordanit, te vau.—Js 2:8-22.
Zbuluesit vajtën t’i tregonin Josiut gjithë sa kishte ngjarë. (Js 2:23, 24) Pasi muret e Jerikosë ranë, shtëpia e Rahabës që gjendej «mbi njërën anë të murit» nuk u shkatërrua. (Js 2:15; 6:22) Josiu urdhëroi që Rahaba dhe njerëzit e saj të liheshin gjallë. Kështu, dy zbuluesit që kishin qenë tek ajo i nxorën dhe i çuan në një vend të sigurt. Pasi qëndroi e ndarë nga kampi i Izraelit për njëfarë periudhe, Rahaba dhe familja e saj u lejuan të banonin mes izraelitëve. (Js 6:17, 23, 25) Kjo grua, që dikur kishte qenë prostitutë, u bë bashkëshortja e Salmonit dhe e ëma e Boazit, paraardhësit të mbretit David; ajo është njëra nga katër gratë që përmenden me emër në gjenealogjinë e Jezuit të dokumentuar nga Mateu. (Ru 4:20-22; Mt 1:5, 6) Gjithashtu, ajo është një shembull mjaft i shquar, pasi, edhe pse joizraelite, tregoi me vepra se kishte besim të plotë te Jehovai. «Me anë të besimit,—tha Pavli,— Rahaba, prostituta, nuk mori fund bashkë me ata që vepruan me mosbindje, sepse i priti paqësisht zbuluesit.» Kurse Jakovi bën këtë pyetje: «A nuk u shpall e drejtë nga veprat edhe Rahaba, prostituta, pasi i mirëpriti lajmëtarët dhe i nisi nga një udhë tjetër?»—He 11:30, 31; Jk 2:25.
2. [Heb., Ráhav, nga rrënja e fjalës që do të thotë «mbyt me kërkesa».] Një shprehje simbolike që përdoret për herë të parë te Jobi (9:13; 26:12), ku përkthehet ‘ai që vërsulet’. (BR) Konteksti dhe paralelizmi i pjesës së dytë e përafrojnë këtë fjalë me një përbindësh të madh deti. Po ashtu, edhe Isaia 51:9 e lidh Rahabën me një përbindësh deti: «A nuk e dërrmove ti Rahabën? A nuk e shpove ti tejpërtej përbindëshin e detit?»
Rahaba, një ‘përbindësh deti’, u bë simbol i Egjiptit dhe i faraonit që iu kundërvu Moisiut dhe Izraelit. Isaia 51:9, 10 preku shkarazi çlirimin që i solli Jehovai Izraelit nga robëria egjiptiane: «A nuk e thave ti detin, thellësinë e pafund? A nuk e ktheve ti në udhë fundin e detit të thellë, që të kalonin të riblerët?» Tek Isaia 30:7 ‘Rahaba’ lidhet përsëri me Egjiptin. Psalmi 87:4 e përmend «Rahabën» në një vend ku do të shkonte mirë Egjipti, në krye të listës së armiqve të Izraelit bashkë me Babiloninë, Filistinë, Tirin dhe Kushin. Targumet përdorin «egjiptianët» në këtë varg, dhe te Psalmi 89:10 e parafrazojnë përkthimin në mënyrë që «Rahaba» të lidhet me faraonin arrogant të Egjiptit, të cilin Jehovai e poshtëroi.