BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • it
  • Dari

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Dari
  • Gjykim i thellë nga Shkrimet
  • Material i ngjashëm
  • Dari: Një mbret me ndjenjë drejtësie
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1998
  • I çliruar nga dhëmbët e luanëve!
    Kushtoju vëmendje profecive të Danielit!
  • Danieli në gropën e luanëve
    Të mësojmë nga historitë e Biblës
  • Persia, persët
    Gjykim i thellë nga Shkrimet
Shih më tepër
Gjykim i thellë nga Shkrimet
it

DARI

Në Bibël ky emër përdoret për tre mbretër: njëri med, dy të tjerët persë. Disa mendojnë se «Dar» mund të mos ketë qenë emri i vërtetë, të paktën në rastin e Darit med, por një titull ose emër që merrej pas kurorëzimit.

1. Dari, medi, që rreth moshës 62-vjeçare hipi në fron pas Belshazarit, mbretit kaldeas, pasi forcat ushtarake të Kirit, persit, pushtuan Babiloninë. (Dn 5:30, 31) Thuhet edhe se ishte ‘bir i Asuerit, pasardhës i medëve’.​—Dn 9:1.

Meqë kishte pushtet administrativ, Dari emëroi 120 satrapë anembanë mbretërisë. Mbi ta vuri tre zyrtarë të lartë, të cilët mbronin interesat e mbretit. Ka shumë të ngjarë që ky organizim të jetë bërë për qëllime financiare, pasi detyra kryesore e satrapëve ishte të vilnin taksa e haraçe për arkën e shtetit. (Krahaso Ezd 4:13.) Një nga zyrtarët e lartë ishte Danieli, që dallohej ndër zyrtarët e tjerë dhe satrapët, aq sa Dari kishte ndër mend ta bënte kryeministër. Siç duket nga zilia, por ndoshta edhe nga inati që integriteti i Danielit frenonte korruptimin dhe ryshfetet, dy zyrtarët e tjerë të lartë, bashkë me satrapët, thurën një komplot. Ata hynë plot zhurmë te mbreti dhe i kërkuan të nënshkruante një dekret që gjoja e kishin miratuar gjithë funksionarët e lartë (por Danielin nuk e përmendën). Për 30 ditë, ai dekret do të ndalonte t’i drejtoheshin «lutje ndonjë perëndie a njeriu tjetër» përveç Darit. Ata propozonin që kush e shkelte ligjin, të hidhej në gropën e luanëve. Dukej sikur dekreti do të forconte pozitën e Darit, një i huaj që ishte bërë rishtas mbret i perandorisë, e sikur tregonte besnikërinë dhe përkrahjen e funksionarëve që e kishin propozuar.—Dn 6:1-3, 6-8.

Dari e nënshkroi dekretin dhe shpejt kuptoi pasojat që zbuluan ç’qëllim fshihej pas atij ligji. Ngaqë vazhdoi t’i lutej Perëndisë Jehova, Danielin, shkelësin e parë të ligjit (krahaso Ve 5:29), e hodhën në gropën e luanëve, pavarësisht nga përpjekjet e sinqerta të Darit që të gjente ndonjë mënyrë për ta shmangur atë ligj të pandryshueshëm. Dari shprehu besimin se Perëndia i Danielit kishte fuqi ta mbronte. Pasi nuk vuri gjumë në sy dhe agjëroi tërë natën, ai nxitoi për te gropa e luanëve dhe u gëzua kur pa se Danieli ishte ende gjallë e s’kishte pësuar gjë. Atëherë mbreti jo vetëm mori hak me të drejtë kundër akuzuesve të Danielit dhe familjeve të tyre duke i hedhur në gropën e luanëve, por nxori edhe këtë shpallje anekënd mbretërisë: «Në çdo zotërim të mbretërisë sime njerëzit të dridhen e të kenë frikë nga Perëndia i Danielit.»​—Dn 6:9-27.

Dokumentet historike tregojnë se, që nga kohët e lashta, mbretërit e Mesopotamisë konsideroheshin si perëndi dhe adhuroheshin. Shumë komentues mendojnë se dekreti i Darit që ndalonte t’i drejtoheshin «lutje» dikujt, përfshinte vetëm lutjet me natyrë fetare, jo kërkesat ose lutjet në përgjithësi. Ekzistenca e një ‘grope luanësh’ në Babiloni është në harmoni me dëshmitë e mbishkrimeve të lashta që tregojnë se sundimtarët e Lindjes shpesh kishin kopshte zoologjike me kafshë të egra. Për këtë, një vepër referimi thotë: «Dihet se persët trashëguan nga mbretërit asirianë zakonin për t’i mbajtur këto kafshë në kopshtet e tyre zoologjike.»​—Soncino Books of the Bible, Danieli, Ezdra dhe Nehemia, f. 49, nga A. Koheni, Londër, 1951.

Pas kapitullit të 6-të të Danielit, Dari përmendet vetëm një herë kur flitet për ngjarje që ndodhën «vitin e parë» të sundimit të tij. Atë vit Danieli ‘dalloi’ se shkretimi i Judës do të zgjaste 70 vjet dhe mori zbulesën për 70 javët profetike e për ardhjen e Mesisë. (Dn 9:1, 2, 24-27) Engjëlli që i përçoi Danielit vegimin për konfliktin mes ‘mbretit të veriut’ dhe ‘mbretit të jugut’, zbuloi se më parë, gjatë vitit të parë të Darit, medit, kishte shërbyer për të forcuar dhe mbështetur. (Dn 11:1, 6) Komentuesit në përgjithësi mendojnë se engjëlli ia bëri atë shërbim Darit, por ka më shumë të ngjarë që ai të ketë ndihmuar Mikaelin, i cili, siç tregohet një varg më sipër (Dn 10:21), luftoi përkrah atij lajmëtari engjëllor. Kështu engjëjt bashkëpunuan në luftën kundër ‘princit [demonik] të Persisë’, që orvatej të pengonte plotësimin e qëllimeve të Jehovait.​—Dn 10:13, 14.

Identifikimi i Darit, medit. Deri më sot, «Dari, medi» nuk është përmendur në mbishkrimet jobiblike dhe as zihet në gojë nga historianët e lashtë jofetarë përpara Jozefit (historian jude i shekullit të parë të e.s.). Ky është shkaku ose preteksti që shumë kritikë e quajnë Darin, medin, një personazh të trilluar.

Sipas disa studiuesve, Kambisin (II) e bëri «mbret të Babilonisë» i ati, Kiri, pak pas pushtimit të Babilonisë. Ndonëse Kambisi përfaqësonte të atin çdo vit në festën e «Vitit të Ri» në Babiloni, pjesën tjetër të kohës duket se banonte në Sipar. Kërkimet e bazuara në studimin e dokumenteve me shkrim kuneiform dëshmojnë se Kambisi e mori për herë të parë titullin «mbret i Babilonisë» më 1 nisan 530 p.e.s., si bashkëregjent i Kirit, që po nisej për fushatën ushtarake ku gjeti vdekjen. Ata që orvaten të tregojnë se Dari ishte Kambisi II, biri i Kirit, bien ndesh me faktin që Dari ishte «rreth gjashtëdhjetë e dy vjeç» kur ra Babilonia.—Dn 5:31.

Ideja se Dar mund të jetë një emër tjetër për Kirin nuk përputhet me faktin që Dari ishte ‘med’ dhe ‘pasardhës i medëve’, ku shprehja e fundit i referohet babait të tij, Asuerit, i cili ishte med. Kiri quhet ‘pers’ dhe, ndonëse disa historianë pohojnë se e ëma mund të ketë pasur origjinë mede, i ati, sipas cilindrit të Kirit, ishte Kambisi I, një pers.​—Dn 9:1; 6:28.

Të tjerë thonë se Dari ishte një «ungj» i supozuar i Kirit, që historiani grek Ksenofoni e paraqit si «Siaksaresi, biri i Astiagjit». Ksenofoni tregon se Siaksaresi trashëgoi fronin e Astiagjit, mbretit med, por pastaj i dha të bijën dhe mbarë Medinë nipit të vet, Kirit. (Kiropedia, I, v, 2; VIII, v, 19) Mirëpo as Herodoti, as Ktesiasi (historianë grekë, thuajse bashkëkohës të Ksenofonit) nuk pajtohen me versionin e Ksenofonit, madje Herodoti pohon se Astiagji nuk la pas bij. Kronika e Nabonidit tregon se Kiri nisi të mbretëronte mbi medët kur u zu rob Astiagji. Veç kësaj, nëse Dari do të ishte Siaksaresi II, i bie që Astiagji të quhej edhe Asuer, përderisa Dari, medi, ishte ‘biri i Asuerit’. (Dn 9:1) Pra, kjo hipotezë nuk mund të vërtetohet.

Kush ishte në të vërtetë Dari, medi?

Kohët e fundit, disa vepra referimi kanë mbështetur idenë se Dari ishte Gubaru (të cilin zakonisht e lidhin me Gobrjasin e përmendur në veprën Kiropedia të Ksenofonit), i cili u bë guvernator i Babilonisë pasi medo-persët zaptuan qytetin. Në thelb, ata paraqesin këto dëshmi:

Një dokument i lashtë me shkrim kuneiform, Kronika e Nabonidit, teksa flet për rënien e Babilonisë, thotë se Ugbaru «guvernatori i Gutiumit, dhe ushtria e Kirit hynë në Babiloni pa luftë». Më tej, pasi tregon që Kiri hyri në qytet 17 ditë më vonë, në mbishkrim lexohet se Gubaru, «guvernatori i tij, vendosi (nën)guvernatorë në Babiloni». (Ancient Near Eastern Texts, nga Xh. Priçardi, 1974, f. 306; krahaso Darius the Mede, nga Xh. Uitkombi, 1959, f. 17.) Duhet vërejtur se emrat «Ugbaru» dhe «Gubaru» nuk janë njësoj. Paçka se duket sikur ngjasojnë, në stilin e shkrimit kuneiform, shenja për rrokjen e parë të emrit Ugbaru është krejt ndryshe nga shenja te Gubaru. Kronika thotë se Ugbaru, guvernatori i Gutiumit, vdiq pak javë pas pushtimit. Kurse dokumente të tjera me shkrim kuneiform tregojnë se Gubaru nuk vdiq dhe se shërbeu për 14 vjet si guvernator jo vetëm i qytetit, por edhe i krejt krahinës së Babilonisë, si edhe i «rajonit matanë Lumit», që përfshinte Sirinë, Fenikinë dhe Palestinën, deri në kufirin me Egjiptin. Pra, Gubaru sundonte mbi një rajon që shtrihej përgjatë gjithë Gjysmëhënës Pjellore, pak a shumë si Perandoria Babilonase. Nuk duhet harruar që për Darin, medin, thuhet se «ishte bërë mbret në mbretërinë e kaldeasve» (Dn 5:31; 9:1), por jo ‘mbreti i Persisë’, siç quhet zakonisht Kiri. (Dn 10:1; Ezd 1:1, 2; 3:7; 4:3) Pra, të paktën zona mbi të cilën sundonte Gubaru duket se përkonte me zonën ku sundonte Dari.

Meqë Gubaru nuk quhet asgjëkundi «Dar», është hedhur ideja se «Dar» ishte titulli i tij ose emri që mori pas kurorëzimit. U. F. Ollbrajti pohon: «Mendoj se ka shumë gjasa që Gobrjasi [Gubaru] të ketë marrë vërtet pozitën mbretërore, bashkë me emrin ‘Dar’, mbase një titull mbretëror i lashtë iranian, ndërkohë që Kiri bënte një fushatë në Lindje.» (Journal of Biblical Literature, 1921, vëll. XL, f. 112, shën. 19) Në përgjigje të kundërshtimit se Gubaru nuk quhet asnjëherë «mbret» në pllakat me shkrim kuneiform, ata që përkrahin idenë se Gubaru ishte mbreti Dar nënvizojnë se në këto pllaka nuk përdoret titulli mbret as për Belshazarin, por ama në dokumentin kuneiform të quajtur «Tregimi në vargje i Nabonidit» thuhet shkoqur se Nabonidi «ia besoi mbretërinë» birit të vet.

Po ashtu, profesor Uitkombi thekson se, sipas Kronikës së Nabonidit, Gubaru, si guvernator krahinor i Kirit, «caktoi . . . (guvernatorë krahinorë) në Babiloni», sikurse Danieli 6:1, 2 tregon se Dari ‘vuri në krye të mbretërisë njëqind e njëzet satrapë’. Kështu Uitkombi mendon se, meqë Gubaru ishte guvernator mbi guvernatorët, ka të ngjarë që vartësit e tij ta quanin mbret. (Darius the Mede, f. 31-33) Gjithashtu, ndërsa flet për zonën e gjerë mbi të cilën qeveriste Gubaru (Gobrjasi), A. T. Olmstedi thotë: «Në mbarë atë vend pjellor të paanë, Gobrjasi [Gubaru] sundoi thuajse si monark i pavarur.»​—History of the Persian Empire, 1948, f. 56.

