GOGU
Kuptimi i këtij emri nuk dihet me siguri.
1. Pasardhës i Rubenit.—1Kr 5:3, 4.
2. Emri që del në kapitujt 38 e 39 të Ezekielit dhe që përdoret për udhëheqësin e një sulmi të stuhishëm shumëkombësh kundër popullit të Perëndisë. Mësymja ndodh pasi Jehovai mbledh nga kombet popullin e vet dhe e kthen në «malet e Izraelit», që dikur ishin të shkretuara. Meqë ai popull jeton i sigurt, pa asnjë mbrojtje në dukje, dhe meqë është i begatë, Gogu e sulmon egërsisht me tërë forcën. Për këtë qëllim, mbledh një ushtri të panumërt nga shumë kombe. Mirëpo sulmi i tij ngjall tërbimin e Jehovait, e si pasojë Gogu dhe mbarë turma e tij pësojnë një disfatë të tmerrshme e shfarosen. Kufomat e tyre bëhen ushqim për zogjtë e bishat dhe eshtrat e tyre varrosen në luginën që më pas quhet Lugina e Turmës së Gogut (fjalë për fjalë, Lugina e Hamon-Gogut).
Pikënisja dhe qëllimi i sulmit. Sulmi zë fill shumë larg vendit të Izraelit. Gogu është nga ‘vendi i Magogut’, që ndodhet në «viset më të thella të veriut». (Ezk 38:2, 15) Ai është «kryeprijësi [«princi i madh», AT; «princi kryesor», KJ, RS ] i Meshekut e i Tubalit». (Ezk 38:2, 3) Disa përkthime thonë «princ i Roshit, i Meshekut dhe i Tubalit» (Dio, JB), duke e lidhur kështu fjalën ‘Rosh [heb., për ‘krye’]’ me ndonjë vend a popull. Megjithatë, në Bibël nuk përmendet ndonjë vend a popull me këtë emër. Mesheku dhe Tubali, ashtu si Magogu, janë emra të bijve të Jafetit (Zn 10:2) dhe të tria vendet që mbanin këto emra ndodheshin në veri të Izraelit. (Shih MAGOGU nr. 2; MESHEKU nr. 1; TUBALI.) Pjesëtarë të tjerë nga veriu të trupave sulmuese, edhe ata jafetikë, ishin Gomeri e Togarmahu (që mendohet se ishin përkatësisht paraardhësit e simerianëve dhe të armenëve të lashtë). Në verilindje gjendej Persia jafetike. Por në aleancë përfshiheshin edhe vende kamitike jugore—Etiopia dhe Puti poshtë në Afrikë. (Ezk 38:4-6, 15) Pra, Gogu luan rolin e komandantit të një ushtrie të madhe sulmuese, që ushtron presion të tmerrshëm për ta shtypur popullin e Jehovait si në një darë.
Për izraelitët thuhej se ‘banonin në zemër të tokës’. (Ezk 38:12) Izraeli i lashtë jo vetëm ndodhej në zemër ose në një pikë qendrore mes kontinentit të Evropës, të Azisë e të Afrikës, por ishte edhe qendra e adhurimit të pastër të Perëndisë së vërtetë dhe Ai e shihte si «bebëzën e syrit».—Lp 32:9, 10; Za 2:8.
Jehovai pohon se ‘do t’i vërë grremça në nofulla’ Gogut dhe do ta çojë drejt atij sulmi. (Ezk 38:4; krahaso 2Mb 19:20, 21, 28.) Megjithatë, profecia tregon qartë se kjo është dëshira e vetë Gogut, se e ka kurdisur planin në zemër. (Ezk 38:10, 11) Gjithsesi, Jehovai e nxjerr Gogun duke kthyer në vendin e vet popullin që mban emrin e Tij dhe duke e begatuar. Kjo e nxit Gogun ta tregojë haptas keqdashjen ndaj popullit të Perëndisë dhe të ndjekë me vetëdije një rrugë që e çon rrufeshëm drejt shkatërrimit atë dhe pasuesit e tij. Me mposhtjen dhe shfarosjen e Gogut e të ushtrisë së tij, Jehovai madhëron e shenjtëron emrin e vet para të gjithë atyre që shohin.—Ezk 38:12-23; 39:5-13, 21, 22; krahaso Jo 3:9-17.
Identifikimi i Gogut. Vendet dhe popujt e përmendur në profecinë për Gogun njihen nga Bibla, e deri diku edhe nga historia jobiblike. Megjithatë, përçapjet për të treguar se Gogu ishte ndonjë sundimtar njerëzor i njohur nga historia kanë qenë të pafrytshme. Më shpesh hidhet ideja se ishte Gixhi, mbret i Lidisë në perëndim të Azisë së Vogël, i cili quhet Gugu në dokumentet e monarkut asirian Ashurbanipal. (Ancient Records of Assyria and Babylonia, nga D. Lukenbilli, 1927, vëll. II, f. 297, 351, 352) Mirëpo Gixhi kishte vdekur disa dekada para se të shkruhej profecia e Ezekielit, prandaj ky identifikim është i papranueshëm. Veç kësaj, profecia vetë tregon se sulmi i Gogut do të ndodhë në «vitet e fundit», «në ditët e fundit». (Ezk 38:8, 16; krahaso Is 2:2; Jr 30:24; 2Ti 3:1.) Për këto arsye, emri Gog me sa duket ka kuptim të fshehtë ose simbolik dhe nuk është emri i asnjë mbreti a udhëheqësi njerëzor të njohur.
Dëshmitë flasin për një përmbushje të kësaj profecie gjatë periudhës që në shkrime të tjera quhet ‘koha e fundit’. (Dn 11:35; 12:9; krahaso Zb 12:12.) Në përgjithësi, studiuesit dhe komentuesit e Biblës pranojnë se profecia ka të bëjë me kohën e Mbretërisë mesianike. Për shembull, një enciklopedi komenton: «Gogu shfaqet si udhëheqësi i sulmit të fundit mizor të fuqive botërore kundër mbretërisë së Perëndisë.» (The New Schaff-Herzog Encyclopedia of Religious Knowledge, nga S. Xheksoni, 1956, vëll. V, f. 14) Nuk dihet të ketë pasur ndonjë përmbushje në rastin e kombit të Izraelit. Është logjike që përmbushja në «ditët e fundit» të ketë lidhje me Izraelin frymor, me kongregacionin e të krishterëve (Ro 2:28, 29; Ga 6:16) që apostulli Pavël i përshkruan si fëmijë të ‘Jerusalemit lart’ nga i cili marrin drejtim. (Ga 4:26) Këto pika ndihmojnë për të identifikuar Gogun.
Një ndihmë të mëtejshme e jep libri i Zbulesës. Vegimet profetike që gjenden atje parathoshin se do të shtohej shumë përndjekja e kongregacionit të krishterë nga dragoi simbolik, Satana Djalli. Kjo do të ndodhte pasi ai me gjithë demonët e tij të flakeshin nga qielli në afërsi të tokës—një vepër e kryer nga Mbretëria e Perëndisë nëpërmjet Krishtit Jezu në kohën kur nisi të ushtronte autoritetin si mbret. (Zb 12:5-10, 13-17) Mbledhja e kombeve të tokës kundër Perëndisë, Birit të tij dhe shërbëtorëve besnikë të Perëndisë në tokë, si edhe disfata e plotë dhe shkatërrimi i forcave armike zënë vend të rëndësishëm në këto vegime. (Zb 16:13-16; 17:12-14; 19:11-21) Një ngjashmëri tjetër është edhe fakti që zogjtë do të ngopen me kufomat e këtyre armiqve të Mbretërisë së Krishtit.—Krahaso Ezk 39:4, 17-20 me Zb 19:21.
Sipas Zbulesës, figura qendrore ose udhëheqësi i sulmit mbarëbotëror kundër Mbretërisë mesianike dhe nënshtetasve të saj është Satana Djalli. Ai është i vetmi person në Bibël që përputhet më së miri me përshkrimin dhe rolin e ‘Gogut të Magogut’ në profecinë që iu dha Ezekielit. Kështu, profecia e Ezekielit në lidhje me Gogun flet për një sulm të egër mbarëbotëror kundër popullit të Perëndisë, një sulm që planifikohet dhe komandohet nga Satana Djalli i hedhur poshtë në tokë. Pikërisht ky sulm është shkëndija që çon në shfarosjen e plotë të forcave satanike me anë të fuqisë madhështore të Perëndisë.—Ezk 38:18-22.
Varrosja e turmës së Gogut. «Gogu dhe tërë turma e tij» varroset në «luginën e kalimtarëve, në lindje të detit». (Ezk 39:11) Në një përkthim, ky varg është «në luginën e Abarimit, në lindje të Detit të Vdekur». (AT) Te Numrat 33:47, 48, emri Abarim lidhet me malet në lindje të Detit të Vdekur. (Shih ABARIMI.) Në atë rajon gjenden dy lugina të thella ose gryka, Arnoni dhe Zeredi. Arnoni është rreth 3 km i gjerë në majë dhe rreth 520 m i thellë. Zeredi është një kanion akoma më mbresëlënës, me faqe shkëmbore që bien thikë nga një lartësi afro 1.190 m. Çdonjëra nga këto lugina mund të paraqiste atë vendvarrim profetik, si Arnoni që ndodhej tamam në lindje të detit, edhe Zeredi, në juglindje, që ishte lugina më e rrahur nga të dyja. Ose, meqë skena e përshkruar është simbolike, ka të ngjarë të mos bëhet fjalë për ndonjë luginë të mirëfilltë. Edhe varrosja në një vend të thellë pranë Detit të Vdekur ka ngjashmëri me Zbulesën, e cila përshkruan flakjen e kundërshtarëve të Mbretërisë së Perëndisë që hidhen në liqenin e zjarrtë simbolik dhe mbylljen e Satanait në humnerë.—Zb 19:20; 20:1-3.
A është Gogu i përmendur te Zbulesa i njëjtë me Gogun e Ezekielit?
3. Edhe Zbulesa 20:8 flet për ‘Gogun dhe Magogun’. Megjithatë, në këtë rast nuk bëhet fjalë për një komandant a sundimtar. Të dy emrat përdoren për ato ‘kombe në të katër cepat e dheut’ që lejojnë t’i mashtrojë Satanai pas lirimit nga ‘humnera’ simbolike. Shkrime të tjera tregojnë se Sundimi Mijëvjeçar i Krishtit i jep fund ndarjes në kombe dhe sundimit të tyre (Dn 2:44; 7:13, 14), prandaj këto ‘kombe’ me sa duket janë pjellë e një rebelimi kundër sundimit të tij mbarëbotëror. Ato shkojnë përpara «mbi gjerësinë e tokës», që të rrethojnë «kampin e të shenjtëve dhe qytetin e dashur». Kjo ndodh pasi mbaron Sundimi Mijëvjeçar i Krishtit Jezu mbi tokë.—Zb 20:2, 3, 7-9.
Emrat «Gog dhe Magog» siç duket shërbejnë për të nënvizuar disa ngjashmëri mes kësaj situate pas Mijëvjeçarit dhe sulmit të mëparshëm (para hedhjes së Satanait në humnerë). Edhe tek Ezekieli, edhe te Zbulesa, kundërshtarët janë të shumtë (numri i atyre të Zbulesës është i papërcaktuar, «si rëra e detit»); sulmi është rrjedhojë e një komploti të përgjithshëm dhe drejtohet kundër shërbëtorëve të Perëndisë kur rrojnë në begati. Kështu, përshkrimi me emrat «Gog dhe Magog» i atyre që nxiten të ngrenë krye pas Mijëvjeçarit, është mjaft i goditur. Fundi i tyre është shkatërrimi i plotë.—Zb 20:8-10, 14.