Si të shërbejnë ty barinjtë e krishterë?
NË SHUMË vende mund të vërehet se si kujdesen barinjtë për kopetë. Ata i drejtojnë delet, i mbrojnë dhe u sigurojnë atyre gjërat e nevojshme. Kjo është interesante për pleqtë e krishterë, pasi puna e tyre përfshin edhe aktivitetet baritore. Në fakt, është përgjegjësia e tyre «të kullosin kongregacionin e Perëndisë» e ‘t’i kushtojnë vëmendje gjithë kopesë’.—Veprat 20:28.
Nëse je anëtar i kongregacionit të krishterë, si mund të të shërbejnë barinjtë frymorë? Si duhet të reagosh ti kundrejt përpjekjeve të tyre për të të përkrahur? Përse kongregacioni ka nevojë për ndihmën e tyre?
Përse një mbrojtje?
Në kohët e lashta, luanët dhe kafshë të tjera të egra, përbënin një rrezik për kopetë dhe bënin pre të tyre dele të veçanta. Barinjtë duhej të siguronin mbrojtje. (1. Samuelit 17:34, 35) E pra, Satana Djalli «sillet rreth e qark si një luan vrumbullues, duke kërkuar cilin mund të përpijë». (1. Pjetrit 5:8) Me zemërim, ai ka ndërmarrë një luftë jo vetëm kundër organizatës tokësore të Jehovait, por edhe individualisht kundër çdo shërbëtori të Perëndisë. Cili është synimi i Satanait? Ai dëshiron të shkurajojë popullin e Jehovait e madje të bëjë që ata të mos «ruajnë urdhërimet e Perëndisë» e të mos vazhdojnë veprën e ‘dëshmisë së Jezuit’.—Zbulesa 12:17.
Jehovai i fajësoi barinjtë që qeverisnin Izraelin e lashtë për mospërfillje, pasi delet e tij i ‘hanin të gjitha bishat e fushave’. (Ezekieli 34:8) Megjithatë, pleqtë e krishterë kanë një dëshirë të përzemërt për të mbrojtur anëtarët e kongregacionit, në mënyrë që askush të mos humbë për shkak të mospërfilljes apo nga ndikimi i Satanait, apo për shkak të «ujqërve» apostatë. (Veprat 20:29, 30) Si i ndihmojnë barinjtë të gjithë anëtarët e kopesë që të jenë të përmbajtur dhe vigjilentë? Një mënyrë është duke dhënë nga podiumi i Sallës së Mbretërisë fjalime biblike të përgatitura mirë. Një mënyrë tjetër është me anë të bisedave pozitive dhe inkurajuese para dhe pas mbledhjeve. Një tjetër mjet i efektshëm është duke i vizituar «delet» personalisht nëpër shtëpi. (Krahaso Psalmin 95:7.) Por, ç’është një vizitë baritore? Si duhet të kryhet një vizitë e tillë? Cilët duhen vizituar?
Çfarë është një vizitë baritore?
Një vizitë baritore nuk është thjesht një vizitë shoqërore, duke folur për gjëra pa rëndësi. Një plak vërejti: «Shumica e lajmëtarëve kanë shumë qejf të lexojnë një shkrim apo të bisedojnë për një aspekt të veçantë të Biblës. Natyrisht, nuk e bën vetëm plaku të gjithë bisedën. Lajmëtari i Mbretërisë, tek i cili shkojmë për vizitë, zakonisht gëzon kur shpreh mendimet e tij mbi Biblën e duke vepruar kështu forcon besimin e tij. Plaku mund të marrë me vete ndonjë revistë Kulla e Rojës apo Zgjohuni!, për të diskutuar kështu mbi ndonjë artikull ndërtues. Ndoshta është kjo bisedë frymore që e dallon një vizitë baritore nga një vizitë e zakonshme.»
Një plak tjetër me përvojë komentoi: «Përpara vizitës, plaku kalon disa kohë duke menduar mbi lajmëtarin që duhet të vizitojë. Ç’gjë mund ta ndërtojë lajmëtarin? Lavdërimet e sinqerta janë thelbësore në vizitat baritore, pasi e forcojnë një person për të qëndruar.» Po, një vizitë baritore është më shumë se vetëm një vizitë miqësore që mund ta bëjë çdokush në kongregacion.
Përse të vjen për vizitë një bari?
Kur një plak viziton ndonjë shtëpi, është i përgatitur për të inkurajuar bashkëbesimtarët dhe për t’i ndihmuar të jenë të vendosur në besim. (Romakëve 1:11) Prandaj, kur një ose dy pleq dëshirojnë të të bëjnë një vizitë, si reagon? Një mbikëqyrës udhëtues tha: «Nëse vizitat baritore bëhen vetëm kur ka ndonjë problem, reagimi i parë ndaj propozimit për një vizitë mund të jetë: ‘Ku kam gabuar?’» Barinjtë e dashur frymorë imitojnë Jehovain, i cili u kujdes për psalmistin dhe gjithmonë ‘i përtërinte shpirtin’, sidomos kur kishte vështirësi dhe nevoja të veçanta.—Psalmi 23:1-4.