Në harmoni me këtë, sipas disa studiuesve ka mundësi që Dari, medi, të ishte në të vërtetë një mëkëmbës që sundonte në mbretërinë e kaldeasve, por nën varësinë e Kirit, monarkut suprem të Perandorisë Perse. A. T. Olmstedi vëren: «Në marrëdhëniet me nënshtetasit babilonas, Kiri ishte ‘mbret i Babilonisë, mbret i kombeve’. Kështu, duke pohuar me ngulm se dinastia e lashtë e monarkëve nuk ishte ndërprerë, ai përkëdhelte krenarinë e tyre, fitonte besnikërinë e tyre . . . Por, kur largohej mbreti, autoritetin mbretëror e përfaqësonte satrapi Gobrjas.» (History of the Persian Empire, f. 71) Për ata që përkrahin idenë se Dari i Biblës ishte vërtet mëkëmbës i mbretit, pohimet që Dari «mori mbretërinë» dhe që «ishte bërë mbret në mbretërinë e kaldeasve» janë dëshmi se ai ishte nën varësinë e një monarku më të lartë.​—Dn 5:31; 9:1; krahaso 7:27, ku thuhet se ‘Tejet i Larti’, Perëndia Jehova, ia jep Mbretërinë ‘të shenjtëve’.

Ndonëse informacionet që kemi për Gubarun duket se ngjasojnë në shumë aspekte me ato për Darin, dhe ndonëse Dari mund të ketë qenë mëkëmbës i Kirit, s’mund të thuhet ende prerazi se Dari ishte Gubaru. Dokumentet historike nuk na thonë as kombësinë e as prejardhjen e Gubarut, për të kuptuar nëse ishte ‘med’ dhe ‘bir i Asuerit’. Ato nuk tregojnë nëse kishte autoritet mbretëror deri në atë pikë sa të nxirrte një shpallje a dekret si ai për të cilin flet Danieli 6:6-9. Veç kësaj, nga Bibla duket se Dari nuk sundoi gjatë në Babiloni dhe se pastaj pushtetin mbretëror e mori në dorë Kiri, edhe pse ka të ngjarë që të kenë qeverisur njëherazi dhe që Danieli të ketë përmendur vetëm vitin kur Dari u bë figurë e shquar në Babiloni. (Dn 6:28; 9:1; 2Kr 36:20-23) Gubaru qëndroi në postin e tij për 14 vjet.

Pse është i pasigurt identifikimi historik? Natyrisht, vërtetësia e Biblës nuk varet nga dëshmitë e burimeve jobiblike. Ka sa e sa raste individësh a ngjarjesh të dokumentuara në Bibël që dikur kritikët i hidhnin poshtë si ‘johistorike’, por me kalimin e kohës u provua pa pikë dyshimi saktësia e tyre historike. Kjo duhet t’u mësojë atyre që studiojnë Fjalën e Perëndisë të mos u japin tepër rëndësi kritikave të pafavorshme. (Shih BELSHAZARI; SARGONI.) Qindra mijë pllakat me shkrim kuneiform të zbuluara në Lindjen e Mesme ende paraqitin një tablo historike shumë të mangët, me të çara e boshllëqe. Kurse në lidhje me burimet e tjera jobiblike, historianët e antikitetit që i shkruan—disa kopje prej të cilave kanë arritur deri te ne (ndonëse shpesh fragmentare)—ishin të paktë, shumica ishin grekë dhe jetuan një, dy a më shumë shekuj pas ngjarjeve të përshkruara në librin e Danielit.

Mirëpo, një arsye shumë më të fortë për mungesën e informacioneve rreth Darit në dokumentet babilonase, e jep vetë libri i Danielit. Aty tregohet se Dari e caktoi Danielin në një post të lartë qeveritar, e kjo s’u pëlqeu fare zyrtarëve të tjerë të lartë. Komploti i tyre kundër Danielit dështoi, Dari i ekzekutoi akuzuesit dhe familjet e tyre, e kështu mbase ngjalli armiqësinë e zyrtarëve të tjerë. Urdhri i Darit që të gjithë në mbretëri ‘të kishin frikë nga Perëndia i Danielit’ duhet të ketë ndezur pakënaqësinë dhe zemërimin e klerit të fuqishëm babilonas. Skribët, pa dyshim, ishin nën drejtimin e personave të lartpërmendur, ndaj nuk është aspak çudi që më pas dokumentet të jenë ndryshuar dhe dëshmitë për Darin të jenë eliminuar. Historia e atyre kohëve njeh raste të tilla.

Pra, i duhet dhënë rëndësia e duhur faktit që Bibla e paraqit sundimin medo-pers si dualist. (Dn 5:28; 8:3, 4, 20) Edhe pse historia jobiblike u jep epërsi Kirit dhe persëve, Bibla tregon se medët, me sa duket, vazhduan të sundonin tok me persët dhe ligjet vazhduan të ishin «të medëve e të persëve». (Dn 6:8; Es 1:19) Medët luajtën rol të rëndësishëm në mposhtjen e Babilonisë. (Is 13:17-19) Vlen të përmendet edhe se Jeremia (51:11) paratha që mes sulmuesve të Babilonisë do të ishin ‘mbretërit [shumës] e medëve’. Një nga ata mbretër mund të ketë qenë fare mirë Dari.

2. Dar Histaspisi, i quajtur edhe Dari i Madh ose Dari I (pers). Konsiderohet një ndër sundimtarët e shquar të Perandorisë Perse. Dari e quan veten «bir i Histaspesit, një Akaemene, pers, bir i një persi, arian, pasardhës i arianëve». (History of the Persian Empire, f. 122, 123) Kështu ai pretendonte se e kishte prejardhjen mbretërore nga i njëjti paraardhës i Kirit të Madh, ndonëse i përkiste një dege tjetër familjare.

Pas vdekjes së Kambisit II në vitin 522 p.e.s. teksa kthehej nga Egjipti, fronin e Persisë e zuri për pak kohë vëllai i tij, Bardijai (ose ndoshta një prift me emrin Gaumata). Me ndihmën e gjashtë fisnikëve të tjerë persë, Dari e vrau dhe hipi vetë në fron. Versioni i Darit për këtë ngjarje shtjellohet në mbishkrimin gjigant tregjuhësh që ai e skaliti në një faqe të thiktë të shkëmbinjve të Behistunit, kundrejt një rrafshine ku kalonte rruga kryesore e karvanëve nga Bagdadi në Teheran. Sipas mbishkrimit, Gaumata ishte uzurpator dhe hiqej si një vëlla i Kambisit që e kishin vrarë. Për shumicën e studiuesve të sotëm, ky tregim (nëpër të cilin shfaqet shpesh premtimi i Darit: «kjo është e vërtetë, jo gënjeshtër») në përgjithësi bazohet në fakte, kurse disa të tjerë besojnë se Dari ishte «gënjeshtar i madh» dhe se dëshmitë tregojnë që uzurpatori i vërtetë ishte ai vetë. Sido që të jetë, kur nisi të mbretëronte, Dari gjeti një perandori të përfshirë në revoltë dhe mendohet se iu deshën dy vjet që t’i bënte zap rebelët anekënd perandorisë. Egjipti, që kishte hequr qafe zgjedhën perse, u mposht sërish nga Dari rreth vitit 519-518 p.e.s. Pas kësaj, ai i shtriu kufijtë lindorë të perandorisë gjer në Indi dhe kufijtë perëndimorë gjer në Trakë e Maqedoni. Njihet edhe për riorganizimin e efektshëm administrativ në mbarë perandorinë, për nxjerrjen e një kodi ligjor perandorak, të quajtur Urdhëresa e Rregullave të Mira, dhe për rihapjen e kanalit që lidhte lumin Nil të Egjiptit me Detin e Kuq.

Në Bibël, Dar Histaspisi përmendet sidomos në lidhje me rindërtimin e tempullit në Jerusalem. Themelet e tempullit u hodhën në vitin 536 p.e.s., mirëpo në vitin 522 p.e.s. puna e rindërtimit u ndal dhe «mbeti ashtu deri në vitin e dytë të mbretërimit të Darit» (520 p.e.s.). (Ezd 4:4, 5, 24) Atë vit, profetët Hage dhe Zakaria i nxitën judenjtë t’i futeshin sërish ndërtimit, dhe puna rifilloi. (Ezd 5:1, 2; Hg 1:1, 14, 15; Za 1:1) Si pasojë, Tatenai, guvernatori që mbronte interesat e perandorisë në viset në perëndim të Eufratit, dhe zyrtarë të tjerë i morën në pyetje pleqtë e judenjve dhe i dërguan letër mbretit pers Dar. Letra e vinte në dijeni për punën e ndërtimit, parashtronte deklaratën e judenjve se projekti i tyre ishte i ligjshëm dhe kërkonte të bëhej një hetim në arkivat mbretërorë, për të parë nëse kishte ndonjë dëshmi me shkrim që të mbështeste atë deklaratë. (Ezd 5:3-17) Në deklaratën e tyre, judenjtë vinin në kontrast veprimet e kaldeasit Nabukodonosor, shkatërruesit të tempullit, me ato të persit Kir, që autorizoi rindërtimin e tij. Ai shpjegim duhet të ketë ndikuar për mirë te Dari, meqë vitet e para të mbretërimit iu desh të shuante dy kryengritje, e në të dyja rastet rebelët mbanin emrin Nabukodonosor (të quajtur nga historianët Nabukodonosori III dhe Nabukodonosori IV), pretendonin se ishin bij të Nabonidit dhe kërkonin pavarësinë e Babilonisë nga Perandoria Perse.

Nga hetimi zyrtar i materialeve në arkivat e Ekbatanës, kryeqytetit të lashtë të Medisë, u gjet dokumenti i Kirit. Sakaq Dari e urdhëroi guvernatorin Tatena që ai dhe zyrtarët e tjerë jo vetëm të mos ndërhynin në punimet e tempullit, por edhe të siguronin fondet e ndërtimit nga ‘thesari mbretëror i taksave, që ishte matanë Lumit’, si edhe kafshë e gjëra të tjera të nevojshme për blatimet. Kushdo që dhunonte urdhrin e mbretit, do të varej në një shtyllë dhe shtëpia ‘do t’i kthehej në nevojtore publike’.​—Ezd 6:1-12.

Falë mbështetjes së autoriteteve dhe inkurajimit të pareshtur të profetëve (Za 7:1; 8:1-9, 20-23), punimet e tempullit u kurorëzuan me sukses «ditën e tretë të muajit hënor të adarit, domethënë vitin e gjashtë të mbretërimit të mbretit Dar» (Ezd 6:13-15; më 6 mars 515 p.e.s.). Mbishkrimet e Darit nxjerrin në pah se ai ishte adhurues i devotshëm i Ahura Mazdës. Prandaj, ndonëse veprimi i tij i shërbeu qëllimit të Perëndisë Jehova dhe pa dyshim që u krye nën drejtimin e Tij, është e qartë se u ndërmor më tepër për të respektuar pandryshueshmërinë e ligjeve medo-perse dhe përputhej me politikën tolerante të qeverisë së Darit, për të cilën dëshmojnë disa mbishkrime të tij.

Fushata të mëvonshme në Greqi. Nga fundi i shekullit, disa qytete greke të jonëve ngritën krye kundër sundimit pers dhe, ndonëse kryengritja u fashit, Dari vendosi të ndëshkonte Athinën dhe Eretrinë, ngaqë u dolën krah qyteteve rebele. Kështu, persët mësynë Greqinë, por forcat e Darit pësuan disfatë në betejën e Maratonës në vitin 490 p.e.s. Dari bëri përgatitje të kujdesshme për një fushatë tjetër në Greqi, mirëpo nuk e realizoi dot, pasi në vitin 486 p.e.s. vdiq. Pas tij, në fron hipi i biri, Kserksi.

3. Te Nehemia 12:22 flitet për regjistrimin e levitëve si krerë të shtëpive atërore «në ditët e Eliashibit, Jojadës, Johananit dhe Jaduait, . . . deri në mbretërimin e Darit, persit». Meqë Eliashibi ishte kryeprift në kohën kur u kthye Nehemia në Jerusalem (Ne 3:1) dhe meqë Jojada kishte një djalë të martuar (Ne 13:28) kur Nehemia shkoi për herë të dytë në qytet (pas vitit të 32-të të mbretërimit të Artakserksit [443 p.e.s.]), ka të ngjarë që ‘Dari’ i përmendur këtu të ishte Dar Oku (i quajtur edhe Nothus), që sundoi nga viti 423 deri në vitin 405 p.e.s.

Një letër e gjetur mes papiruseve të Elefantinës, që daton në vitet e fundit të shekullit të pestë p.e.s., tregon se në atë kohë në Jerusalem ishte kryeprift dikush me emrin «Johanan».

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo