BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w94 1/3 f. 18-23
  • Fitorja përfundimtare e Mikaelit, Princit të Madh

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Fitorja përfundimtare e Mikaelit, Princit të Madh
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1994
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • «Në kohën e fundit»
  • «Egjipti nuk do të shpëtojë»
  • Fushata e fundit e mbretit të veriut
  • Një lajm nga lindja
  • Një lajm nga veriu
  • Mbreti i tretë
  • Mbretërit ndërluftues i afrohen fundit të tyre
    Kushtoju vëmendje profecive të Danielit!
  • Kush është sot «mbreti i veriut»?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2020 (Për studim)
  • «Mbreti i veriut» në kohën e fundit
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2020 (Për studim)
  • Një mbret përdhos shenjtëroren e Jehovait
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1994
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1994
w94 1/3 f. 18-23

Fitorja përfundimtare e Mikaelit, Princit të Madh

«Në atë kohë do të dalë Mikaeli, princi i madh, mbrojtësi i bijve të popullit tënd.»​—DANIELI 12:1.

1. Çfarë qëndrimi kanë shfaqur përpara sovranitetit të Jehovait shumë sundimtarë botërorë dhe në ç’mënyrë mbreti i veriut nuk ka qenë i ndryshëm?

«KUSH është Jehovai, që unë duhet t’i bindem zërit të tij dhe ta dërgojë Izraelin?» (Të Dalët 5:2, BR) Këto ishin fjalët tallëse të Faraonit drejtuar Moisiut. Duke refuzuar të pranojë Hyjninë supreme të Jehovait, Faraoni ishte i vendosur që ta mbante Izraelin në robëri. Edhe qeveritarë të tjerë kanë treguar një mospërfillje të ngjashme për Jehovain dhe mbretërit e profecisë së Danielit nuk janë përjashtime. (Isaia 36:13-20) Në të vërtetë, mbreti i veriut shkoi edhe më tej. Engjëlli thotë: «Do të lartohet, do të hyjnizohet përmbi çdo perëndi dhe do të thotë gjëra të habitshme kundër Perëndisë të perëndive; . . . Ai nuk do të tregojë respekt për Perëndinë e etërve të tij dhe për dëshirën e grave; nuk do të ketë respekt për asnjë perëndi, sepse do të hyjnizojë veten përmbi të gjithë.»​—Danieli 11:36, 37.

2, 3. Në ç’mënyrë mbreti i veriut e hodhi «Perëndinë e etërve të tij», për të adhuruar një «perëndi» tjetër?

2 Duke përmbushur këto fjalë profetike, mbreti i veriut e hodhi «Perëndinë e etërve të tij» (apo «perënditë e të parëve të tij», The New English Bible), qofshin këto perënditë pagane të Romës ose hyjnia trinitare e krishterimit. Hitleri e përdori krishterimin për qëllimet e tij, por në mënyrë të qartë ai planifikoi që ta zëvendësonte atë me një kishë të re gjermane. Pasardhësi i tij mbështeti ateizmin në kuptimin e plotë të fjalës. Kështu, mbreti i veriut kishte bërë vetveten një perëndi, duke ‘hyjnizuar veten përmbi të gjithë’.

3 Profecia vazhdon: «Por në vend të tyre ai do të nderojë perëndinë e fortesave dhe do të nderojë me ar, me argjend, me gurë të çmuar dhe me gjëra të këndshme, një perëndi, që etërit e tij nuk e njohën.» (Danieli 11:38) Në fakt, mbreti i veriut e vendosi besimin e tij në militarizmin modern shkencor, në «perëndinë e fortesave». Gjatë gjithë kohës së fundit ai e ka kërkuar shpëtimin me anë të kësaj «perëndie», duke sakrifikuar në altarin e saj pasuri të shumta.

4. Çfarë suksesi pati mbreti i veriut?

