MORESHETI, MORESHET-GATHI
[zotërim i Gathit].
Me sa duket, vendlindja e profetit Mikea. (Jr 26:18; Mi 1:1) Një vendndodhje e mundshme është Tell-el-Judeidehu (Tel-Godedi), rreth 35 km në jugperëndim të Jerusalemit dhe afro 10 km në juglindje të Gathit. Emri i përbërë Moreshet-Gath (Mi 1:14) lë të kuptohet se qyteti kishte ndonjë lidhje me Gathin. Mbase ishte hera-herës nën sundimin e këtij qyteti filistin, pasi filistinët sundonin edhe në vende të tjera përveç pesë qyteteve të tyre kryesore (Gathi ishte një nga të pestë).—1Sa 6:18; 27:5.
Disa mendojnë se te Mikea 1:14 luhet me emrin Moreshet (që do të thotë «zotërim»). Në këtë varg, termi hebraik për «dhurata lamtumire» tregon një person a pronë që dorëzohet a largohet përkohësisht ose përgjithnjë. Pra, Sioni (Mi 1:13) do ta humbiste këtë qytet, pasi shprehja «dhurata lamtumire» nënkuptonte vetë Moreshetin.