Objektivi i një vizite baritore është ‘të ndërtojë e jo të prishë’. (2. Korintasve 13:10) Sigurisht, inkurajuese janë fjalët e vlerësimit për qëndrueshmërinë, zellin dhe veprën besnike të personit që po vizitojmë. Një plak vërejti: «Në një vizitë baritore nuk është gjë e mirë të jepet përshtypja se dikush ka vajtur me qëllimin për të zbuluar e për të folur për problemet. Natyrisht, ndoshta vetë lajmëtari mund të dëshirojë të flasë për ndonjë vështirësi të veçantë. E nëse ndonjë dele po çalon ose po veçohet nga pjesa tjetër e kopesë, plaku duhet të bëjë diçka për ta ndihmuar.»
Barinjtë e krishterë pa dyshim do të kujdesen veçanërisht për cilindo që është ngjashëm atyre, që përshkruhen në këto fjalë: «Unë [Jehovai] do të kërkoj të humburën, do ta kthej të hutuarën, do t’i lidh plagën, do ta forcoj të sëmurën.» (Ezekieli 34:16) Po, delet mund të kenë nevojë të kërkohen, të kthehen, t’u lidhen plagët apo të forcohen. Barinjtë e Izraelit i lanë pas dore këto përgjegjësi. Për të kryer këtë vepër kërkohet që një bari të rrijë afër me një dele të veçantë, të kujdeset për nevojat e saj. Në thelb, ky duhet të jetë një aspekt që të dallojë secilën vizitë baritore sot.
Delet e shëndetshme kanë nevojë për ndihmë
A duhet të arrijmë në përfundimin se barinjtë e sotëm frymorë nuk duhet t’u kushtojnë vëmendje të veçantë deleve të shëndetshme? E pra, kur një dele e vërtetë ka ndonjë problem, do të ishte më e lehtë për ta ndihmuar, sikur ajo të kishte besim te bariu. Një manual vëren se «për nga natyra delet rrinë larg njerëzve e të fitosh besimin e tyre nuk është gjithmonë e lehtë». Midis të tjerave, po ky libër sugjeron këtë udhëzim për të fituar besimin e deleve: «Fol rregullisht me kafshët! Ato mësohen me zërin që i bën të ndihen të sigurta. Shko shpesh për t’i vizituar në kullotë.»—Alles für das Schaf. Handbuch für die artgerechte Haltung. (Gjithçka për delet. Udhëzim se si t’i mbajmë ato ashtu siç duhet.)
Një lidhje personale, pra, është nevojshme nëse duam të ekzistojë një marrëdhënie e besueshme ndërmjet bariut dhe deleve. E njëjta gjë është e vërtetë në kongregacionin e krishterë. Një plak vërejti: «Kur je i njohur në kongregacion si një plak që i viziton delet rregullisht, është më e lehtë të vizitosh dikë që ka probleme.» Prandaj, barinjtë frymorë nuk duhet të përpiqen t’i ushqejnë e të kujdesen për delet vetëm në Sallën e Mbretërisë. Aq sa t’ua lejojnë rrethanat, pleqtë duhet t’i njohin delet duke bërë vizita baritore nëpër shtëpitë e tyre. Një i krishterë kujton se kur sapo ishte emëruar si plak, mbikëqyrësi drejtues i telefonoi dhe i kërkoi të vizitonte e të ngushëllonte një vëlla që kishte humbur vajzën në një aksident të tmerrshëm automobilistik. Plaku pranon: «Sa të mjerë e ndjeva veten, pasi kurrë nuk e kisha vizituar atë vëlla dhe as që dija se ku banonte! Sa u lehtësova, kur një plak i pjekur u ofrua të vinte me mua!» Po, pleqtë e ndihmojnë njëri-tjetrin gjatë vizitave baritore.
Kur përgatitet dhe kur bën disa vizita baritore, një plak mund të shoqërohet nga një shërbëtor ndihmës, i cili dëshiron ‘punën e mirë’ të mbikëqyrësit. (1. Timoteut 3:1, 13) Sa shumë e vlerëson një shërbëtor ndihmës, kur shikon se si një plak u shërben deleve në vizitat baritore! Prandaj, pleqtë dhe shërbëtorët ndihmës u rrinë afër të gjithëve në kongregacion, duke forcuar lidhjet e dashurisë së krishterë e të unitetit.—Kolosianëve 3:14.
Të planifikojmë kohën për vizita baritore
Kur një trup i pleqve i la vizitat baritore në duart e drejtuesve të Studimit të Librit të Kongregacionit, të gjithë lajmëtarët në disa grupe studimi u vizituan brenda gjashtë muajve, ndërkohë në grupe të tjera nuk ishte vizituar asnjë. Kjo e nxiti një plak të thoshte: «Duket se disa pleq marrin iniciativën dhe bëjnë shumë në veprën baritore, por të tjerë kanë nevojë për inkurajimin e pleqve të tjerë për të vepruar.» Kështu, disa trupa pleqsh marrin masa që të gjithë lajmëtarët të vizitohen nga barinjtë brenda një periudhe të caktuar kohore.
Natyrisht, një plak apo çdo lajmëtar tjetër mund të vizitojë dikë në kongregacion, pa pritur që të bëhen rregullime të veçanta. Përpara se të bëjë një vizitë baritore, një plak telefonon dhe thotë: «Në çdo familje bëj nga një vizitë baritore çdo muaj. A mund t’ju vizitojë për ndonjë orë apo njëfarë kohe muajin që vjen? Kur do të ishte më e përshtatshme për ju?»
Bekimet e vizitave baritore
Ndërsa presionet nga ky sistem i lig vazhdojnë të rriten, vizitat inkurajuese të barinjve të kuptueshëm bëhen gjithnjë e më të dobishme. Kur të gjithë anëtarët e kopesë marrin inkurajim dhe ndihmë nëpërmjet vizitave baritore, secila dele ndihet e mbrojtur dhe e sigurt.
Në lidhje me një kongregacion, në të cilin të gjithë lajmëtarët e Mbretërisë vizitoheshin rregullisht nga barinjtë, u raportua: «Lajmëtarët u bënë shumë pozitivë për vizitat baritore. Aq shumë u kishte pëlqyer biseda gjatë vizitës së mëparshme, saqë ishte krejt e zakonshme që një lajmëtar t’i afrohej një plaku e ta pyeste se kur do të bënte vizitën tjetër. Vizitat baritore ishin një faktor që ndihmoi në përmirësimin e frymës së kongregacionit.» Raporte të tjera tregojnë se kur barinjtë shërbejnë me dashuri në këtë mënyrë, kongregacioni mund të rritet në dashuri, në unitet dhe në ngrohtësi. Çfarë bekimi!
Barinjtë e krishterë vizitojnë për të përmirësuar mirëqenien frymore të deleve. Pleqtë duan të inkurajojnë e të forcojnë bashkëbesimtarët e tyre. Nëse gjatë një vizite del ndonjë problem serioz që ka nevojë për këshilla, ndoshta do të ishte më mirë të merreshin masat për të folur në një moment tjetër, sidomos nëse plakun e shoqëron një shërbëtor ndihmës. Sidoqoftë, një lutje për të përfunduar vizitën baritore do të ishte e përshtatshme.
A dëshiron që ndonjë bari frymor të të bëjë një vizitë në shtëpi, në të ardhmen e afërt? Nëse është kështu, rri në pritje i lumtur për inkurajimin që të pret! Ai po vjen të të shërbejë dhe të të forcojë në vendosmërinë tënde për të qëndruar në rrugën që të shpie në jetën e përhershme.—Mateu 7:13, 14.
[Kutia në faqen 26]
Sugjerime për vizitat baritore
◻ Lër një takim: Zakonisht është mirë të lihet një takim. Nëse plaku ka planifikuar të trajtojë një problem serioz, do të ishte me vend ta informonte lajmëtarin më përpara.
◻ Përgatitje: Merr parasysh natyrën e personit dhe situatën. Ofro lavdërime me zemër. Ki për qëllim të japësh ndonjë «dhunti frymore» inkurajuese e që të forcojë besimin.—Romakëve 1:11, 12.
◻ Kë të marrësh me vete: Një plak tjetër ose një shërbëtor ndihmës të kualifikuar.
◻ Gjatë vizitës: Plaku duhet të jetë i qetë, i dashur, pozitiv dhe të përshtatet. Pyet për familjen, për mirëqenien e saj e kështu me radhë. Dëgjo me kujdes. Nëse del ndonjë problem serioz, ndoshta do të ishte më mirë të rregullohej një vizitë baritore e veçantë.
◻ Kohëzgjatja e vizitës: Përmbaju kohës që keni rënë dakort dhe largohu ndërsa të zotit të shtëpisë i pëlqen ende vizita.
◻ Përfundimi i vizitës: Një lutje është me vend dhe vlerësohet me të vërtetë.—Filipianëve 4:6, 7.
[Figura në faqen 24]
Barinjtë frymorë sigurojnë mbrojtje frymore
[Figurat në faqen 26]
Vizitat baritore sigurojnë raste të shkëlqyeshme për inkurajim frymor