Vazhdo të ecësh në udhën e Jehovait
«Shpreso në Jehovain dhe mbaj udhën e tij e ai do të të lartësojë që të marrësh zotërimin e tokës.»—PSALMI 37:34, BR.
1, 2. Çfarë përfshinte për mbretin David ecja në udhën e Jehovait dhe çfarë kërkon kjo ecje nga ne sot?
«MË TREGO rrugën nëpër të cilën duhet të eci, sepse unë e lartoj shpirtin tim drejt teje.» (Psalmi 143:8) Të krishterët e sotëm i përsëritin me gjithë zemër këto fjalë të mbretit David. Ata dëshirojnë me të vërtetë që ta kënaqin Jehovain dhe të ecin në udhën e tij. Çfarë përfshin kjo? Për Davidin, kjo gjë nënkuptonte mbajtjen e ligjit të Perëndisë. Përfshinte që ai të besonte në Jehovain, në vend se në aleancat me kombet. Po, përfshinte edhe që t’i shërbente me besnikëri Jehovait, jo perëndive të popujve fqinj. Për të krishterët, ecja në udhën e Jehovait përfshin edhe më tepër.
2 Para së gjithash, të ecësh në udhën e Jehovait sot do të thotë të ushtrosh besim në flijimin shpërblyes të Jezu Krishtit, duke e pranuar atë si «udha, e vërteta dhe jeta». (Gjoni 3:16; 14:6; Hebrenjve 5:9) Nënkupton edhe të përmbushësh «ligjin e Krishtit», i cili përfshin shfaqjen e dashurisë ndaj njëri-tjetrit e në veçanti ndaj vëllezërve të mirosur të Jezuit. (Galatasve 6:2; Mateu 25:34-40) Ata që ecin në udhën e Jehovait i duan parimet dhe urdhrat e tij. (Psalmi 119:97; Proverbat [Fjalët e urta] 4:5, 6) Ata e vlerësojnë tepër privilegjin e tyre të çmuar për të marrë pjesë në shërbimin e krishterë. (Kolosianëve 4:17; 2. Timoteut 4:5) Lutja është një pjesë e rregullt e jetës së tyre. (Romakëve 12:12) Gjithashtu, ata ‘janë shumë vigjilentë që mënyra se si ecin të mos jetë si ajo e një personi të marrë, por e një të mençuri’. (Efesianëve 5:15, BR) Ata patjetër që nuk i sakrifikojnë pasuritë frymore për të pasur avantazhe të përkohshme materiale ose për kënaqësi të paligjshme të mishit. (Mateu 6:19, 20; 1. Gjonit 2:15-17) Për më tepër, besnikëria ndaj Jehovait dhe besimi në të janë jetësore. (2. Korintasve 1:9; 10:5; Efesianëve 4:24) Pse? Sepse situata jonë është pothuajse e ngjashme me atë të Izraelit të lashtë.
Nevoja për besim dhe besnikëri
3. Pse besnikëria, besimi dhe siguria do të na ndihmojnë që të vazhdojmë të ecim në udhën e Jehovait?
3 Izraeli ishte një komb i vogël i rrethuar nga fqinj jo miqësorë, të cilët zhvillonin ceremoni të shthurura në adhurimin e perëndive idhuj. (1. Kronikave 16:26) Vetëm Izraeli i shërbente Perëndisë së vërtetë e të padukshëm, Jehovait, dhe ai u kërkonte që të mbanin standarde të larta morale. (Ligji i përtërirë 6:4) Në mënyrë të ngjashme, sot vetëm disa milionë njerëz adhurojnë Jehovain, ndërsa jetojnë në një botë prej pothuajse gjashtë miliardë njerëzish, standardet dhe pikëpamja fetare e të cilëve janë shumë të ndryshme nga të tyret. Nëse jemi mes atyre pak milionave, duhet të ruhemi që të mos ndikohemi në një mënyrë të gabuar. Si të ruhemi? Do të na ndihmojnë besnikëria ndaj Perëndisë Jehova, besimi në të dhe një siguri e palëkundur se ai do t’i përmbushë premtimet e tij. (Hebrenjve 11:6) Kjo nuk do të na lejojë që ta vendosim sigurinë tonë në gjërat te të cilat shpreson bota.—Proverbat 20:22; 1. Timoteut 6:17.