4 «Ai do të veprojë kundër fortesave më të fortifikuara me ndihmën e një perëndie të huaj; do të mbushë me të mira ata që do ta njohin, do të bëjë që të sundojnë mbi shumë njerëz dhe do t’u japë toka si shpërblim.» (Danieli 11:39) Duke besuar në ‘perëndinë e huaj’ militariste, mbreti i veriut ka ‘vepruar’ mjaft efektivisht, duke provuar se është një fuqi e jashtëzakonshme ushtarake në «ditët e fundit». (2. Timoteut 3:1) Ata që e mbështetën ideologjinë e tij u shpërblyen me një përkrahje politike, financiare dhe disa herë edhe ushtarake.

«Në kohën e fundit»

5, 6. Si ‘u ndesh’ mbreti i jugut dhe si reagoi mbreti i veriut?

5 Danieli 11:40a thotë: «Në kohën e fundit mbreti i jugut do të ndeshet me të.» Për këtë varg, si edhe për vijuesit është menduar se e kanë përmbushjen në të ardhmen tonë. Megjithatë, nëse këtu «koha e fundit» ka po atë domethënie si në Danielin 12:4, 9, plotësimin e këtyre fjalëve duhet ta kërkojmë në ditët e fundit. A është ‘ndeshur’ mbreti i jugut me mbretin e veriut gjatë kësaj kohe? Në të vërtetë, po. Pas Luftës së Parë Botërore, traktati ndëshkues i paqes ishte sigurisht një ‘ndeshje’, një nxitje për shpagim. Pas fitores së tij në Luftën e Dytë Botërore, mbreti i jugut e mbante rivalin e tij nën shënjestrën e armëve të frikshme bërthamore dhe organizoi kundër tij një aleancë të fuqishme ushtarake, NATO-n. Me kalimin e viteve, ‘ndeshja’ e tij përfshiu sisteme të sofistikuara spiunazhi, si edhe ofensiva diplomatike dhe ushtarake.

6 Si reagoi mbreti i veriut? «Mbreti i veriut do të dalë kundër tij si një shakullimë, me qerre dhe kalorës dhe me shumë anije; do të depërtojë në vendet, do t’i përmbytë dhe do të kalojë tutje.» (Danieli 11:40b) Historia e ditëve të fundit ka parë ekspansionizmin e mbretit të veriut. Gjatë Luftës së Dytë, «mbreti» nazist vërshoi mbi kufijtë e tij kundër vendeve përreth. Në përfundim të luftës, «mbreti» pasardhës ndërtoi një perandori të fuqishme jashtë kufijve të tij. Gjatë Luftës së Ftohtë, mbreti i veriut e luftoi rivalin e tij me anë të luftrave dhe kryengritjeve që vendet e tjera bënë për të, si në Afrikë, Azi dhe në Amerikën Latine. Përndoqi të krishterët e vërtetë, duke e kufizuar (por në asnjë mënyrë ndalur) aktivitetin e tyre. Ofensivat e tij ushtarake dhe politike vunë një numër vendesh nën kontrollin e tij. Kjo është pikërisht ashtu siç profetizoi engjëlli: «Gjithashtu, ai do të hyjë sigurisht edhe në vendin e Zbukurimit [gjendja frymore e popullit të Perëndisë] dhe do të ketë shumë vende që do të pengohen.»​—Danieli 11:41a, BR.

7. Çfarë kufijsh pati ekspansionizmi i mbretit të veriut?

7 Megjithatë, edhe pse nga pikëpamja e rivalit të tij mbreti i veriut përvijohej me një prani të rrezikshme, ai kurrë nuk arriti të pushtonte botën. «Këta do të shpëtojnë nga duart e tij: Edomi, Moabi dhe pjesa më e madhe e bijve të Amonit.» (Danieli 11:41b) Në kohët e lashta, Edomi, Moabi dhe Amoni gjendeshin pak a shumë midis Egjiptit dhe Sirisë. Ata mund të përfaqësojnë kombet dhe organizatat e sotme që mbreti i veriut i kishte në shënjestër, por që nuk mundi t’i vërë nën ndikimin e vet.

«Egjipti nuk do të shpëtojë»

8, 9. Si u ndie ndikimi i mbretit të veriut, madje edhe prej rivalit të tij?

8 Engjëlli vazhdoi të thoshte: «Ai do të shtrijë dorën edhe mbi vende të ndryshme dhe as vendi i Egjiptit nuk do të shpëtojë. Do të shtjerë në dorë thesaret prej ari dhe argjendi dhe të gjitha gjërat e çmuara të Egjiptit; Libianët dhe Etiopasit do t’i shkojnë pas.» (Danieli 11:42:43) As edhe mbreti i jugut, «Egjipti», nuk do t’i shpëtojë ndikimeve të politikës ekspansioniste të mbretit të veriut. Për shembull, ai pësoi një humbje të konsiderueshme në Vietnam. Dhe ç’mund të themi për «Libianët dhe Etiopasit»? Fqinjët e Egjiptit të lashtë mund të përfaqësojnë fare mirë kombet që nga ana gjeografike janë fqinjë të «Egjiptit» modern dhe që disa herë i kanë ‘shkuar pas’ mbretit të veriut.

9 A ka sunduar mbreti i veriut mbi ‘thesaret e Egjiptit’? Sigurisht, ai nuk e ka pushtuar dot mbretin e jugut dhe deri më 1993-shin gjendja botërore tregon se nuk ka të ngjarë që ta bëjë. Por ai ka pasur një ndikim të fuqishëm mbi mënyrën në të cilën mbreti i jugut ka përdorur burimet e tij financiare. Prej frikës nga rivali i tij, mbreti i jugut i ka kushtuar çdo vit shuma të mëdha mbajtjes së një force të jashtëzakonshme në ushtri, marinë dhe aviacion. Nën këtë aspekt, mund të thuhet se mbreti i veriut ‘ka shtënë në dorë’, ka kontrolluar, përdorimin e pasurisë së mbretit të jugut.

Fushata e fundit e mbretit të veriut

10. Në ç’mënyrë e përshkroi engjëlli fundin e rivalitetit midis dy mbretërve?

10 A do të vazhdojë përgjithmonë rivaliteti midis dy mbretërve? Jo. Engjëlli i tha Danielit: «Por lajmet e ardhura nga lindja dhe nga veriu do ta turbullojnë [mbretin e veriut]; prandaj ai do të niset me zemërim të madh për të shkatërruar dhe vendosur shfarosjen e shumë njerëzve. Do t’i ngrerë çadrat e pallatit të tij midis deteve dhe malit të shenjtë të lavdishëm; pastaj do t’i vijë fundi dhe askush nuk do ta ndihmojë.»​—Danieli 11:44, 45.

11, 12. Cilat ngjarje të fundit politike kanë të bëjnë me rivalitetin midis mbretit të veriut dhe mbretit të jugut dhe çfarë duhet akoma të mësojmë?

11 Këto ngjarje i takojnë ende së ardhmes, prandaj ne nuk mund të themi hollësisht se si do të plotësohet profecia. Kohët e fundit, situata politike në lidhje me dy mbretërit ka ndryshuar. Rivaliteti i ashpër midis Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të Lindjes ka rënë. Veç kësaj, Bashkimi Sovjetik u shpërbë në 1991-shin dhe nuk ekziston më.​—Shiko numrin e 1 marsit 1992 të Kullës së Rojës, faqe 4, 5, angl.

12 Kush është, pra, mbreti i veriut tani? A duhet identifikuar ai me një nga vendet që bënin pjesë në ish-Bashkimin Sovjetik? Apo po e ndryshon plotësisht identitetin, siç ka bërë edhe herë të tjera më parë? Nuk mund ta themi. Kush do të jetë mbreti i veriut kur të plotësohet Danieli 11:44, 45? A do të marrë përsëri zjarr rivaliteti midis dy mbretërve? Ç’mund të thuhet për arsenalet e mëdha bërthamore që ekzistojnë ende në një numër vendesh? Vetëm koha do t’u japë përgjigje këtyre pyetjeve.

13, 14. Çfarë dimë mbi të ardhmen e dy mbretërve?

13 Por një gjë e dimë. Së shpejti, mbreti i veriut do të ndërmarrë një fushatë sulmuese që do të ndizet prej ‘lajmeve që do ta turbullojnë nga lindja dhe nga veriu’. Fushata do të sjellë menjëherë «fundin» e tij. Mund të mësojmë edhe më shumë për këto «lajme» nëse shqyrtojmë edhe profeci të tjera biblike.

14 Por së pari duhet vërejtur, se nuk thuhet që këto veprime të mbretit të veriut do të jenë kundër mbretit të jugut. Atij nuk do t’i vijë fundi nga dora e rivalit të tij më të madh. Po kështu, edhe mbreti i jugut nuk do të shkatërrohet prej mbretit të veriut. Mbreti i jugut (që në profeci të tjera përfaqësohet si briri i fundit që do të shfaqet mbi një bishë të egër) është shkatërruar «jo nga dorë njeriu», por nga Mbretëria e Perëndisë. (Danieli 7:26; 8:25) Në fakt, të gjithë mbretërit e tokës shkatërrohen përfundimisht nga Mbretëria e Perëndisë në betejën e Harmagedonit dhe me sa duket kjo ndodh edhe me mbretin e veriut. (Danieli 2:44; 12:1; Zbulesa 16:14, 16) Danieli 11:44 dhe 45 përshkruan ngjarjet që të çojnë deri në betejën e fundit. Nuk habitemi se përse «askush nuk do ta ndihmojë» mbretin e veriut kur të shkojë drejt fundit të tij!

15. Cilat pyetje të rëndësishme mbeten për t’u diskutuar?

15 Cilat janë, pra, profecitë e tjera që hedhin dritë mbi «lajmet» që e nxitin mbretin e veriut për të ‘shfarosur shumë njerëz’? Dhe kush janë këta «shumë njerëz» që ai dëshiron t’i shfarosë?

Një lajm nga lindja

16. (a) Cila ngjarje domethënëse duhet të ndodhë para Harmagedonit? (b) Cilët janë «mbretërit e Lindjes»?

16 Përpara betejës përfundimtare, Harmagedonit, duhet shkatërruar një armik i madh i adhurimit të vërtetë—prostituta Babilonia e Madhe, perandoria botërore e fesë së rreme. (Zbulesa 18:3-8) Shenja paralajmëruese e shkatërrimit të saj do të jetë derdhja e kupës së gjashtë të zemërimit të Perëndisë mbi lumin simbolik Eufrat. Lumi u tha «për t’u hapur rrugën mbretërve të Lindjes». (Zbulesa 16:12) Cilët janë këta mbretër? Askush tjetër, përveç Perëndisë Jehova dhe Jezu Krishtit!a

17. (a) Çfarë na thotë Bibla mbi shkatërrimin e Babilonisë së Madhe? (b) Çfarë mund të jenë lajmet «nga lindja»?

17 Shkatërrimi i Babilonisë së Madhe është përshkruar në mënyrë të gjallë në librin e Zbulesës: «Dhjetë brirët që pe [‘mbretërit’ që do të sundojnë në kohën e fundit] dhe bisha e egër [bisha e egër me ngjyrë të purpurt, që përfaqëson Organizatën e Kombeve të Bashkuara], këto do ta urrejnë prostitutën dhe do ta shkretojnë dhe do ta zhveshin atë dhe do të hanë mishin e saj dhe do ta djegin plotësisht me zjarr.» (Zbulesa 17:16, BR) Vërtet, kombet ‘do të hanë shumë mish’! (Danieli 7:5) Por, përse qeveritarët, duke përfshirë edhe mbretin e veriut, do ta shkatërrojnë Babiloninë e Madhe? Sepse «Hyu ua mbushi mendjen ta çojnë në vend synimin e tij». (Zbulesa 17:17) Lajmi «nga lindja» mund t’i referohet këtij veprimi të Jehovait, kur në një mënyrë që ai do ta zgjedhë, do të vendosë në zemrat e krerëve të njerëzimit mendimin për të asgjësuar prostitutën e madhe fetare.​—Danieli 11:44.

Një lajm nga veriu

18. Cila është tabela tjetër e qitjes e mbretit të veriut dhe ku e vendos kjo atë kur t’i vijë fundi?

18 Por zemërimi i mbretit të veriut ka edhe një tabelë tjetër qitjeje. Engjëlli tha se ai «do t’i ngrerë çadrat e pallatit të tij midis deteve dhe malit të shenjtë të lavdishëm». (Danieli 11:45) Në kohën e Danielit, deti i madh ishte Mesdheu dhe mali i shenjtë ishte Sioni, një herë e një kohë trualli i tempullit të Perëndisë. Prandaj, në përmbushje të profecisë, mbreti i zemëruar i veriut do të ndërmarrë një fushatë ushtarake kundër popullit të Perëndisë! Sot, në kuptimin frymor, «midis deteve dhe malit të shenjtë» e vendos atë në gjendjen frymore të shërbëtorëve të mirosur të Perëndisë, që kanë dalë nga «deti» i njerëzimit rebel dhe që kanë shpresën për të qeverisur mbi Malin qiellor Sion me Jezu Krishtin.​—Isaia 57:20; Hebrenjve 12:22; Zbulesa 14:1.

19. Siç tregon profecia e Ezekielit, si mund ta identifikojmë lajmin që e nxit Gogun në sulm? (Shiko shënimin.)

19 Edhe Ezekieli, një bashkëkohës i Danielit, profetizoi një sulm kundër popullit të Perëndisë në «ditët e fundit». Ai tha se armiqësitë do të fillonin prej Gogut nga Magogu, që përfaqëson Satana Djallin. (Ezekieli 38:16) Në mënyrë simbolike, nga ç’drejtim vjen Gogu? Me anë të Ezekielit, Jehovai thotë: «Do të vish nga banesa jote, nga skajet e veriut.» (Ezekieli 38:15) Prandaj, lajmi «nga veriu» mund të jetë propaganda e Satanait që e nxit mbretin e veriut dhe të gjithë mbretërit e tjerë në sulm kundër popullit të Jehovait.b​—Krahaso Zbulesa 16:13, 14; 17:14.

20, 21. (a) Përse do t’i nxitë Gogu kombet, duke përfshirë edhe mbretin e veriut, në sulm kundër popullit të Perëndisë? (b) A do të ketë sukses sulmi i tij?

20 Gogu e organizon këtë sulm me të gjitha forcat, për shkak të lulëzimit të «Izraelit të Perëndisë», i cili së bashku me shumicën e madhe të deleve të tjera, nuk është më pjesë e kësaj bote. (Galatasve 6:16; Gjoni 10:16; 17:15, 16; 1. Gjonit 5:19) Gogu e shikon me dyshim ‘popullin e mbledhur midis kombeve, që i ka siguruar vetes kafshë, pasuri [frymore] dhe banesë në lartësitë e vendit’. (Ezekieli 38:12; Zbulesa 5:9; 7:9) Në përmbushje të këtyre fjalëve, populli i Jehovait po lulëzon tani më shumë se kurrë më parë. Në shumë vende në Evropë, Afrikë dhe Azi, në të cilat dikur ishin në ndalim, ata tani adhurojnë të lirë. Midis 1987-ës dhe 1992-shit, më shumë se një milion «gjëra të dëshirueshme» dolën prej kombeve për në shtëpinë e adhurimit të vërtetë të Jehovait. Frymësisht, ata janë të pasur dhe në paqe.​—Hageu 2:7; Isaia 2:2-4; 2. Korintasve 8:9.

21 Duke e parë gjendjen frymore të të krishterëve si të një «vendi fshatrash pa mure» i lehtë për t’u pushtuar, Gogu bën një përpjekje supreme për të fshirë tej këtë pengesë në rrugën për kontrollin e plotë të njerëzimit. (Ezekieli 38:11) Por dështon. Kur mbretërit e tokës sulmojnë popullin e Jehovait, atyre ‘do t’u vijë fundi’. Në ç’mënyrë?

Mbreti i tretë

22, 23. Kur të sulmojë Gogu, kush do të ngrihet për popullin e Perëndisë dhe me çfarë rezultati?

22 Ezekieli thotë se sulmi i Gogut është sinjal për Perëndinë Jehova, që të ngrihet në mbrojtje të popullit të tij dhe të shkatërrojë forcat e Gogut «mbi malet e Izraelit». (Ezekieli 38:18; 39:4) Kjo na sjell ndër mendje atë që engjëlli i tha Danielit: «Gjatë asaj kohe do të ngrihet Mikaeli, princi i madh që qëndron në mbrojtje të bijve të popullit tënd. Dhe me siguri do të ndodhë një kohë ankthi, e tillë që nuk ka ndodhur qysh kur u bënë kombet, deri në atë kohë. Dhe gjatë asaj kohe populli yt do të shpëtojë, secili që do të gjendet i shkruar në libër.»​—Danieli 12:1, BR.

23 Në 1914-ën, Jezui​—luftëtari qiellor Mikaeli—​u bë Mbret i Mbretërisë qiellore të Perëndisë. (Zbulesa 11:15; 12:7-9) Qysh prej asaj kohe, ai qëndron ‘në mbrojtje të bijve të popullit të Danielit’. Së shpejti, ama, ai «do të ngrihet në emër të Jehovait, si një Mbret Luftëtar i pamposhtur, duke sjellë hakmarrje mbi ata «që nuk duan ta njohin Hyun dhe që nuk duan ta dëgjojnë Ungjillin e Jezusit Zotit tonë». (2. Selanikasve 1:8) Të gjitha kombet e tokës, duke përfshirë edhe mbretërit e profecisë së Danielit, do të «godasin veten me ankime». (Mateu 24:30) Ende me mendime të liga në zemrat e tyre për ‘popullin e Danielit’, ata do të humbin përgjithmonë prej dorës së ‘Mikaelit, princit të madh’.​—Zbulesa 19:11-21.

24. Çfarë ndikimi duhet të ketë mbi ne studimi i profecisë së Danielit?

24 A nuk digjemi nga dëshira për të parë triumfin e Mikaelit dhe të Perëndisë së tij, Jehovait? Ajo fitore do të thotë ‘shpëtim’, mbijetesë, për të krishterët e vërtetë. (Krahaso Malakia 4:1-3.) Prandaj, duke shikuar nga e ardhmja me një parandjenjë të ethshme, le të mbajmë në mendje fjalët e apostullit Pavël: «Predikoje fjalën, jepu pas saj me urgjencë në kohë të përshtatshme dhe në kohë të turbullta.» (2. Timoteut 4:2, BR) Le të qëndrojmë të fortë në Fjalën e jetës dhe me zgjuarsi le të kërkojmë delet e Jehovait, ndërsa vazhdon koha e përshtatshme. Tani jemi në prag të përfundimit të garës së jetës. Shpërblimi po duket. Le të jemi të gjithë të vendosur për të duruar deri në fund dhe kështu të jemi midis atyre që do të shpëtojnë.​—Mateu 24:13; Hebrenjve 12:1.

[Shënimet]

a Shiko Revelation​—Its Grand Climax At Hand! botuar prej Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc., faqe 229-230, angl.

b Përndryshe, lajmi «nga veriu» mund ta ketë burimin nga Jehovai, duke parë fjalët e tij drejtuar Gogut: «Do të vë çengela në nofullat e tua dhe do të të nxjerr.» «Do të të bëj të ngjitesh në pjesët e skajshme të veriut dhe do të të çoj në malet e Izraelit.»​—Ezekieli 38:4; 39:2; krahaso Psalmin 48:2.

A e kupton:

◻ Si është ndeshur mbreti i jugut me mbretin e veriut gjatë kohës së fundit?

◻ Çfarë duhet të mësojmë akoma mbi rezultatin e rivalitetit midis dy mbretërve?

◻ Cilat janë dy ngjarjet që do të paraprijnë Harmagedonin, në të cilat është përfshirë mbreti i veriut?

◻ Si do ta mbrojë popullin e Perëndisë «Mikaeli, princi i madh»?

◻ Si duhet të reagojmë pas këtij studimi që i kemi bërë profecisë së Danielit?

[Figurat në faqen 19]

Mbreti i veriut ka adhuruar një perëndi të ndryshëm nga perënditë e të parëve të tij

[Burimi]

Lart majtas dhe në qendër: UPI/​Bettmann; poshtë majtas: Reuters/​Bettmann; poshtë djathtas: Jasmin/​Gamma Liaison

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo