KARMELI
[pemishte].
Emri i një vargmali dhe i një qyteti. Fjala hebraike karmél ka kuptimin «pemishte».—Is 16:10; 32:15; Jr 2:7.
1. Vargmali i Karmelit ngjan si një pykë që zgjatet nga vargmali qendror i Izraelit duke u shtrirë drejt veriperëndimit dhe skaji i tij veriperëndimor është rreth 180 m larg detit Mesdhe. Krejt vargmali ka një gjatësi rreth 50 km, nga Mesdheu deri poshtë në rrafshinën e Dotanit, matanë së cilës ndodhen kodrat e Samarisë. Ndahet në tri pjesë kryesore, pasi kreshtat veriperëndimore dhe juglindore i ndan në qendër një pllajë ose rrafshnaltë më e ulët shkëmbore. Në pjesën veriperëndimore, që shtrihet në veriperëndim të ʽIsfijas, gjendet maja më e lartë, rreth 545 m mbi nivelin e detit. Nuk dihet me siguri nëse në kohët biblike emri Karmel përdorej për tërë vargmalin apo vetëm për kreshtën veriperëndimore, që është afro 21 km e gjatë. Në kohët tona, emrin mali i Karmelit (Jebel-el-Karmal; Har-Karmel) e mban kjo e fundit. Për Jokneamin, qytet mbretëror kananit që ndodhej në skajin juglindor të kësaj pjese të sipërme, thuhet se ishte «në Karmel», por nuk thuhet e njëjta gjë për Megidon e Tanakun, që ndodheshin në shpatet lindore të pjesës juglindore.—Js 12:22.
Vendi ku hyri Izraeli pasi kaloi Jordanin mund të ndahet për së gjati, nga veriu në jug, në tri zona gjeografike kryesore: lugina e Jordanit, zona kodrinore dhe rrafshina bregdetare. Megjithatë, vargmali i Karmelit e prish këtë model të përgjithshëm. Ai pret përmes vargmalet që shtrihen nga veriu në jug dhe krijon luginën e famshme të Jezreelit ose Esdraelonit, që shtrihet rrëzë anës juglindore të vargmalit të Karmelit. Po ashtu, skaji i Karmelit futet në rrafshinën bregdetare të Mesdheut, duke e ndarë në rrafshinën e Asherit (në veri të Karmelit) dhe në rrafshinat e Sharonit e të Filistisë (në jug të Karmelit). Tamam në veri të skajit të Karmelit, vija bregdetare hyn thellë brenda dhe krijohet gjiri i Akos, ku sot ndodhet porti i rëndësishëm i Hajfës. Karmeli shënonte një pjesë të kufirit në territorin e fisit të Asherit.—Js 19:24-26.
Karmeli ishte postbllok natyror për karvanët dhe ushtritë që bënin rrugën Mesopotami-Egjipt. Shpatet lindore (kundrejt rrafshinës së Asherit dhe luginës së Jezreelit) ngrihen thikë dhe, që në lashtësi, vargmali i Karmelit mbulohej nga pemë e shkurre të dendura që e vështirësonin kalimin. Në skaj të Karmelit, mes rrëzës së malit dhe detit, gjendet një rrip toke i ngushtë. Mirëpo, po të merrje atë rrugë, duhej bërë një kthesë e fortë, e për më tepër ushtritë marshuese mbeteshin të pambrojtura nga sulmet. Disa qafa mali të nxirrnin nga lugina e Jezreelit matanë vargmalit duke kaluar pranë qyteteve të fortifikuara të Jokneamit dhe Tanakut, por qafa e Megidos mes këtyre të dyjave kalohej shumë më kollaj, prandaj ishte më e rëndësishme. Një tjetër rrugë kryesore kalonte në jug të qytetit të Megidos, që ishte në udhëkryq, i binte anash pjesës tjetër të vargmalit të Karmelit, e pastaj kthehej në perëndim drejt bregdetit duke përshkuar rrafshinën e Dotanit.
Shpesh Karmeli përmendet bashkë me rajone pjellore si Libani, Sharoni dhe Bashani. (Is 35:2; Jr 50:19) Mbreti Uziah, që «e donte bujqësinë», kishte bujq dhe vreshtarë në Karmel (2Kr 26:10) dhe atje janë gjetur mbetje të shumë shtypëseve rrushi e ullinjsh të ndërtuara në shkëmb. Si simbol të pasojave shkatërrimtare të gjykimit të pafavorshëm të Jehovait kundër Izraelit, profetët përdorën vyshkjen e bimësisë së harlisur të Karmelit. (Is 33:9; Am 1:2; Na 1:4) Në shpatet e tij, që i rreh era e detit, ka ende pemë frutore, ullishte e vreshta, dhe në pranverë mund të soditësh një qilim lulesh marramendëse. Në Këngën e Solomonit (7:5), koka e vashës shulamite krahasohet me Karmelin, një krahasim për flokët e saj të dendur ose për mënyrën si e mbante lart me madhështi kokën e hijshme. Pamja madhështore e Karmelit, sidomos e skajit të tij që ngrihet thikë nga bregu, ashtu si mali i Taborit që ngrihet madhërisht mbi luginën e Jezreelit, u përdor edhe si simbol i pamjes hijerëndë të Nabukodonosorit që marshonte për të pushtuar Egjiptin.—Jr 46:18.
Duket se Karmeli ishte ndër vendet kryesore ku ia mbathnin samaritanët që kërkonin të fshiheshin. Ndonëse nuk ishte aspak vargmali më i lartë, falë popullsisë së rrallë, pyjeve të dendura që e mbulonin dhe guvave të shumta në shpatet prej shkëmbi të butë gëlqeror, ai bëhej strehë për ikanakët. Prapëseprapë, profeti Amos tregoi se më kot do të fshiheshin atje ata që ia mbathnin për t’i shpëtuar gjykimit të drejtë të Jehovait.—Am 9:3.
Historikisht, mali i Karmelit zuri vend kryesor në veprimtarinë e profetëve Elija dhe Elise. (FIGURA, vëll. 1, f. 950 në botimin anglisht) Elija i tha mbretit Akab të mblidhte atje popullin që të shihnin me sytë e tyre provën mes Baalit, të përfaqësuar nga 450 profetët e Baalit, dhe Perëndisë së vërtetë Jehova, të përfaqësuar nga Elija. (1Mb 18:19-39) Pas provës, Elija urdhëroi që profetët e rremë t’i zbritnin në luginën e përroit të Kishonit—që rrjedh rrëzë Karmelit, në lindje të tij, dhe derdhet në gjirin e Akos—e atje i vranë. (1Mb 18:40) Nga maja e Karmelit, Elija u lut të merrte fund thatësira prej tre vjetësh e gjysmë dhe prej andej shërbëtori i tij pa renë e vogël që lajmëronte shtrëngatën e madhe. (1Mb 18:42-45; Jk 5:17) Me ndihmën e Jehovait, Elija vrapoi të paktën 30 km që atje deri në Jezreel, duke e lënë pas gjatë gjithë rrugës karrocën e Akabit.—1Mb 18:46.
Pasi u nda me Elijan në lumin Jordan, Eliseu, pasuesi i tij, udhëtoi nga Jerikoja për në Bethel, e prej andej në Karmel. (2Mb 2:15, 23, 25) Eliseu ndodhej në malin e Karmelit edhe kur gruaja nga Shunemi (pak më në veri të Jezreelit) shkoi t’i kërkonte ndihmë ngaqë i kishte vdekur fëmija.—2Mb 4:8, 20, 25.
2. Qytet në rajonin malor të Judës (Js 15:1, 48, 55) që, sipas shumicës së gjeografëve, gjendej në Kirbet-el-Kirmil (Horvat-Karmel), rreth 11 km në jug-juglindje të Hebronit.
Mbreti Saul ngriti «një përmendore [heb., jadh]» në Karmel, me sa duket për të kujtuar fitoren e tij mbi amalekitët. (1Sa 15:12) Edhe pse në këtë varg fjala hebraike jadh është përkthyer zakonisht «dorë», ajo mund të nënkuptojë edhe një «përmendore» a monument, siç tregohet nga përdorimi i foljes «ngriti» kur përshkruhet veprimi i Saulit, si edhe nga fakti që vite më vonë «Përmendorja [jadh] e Absalomit» u quajt shprehimisht shtyllë.—2Sa 18:18.
Në kohën kur Davidi ishte i arratisur ngaqë donte ta vriste Sauli, ‘Nabali prej Karmelit’ (por që banonte, me sa duket, në Maonin fqinj) kulloste kopetë e tij të mëdha në bjeshkët e valëzuara të Karmelit. (1Sa 25:2; 30:5; 2Sa 2:2; 3:3, DSF) Pasi Nabali nuk pranoi t’i shpërblente forcat e Davidit që e kishin mbrojtur dhe nuk u dha furnizime që i meritonin, iniciativa e takti i gruas së Nabalit, ‘karmelites Abigaila’, e frenuan Davidin që të mos bëhej me faj gjaku. (1Sa 25:2-35) Më pas, Abigaila u bë gruaja e Davidit.—1Sa 25:36-42; 27:3; 1Kr 3:1.
«Karmeliti Hezro» ishte ndër burrat e fuqishëm të forcave ushtarake të Davidit.—2Sa 23:8, 35; 1Kr 11:26, 37.