4. Pse kombet janë «në errësirë mendërisht»?
4 Apostulli Pavël e tregoi se sa të ndryshëm nga bota duhet të jenë të krishterët, kur shkroi: «Këtë, pra, ju them dhe ju dëshmoj në Zotërinë, që të mos ecni më ashtu siç ecin kombet, në padobishmërinë e mendjes së tyre, ndërkohë që janë në errësirë mendërisht dhe të larguar nga jeta që i përket Perëndisë, për shkak të mosdijes që është në ta, për shkak të pandjeshmërisë së zemrave të tyre.» (Efesianëve 4:17, 18, BR) Jezui është «drita e vërtetë». (Gjoni 1:9) Të gjithë ata që e hedhin poshtë atë ose që pohojnë se besojnë në të, por nuk i binden «ligjit të Krishtit», janë «në errësirë mendërisht». Duke mos ecur aspak në udhën e Jehovait, ata janë «larguar nga jeta që i përket Perëndisë». Sado të mençur që të mendojnë se janë nga pikëpamja e botës, ata kanë ‘mosdije në vetvete’, për sa i përket njohurisë së vetme që të çon në jetë, njohurisë për Perëndinë Jehova dhe për Jezu Krishtin.—Gjoni 17:3; 1. Korintasve 3:19.
5. Edhe pse drita e së vërtetës po ndriçon në botë, pse shumë zemra janë të pandjeshme?
5 Megjithatë, drita e së vërtetës po ndriçon në botë! (Psalmi 43:3; Filipianëve 2:15) «Vetë mençuria e vërtetë vazhdon të thërrasë me zë të lartë në rrugë.» (Proverbat 1:20) Vitin e kaluar, Dëshmitarët e Jehovait kaluan më shumë se një miliard orë duke u folur njerëzve të tjerë për Perëndinë Jehova dhe për Jezu Krishtin. Qindra mijë vetë reaguan pozitivisht. Por, a duhet të habitemi që shumë të tjerë nuk reaguan fare? Jo. Pavli foli për «pandjeshmërinë e zemrave të tyre». Disa kanë zemra jo të ndjeshme për shkak të egoizmit ose të dashurisë për para. Të tjerë ndikohen nga feja e rreme ose nga pikëpamja jofetare që është kaq shumë e përhapur sot. Përvojat e hidhura në jetë i kanë bërë shumë veta që t’i kthejnë shpinën Perëndisë. Të tjerë refuzojnë të vihen në harmoni me standardet e larta morale të Jehovait. (Gjoni 3:20) A mund të bëhet e pandjeshme në këto aspekte zemra e një personi që ecën në udhën e Jehovait?
6, 7. Ndonëse ishin adhurues të Perëndisë Jehova, në cilat raste u larguan izraelitët dhe pse?
6 Siç tregoi apostulli Pavël, kjo gjë i ndodhi Izraelit të lashtë. Pavli shkroi: «Këto gjëra u bënë shembuj për ne, që të mos jemi persona që dëshirojnë gjëra të dëmshme, siç i dëshiruan ata. As të mos bëhemi idhujtarë, siç u bënë disa nga ata, sikurse është shkruar: ‘Populli u ul që të hajë e të pijë dhe u ngrit për t’u zbavitur.’ As të mos praktikojmë kurvërinë, siç kryen kurvëri disa prej tyre, vetëm për të rënë njëzet e tre mijë prej tyre në një ditë.»—1. Korintasve 10:6-8, BR.
7 Fillimisht Pavli i referohet rastit kur Izraeli adhuroi një viç të artë në rrëzë të malit Sinai. (Dalja 32:5, 6) Kjo ishte një mosbindje e drejtpërdrejtë ndaj një urdhri hyjnor, të cilit vetëm disa javë më parë ata kishin pranuar t’i bindeshin. (Dalja 20:4-6; 24:3) Më pas, Pavli i referohet kohës kur Izraeli u përkul para Baalit, së bashku me bijat e Moabit. (Numrat 25:1-9) Adhurimi i viçit karakterizohej nga dhënia e pafre pas kënaqësive, ‘duke u zbavitur’.a Adhurimi i Baalit shoqërohej edhe me imoralitet seksual flagrant. (Zbulesa 2:14) Pse i kryen izraelitët këto mëkate? Sepse lejuan që zemrat e tyre të ‘dëshironin gjëra të dëmshme’, qofshin këto idhujtari, qofshin praktikat e shthurura, të cilat e shoqëronin.
8. Çfarë mund të mësojmë nga përvojat e Izraelit?
8 Pavli tregoi se ne duhet të mësojmë nga këto ndodhi. Çfarë të mësojmë? As që mund të mendohet që një i krishterë t’i përkulet një viçi të artë ose një perëndie të lashtë moabite. Por, ç’të themi për imoralitetin dhe për dhënien e pafre pas kënaqësive? Këto gjëra janë të zakonshme sot dhe nëse ne lejojmë që në zemrën tonë të rritet një dëshirë për to, ato do të futen mes nesh dhe Jehovait. Rezultati do të jetë i njëjti sikur të kishim kryer idhujtari, pra, largimi nga Perëndia. (Krahaso Kolosianëve 3:5; Filipianëve 3:19.) Prandaj, Pavli e mbyll trajtimin që i bëri këtyre ndodhive, duke u bërë thirrje bashkëbesimtarëve: «Largohuni nga idhujtaria.»—1. Korintasve 10:14.
Ndihmë për të ecur në udhën e Perëndisë
9. (a) Çfarë ndihme marrim që të vazhdojmë të ecim në udhën e Jehovait? (b) Cila është një mënyrë me anë të së cilës dëgjojmë ‘fjalën pas nesh’?
9 Po të jemi të vendosur për të vazhduar me ecjen në udhën e Jehovait, nuk do të lihemi pa ndihmë. Isaia profetizoi: «Vetë veshët e tu do të dëgjojnë një fjalë pas teje që do të thotë: ‘Kjo është udha. Ecni në të ju njerëz’, në rastin kur do të shkoni djathtas ose në rastin kur do të shkoni majtas.» (Isaia 30:21, BR) Si e dëgjojnë ‘veshët tanë’ atë ‘fjalë pas nesh’? E pra, asnjëri sot nuk dëgjon një zë të drejtpërdrejtë ose të marrë ndonjë mesazh personal nga Perëndia. «Fjala» që dëgjohet, na vjen të gjithëve në të njëjtën mënyrë. Para së gjithash, ajo vjen nëpërmjet Shkrimeve të frymëzuara, Biblës, e cila përmban mendimet e Perëndisë dhe një dokumentim të marrëdhënieve të tij me njerëzit. Meqenëse çdo ditë ekspozohemi ndaj propagandës që vjen prej burimeve ‘të larguara nga jeta që i përket Perëndisë’, për të pasur një shëndet të mirë frymor ne duhet ta lexojmë e të meditojmë rregullisht mbi Biblën. Kjo do të na ndihmojë të shmangim ‘gjërat e kota’ dhe të jemi ‘plotësisht të zotët, tërësisht të pajisur për çdo vepër të mirë’. (Veprat 14:14, 15; 2. Timoteut 3:16, 17, BR) Po ashtu, do të na fuqizojë, do të na përforcojë dhe do të na ndihmojë ‘ta bëjmë të suksesshme udhën tonë’. (Josiu [Jozueu] 1:7, 8, BR) Prandaj, Fjala e Jehovait na nxit: «Tani, o bij, më dëgjoni; po, të lumtur janë ata që mbajnë vetë udhët e mia. Dëgjojeni disiplinën dhe bëhuni të mençur, dhe mos tregoni asnjë neglizhencë.»—Proverbat 8:32, 33, BR.
10. Cila është një mënyrë e dytë se si e dëgjojmë ‘fjalën pas nesh’?
10 ‘Fjala pas nesh’ na vjen, gjithashtu, nëpërmjet «skllavit të besueshëm dhe të matur», i cili siguron «ushqim në kohën e duhur». (Mateu 24:45-47, BR) Një mënyrë për ta siguruar këtë ushqim është me anë të botimeve të bazuara në Bibël dhe vitet e fundit ky furnizim ushqimi ka qenë me bollëk. Për shembull, me anë të revistës Kulla e Rojës është përmirësuar kuptueshmëria që kemi për profecitë. Në këtë revistë, jemi inkurajuar të ngulmojmë në veprën e predikimit dhe të bërjes së dishepujve pavarësisht nga apatia në rritje, jemi ndihmuar për të shmangur grackat dhe jemi nxitur për të zhvilluar cilësi të shkëlqyera të krishtere. Sa e çmojmë një ushqim të tillë në kohën e duhur!
11. Shpjego një mënyrë të tretë se si mund ta dëgjojmë ‘fjalën pas nesh’.
11 Skllavi i besueshëm dhe i matur siguron ushqim edhe nëpërmjet mbledhjeve të rregullta. Këtu përfshihen mbledhjet lokale të kongregacionit, mbledhjet gjysmëvjetore në nivel qarkor dhe kongreset më të mëdha vjetore. Cili i krishterë besnik nuk i çmon këto grumbullime? Ato përbëjnë një ndihmë jetësore për të na mbështetur në ecjen në udhën e Jehovait. Duke qenë se shumë vetave u duhet të kalojnë shumë kohë, në punë ose në shkollë, në shoqëri me ata që nuk kanë të njëjtin besim si të tyrin, shoqërimi i rregullt i krishterë është tamam jetëshpëtues. Mbledhjet na japin një rast të shkëlqyer ‘për të nxitur njëri-tjetrin në dashuri dhe në vepra të shkëlqyera’. (Hebrenjve 10:24, BR) Ne i duam vëllezërit tanë dhe e duam shoqërinë e tyre.—Psalmi 133:1.
12. Çfarë vendosmërie kanë Dëshmitarët e Jehovait dhe si e shprehën këtë vendosmëri kohët e fundit?
12 Të forcuar nga ky ushqim frymor, pothuajse gjashtë milionë njerëz sot po ecin në udhën e Jehovait dhe miliona të tjerë po studiojnë Biblën për të mësuar se si të ecin në këtë udhë. A shkurajohen ose dobësohen ata nga fakti se janë të paktë në numër, në krahasim me miliarda njerëz që përbëjnë popullsinë e tokës? Aspak! Ata janë të vendosur të vazhdojnë ta dëgjojnë ‘fjalën pas tyre’, duke kryer me besnikëri vullnetin e Jehovait. Si një shfaqje publike e kësaj vendosmërie, gjatë Kongreseve Krahinore dhe Ndërkombëtare «Udha hyjnore e jetës» për vitin 1998/1999, delegatët adoptuan një rezolutë që shprehte qëndrimin e tyre të sinqertë. Më poshtë vijon teksti i asaj rezolute.
Rezoluta
13, 14. Cilën pikëpamje realiste kanë Dëshmitarët e Jehovait mbi situatën botërore?
13 «Ne, si Dëshmitarë të Jehovait të mbledhur në Kongresin «Udha hyjnore e jetës», jemi plotësisht dakord se udha e Perëndisë është udha më e mirë e jetës. Megjithatë, e pranojmë se shumica e njerëzimit sot mendon ndryshe. Shoqëria njerëzore ka eksperimentuar me koncepte, filozofi dhe ide të shumta fetare mbi atë që përbën udhën më të mirë të jetës. Një shikim i ndershëm në historinë njerëzore dhe në kushtet e botës provon vërtetësinë e shpalljes hyjnore, që e gjejmë në Jereminë 10:23: «Nuk i përket njeriut që ecën madje as të drejtojë hapin e vet.»—BR.
14 Çdo ditë shohim më shumë dëshmi që verifikojnë vërtetësinë e këtyre fjalëve. Në përgjithësi, shoqëria njerëzore e shpërfill udhën hyjnore të jetës. Njerëzit ndjekin atë që u duket e drejtë në sytë e tyre. Rezultatet kanë qenë tragjike: prishja e jetës familjare, lënia e fëmijëve pa drejtim, ndjekja e plotë e materializmit që përfundon në boshllëk dhe në zhgënjim, kriminaliteti dhe dhuna e pakuptimtë që merr viktima të panumërta, konfliktet etnike dhe luftërat që kanë një kosto të llahtarshme në jetë njerëzore, imoraliteti i pafrenueshëm që shërben si karburant i epidemisë së sëmundjeve të transmetuara me rrugë seksuale. Këto janë veçse pak nga shumica e problemeve të ndërlikuara që pengojnë lumturinë, paqen dhe sigurinë.
15, 16. Për sa i përket udhës hyjnore të jetës, çfarë vendosmërie u shpreh në rezolutë?
15 Duke pasur parasysh gjendjen e trishtueshme të njerëzimit dhe afrimin e ‘luftës së ditës së madhe të Perëndisë së Plotfuqishëm’, të quajtur Harmagedon (Zbulesa 16:14, 16), ne si Dëshmitarë të Jehovait, miratojmë me rezolutë se:
16 Së pari: Ne e pranojmë që i përkasim Perëndisë Jehova, pasi ia kemi dedikuar personalisht veten atij pa kushte dhe do të mbajmë një besim të patundur në masën e shpërblesës që ka marrë Jehovai nëpërmjet Birit të tij, Jezu Krishtit. Jemi të vendosur për të ecur në udhën hyjnore të jetës, duke shërbyer si Dëshmitarët e tij dhe duke iu nënshtruar sovranitetit të tij, të shprehur nëpërmjet sundimit të Jezu Krishtit.
17, 18. Çfarë pozicioni do të vazhdojnë të mbajnë Dëshmitarët e Jehovait për sa u përket standardeve morale dhe vëllazërisë së krishterë?
17 Së dyti: Ne do të vazhdojmë t’u përmbahemi standardeve të larta morale dhe frymore të Biblës. Jemi të vendosur për të mos ecur siç ecin kombet, në padobishmërinë e mendjes së tyre. (Efesianëve 4:17-19) Vendimi ynë është që të mbetemi të pastër para Jehovait dhe të panjollë nga kjo botë.—Jakovit 1:27.
18 Së treti: Ne do të mbajmë fort pozicionin tonë biblik si një vëllazëri mbarëbotërore e krishterë. Do të mbajmë asnjanësinë e krishterë mes kombeve, duke mos lejuar që të zihemi në grackë në urrejtjen ose ndarjen raciale, kombëtare ose etnike.
19, 20. (a) Çfarë do të bëjnë prindërit e krishterë? (b) Në ç’mënyrë të gjithë të krishterët e vërtetë do të vazhdojnë ta identifikojnë veten si dishepuj të Krishtit?
19 Së katërti: Ne që jemi prindër do t’u ngulitim fëmijëve tanë udhën e Perëndisë. Do të lëmë shembullin në jetën e krishterë, i cili përfshin leximin e rregullt të Biblës, studimin familjar dhe një pjesëmarrje me gjithë shpirt në kongregacionin e krishterë dhe në shërbimin në fushë.
20 Së pesti: Të gjithë ne do të përpiqemi të kultivojmë cilësitë e perëndishme të cilat na janë lënë si shembull nga Krijuesi ynë dhe do të përpiqemi të imitojmë personalitetin dhe udhët e tij, siç bëri Jezui. (Efesianëve 5:1) Jemi të vendosur që t’i lëmë të gjitha punët tona të bëhen me dashuri, duke e identifikuar kështu veten si dishepuj të Krishtit.—Gjoni 13:35.
21-23. Çfarë do të vazhdojnë të bëjnë Dëshmitarët e Jehovait dhe për çfarë janë të bindur ata?
21 Së gjashti: Do të vazhdojmë pa pushim të predikojmë lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë, të bëjmë dishepuj, t’i mësojmë ata të ecin në udhën hyjnore të jetës dhe t’i inkurajojmë të marrin stërvitje të mëtejshme në mbledhjet e kongregacionit.—Mateu 24:14; 28:19, 20; Hebrenjve 10:24, 25.
22 Së shtati: Individualisht dhe si një organizatë fetare, do të vazhdojmë ta vëmë Perëndinë në vend të parë në jetën tonë. Duke përdorur Fjalën e tij, Biblën, si udhërrëfyesen tonë, nuk do të devijojmë djathtas ose majtas, duke vërtetuar në këtë mënyrë se udha e Perëndisë është shumë më e lartë se udhët e botës. Jemi të vendosur të ndjekim udhën hyjnore të jetës, pa u lëkundur dhe me besnikëri, tani e përgjithmonë!
23 E bëjmë këtë rezolutë sepse vendosim besim të plotë në premtimin e dashur të Jehovait se ai që bën vullnetin e Perëndisë mbetet përgjithmonë. E bëjmë këtë rezolutë sepse jemi të bindur që jetesa sipas parimeve, këshillave dhe paralajmërimeve biblike përbën udhën më të mirë të jetës sot dhe vendos një themel të shkëlqyer për të ardhmen, që të kapemi fort pas jetës së vërtetë. (1. Timoteut 6:19; 2. Timoteut 4:7b, 8) Mbi të gjitha, e bëjmë këtë rezolutë sepse e duam Perëndinë Jehova me gjithë zemrën, shpirtin, mendjen dhe forcën tonë!
24, 25. Cila ishte përgjigjja ndaj rezolutës së propozuar dhe cila është vendosmëria e atyre që ecin në udhën e Jehovait?
24 Të gjithë të pranishmëve në këtë kongres, që janë në favor të adoptimit të kësaj rezolute, u lutemi të thonë PO!»
25 Qindra arena dhe stadiume përreth botës ushtuan, ndërsa të gjithë të pranishmit u përgjigjën me një «PO!» gjëmuese. Dëshmitarët e Jehovait nuk kanë asnjë dyshim se do të vazhdojnë të ecin në udhën e Jehovait. Ata kanë siguri të plotë në Jehovain dhe besim se ai do t’i përmbushë premtimet e tij. Ata i qëndrojnë besnikë atij, çfarëdo që të ndodhë. Gjithashtu, ata janë të vendosur të bëjnë vullnetin e tij.
«Perëndia është pro nesh»
26. Në cilën gjendje të lumtur janë ata që ecin në udhën e Jehovait?
26 Dëshmitarët e Jehovait sjellin ndër mend thirrjen e psalmistit: «Shpreso në Jehovain dhe mbaj udhën e tij dhe ai do të të lartësojë që të marrësh zotërimin e tokës.» (Psalmi 37:34, BR) Ata nuk i harrojnë fjalët inkurajuese të Pavlit: «Nëse Perëndia është pro nesh, kush do të jetë kundër nesh? Ai që nuk kurseu madje as Birin e vet, por e dorëzoi për të gjithë ne, pse nuk do të na japë bashkë me të në mënyrë dashamirëse edhe të gjitha gjërat e tjera?» (Romakëve 8:31, 32, BR) Po, nëse vazhdojmë të ecim në udhën e Jehovait, ai do të na japë «gjithçka bujarisht për gëzimin tonë». (1. Timoteut 6:17, BR) Nuk mund të gjendet një vend më i mirë se ky ku jemi tani, duke ecur në udhën e Jehovait, krah për krah me vëllezërit dhe motrat tona të dashura. Duke pasur Jehovain nga ana jonë, le të jemi të vendosur të qëndrojmë aty dhe të durojmë deri në fund, plotësisht të sigurt se në kohën e tij të duhur, do ta shohim të përmbushë deri në fund premtimet e tij!—Titit 1:2.
[Shënimi]
a Duke iu referuar fjalës greke që këtu përkthehet ‘të zbavitesh’, një komentues thotë se ajo i referohet vallëzimeve që bëheshin në festat pagane dhe shton: «Shumë nga këto vallëzime, siç është e njohur mirë, ishin bërë për të provokuar drejtpërdrejt pasionet më të shthurura.»
A të kujtohet?
◻ Çfarë kërkohet nga një i krishterë që të ecë në udhën e Jehovait?
◻ Pse kemi nevojë të kultivojmë sigurinë në Jehovain dhe besnikërinë ndaj tij?
◻ Çfarë ndihme kemi në dispozicion ndërsa ecim në udhën e Jehovait?
◻ Trego disa pika kryesore të rezolutës që u adoptua në Kongreset «Udha hyjnore e jetës».
[Figurat në faqen 18]
Në Kongreset Krahinore dhe Ndërkombëtare «Udha hyjnore e jetës» u adoptua një rezolutë e rëndësishme