Kapitulli i tetë
‘Çfarë kërkon Jehovai nga ti?’
1, 2. Pse inkurajohemi kur shohim se si ka reaguar Jehovai ndaj prishjes morale të popullit të tij të lashtë?
PËRFYTYRO këtë skenë: një vajzë trembet kur dëgjon të trokitura të forta në derë. Ka frikë se mos është tregtari mashtrues i cili kërkon paratë që i ka borxh familja e saj. Ai tregtar ka zhvatur shumë veta, duke përdorur gurë peshe të rremë dhe duke vënë fajde të paligjshme. Për të shpëtuar pa u lagur, u jep ryshfete krerëve të qytetit, të cilët i shpërfillin ankesat e viktimave. Vajza ndihet e pambrojtur, pasi i ati e ka braktisur familjen dhe ka shkuar të jetojë me një grua më të re. Tani, ndoshta atë dhe mamanë do t’i shesin si skllave.
2 Në këtë skenë janë përfshirë disa nga praktikat që dënuan 12 profetët. (Amosi 5:12; 8:4-6; Mikea 6:10-12; Sofonia 3:3; Malakia 2:13-16; 3:5) Si do të kishe reaguar ti, po të jetoje në atë kohë? Edhe pse situata dukej vërtet e zymtë, të inkurajon mënyra pozitive se si veproi Jehovai me popullin e tij, në ditët e atyre profetëve. Po, nga këta 12 libra sheh se Perëndia theksoi që njerëzit duhet të zhvillojnë cilësi dhe qëndrime fisnike. Inkurajimi që jep ai, të përforcon normat e sjelljes, të motivon të bësh të mira dhe të shtyn ta lëvdosh. Dita e gjykimit e Jehovait po afrohet me të shpejtë, prandaj, duke i kushtuar vëmendje mesazhit pozitiv të këtyre librave, mund të kuptosh çfarë kërkon Perëndia nga ti. Le të fillojmë duke shqyrtuar kohën e Mikesë, në shekullin e tetë p.e.s.
ÇFARË KËRKON JEHOVAI NGA TI?
3, 4. (a) Cili përgjërim prekës gjendet në librin e Mikesë? (b) Si ndikon te ti personalisht pyetja që bëhet te Mikea 6:8?
3 Kur lexon librin e Mikesë, fillimisht mund të të duket si një listë e gjatë akuzash kundër izraelitëve të pabindur. Qartë, Jehovai nuk ishte i verbër që të mos vërente prishjen morale të popullit që i ishte kushtuar atij, duke përfshirë edhe ata që i përshkroi si njerëz që ‘urrenin të mirën dhe donin të keqen’. (Mikea 3:2; 6:12) Gjithsesi, përveç denoncimeve, aty gjejmë një ndër këshillat më tërheqëse dhe më motivuese të Biblës. Mikea përqendrohet te Burimi i normave të drejta dhe bën këtë pyetje që të vë në mendime: «Çfarë kërkon në këmbim Jehovai nga ti, veçse të tregosh drejtësi, të duash mirëdashjen dhe të jesh modest ndërsa ecën me Perëndinë tënd?»—Mikea 6:8.
4 A e dallon këtu përgjërimin që na bën Krijuesi ynë? Me dashuri, ai na tregon qëndrimet e mira që mund të zhvillojmë, në vend që të lejojmë ligësinë që mbizotëron, të na shmangë nga rruga. Jehovai e di se, si njerëz besnikë, ne dëshirojmë të zhvillojmë cilësitë e tij, dhe nuk e humb besimin te ne. Si do të përgjigjeshe, po të të bëhej ty pyetja: ‘Çfarë kërkon Jehovai nga ti?’ A mund të përcaktosh disa fusha të jetës sate ku normat e Perëndisë po ndikojnë—ose duhet të ndikojnë—për mirë? Marrëdhënia që ke me Perëndinë dhe jeta jote do të përmirësohen shumë, ndërkohë që përpiqesh të jetosh sipas këtyre normave. Duke ditur se së shpejti do të gëzosh një parajsë mbarëbotërore, mund të marrësh zemër nga kjo thirrje: «Mbillni farë me drejtësi. Korrni sipas dashamirësisë. Punoni arën tuaj, sa ka kohë për ta kërkuar Jehovain, derisa ai të vijë dhe t’ju japë udhëzime për drejtësinë.» (Hozea 10:12) Tani, le të shqyrtojmë disa pika kryesore të këshillës së dobishme që gjejmë te Mikea 6:8.
‘JI MODEST’
5. Pse është e rëndësishme «të jesh modest» ndërsa ecën me Perëndinë?
5 Janë domethënëse fjalët e Mikeas, se Jehovai na kërkon ‘të jemi modestë ndërsa ecim me’ Të. Veç të mira do të na vijnë po të jemi modestë, sepse «mençuria është me modestët». (Proverbat 11:2) Të jemi modestë do të thotë t’i mbajmë parasysh kufizimet që kemi për shkak të mëkatit adamik. Të pranojmë se kemi lindur në mëkat, është hapi i parë thelbësor në përpjekjen për të shmangur mëkatet e vullnetshme.—Romakëve 7:24, 25.
6. Si nxjerrim dobi, nëse me modesti e pranojmë që mëkati sjell pasoja?
6 Pse modestia, së bashku me përulësinë e mendjes, janë kaq të rëndësishme për të shmangur mëkatin e vullnetshëm? Po ja, një njeri modest e pranon se mëkati mund të ushtrojë shumë fuqi. (Psalmi 51:3) Hozea na ndihmon të kuptojmë se mëkati mund të jetë joshës, por në fund sjell gjithnjë shkatërrim. Për shembull, Jehovai premtoi se ‘do t’i kërkonte llogari’ popullit të tij të lashtë për mosbindjen. Nga këto fjalë, a të duket se ata mëkatarë jomodestë mund t’u shpëtonin pasojave të rrugës së tyre? Ndoshta kanë shpresuar që po, pasi mëkati shpesh të mashtron dhe të bën skllav të tij. Por gjëja më e rëndë është se mëkati i ndan mëkatarët nga Perëndia, duke i bërë të arrijnë këtë gjendje të vajtueshme: «Veprimet e veta nuk ua lejojnë të kthehen te Perëndia i tyre.» Mëkati i vullnetshëm gërryen ndjesinë dhe karakterin moral të atij që e praktikon, duke e kthyer në ‘një njeri që merret me gjëra të dëmshme’. Veç kësaj, mëkati bën që mëkatari të ketë një jetë të pafrytshme. Qartë, për njëfarë kohe mund të duket sikur ka sukses, por gjithsesi, mëkatari i papenduar nuk mund të pretendojë të ketë miratimin e Perëndisë.—Hozea 1:4; 4:11-13; 5:4; 6:8.
7. Si i përgjigjen njerëzit modestë drejtimit që jep Jehovai?
7 Po ashtu, njerëzit modestë e pranojnë se kanë nevojë për drejtim nga Perëndia, që të shmangin pasojat e hidhura të mëkatit. Mikea foli për një kohë (domethënë ditët tona) kur shumë njerëz do të kërkonin me zell ‘të mësonin udhët e Jehovait dhe të ecnin në shtigjet e tij’. Këta njerëz zemërbutë kërkojnë ‘ligjin’ dhe ‘fjalën e Jehovait’. Me siguri, ti je i lumtur që bën pjesë ndër ata që dëshirojnë ‘të ecin në emrin e Jehovait’ duke zbatuar kërkesat e tij. Megjithatë, ashtu si Mikea, ndoshta të intereson të dish edhe mënyra të tjera se si të mbetesh «moralisht i pastër». (Mikea 4:1-5; 6:11) Nëse me modesti përpiqesh të bësh atë që kërkon Jehovai nga ti, kjo do të të ndihmojë shumë.
TË ZHVILLOJMË NORMA MORALE TË LARTA
8. Çfarë ke vënë re për moralin e botës së sotme?
8 Për të mirën tonë frymore e fizike, Jehovai kërkon të jemi të dëlirë moralisht, pavarësisht nga degradimi i botës që na rrethon. (Malakia 2:15) Nga të katër anët bombardohemi me mesazhe me përmbajtje seksuale. Shumë njerëz mendojnë se është pjesë normale e jetës të shohin pamje dhe filma pornografikë, të lexojnë për sjellje të pështira seksuale dhe të dëgjojnë këngë me tekste plot nënkuptime seksuale. Përveç kësaj, ka njerëz që nuk tregojnë fare respekt për gratë, por i shohin thjesht si objekte seksuale. Ose të rinjtë në shkollë mund t’i ‘lezetojnë’ muhabetet me shaka të ndyra dhe fjalë me nënkuptime seksuale. Si t’u rezistosh këtyre ndikimeve korruptuese?
9. Si i shkelën shumë veta normat e Jehovait gjatë kohës së 12 profetëve?
9 Të 12 profetët që po shqyrtojmë, japin këshilla të çmuara. Ata jetuan para epokës së kinemave dhe dyqaneve me videokaseta, e megjithatë, në kohën e tyre ekzistonin simbolet e organit mashkullor, i ashtuquajturi prostitucion i shenjtë dhe shthurja e paturpshme. (1 Mbretërve 14:24; Isaia 57:3, 4; Habakuku 2:15) Mund të shohësh prova të kësaj në fjalët që shkruan profetët: «Burrat veçohen me prostitutat dhe bëjnë flijime me prostitutat e tempullit.» «Babë e bir shkojnë tek e njëjta vajzë që të përdhosin emrin tim të shenjtë.» Disa jepnin rregullisht gjëra si «pagë prostitute» ndërsa zhvillonin ritet e pjellorisë.a Kurorëshkelja ishte sheshit, dhe bashkëshortet jobesnike ‘shkonin pas dashnorëve të tyre të zjarrtë’.—Hozea 2:13; 4:2, 13, 14; Amosi 2:7; Mikea 1:7.
10. (a) Çfarë qëndron në përgjithësi pas sjelljes imorale? (b) Si u bë fajtor për kurvëri frymore, populli i lashtë i Perëndisë?
10 Me siguri, ti e kupton se imoraliteti tregon qëndrimin dhe motivet që ka një njeri. (Marku 7:20-22) Jehovai tha për popullin e tij imoral se «fryma e kurvërisë [«epshi për seksin», CEV] i ka bërë të enden larg» dhe se «s’kanë praktikuar gjë tjetër veç sjelljes së shthurur». (Hozea 4:12; 6:9)b Zakaria përmendi «frymën e papastërtisë». (Zakaria 13:2) Me mënyrën se si jetonin, ata tregonin një qëndrim të paturpshëm, shpërfillje, e madje përbuzje të normave dhe të autoritetit të Jehovait. Kështu, për të ndrequr motivet e tij, një njeri duhet të ndryshojë rrënjësisht mënyrën e të menduarit dhe gjendjen e zemrës. Kur kuptojnë këtë, të krishterët janë edhe më tepër mirënjohës për ndihmën që marrin për të shmangur imoralitetin dhe pasojat e tij tragjike.
NDIQ DËLIRËSINË
11. Cilat janë disa pasoja të imoralitetit?
11 Ndoshta ke parë se, shpesh, sjellja e shthurur morale prish familjet, i lë fëmijët pa drejtim nga prindërit, çon në sëmundje të neveritshme dhe bën që të ketë aborte e të shkatërrohen me miliona jetë. Ata që e shpërfillin Krijuesin në çështjet e moralit, shpesh pësojnë dëme fizike dhe emocionale. Mikea shkroi: «Ngaqë vendi është ndotur, do të ketë shkatërrim, dhe shkatërrimi është i dhembshëm.» (Mikea 2:10) Kur dinë këtë, njerëzit që duan t’i bëjnë adhurim të pastër Perëndisë, janë edhe më të vendosur që të shmangin ndotjen e zemrës dhe të mendjes, duke mos bluar mendime të papastra.—Mateu 12:34; 15:18.
12. Si nxjerrim dobi duke pranuar pikëpamjen e Jehovait për marrëdhëniet seksuale?
12 Të krishterët nuk e shmangin imoralitetin vetëm nga frika se mos marrin sëmundje ose lindin fëmijë jashtë martese. Ata e kuptojnë se ia vlen të zhvillojnë dashuri për ligjin e Perëndisë dhe të përvetësojnë pikëpamjen e tij për moralin. Jehovai vendosi te njerëzit një dëshirë normale për marrëdhëniet seksuale, si shprehje e dashurisë në martesë. Kjo ishte pjesë e qëllimit të Perëndisë kur krijoi njerëzit. Në kontekstin e duhur, domethënë brenda martesës, marrëdhëniet seksuale sjellin dobi, pasi e bashkojnë burrin dhe gruan si një të vetëm dhe, disa herë, rezultati është krijimi i një jete të re. Por, kur marrëdhëniet seksuale kryhen jashtë martese, pasojat janë jashtëzakonisht të këqija, siç tregohet nga fjalët e 12 profetëve. Praktikat imorale çuan në humbjen e miratimit të Perëndisë. Ata e paguan shtrenjtë në atë kohë, dhe po njësoj do të jetë për çdo individ sot.
13. Në cilin kuptim mund ‘ta flakim kurvërinë’ dhe të shmangim tundimin?
13 Hozea iu lut bashkëkohësve të tij që të hiqnin ose ‘të flaknin kurvërinë nga vetja’, domethënë, të merrnin masa të prera për të mbrojtur gjendjen e tyre morale. (Hozea 2:2) Në rastin tonë, është e mençur të largohemi nga çdo situatë kompromentuese. Ta zëmë se ti po has një tundim që përsëritet, në shkollë ose në lagje. Ndoshta s’ke mundësi të ndërrosh shkollën ose shtëpinë, por mund të ketë mënyra të tjera për t’u larguar nga rrethanat tunduese, dhe si rrjedhim, ‘të flakësh kurvërinë nga vetja’. Bëjua të qartë të tjerëve se je një i krishterë i vërtetë, një Dëshmitar i Jehovait. Me respekt, por qartë, shpjegoju normat dhe bindjet e tua fetare. Sigurohu që ta dinë se je i vendosur të mbash normat e larta të Jehovait. (Amosi 5:15) Një mënyrë tjetër ‘për të flakur kurvërinë’, është të shmangësh pornografinë dhe zbavitjet e diskutueshme. Kjo mund të kërkojë që t’i hedhësh revista të tilla ose të gjesh shokë të tjerë që e duan Jehovain dhe janë dakord se duhet të bësh çfarë të kërkon ai. (Mikea 7:5) Po, me ndihmën e Jehovait, mund të shmangësh ndotjen nga imoraliteti i botës!
‘DUAJ MIRËDASHJEN’
14, 15. (a) Çfarë do të thotë «të duash mirëdashjen»? (b) Si na ndihmon dashuria për mirëdashjen që të jemi të paqortueshëm?
14 Mikea theksoi se Jehovai kërkon nga ne ‘ta duam mirëdashjen’. Të jesh mirëdashës do të thotë të bësh gjëra të mira, jo gjëra që mund t’i dëmtojnë të tjerët. Mirëdashja lidhet ngushtë me mirësinë dhe shkëlqesinë morale. Kërkon që të jemi të ndershëm e të drejtë në çështjet personale dhe në marrëdhëniet me të tjerët. Në kapitullin e gjashtë të këtij libri shqyrtuam disa fusha të rëndësishme të jetës, si biznesi dhe çështjet financiare, ku drejtësia dhe ndershmëria luajnë rol jetësor. Por këto nuk janë të vetmet fusha të jetës ku duhet të tregohemi të drejtë, të ndershëm e mirëdashës.
15 Njerëzit që e duan mirëdashjen dhe duan t’u bëjnë mirë të tjerëve, përpiqen të jenë të paqortueshëm. Jehovai u tha izraelitëve që nuk po i përmbushnin detyrimet financiare ndaj adhurimit të pastër: «Ju po më grabitni.» (Malakia 3:8) A dallon ndonjë mënyrë se si dikush mund ‘ta grabitë’ Perëndinë sot? Ç’të themi për një të krishterë që merret me kontributet e dhëna në kongregacion ose në ndonjë vend tjetër, për çuarjen përpara të interesave të Mbretërisë? Paratë e kujt janë? Në fund të fundit, ato i përkasin Jehovait, sepse janë dhënë si kontribute për të çuar përpara adhurimin e tij. (2 Korintasve 9:7) A duhet të mendojë ndokush se mund ‘t’i marrë hua’ këto para për të plotësuar një nevojë urgjente të tijën ose t’i përdorë në ndonjë mënyrë tjetër fondet e dhuruara, pa autorizimin e duhur? Natyrisht që jo. Kjo do të ishte njësoj sikur t’i vidhnim Perëndisë! Dhe as nuk do të ishim duke vepruar me mirëdashje ose drejtësi ndaj atyre që i dhanë këto kontribute për veprën e Perëndisë.—Proverbat 6:30, 31; Zakaria 5:3.
16, 17. (a) Si shfaqën lakmi disa veta në ditët e Amosit dhe të Mikesë? (b) Cila është pikëpamja e Perëndisë për lakminë?
16 Mirëdashja dhe mirësia i shtyjnë të krishterët edhe të shmangin lakminë. Në kohën e Amosit, lakmia e skajshme ishte një problem shumë i përhapur. Grabitës të pangopur ishin gati ‘të shitnin të drejtin për argjend’, edhe pse ishte bashkadhurues i tyre. (Amosi 2:6) Njësoj ishte edhe në kohën e Mikesë, kur të pasurit e Judës u përlanin pronat atyre që ishin tepër të dobët për t’u mbrojtur, e madje ua merrnin me forcë po të ishte e nevojshme. (Mikea 2:2; 3:10) Duke u zhvatur tokën bashkëkombësve të tyre, këta njerëz lakmitarë shkelnin Ligjin e Jehovait—duke përfshirë urdhërimin e fundit të Dhjetë Urdhërimeve dhe rregullat që ndalonin shitjen përgjithmonë të tokës së trashëguar.—Eksodi 20:13, 15, 17; Levitiku 25:23-28.
17 Ndoshta sot nuk është aq e zakonshme që njerëzit të shiten ose të bëhen skllevër, siç ishte në kohën e profetëve. Megjithatë, ç’të themi për mashtrimin për të përfituar financiarisht ose për shfrytëzimin e të tjerëve? Një i krishterë që e do mirëdashjen, sigurisht që nuk do t’i shfrytëzojë bashkadhuruesit e tij. Për shembull, ai e kupton se nuk do të ishte as e përshtatshme, as mirëdashëse, të fillonte një biznes ose të bënte një plan investimi, duke pasur si klientë kryesorë bashkëbesimtarët. Të bësh plane për t’u pasuruar shpejt duke shfrytëzuar të krishterët e tjerë, tregon lakmi, të cilën të krishterët paralajmërohen ta shmangin. (Efesianëve 5:3; Kolosianëve 3:5; Jakovi 4:1-5) Lakmia mund të shfaqet në dashurinë për para, në dëshirën për pushtet ose për fitim, ose edhe në babëzinë për të ngrënë e për të pirë, për gjërat seksuale ose për gjëra të tjera. Mikea tregoi se njerëzit lakmitarë që shohin vetëm interesat e tyre, ‘nuk do të ngopen’. Kështu është edhe sot.—Mikea 6:14.
18, 19. (a) Çfarë thanë disa nga 12 profetët lidhur me interesin e Jehovait për ‘të ardhurin’? (b) Si të ndihmon interesimi me dashuri për të tjerët, që të përmirësosh marrëdhëniet shoqërore në vendin ku jeton?
18 Jehovai e udhëzoi popullin e tij ‘të mos ia hante hakun të ardhurit’. Dhe, nëpërmjet Malakisë, Ai shpalli: ‘Unë do të afrohem për të gjykuar ata që përzënë të ardhurin.’ (Zakaria 7:10; Malakia 3:5) A ka pësuar ndryshime zona juaj, ngaqë kanë ardhur shumë emigrantë ose njerëz nga kombësi, raca a kultura të tjera? Ndoshta kanë ardhur për të kërkuar siguri, punë ose kushte më të mira jetese. Si i konsideron njerëzit që kanë një gjuhë dhe stil jetese të ndryshëm nga yti? A ke zbuluar te vetja ndonjë prirje për të paragjykuar, që është krejt e kundërta e të qenët mirëdashës?
19 Mendo sa mirë mund të reagojnë njerëzit, po t’u tregosh se ata që janë nga vende dhe kultura të tjera e meritojnë po njësoj të dëgjojnë të vërtetën e Biblës. Mirëdashja të ndihmon edhe të heqësh nga vetja mendimin se këta të sapoardhur po shkelin të drejtat e tua për të përdorur Sallën e Mbretërisë ose mjete të tjera. Disa të krishterëve judenj të shekullit të parë, që kishin paragjykime ndaj jojudenjve, apostulli Pavël u kujtoi se faktikisht askush nuk e meritonte shpëtimin. Vetëm falë dashamirësisë së pamerituar të Perëndisë, një njeri kishte mundësi të arrinte shpëtimin. (Romakëve 3:9-12, 23, 24) Mirëdashja do të na nxitë të gëzojmë që dashuria e Perëndisë tani po arrin kaq shumë njerëz, që ndoshta s’kanë pasur mundësi të dëgjonin lajmin e mirë. (1 Timoteut 2:4) Njerëzit nga vende ose nga kultura të tjera, shpesh janë të privuar nga shumë gjëra, prandaj duhet të tregojmë interes dhe të jemi mirëdashës, duke i mirëpritur në mesin tonë, duke e trajtuar secilin «njësoj si vendësit».—Levitiku 19:34.
EC ME PERËNDINË E VËRTETË
20. Kujt iu drejtuan disa judenj për udhëheqje?
20 Mikea theksoi edhe se duhet të ecim me Perëndinë, duke iu drejtuar atij si Perëndia i vërtetë e duke kërkuar udhëheqjen e tij. (Proverbat 3:5, 6; Hozea 7:10) Pasi judenjtë u kthyen nga mërgimi, disa iu drejtuan magjistarëve, falltarëve dhe perëndive të rreme, ndoshta që t’i ndihmonin gjatë një thatësire që pllakosi. Por në fakt, ndihmën ata po e kërkonin nga forcat e liga frymore, pavarësisht se Jehovai i kishte dënuar qartë të gjitha këto praktika. (Ligji i përtërirë 18:9-14; Mikea 3:6, 11; 5:12; Hageu 1:10, 11; Zakaria 10: 1, 2) Ata judenj po përziheshin me krijesat frymore që janë kundër Perëndisë së vërtetë.
21, 22. (a) Cilat forma të okultizmit janë të zakonshme në zonën tënde? (b) Pse shërbëtorët e Jehovait nuk përfshihen fare në okultizëm?
21 Sot, disa mendojnë se frymërat e liga, të përmendura në Shkrime, janë thjesht simbol i së keqes. Mirëpo, Bibla tregon se demonët janë realë dhe janë ata që qëndrojnë pas astrologjisë, shtrigërisë dhe disa llojeve të magjisë. (Veprat 16:16-18; 2 Pjetrit 2:4; Juda 6) Rreziqet e spiritizmit ose të okultizmit janë po aq reale. Në shumë kultura, njerëzit shkojnë te shamanët ose te mjekët popullorë që thonë se kanë fuqi të mbinatyrshme, ose te falltarët. Të tjerë i drejtohen horoskopit, shohin letrat tarot ose mbajnë gurë të çmuar si hajmali. Madje, edhe përpjekjet për të folur me frymërat e të vdekurve janë shumë të përhapura. Thuhet se disa burra shteti kanë përdorur astrologjinë dhe mediumet spiritiste kur donin të merrnin vendime. E gjithë kjo është në kundërshtim të plotë me këshillën e Mikesë që të ecim me Perëndinë e vërtetë dhe të ndjekim udhëheqjen e tij.
22 Sigurisht që ti, si shërbëtor i vërtetë i Jehovait, duhet t’u qëndrosh larg këtyre praktikave. Mund të jesh i sigurt se Perëndia nuk përdor kurrë magjinë ose metodat okulte për të zbuluar vullnetin e tij apo për të ushtruar fuqinë. Përkundrazi, siç na siguron Amosi 3:7, Jehovai ‘ua tregon çështjen e tij konfidenciale shërbëtorëve të tij, profetëve’. Për më tepër, përfshirja në okultizëm të vë nën ndikimin dhe kontrollin e kreut të demonëve, Satanait, i cili është një gënjeshtar, dhe strategjia e të cilit është t’i mashtrojë njerëzit. Ai dhe larot e tij shkaktojnë veç dëme, sepse gjithnjë kanë qenë mizorë, madje kanë vrarë njerëz. (Jobi 1:7-19; 2:7; Marku 5:5) Kuptohet pse Mikea e dënoi magjinë dhe shortarinë, kur na nxiti të ecim me Perëndinë e vërtetë.
23. Vetëm kush mund të na i plotësojë kërkesat tona të përshtatshme?
23 Udhëheqja e vërtetë frymore mund të gjendet vetëm te Jehovai dhe tek adhurimi i tij i pastër. (Gjoni 4:24) «Kërkojini Jehovait»,—shkroi profeti Zakaria. (Zakaria 10:1) Edhe sikur të të ndodhë që të kesh sulme ose tundime nga forcat e liga frymore, mos harro se «kushdo që thërret emrin e Jehovait, do të shpëtojë». (Joeli 2:32) Kjo siguri është domethënëse, ndërsa mbajmë gjithnjë në mend ditën e tij të madhe.
24. Cilat mësime nxore nga Mikea 6:8?
24 Është e qartë se fjalët e Mikesë 6:8 na bëjnë të mendojmë seriozisht. Për të pasur karakter të fortë moral, na duhen motivet e duhura dhe cilësitë që ka Perëndia. Hozea tha fjalë inkurajuese për ne që jetojmë «në ditët e fundit». Ai tha se gjatë kohës sonë, njerëzit me frikë Perëndie do të kërkonin mirësinë e Jehovait. (Hozea 3:5) Amosi ripohoi ftesën e Perëndisë për të bërë pikërisht këtë gjë: «Kërkoni të mirën . . . që të jetoni.» Gjithashtu, na nxiti: «Doni të mirën.» (Amosi 5:14, 15) Po të veprojmë kështu, do të ripërtërihemi duke bërë atë që kërkon Jehovai nga ne.
a Përkthyesi i Biblës, Xhozef Rotherhami, thotë për kombet e Kanaanit, sjelljen e të cilëve imituan izraelitët: «Adhurimi i tyre ishte kokë e këmbë erotik dhe aq mizor, sa të vinte për të vjellë. Për nder të hyjnive, gratë jepnin virgjërinë e tyre. Vendet e tyre të shenjta ishin shtëpi publike. Organet riprodhuese paraqiteshin haptazi me simbole të neveritshme. Ata popuj kishin prostituta të shenjta (!!), meshkuj e femra.»
b Veç kësaj, populli i Perëndisë ishte fajtor edhe për kurvëri frymore. Ata u përpoqën të krijonin marrëdhënie të paligjshme me kombet pagane dhe e përzien adhurimin e vërtetë me adhurimin e Baalit.