BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w96 1/5 f. 21-24
  • Mbaje besimin të fortë deri në fund

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Mbaje besimin të fortë deri në fund
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1996
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Ushtro besimin
  • Të ndërtojmë besimin përmes përvojës
  • Shoqëritë mund të na bëjnë të humbim drejtimin
  • Fuqia mashtruese e pasurisë
  • Besimi varet nga një zemër e ndjeshme
  • Të shohim tek Perëndia i shpëtimit tonë
  • A ke vërtet besim në lajmin e mirë?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2003
  • Trego besim te premtimet e Jehovait
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait (Për studim)—2016
  • «Na jep më shumë besim»
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2015
  • T’u përgjigjemi premtimeve të Perëndisë duke ushtruar besim
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1993
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1996
w96 1/5 f. 21-24

Mbaje besimin të fortë deri në fund

PËRFYTYRO një aeroplan të vogël duke fluturuar nën kushtet e një moti të vështirë. Piloti nuk mund t’i shquajë më shenjat orientuese. Retë e dendura e kanë mbështjellë. Nuk mund të shohë përtej xhamit të tij të përparmë, megjithatë, ndihet i sigurt se mund ta kryejë këtë udhëtim me sukses. Cila është arsyeja e besimit të tij?

Ai ka instrumente të sakta që i mundësojnë fluturimin në errësirë, midis reve dhe tokës. Gjatë udhës së tij, veçanërisht afër aeroportit, sinjalet e drejtojnë në mënyrë elektronike dhe ai ka radio për të komunikuar me kontrolluesit e trafikut ajror, që ndodhen në tokë.

Në mënyrë të krahasueshme, ne mund ta përballojmë të ardhmen me besim, edhe pse kushtet botërore po errësohen nga dita në ditë. Udhëtimi ynë përmes këtij sistemi të lig, mund të zgjasë më shumë nga ç’presin disa, por mund të kemi besim se jemi në kohë dhe në rrugën e drejtë. Përse mund të jemi kaq të sigurt? Sepse kemi një udhëheqje që na mundëson të zbulojmë atë që nuk e zbulon syri njerëzor.

Fjala e Perëndisë është një ‘dritë në shtegun tonë’, ajo është «e vërtetë dhe e bën të ditur njeriun e thjeshtë». (Psalmi 19:7; 119:105) Ashtu si sinjalet që i treguan pilotit shtegun e fluturimit, Bibla tregon në mënyrë të saktë ngjarjet e së ardhmes dhe na jep udhëzime të qarta për të na garantuar se do të mbërrijmë të sigurt në destinacionin tonë. Por, për të përfituar nga udhëheqja hyjnore, duhet të besojmë në të.

Në letrën e tij drejtuar hebrenjve, Pavli i nxiti ata të krishterë që ‘ta mbajnë fortësisht të patundur, deri në fund, besimin që patën në fillim’. (Hebrenjve 3:14, BR) Besimi mund të dobësohet nëse nuk ‘mbahet i patundur’. Prandaj, lind pyetja se si mund ta mbajmë deri në fund të fortë besimin në Jehovain?

Ushtro besimin

Përpara se një pilot të bëjë një fluturim në errësirë, i varur plotësisht nga instrumentet e tij dhe nga kontrolluesit e trafikut ajror që ndodhen në tokë, i duhet një stërvitje e mjaftueshme dhe shumë orë fluturim. Ngjashëm, një i krishterë, duhet ta ushtrojë vazhdimisht besimin e tij, në mënyrë që të ruajë sigurinë në udhëheqjen e Jehovait, veçanërisht kur lindin rrethana të vështira. Apostulli Pavël shkroi: «Sepse ne kemi të njëjtën frymë besimi, sikurse është shkruar: ‘E ushtrova besimin, prandaj fola.’ Edhe ne e ushtrojmë besimin dhe prandaj flasim.» (2. Korintasve 4:13, BR) Kështu, kur flasim rreth lajmit të mirë të Mbretërisë, jemi duke e ushtruar dhe forcuar besimin tonë.

Magdalena, që kaloi katër vjet në një kamp përqendrimi gjatë luftës së dytë botërore, shpjegon vlerën e aktivitetit të predikimit: «Nëna më mësoi se për ta mbajtur të fortë besimin, është themelore të shqetësohesh për mirëqenien frymore të të tjerëve. Më kujtohet një ngjarje që tregon se si ndiheshim. Pasi u liruam nga kampi i përqendrimit të Ravensbrukut, të premten unë dhe nëna arritëm në shtëpi. Dy ditë më vonë, të dielën, u bashkuam me vëllezërit në predikimin nga shtëpia në shtëpi. Jam e bindur, se po të përqendrohemi tek të tjerët, duke i ndihmuar që të besojnë në premtimet e Perëndisë, po këto premtime do të bëhen edhe më reale për ne.»​—Krahaso Veprat 5:42.

Mbajtja e fortë e besimit deri në fund, kërkon kryerjen e aktiviteteve frymore edhe në fusha të tjera. Studimi personal është një tjetër ushtrim i shkëlqyer që forcon besimin. Imitimi i bereasve dhe shqyrtimi i Shkrimeve me zell çdo ditë, do të na ndihmojnë «të kemi sigurinë e plotë të shpresës deri në fund». (Hebrenjve 6:11, BR; Veprat 17:11) Vërtet, studimi personal kërkon kohë dhe vendosmëri. Ndoshta, ja pse Pavli i paralajmëroi hebrenjtë mbi rrezikun për t’u bërë «përtacë» apo të plogësht në çështje të tilla.​—Hebrenjve 6:12, BR.

Përtacia mund të ketë pasoja të tmerrshme në shumë fusha të jetës. Solomoni vërejti se «për shkak të përtacisë trarët e shtëpisë rrëzohen». (Eklisiastiu 10:18) Herët a fvonë, shiu fillon të pikojë përmes një çatie që nuk është mirëmbajtur. Nëse i lëshojmë poshtë duart tona frymore dhe dështojmë ta mirëmbajmë besimin tonë, në të mund të fillojnë të futen dyshimet. Nga ana tjetër, studimi dhe meditimi i rregullt mbi fjalën e Perëndisë, do ta ushqejë dhe mbrojë besimin tonë.​—Psalmi 1:2, 3.

Të ndërtojmë besimin përmes përvojës

Natyrisht, një pilot mëson si përmes përvojës ashtu edhe përmes studimit se instrumentet e tij janë të vlefshëm. Gjithashtu, besimi ynë në Jehovain rritet kur në jetën tonë shohim dëshmi të kujdesit të tij të dashur. Josiu e përjetoi këtë dhe u kujtoi izraelitëve të tjerë: «Ju e dini mirë me gjithë zemrat dhe me gjithë shpirtrat tuaj, se nuk ka dështuar asnjë nga fjalët e mira që Jehovai, Perëndia juaj ka folur për ju. Ato dolën të gjitha të vërteta për ju.»​—Josiu 23:14, BR.

Xhosefina, një motër e martuar nga Filipinet, nxori të njëjtin mësim. Ajo shpjegon se si ishte jeta e saj përpara se të mësonte të vërtetën: «Burri im e kishte zakon të pinte shumë dhe kur dehej zemërohej e më qëllonte. Martesa jonë e mjerë po ndikonte edhe mbi djalin tonë. Unë dhe burri punonim të dy duke fituar shumë para, por shumicën e tyre e humbëm për shkak të bixhozit. Burri im kishte shumë miq, por shumica e tyre e kërkonin shoqërinë e tij me qëllim që ai t’u paguante pijet, ndërsa disa madje përpiqeshin ta dehnin vetëm që të qeshnin me të.

Gjërat ndryshuan kur njohëm Jehovain dhe e morëm për zemër këshillën e tij. Burri im nuk pi më, kemi hequr dorë nga bixhozi dhe kemi miq të vërtetë që na duan dhe na ndihmojnë. Martesa jonë është e lumtur dhe djali ynë po rritet duke u bërë një i ri i shkëlqyer. Punojmë më pak orë, por kemi më shumë para. Përvoja na mësoi se Jehovai është si një Atë i dashur, që gjithmonë na çon në rrugën e drejtë.»

Si rezultat i udhëzimit të marrë përmes një sinjali nga kontrolluesit e trafikut ajror, apo i kontrollimit të një instrumenti, pilotët disa herë kuptojnë se duhet të rregullojnë drejtimin e tyre. Gjithashtu, edhe neve mund të na duhet të ndryshojmë drejtimin sipas udhëzimit të Jehovait. «Kur do të shkoni djathtas ose kur do të shkoni majtas, veshët e tu do të dëgjojnë prapa teje një fjalë që do të thotë: ‘Kjo është rruga, ecni në të!’» (Isaia 30:21) Përmes Fjalës dhe përmes organizatës së tij, ne marrim këshilla që na bëjnë vigjilentë ndaj rreziqeve frymore. Njëra prej tyre lidhet me shoqëritë.

Shoqëritë mund të na bëjnë të humbim drejtimin

Një aeroplan i vogël mund ta humbë shpejt drejtimin nëse nuk janë bërë korrigjimet e nevojshme. Gjithashtu, ndikimet e jashtme i godasin vazhdimisht të krishterët sot. Ne jetojmë në një botë ku mendja e njerëzve kontrollohet nga mishi, ku shumica i tallin vlerat frymore, duke i dhënë më shumë rëndësi parasë dhe kënaqësisë. Pavli e paralajmëroi Timoteun se ditët e fundit do të ishin «të vështira për t’u trajtuar». (2. Timoteut 3:1-5, BR) Adoleshentët që kanë dëshirë të jenë të pranuar dhe të njohur, cënohen veçanërisht nga shoqëritë e këqija.​—2. Timoteut 2:22.

Amanda, që është 17 vjeçe, shpjegon: «Për pak kohë m’u dobësua besimi nga shokët e klasës. Ata thoshin vazhdimisht se feja ime ishte kufizuese dhe e paarsyeshme, gjë që filloi të më shkurajonte. Por prindërit më ndihmuan të kuptoj se udhëzimet e krishtere, në vend që të të kufizojnë shërbejnë, për të të mbrojtur. Tani e kuptoj se këto parime po më ndihmojnë të kem një jetë më të kënaqshme se ajo e ish shokëve të mi të shkollës. Kam mësuar t’u besoj atyre që me të vërtetë kujdesen për mua, prindërve të mi dhe Jehovait, ndërsa tani po gëzoj shërbimin si pioniere.»

Cilitdo grup-moshe që t’i përkasim, do të ndeshim njerëz që bëjnë vërejtje përçmuese ndaj besimeve tona. Ata mund të duken të ditur, por për Perëndinë janë fizikë, jofrymorë. (1. Korintasve 2:14) Një grup ndikues në Korint, në ditët e Pavlit, ishin skeptikët që bazoheshin në mençurinë botërore. Mësimet e këtyre filozofëve, ka mundësi që t’i kenë çuar disa prej të krishterëve të Korintit të humbnin besimin në shpresën e ringjalljes. (1. Korintasve 15:12) «Mos u gënjeni,—paralajmëroi apostulli Pavël,—shoqëritë e këqija prishin zakonet e mira.»​—1. Korintasve 15:33.

Nga ana tjetër, shoqëritë e mira na forcojnë frymësisht. Brenda kongregacionit të krishterë kemi mundësi të lidhemi me njerëz që bëjnë një jetë në besim. Normën, një vëlla që e mësoi të vërtetën në 1939-n, është akoma një burim i madh inkurajimi për të gjithë. Çfarë e ka mbajtur të mprehtë perspektivën e tij frymore? «Mbledhjet dhe miqësia e ngushtë me vëllezërit besnikë janë jetësore,—përgjigjet ai. Ky shoqërim më ka ndihmuar të shoh në mënyrë të qartë ndryshimin midis organizatës së Perëndisë dhe asaj të Satanait.»

Fuqia mashtruese e pasurisë

Briën, një pilot me përvojë, shpjegon se «disa herë, një pilot mund ta ketë të vështirë t’u besojë instrumenteve të tij, thjesht sepse instinktet e tij nuk pajtohen me to. Pilotë ushtarakë me përvojë, janë parë duke fluturuar së prapthi, sepse dritat mbi tokë u dukeshin tamam si yje, edhe pse instrumentet në tokë u tregonin të kundërtën.»

Ngjashëm, instinktet tona egoiste mund të na ngatërrojnë në kuptim frymor. Jezui tha se pasuritë janë «fuqi mashtruese», ndërsa Pavli paralajmëroi se ‘dashuria për para ka larguar shumë nga besimi’.​—Marku 4:19; 1. Timoteut 6:10, BR.

Ashtu si vezullimet mashtruese të dritave, synimet vezulluese materialiste mund të na drejtojnë në një rrugë të gabuar. Në vend që të gëzohemi në «pritjen e gjërave që shpresohen», ne mund të devijojmë për shkak të krenarisë së jetës së botës që po kalon. (Hebrenjve 11:1, BR; 1. Gjonit 2:16, 17) Nëse jemi «të vendosur» për të pasur një jetë me bollëk, ka shumë mundësi që të kemi pak kohë për rritjen frymore.​—1. Timoteut 6:9, BR; Mateu 6:24; Hebrenjve 13:5.

Një burrë i ri i martuar, i quajtur Patrik, pranoi se ai dhe gruaja e tij, sakrifikuan synimet frymore për të gëzuar një mënyre më të mirë jetese. Ai shpjegon: «U ndikuam nga ata në kongregacion, që kishin makina të kushtueshme dhe shtëpi luksoze. Megjithëse nuk e humbëm kurrë nga pamja shpresën e Mbretërisë, e ndjemë se mund të kishim edhe një mënyrë jetese të rehatshme. Por, ndërkohë, e kuptuam se lumturia e vërtetë vjen duke i shërbyer Jehovait dhe duke u rritur frymësisht. Tani, jeta jonë është përsëri e thjeshtë. Kemi pakësuar orët e punës dhe jemi bërë pionierë të rregullt.»

Besimi varet nga një zemër e ndjeshme

Një zemër e ndjeshme luan, gjithashtu, një rol të rëndësishëm në ndërtimin e besimit në Jehovain. Vërtet, «besimi është pritja e sigurt e gjërave që shpresohen, tregim i dukshëm [ose «dëshmi bindëse», shënimi] i realiteteve, megjithëse nuk shihen». (Hebrenjve 11:1, BR) Por, nëse nuk kemi një zemër të ndjeshme, vështirë se do të jemi të bindur. (Proverbat 18:15; Mateu 5:6) Për këtë arsye, apostulli Pavël tha se «besimin nuk e zotërojnë të gjithë njerëzit».​—2. Selanikasve 3:2, BR.

Pra, si mund t’i mbajmë të ndjeshme zemrat tona ndaj të gjitha dëshmive bindëse që janë në dispozicion? Duke kultivuar cilësitë hyjnore, të cilat e pasurojnë dhe nxisin besimin tonë. Pjetri na nxit që t’i ‘shtojmë besimit tonë virtytin, njohurinë, vetkontrollin, qëndrueshmërinë, devotshmërinë hyjnore, dashurinë vëllazërore dhe dashurinë’. (2. Pjetrit 1:5-7, BR; Galatasve 5:22, 23) Nga ana tjetër, nëse bëjmë një jetë egoiste apo i japim Jehovait vetëm minimumin e shërbimit, është e arsyeshme që nuk mund të presim që besimi ynë të rritet.

Ezdra ‘e përgatiti zemrën e tij’ për të lexuar Fjalën e Jehovait dhe për ta vënë atë në praktikë. (Ezdra 7:10, BR) Mikea, po ashtu, pati një zemër të ndjeshme. «Por unë do të shikoj tek Zoti, do të shpresoj te Perëndia i shpëtimit tim; Perëndia im do të më dëgjojë.»​—Mikea 7:7.

Gjithashtu, Magdalena, e përmendur më sipër, shpreson me durim tek Jehovai. (Habakuku 2:3) Ajo thotë: «Ne tashmë e kemi parajsën frymore. Faza tjetër, parajsa fizike, do të vijë së shpejti. Ndërkohë, qindra mijëra po i bashkohen shumicës së madhe. Rrëqethem, kur shoh kaq shumë persona që po grumbullohen në organizatën e Jehovait.»

Të shohim tek Perëndia i shpëtimit tonë

Që ta mbajmë të fortë deri në fund sigurinë tonë, kërkohet që ta ushtrojmë besimin dhe të dëgjojmë me kujdes udhëzimet që marrim nga Jehovai dhe organizata e tij. Sigurisht, kjo është një përpjekje që ia vlen. Një pilot ndjen kënaqësi të thellë, kur pas një udhëtimi të gjatë e të vështirë ulet dhe së fundi çan përmes reve të dendura. Toka shtrihet përpara tij, e gjelbër dhe mikpritëse. Pista e aeroportit është poshtë duke e pritur atë.

Një përvojë rrëqethëse na pret edhe ne. Kjo botë e errët dhe e ligë, do t’ia lërë vendin tokës së re të drejtësisë. Një mikpritje hyjnore na pret. Mund ta arrijmë këtë, nëse i kushtojmë vëmendje fjalëve të psalmistit: «Ti je shpresa ime, o Zot Sovran Jehova, besimi im që kur isha fëmijë. . . . Lavdërimi im për ty është i vazhdueshëm.»​—Psalmi 71:5, 6, BR.

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo