Kapitulli shtatë
«Unë do të freskoj shpirtin e lodhur»
1. Cilin bekim të botës së re pret në mënyrë të veçantë?
«BOTA e re.» Kur dëgjon këto fjalë, a të vijnë në mend disa nga bekimet e dukshme që janë parathënë? Ndoshta mendon për një trup të përsosur, ushqim të shëndetshëm me bollëk, kafshë paqësore ose shtëpi të sigurta. Mbase mund të përmendësh vargje biblike ku i bazon këto shpresa. Por, mos anashkalo edhe një bekim tjetër, që është shëndeti i mirë frymor dhe emocional. Pa të, gjithë gëzimet e tjera do të veniteshin shumë shpejt.
2, 3. Cilin bekim të veçantë mund të presim, sipas shkrimeve të Jeremisë?
2 Kur e frymëzoi Jereminë të parathoshte kthimin e judenjve nga Babilonia, Perëndia i kushtoi vëmendje edhe mënyrës si do të ndiheshin. Ai tha: «Do të zbukurohesh përsëri nga dajret e tua dhe do të dalësh duke kërcyer si ata që ngazëllojnë.» (Lexo Jereminë 30:18, 19; 31:4, 12-14.) Pastaj, Perëndia shtoi diçka që mund të të inkurajojë: «Unë do të freskoj shpirtin e lodhur dhe do të kënaq çdo shpirt të ligështuar.»—Jer. 31:25.
3 Ç’mundësi e bukur! Jehovai tha që do ta freskonte ose do ta kënaqte plotësisht të lodhurin e të shkurajuarin. Atë që premton, Perëndia e bën patjetër. Shkrimet e Jeremisë na japin sigurinë se edhe ne do të freskohemi. Për më tepër, këto shkrime na ndihmojnë të kuptojmë se si, që tani, mund të inkurajohemi e të jemi optimistë. Jo vetëm kaq, por ato ilustrojnë disa mënyra praktike se si t’u japim zemër të tjerëve, duke i ndihmuar të freskojnë shpirtin e lodhur.
4. Pse mund ta kuptojmë si ndihej Jeremia?
4 Ky premtim e ngushëlloi Jereminë dhe mund të na ngushëllojë edhe ne. Përse? Sill ndër mend një pikë që u përmend në kapitullin e parë të këtij botimi, pra që Jeremia ishte «njeri me ndjenja si tonat», ashtu si edhe Elija. (Jak. 5:17) Mendo vetëm për disa nga arsyet pse nganjëherë Jeremia mund të jetë ndier i shkurajuar ose edhe paksa i dëshpëruar. Ndërkohë, mendo se si do të ndiheshe ti në situata të ngjashme dhe përse mund të të shkurajojnë rrethanat që has.—Rom. 15:4.
5. Çfarë mund ta ketë shkurajuar Jereminë?
5 Pjesërisht, Jeremisë mund t’i ketë ardhur shkurajimi nga qyteti i tij i lindjes. Ai u rrit në Anatoth, një qytet levit disa kilometra në verilindje të Jerusalemit. Në Anatoth profeti do të ketë pasur të njohur e ndoshta edhe të afërm. Jezui tha se profetin nuk e nderojnë në vendin e vet dhe pikërisht kështu ndodhi me Jereminë. (Gjoni 4:44) Banorët e qytetit jo vetëm që nuk e dëgjuan dhe nuk e respektuan, por në një rast, Perëndia tha se ‘njerëzit e Anatothit po kërkonin shpirtin’ e Jeremisë. Me egërsi i thanë: «Mos profetizo në emër të Jehovait, se do të vdesësh nga dora jonë!» Imagjino: po e kërcënonin fqinjët e ndoshta edhe të afërmit, të cilët duhej ta kishin përkrahur!—Jer. 1:1; 11:21.
6. Si mund të nxjerrësh dobi nga përvoja e Jeremisë me ‘njerëzit e Anatothit’, nëse të kundërshtojnë kolegët e punës ose të tjerët?
6 Nëse ndihesh nën presion nga fqinjët, shokët e shkollës, kolegët e punës ose edhe disa familjarë, mënyra si veproi Jehovai me Jereminë do të të ngushëllojë. Në atë kohë, Perëndia tha se ‘do ta drejtonte vëmendjen kundër’ banorëve të Anatothit që po kundërshtonin profetin e tij. (Lexo Jereminë 11:22, 23.) Siguria që i dha Perëndia, patjetër e ndihmoi Jereminë të kapërcente shkurajimin që i solli ai kundërshtim. Më vonë, Perëndia do të sillte «gjëmë mbi njerëzit e Anatothit», siç edhe e solli. Në rastin tënd, të jesh i sigurt se Jehovai po i sheh gjërat ose po u kushton vëmendje atyre. (Psal. 11:4; 66:7) Kur ‘ngulmon’ për të zbatuar mësimet e Biblës e për të bërë atë që është e drejtë, mund të ndihmosh disa kundërshtarë të shmangin gjëmën që përndryshe do t’u binte.—1 Tim. 4:16.
Si e kuptojmë nga libri i Jeremisë se Perëndisë i interesojnë ndjenjat e popullit të tij, e si mund ta ketë ndihmuar kjo profetin?
VEPRIME QË MUND TË SHKURAJOJNË
7, 8. Çfarë keqtrajtimi vuajti Jeremia dhe si ndikoi kjo tek ai?
7 Përveç kërcënimeve me fjalë nga njerëzit e qytetit të tij, Jeremia u përball me kundërshtime më të mëdha. Një rast kishte të bënte me një njeri të shquar në Jerusalem, një prift me emrin Pashkur.a Pasi dëgjoi një profeci hyjnore, ‘Pashkuri e goditi profetin Jeremia dhe e vuri në fallaka’. (Jer. 20:1, 2) Me sa duket, kjo nuk nënkuptonte vetëm një shuplakë fytyrës. Disa nxjerrin si përfundim se Pashkuri dha urdhër që Jereminë ta rrihnin ose t’i jepnin deri në 40 të goditura. (Ligj. 25:3) Ndërkohë që Jeremia vuante fizikisht, njerëzit ndoshta e tallnin dhe e shanin, e madje e pështynin. Por, nuk mbaroi me kaq. Pashkuri e vuri Jereminë në ‘fallaka’ dhe e la atje gjithë natën. Fjala hebraike e përdorur, tregon se trupin e kishte në pozicion të shtrembëruar e të kërrusur. Pra, me mizori e detyruan të kalonte një natë të mundimshme, i fiksuar në një strukturë druri.
8 Si ndikoi te Jeremia ky trajtim? Ai i tha Perëndisë: «Jam bërë gazi i botës tërë ditën.» (Jer. 20:3-7) Madje, i kaloi nëpër mend edhe ideja që të mos fliste më në emër të Perëndisë. Por ti e di se Jeremia nuk mundej ta bënte këtë, dhe nuk e bëri. Përkundrazi, mesazhi që Perëndia i kishte caktuar të shpallte, ishte «si një zjarr përvëlues i mbyllur në kockat» e tij. Ai duhej të fliste për Jehovain.—Lexo Jereminë 20:8, 9.
9. Pse është mirë të meditojmë për përvojën e Jeremisë?
9 Ky tregim mund të na ndihmojë kur të përballemi me tallje dashakeqe nga njerëz që i njohim, qofshin të afërm, fqinj, kolegë pune ose shokë shkolle. S’duhet të tronditemi nëse nganjëherë ndihemi pak të shkurajuar për shkak të këtij kundërshtimi. Kjo mund të ndodhë edhe kur na keqtrajtojnë fizikisht ngaqë ndjekim adhurimin e vërtetë. Jeremia i papërsosur u ndikua nga gjëra të tilla. A nuk kemi edhe ne ndjenja njerëzore siç pati ai? Megjithatë, s’duhet të harrojmë se, me ndihmën e Perëndisë, Jeremia e rifitoi gëzimin dhe sigurinë. Shkurajimi nuk i zgjati përgjithmonë dhe s’ka pse të na zgjatë as ne.—2 Kor. 4:16-18.
10. Çfarë kuptojmë nga Bibla lidhur me humorin e Jeremisë?
10 Nganjëherë humori i Jeremisë ndryshonte në mënyrë të konsiderueshme. A të është dashur edhe ty të përballosh diçka të ngjashme? Ndoshta një moment je ndier optimist e pozitiv, por pastaj je ndier shpirtvrarë e i trishtuar? Për sa i përket optimizmit, shiko fjalët te Jeremia 20:12, 13. (Lexoje.) Pas asaj që kaloi për faj të Pashkurit, Jeremia u gëzua që ishte si ‘i varfri’ që shpëtoi «nga dora e keqbërësve». Ndoshta edhe ti je ndier ndonjëherë entuziast e ke dashur t’i këndosh Jehovait, pasi je çliruar në ndonjë mënyrë ose të ka ndodhur diçka e bukur në jetë a në shërbimin e krishterë. Sa mirë është të ndihesh kështu!—Vep. 16:25, 26.
Si mund të ndikojnë në ndjenjat tona kundërshtimi ose talljet?
11. Ç’duhet të mbajmë në mend për Jereminë, nëse jemi të prirur për luhatje emocionale?
11 Megjithatë, si të papërsosur, humori ynë mund të ndryshojë, siç i ndodhi Jeremisë. Pasi thirri «këndojini Jehovait», ai ndjeu një dëshpërim të thellë e ndoshta qau me ngashërim. (Lexo Jereminë 20:14-16.) Kaq i dëshpëruar ishte, sa pyeste veten ç’vlerë kishte lindja e tij! Në atë gjendje të trishtuar, tha se ai që kishte njoftuar njerëzit për lindjen e tij, duhej mallkuar e duhej të bëhej si Sodoma e Gomorra. Por, mendo për këtë pikë të rëndësishme: a mbeti i dëshpëruar Jeremia? A u dorëzua, duke rënë pre e ndjenjave të vazhdueshme të shkurajimit? Jo. Përkundrazi, duhet të jetë përpjekur ta kapërcente shkurajimin dhe ia doli mbanë. Shqyrto çfarë thotë më tej libri i Jeremisë. Mbreti Zedekia dërgoi tek ai Pashkurin tjetër, princin, që ta pyeste për babilonasit që kishin rrethuar Jerusalemin. Jeremia nuk u step, por me guxim shpalli gjykimin e Jehovait dhe cili do të ishte përfundimi. (Jer. 21:1-7) Duket qartë se ai vazhdonte të ishte një profet aktiv.
12, 13. Ç’mund të bëjmë që të përballojmë luhatjet e mëdha emocionale?
12 Disa shërbëtorë të Perëndisë sot përjetojnë luhatje emocionale. Këto mund të kenë një shkak fizik, si për shembull ndryshimet hormonale ose prishjen e ekuilibrit biokimik, dhe një mjek i kualifikuar mund të sugjerojë disa mënyra për të kufizuar shkallën e luhatjeve. (Luka 5:31) Megjithatë, për shumicën prej nesh, entuziazmi ose zymtësia që ndiejmë ndonjëherë, nuk janë as ekstreme, as jonormale. Me siguri, shumica e ndjenjave negative janë pjesë e jetës së papërsosur njerëzore. Mund të vijnë si pasojë e lodhjes ose e vdekjes së një njeriu të afërt. Nëse hasim situata të tilla, mund të sjellim ndër mend se edhe Jeremia përjetoi luhatje emocionale, e megjithatë vazhdoi të kishte miratimin e Perëndisë. Që t’i përballojmë ato, mund të na duhet të ndryshojmë disi rutinën a të pushojmë më tepër. Ose mund të na duhet t’i japim kohë vetes që të ngushëllohemi pas një vdekjeje pikëlluese. Megjithatë, është me rëndësi jetike të vazhdojmë të jemi të rregullt në mbledhjet e krishtere dhe në aktivitetet e tjera teokratike. Këto janë thelbësore që të ruajmë ekuilibrin dhe të ndiejmë gëzim në shërbim të Jehovait.—Mat. 5:3; Rom. 12:10-12.
13 Nëse të ndodh një herë më të rrallë të jesh zemërlëshuar ose nëse kjo të është bërë pjesë e gjendjes emocionale, përvoja e Jeremisë mund të të ngushëllojë. Siç u përmend më lart, nganjëherë edhe ai ndihej mjaft zemërlëshuar. Megjithatë, nuk lejoi që shkurajimi ta largonte nga Perëndia të cilin e donte dhe i shërbente me besnikëri. Kur kundërshtarët ia kthyen me të keqe të mirën që u bëri, Jeremia iu drejtua Jehovait dhe pati besim tek ai. (Jer. 18:19, 20, 23) Ji i vendosur të imitosh Jereminë!—Vajt. 3:55-57.
Si mund ta zbatosh atë që gjen në librin e Jeremisë, nëse nganjëherë ndihesh i shkurajuar ose i trishtuar?
A DO T’I FRESKOSH SHPIRTRAT E LODHUR?
14. Si u inkurajua në veçanti Jeremia?
14 Bëjmë mirë t’i kushtojmë vëmendje mënyrës si mori zemër Jeremia dhe si u dha zemër të tjerëve që ishin ‘shpirtra të lodhur’. (Jer. 31:25) Profeti mori inkurajim në veçanti nga Jehovai. Mendo sa do të inkurajoheshe po të dëgjoje Jehovain të të thoshte: «Unë të kam bërë sot si një qytet të fortifikuar. . . . Ata kanë për të luftuar kundër teje, por nuk do të të mposhtin, sepse unë jam me ty për të të çliruar,—thotë Jehovai.» (Jer. 1:18, 19) Jeremia kishte arsye të fortë pse e quajti Jehovain «forca e kalaja ime dhe vendi drejt të cilit vrapoj në ditë vuajtjeje».—Jer. 16:19.
15, 16. Ç’sugjerim gjejmë në mënyrën si e inkurajoi Jehovai Jereminë, për atë që mund të bëjmë kur duam të inkurajojmë të tjerët?
15 Vlen të përmendet se Jehovai i tha Jeremisë: «Unë jam me ty.» A sheh këtu ndonjë sugjerim se çfarë mund të bësh kur dikush që njeh, ka nevojë për inkurajim? Një gjë është të kuptosh se një vëlla a motër në besim ose një i afërm e ka këtë nevojë, dhe tjetër gjë t’i përgjigjesh me efektshmëri asaj nevoje. Në shumë raste, gjëja më e efektshme është të bësh çfarë bëri Perëndia me Jereminë—thjesht të jesh me të shkurajuarin. Pastaj, në njëfarë pike, mund t’i thuash fjalë inkurajimi, por jo ta mbytësh me fjalë. Më mirë pak fjalë, por të zgjedhura për ta qetësuar tjetrin e për ta ndërtuar. S’ka nevojë të përdorësh fjalë të mëdha. Përdor fjalë të thjeshta që tregojnë interesin, merakun dhe përzemërsinë e krishterë. Fjalë të tilla mund të ndihmojnë shumë.—Lexo Proverbat 25:11.
16 Jeremia kërkoi: «O Jehova, më kujto dhe drejtoje vëmendjen nga unë.» Ç’ndodhi më tej? Profeti tregon: «Kur më erdhën fjalët e tua, i përpiva. Fjala jote është ngazëllimi dhe gëzimi i zemrës sime.» (Jer. 15:15, 16) Edhe ai ose ajo që dëshiron të inkurajosh, mund të ketë nevojë për vëmendje të dashur. Natyrisht, fjalët e tua nuk janë në të njëjtin nivel me ato të Jehovait. Por mund të përfshish disa nga fjalët e tij në atë që thua. Këto shprehje biblike të sinqerta e të ndiera, mund t’ia gëzojnë zemrën atij që është i shkurajuar.—Lexo Jereminë 17:7, 8.
17. Ç’mësim të rëndësishëm nxjerrim nga mënyra si veproi Jeremia me Zedekinë dhe Johananin?
17 Ki parasysh se, përveçse mori inkurajim nga Perëndia, Jeremia inkurajoi edhe të tjerë. Si e bëri këtë? Në një moment, mbreti Zedekia i tregoi Jeremisë se kishte frikë nga judenjtë që kishin kaluar në anën e babilonasve. Profeti i tha fjalë inkurajuese mbretit, duke e nxitur t’i bindej Jehovait, që t’i dilte mirë. (Jer. 38:19, 20) Pasi ra Jerusalemi dhe në të mbetën disa judenj, Johanani, kreu i ushtrisë, mendoi ta çonte popullin në Egjipt. Por fillimisht pyeti Jereminë. Profeti i dëgjoi fjalët e Johananit dhe pastaj iu lut Jehovait. Më vonë, përcolli përgjigjen inkurajuese të Jehovait, duke përmendur se do t’u shkonte mbarë nëse ndiqnin drejtimin e Tij dhe qëndronin në vend. (Jer. 42:1-12) Në të dyja rastet, Jeremia dëgjoi me vëmendje dhe empati para se të fliste. Të dëgjosh është thelbësore nëse do të inkurajosh të tjerët. Lëre të dëshpëruarin të të hapë zemrën. Dëgjoje ndërsa të shpreh shqetësimet dhe frikën e tij. Kur është e përshtatshme, thuaji ndonjë fjalë inkurajuese. Nuk do t’i japësh dot ndonjë zbulim hyjnor atij që ka nevojë për inkurajim, por mund të përfshish mendime pozitive nga Fjala e Perëndisë, mendime që përqendrohen tek e ardhmja.—Jer. 31:7-14.
18, 19. Cili model për të inkurajuar të tjerët del në pah në tregimet për rekabitët dhe për Ebed-Melekun?
18 As Zedekia, as Johanani nuk e pranuan këshillën inkurajuese që u dha Jeremia, dhe sot disa mund të mos reagojnë ndaj këshillave që u jep ti. Mos u shkurajo nga kjo. Pati të tjerë që iu përgjigjën mirë inkurajimit që u dha Jeremia e ndoshta shumë do t’i përgjigjen inkurajimit tënd. Mendo për rekabitët, një grup kenitësh që për shumë vjet ishin miq me judenjtë. Një nga urdhrat që u dha Jehonadabi, paraardhësi i tyre, ishte që, si banorë të huaj, s’duhej të pinin verë. Kur babilonasit po sulmonin, Jeremia i çoi rekabitët në një dhomë ngrënieje në tempull. Sipas udhëzimit të Perëndisë, ai u vuri përpara verë. Duke treguar respekt për paraardhësin e tyre dhe ndryshe nga izraelitët e pabindur, rekabitët ishin të bindur dhe nuk pranuan të pinin. (Jer. 35:3-10) Jeremia u përcolli lavdërimin nga Jehovai dhe premtimin e Tij për të ardhmen e tyre. (Lexo Jereminë 35:14, 17-19.) Ja një model që mund të ndjekësh kur inkurajon të tjerët: lavdëroji me sinqeritet sa herë që mundesh.
19 Jeremia e bëri këtë edhe me Ebed-Melekun, një etiopas që me sa duket ishte zyrtar në oborrin e mbretit Zedekia. Princat judenj e kishin hedhur padrejtësisht Jereminë në një sternë me llucë që të vdiste atje. Ebed-Meleku i bëri kërkesë mbretit Zedekia, i cili e autorizoi ta shpëtonte profetin. Ky i huaj e bëri këtë edhe pse rrezikonte ta sulmonin kundërshtarët e Jeremisë. (Jer. 38:7-13) Duke u bërë armik i atyre princave judenj, Ebed-Meleku mund të ketë qenë në merak për të ardhmen e vet. Jeremia nuk heshti, duke shpresuar që Ebed-Meleku ta kapërcente këtë situatë. Përkundrazi, i tha fjalë inkurajuese për bekimet që Perëndia do t’i jepte në të ardhmen Ebed-Melekut.—Jer. 39:15-18.
20. Ç’duhet të dëshirojmë të bëjmë për vëllezërit tanë, të rinj a të moshuar?
20 Vërtet, ndërsa lexojmë librin e Jeremisë, gjejmë shembuj të shkëlqyer se si mund të bëjmë personalisht atë për të cilën i nxiti apostulli Pavël vëllezërit tanë në Selanik: «Vazhdoni të ngushëlloni njëri-tjetrin dhe të ndërtoni njëri-tjetrin. . . . Dashamirësia e pamerituar e Zotërisë tonë Jezu Krisht qoftë me ju!»—1 Sel. 5:11, 28.
Cilat mësime nga libri i Jeremisë ke ndër mend të zbatosh ndërsa përpiqesh t’u japësh zemër shpirtrave të lodhur?
a Pashkuri që përmendet gjatë mbretërimit të Zedekisë, ishte një tjetër. Ai ishte një princ që iu lut mbretit për ta vrarë Jereminë.—Jer. 38:1-5.