«Fryma shqyrton . . . gjërat e thella të Perëndisë»
«Fryma shqyrton çdo gjë, madje edhe gjërat e thella të Perëndisë.» —1 KOR. 2:10.
1. Cilin rol të frymës së shenjtë thekson Pavli te 1 Korintasve 2:10 dhe cilat pyetje ngrihen?
SA MIRËNJOHËS mund të jemi për veprimin e frymës së shenjtë të Jehovait! Shkrimet thonë për frymën se është një ndihmës, një dhuratë, jep dëshmi dhe përgjërohet për ne. (Gjoni 14:16; Vep. 2:38; Rom. 8:16, 26, 27) Apostulli Pavël theksoi një rol tjetër jetësor që ka fryma: «Fryma shqyrton çdo gjë, madje edhe gjërat e thella të Perëndisë.» (1 Kor. 2:10) Po, Jehovai e përdor frymën e tij të shenjtë për të zbuluar të vërteta të thella frymore. Sa kuptueshmëri për qëllimin e Jehovait do të kishim pa këtë ndihmë? (Lexo 1 Korintasve 2:9-12.) Gjithsesi, ngrihen disa pyetje: si ‘i shqyrton fryma gjërat e thella të Perëndisë’? Nëpërmjet kujt i zbuloi Jehovai këto gjëra në shekullin e parë të e.s.? Në ç’mënyrë dhe nëpërmjet kujt i shqyrton fryma këto gjëra të thella në ditët e sotme?
2. Në ç’mënyrë të dyfishtë do të vepronte fryma?
2 Jezui tregoi një mënyrë të dyfishtë se si do të vepronte fryma. Pak para se të vdiste, ai u tha apostujve: «Ndihmësi, fryma e shenjtë, të cilën Ati do ta dërgojë në emrin tim, do t’ju mësojë gjithçka dhe do t’ju sjellë ndër mend të gjitha gjërat që ju thashë.» (Gjoni 14:26) Kështu, fryma e shenjtë do t’i mësonte të krishterët, domethënë do t’i ndihmonte ata të kuptonin gjërat që më parë i kishin të paqarta. Gjithashtu, ajo do t’i ndihmonte të kujtonin dhe të zbatonin siç duhet atë që ishte shpjeguar.
Në shekullin e parë
3. Cilat fjalë të Jezuit treguan se «gjërat e thella të Perëndisë» do të zbuloheshin gradualisht?
3 Vetë Jezui u mësoi dishepujve shumë të vërteta që ishin të reja për ta. Prapëseprapë, ata kishin akoma shumë për të mësuar. Jezui u tha apostujve: «Kam ende shumë gjëra për t’ju thënë, por tani për tani nuk jeni në gjendje t’i kuptoni. Megjithatë, kur të mbërrijë ai, fryma e së vërtetës, do t’ju drejtojë që të kuptoni gjithë të vërtetën.» (Gjoni 16:12, 13) Në këtë mënyrë, Jezui tregoi se me anë të frymës së shenjtë, gjërat e thella frymore do të zbuloheshin gradualisht.
4. Çfarë i mësoi dhe i solli ndër mend Pjetrit fryma e shenjtë në festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s.?
4 Në festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., «fryma e së vërtetës» erdhi dhe u derdh te rreth 120 të krishterë që ishin mbledhur së bashku në Jerusalem. Për këtë pati dëshmi që u panë e u dëgjuan. (Vep. 1:4, 5, 15; 2:1-4) Dishepujt folën në gjuhë të ndryshme «për gjërat madhështore të Perëndisë». (Vep. 2:5-11) Kishte ardhur koha të zbulohej diçka e re. Profeti Joel e kishte parathënë derdhjen e frymës së shenjtë. (Joe. 2:28-32) Vëzhguesit po shihnin me sytë e tyre përmbushjen e kësaj ngjarjeje në një mënyrë që askush prej tyre s’e priste dhe apostulli Pjetër mori drejtimin për të shpjeguar atë që po ndodhte. (Lexo Veprat 2:14-18.) Kështu, fryma e shenjtë e mësoi Pjetrin, duke ia bërë të qartë atij se ajo që kishin përjetuar dishepujt ishte përmbushja e asaj profecie të lashtë. Gjithashtu, fryma i solli ndër mend Pjetrit gjërat që kishte mësuar, sepse ai citoi jo vetëm Joelin, por edhe dy psalme të Davidit. (Psal. 16:8-11; 110:1; Vep. 2:25-28, 34, 35) Gjithçka që panë e dëgjuan të gjithë ata që ishin mbledhur, ishin vërtet gjëra të thella të Perëndisë.
5, 6. (a) Cilat pyetje të rëndësishme në lidhje me besëlidhjen e re kishin nevojë për përgjigje, pas festës së Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s.? (b) Nëpërmjet kujt ngriheshin këto çështje dhe si merreshin vendimet?
5 Kishte ende shumë çështje që duheshin qartësuar për të krishterët e shekullit të parë. Për shembull, ishin ngritur pyetje rreth besëlidhjes së re e cila kishte hyrë në fuqi në festën e Ditës së Pesëdhjetë. A ishte besëlidhja e re vetëm për judenjtë dhe prozelitët judenj? A mund të pranoheshin edhe jojudenjtë në të e të miroseshin me frymë të shenjtë? (Vep. 10:45) A kishin nevojë meshkujt jojudenj që së pari të rrethpriteshin dhe t’i nënshtroheshin Ligjit të Moisiut? (Vep. 15:1, 5) Këto ishin pyetje shumë të rëndësishme. Duhej fryma e Jehovait për t’i shqyrtuar këto gjëra të thella. Por, nëpërmjet kujt do të vepronte ajo?
6 Secila nga këto çështje u ngrit për shqyrtim nga vëllezër përgjegjës. Pjetri, Pavli dhe Barnaba ishin të pranishëm në një mbledhje të trupit udhëheqës dhe treguan se si Jehovai e kishte kthyer vëmendjen drejt jojudenjve të parrethprerë. (Vep. 15:7-12) Pasi i shqyrtoi këto prova nën dritën e asaj që thuhej në Shkrimet Hebraike dhe me ndihmën e frymës së shenjtë, trupi udhëheqës mori një vendim. Pastaj, ata i informuan kongregacionet duke u shkruar për këtë vendim.—Lexo Veprat 15:25-30; 16:4, 5; Efes. 3:5, 6.
7. Nëpërmjet kujt u zbuluan të vërtetat e thella?
7 Shumë çështje të tjera u qartësuan nëpërmjet shkrimeve të frymëzuara të Gjonit, Pjetrit, Jakovit dhe Pavlit. Por, në njëfarë pike pasi përfunduan Shkrimet e Krishtere, dhuratat e profetizimit dhe njohuria e zbuluar në mënyrë të mrekullueshme, morën fund. (1 Kor. 13:8) A do të vazhdonte fryma t’i mësonte të krishterët dhe t’u sillte ndër mend gjërat që kishin mësuar? A do të vazhdonte ajo t’i ndihmonte të shqyrtonin gjërat e thella të Perëndisë? Profecia tregoi se po.
Gjatë kohës së fundit
8, 9. Kush ‘do të ndriçonte’ duke pasur gjykim të thellë frymor gjatë kohës së fundit?
8 Duke folur për kohën e fundit, një engjëll paratha: «Ata që kanë gjykim të thellë, do të ndriçojnë si hapësira qiellore dhe ata që çojnë shumë veta në drejtësi, do të shndritin si yjet përgjithmonë, po, në jetë të jetëve. . . . Dhe njohuria e vërtetë do të jetë e bollshme.» (Dan. 12:3, 4) Kush do të ishin ata që do të kishin gjykim të thellë e do të ndriçonin? Për ta kuptuar këtë, Jezui siguroi një çelës në ilustrimin për grurin dhe egjrat. Duke folur rreth ‘përfundimit të një sistemi’, ai tha: «Në atë kohë, të drejtët do të shkëlqejnë si dielli në mbretërinë e Atit të tyre.» (Mat. 13:39, 43) Në shpjegimin e tij, Jezui i identifikoi «të drejtët» si «bijtë e mbretërisë», pra të krishterët e mirosur.—Mat. 13:38.
9 A ‘do të ndriçonin’ të gjithë të krishterët e mirosur? Në njëfarë kuptimi po, sepse të gjithë të krishterët do të merrnin pjesë në predikim e në veprën e bërjes së dishepujve, si dhe do të ndërtonin njëri-tjetrin në mbledhje. Të mirosurit do të linin shembullin. (Zak. 8:23) Mirëpo, përveç kësaj, gjatë kohës së fundit do të zbuloheshin gjëra të thella. Vetë profecia që Danieli dokumentoi ishte ‘e vulosur’ deri në atë kohë. (Dan. 12:9) Në ç’mënyrë dhe nëpërmjet kujt do t’i shqyrtonte fryma këto gjëra të thella?
10. (a) Nëpërmjet kujt i zbulon fryma të vërtetat e thella gjatë ditëve të fundit? (b) Shpjegoni se si u bënë të qarta të vërtetat në lidhje me tempullin e madh frymor të Jehovait.
10 Kur vjen koha për të qartësuar një çështje frymore në ditët tona, fryma e shenjtë ndihmon përfaqësuesit përgjegjës të ‘skllavit të besueshëm dhe të matur’ në selinë botërore, që të kuptojnë të vërtetat e thella që më parë nuk ishin kuptuar. (Mat. 24:45; 1 Kor. 2:13) Trupi Udhëheqës si një i tërë shqyrton nëse ka nevojë që disa shpjegime të ndreqen. (Vep. 15:6) Më pas, merr një vendim dhe, nëse është e nevojshme, boton shpjegimin e ndrequr për dobinë e të gjithëve. (Mat. 10:27) Me kalimin e kohës, mund të nevojiten sqarime të mëtejshme e po kështu edhe këto shpjegohen hapur.—Shih kutinë «Si e zbuloi fryma domethënien e tempullit frymor?».
Të nxjerrim dobi nga roli i frymës sot
11. Si nxjerrin dobi të gjithë të krishterët sot nga roli i frymës së shenjtë në zbulimin e gjërave të thella të Perëndisë?
11 Të gjithë të krishterët besnikë nxjerrin dobi nga roli i frymës së shenjtë në zbulimin e gjërave të thella të Perëndisë. Ashtu si të krishterët e shekullit parë, ne sot studiojmë dhe më pas kujtojmë e zbatojmë informacionet që fryma e shenjtë na ndihmon të kuptojmë. (Luka 12:11, 12) Nuk kemi nevojë për shumë arsimim që të kuptojmë të vërtetat e thella frymore që janë botuar. (Vep. 4:13) Si mund ta përmirësojmë kuptueshmërinë për gjërat e thella të Perëndisë? Të shqyrtojmë disa sugjerime.
12. Kur duhet të lutemi për frymë të shenjtë?
12 Të lutemi për frymë të shenjtë. Para se të shqyrtojmë ndonjë material nga Shkrimet, së pari duhet të kërkojmë në lutje që të na drejtojë fryma e shenjtë. Kjo duhet bërë edhe kur jemi vetëm ose kur koha që kemi në dispozicion është e shkurtër. Sa shumë që e gëzojnë Atin tonë qiellor përgjërime të tilla të përulura! Siç e tregoi edhe Jezui, Jehovai do të na japë me bujari frymën e tij të shenjtë kur ia kërkojmë me sinqeritet.—Luka 11:13.
13, 14. Ç’rol ka përgatitja për mbledhjet që të kuptojmë gjërat e thella të Perëndisë?
13 Të përgatitemi për mbledhjet. Ne marrim «ushqim në kohën e duhur» nëpërmjet klasës së skllavit. «Skllavi» e përmbush caktimin e tij duke siguruar materiale të bazuara në Shkrime dhe duke organizuar programe për studimin e për mbledhjet. Ka arsye të menduara mirë që u kërkohet ‘gjithë vëllazërisë’ të shqyrtojnë informacione të caktuara. (1 Pjet. 2:17; Kolos. 4:16; Jud. 3) Ne bashkëpunojmë me frymën e shenjtë kur bëjmë më të mirën tonë për të ndjekur udhëzimet që jepen.—Zbul. 2:29.
14 Kur përgatitemi për mbledhjet e krishtere, duhet t’i lexojmë shkrimet e cituara dhe të përpiqemi të kuptojmë se si lidhen me temën që po shqyrtojmë. Në këtë mënyrë, dalëngadalë do të thellojmë kuptueshmërinë për Biblën. (Vep. 17:11, 12) Nëse i lexojmë shkrimet, na nguliten në mendje dhe fryma e shenjtë mund të na ndihmojë t’i kujtojmë. Përveç kësaj, kur i shohim shkrimet drejtpërdrejt në Bibël, do t’i fiksojmë ku ndodhen dhe kjo mund të na ndihmojë t’i gjejmë lehtë kur të na duhen.
15. Pse duhet të jemi të përditësuar me materialet e botuara dhe si e bëni këtë?
15 Të jemi të përditësuar me botimet. Disa materiale të botuara nuk shqyrtohen në mbledhje, por janë përgatitur për dobinë tonë. Madje, edhe revistat që i ofrohen publikut përgatiten duke na marrë ne parasysh. Në këtë botë kaq të zënë me aktivitete, shpesh duhet të presim për dikë ose për diçka. Nëse marrim me vete një botim që nuk e kemi lexuar ose e kemi lexuar pjesërisht, mund t’i shfrytëzojmë këto raste për të lexuar një pjesë të tij. Disa qëndrojnë të përditësuar me botimet duke dëgjuar regjistrimet audio të tyre ndërsa ecin ose udhëtojnë. I gjithë ky material për të cilin janë bërë kërkime të kujdesshme, por që është shkruar për të kënaqur lexuesit mesatarë, thellon kuptueshmërinë dhe çmueshmërinë tonë për gjërat frymore.—Hab. 2:2.
16. Çfarë dobish kemi kur i mbajmë shënim pyetjet që na lindin dhe bëjmë kërkime për to?
16 Të meditojmë. Kur lexojmë Biblën ose botimet e bazuara në të, të lëmë kohë për të medituar. Ndërsa ndjekim linjën e mendimit gjatë leximit, mund të na lindin pyetje. Mund t’i mbajmë shënim pyetje të tilla dhe të bëjmë kërkime për to më vonë. Shpesh ndodh që kur bëjmë kërkime për gjërat që na tërheqin, thellohemi shumë në studim. Kuptueshmëria që fitojmë bëhet pjesë e thesarit tonë prej të cilit mund të nxjerrim gjëra sa herë që kemi nevojë.—Mat. 13:52.
17. Çfarë programi ndiqni për studimin familjar ose personal?
17 Të programojmë kohë për adhurimin familjar. Trupi udhëheqës na ka inkurajuar të gjithëve të caktojmë një mbrëmje ose një kohë tjetër çdo javë, për studimin personal ose familjar. Programi i ri i mbledhjeve na jep mundësi ta zbatojmë këtë këshillë. Çfarë trajtoni gjatë mbrëmjeve të Adhurimit Familjar? Disa lexojnë Biblën, bëjnë kërkime rreth vargjeve për të cilat mund t’u lindin pyetje dhe shkruajnë shënime të shkurtra shpjeguese në Bibël. Shumë familje lënë kohë që ta zbatojnë për nevojat e familjes materialin që studiojnë. Disa kryefamiljarë zgjedhin material që mendojnë se i nevojitet familjes ose që lidhet me tema a pyetje që familja ka kërkuar të shqyrtojë. Pa dyshim që me kalimin e kohës, do të mendoni të shqyrtoni edhe tema të tjera.a
18. Pse nuk duhet të shmangim studimin e të vërtetave më të thella të Fjalës së Perëndisë?
18 Jezui tha se fryma do të vepronte si një ndihmës. Prandaj, nuk duhet të shmangim studimin e të vërtetave më të thella të Fjalës së Perëndisë. Të vërteta të tilla janë pjesë e ‘njohurisë së Perëndisë’ që është e çmuar dhe nxitemi t’i shqyrtojmë ato. (Lexo Proverbat 2:1-5.) Ato na zbulojnë shumë për «gjërat që Perëndia i ka përgatitur për ata që e duan». Ndërsa bëjmë përpjekje për të mësuar më shumë rreth Fjalës së Jehovait, fryma e shenjtë do të na ndihmojë, pasi «fryma shqyrton çdo gjë, madje edhe gjërat e thella të Perëndisë».—1 Kor. 2:9, 10.
[Shënimi]
a Shih edhe Shërbimi ynë i Mbretërisë, tetor 2008, faqja 8.
Si do të përgjigjeshit?
• Në ç’mënyrë të dyfishtë na ndihmon fryma të shqyrtojmë «gjërat e thella të Perëndisë»?
• Nëpërmjet kujt i zbuloi fryma e shenjtë të vërtetat e thella në shekullin e parë?
• Si vepron fryma për të qartësuar çështjet në ditët tona?
• Çfarë mund të bëni për të nxjerrë dobi nga roli i frymës?
[Kutia në faqen 22]
Si e zbuloi fryma domethënien e tempullit frymor?
Mes ‘gjërave të thella të Perëndisë’ të zbuluara gjatë shekullit të parë, ishte se tabernakulli e më pas tempujt paraqitnin në mënyrë paraprake një realitet shumë më të madh frymor. Pavli e quajti atë realitet ‘tenda e vërtetë, të cilën e ngriti Jehovai e jo njeriu’. (Hebr. 8:2) Ky ishte një tempull i madh frymor, një masë për t’iu afruar Perëndisë që u bë e mundur falë flijimit të Jezu Krishtit dhe priftërisë së tij.
‘Tenda e vërtetë’ erdhi në ekzistencë në vitin 29 të e.s. kur Jezui u pagëzua dhe Jehovai e pranoi si ai që do të bëhej një flijim i përsosur. (Hebr. 10:5-10) Pas vdekjes dhe ringjalljes, Jezui hyri në Më të Shenjtën e tempullit frymor dhe paraqiti vlerën e flijimit të tij «përpara personit të Perëndisë».—Hebr. 9:11, 12, 24.
Në një vend tjetër, apostulli Pavël shkroi për të krishterët e mirosur se ‘rriten që të bëhen një tempull i shenjtë për Jehovain’. (Efes. 2:20-22) A ishte ky tempull i njëjtë me ‘tendën e vërtetë’ që përshkroi më vonë në letrën e tij drejtuar hebrenjve? Për dekada të tëra, shërbëtorët e Jehovait menduan se po. Dukej se të krishterët e mirosur po përgatiteshin në tokë për t’u bërë «gurë» në tempullin qiellor të Jehovait.—1 Pjet. 2:5.
Por, rreth vitit 1971, pjesëtarët përgjegjës të klasës së skllavit filluan të kuptonin se tempulli që përmendi Pavli te Letra drejtuar Efesianëve, nuk mund të ishte tempulli i madh frymor i Jehovait. Nëse ‘tenda e vërtetë’ përbëhej nga të krishterë të mirosur të ringjallur, në radhë të parë ajo do të vinte në ekzistencë pasi të fillonte ringjallja e tyre gjatë ‘pranisë së Zotërisë’. (1 Sel. 4:15-17) Por, duke iu referuar tabernakullit, Pavli shkroi: «Pikërisht kjo tendë është një ilustrim për kohën e caktuar që tani ka ardhur.»—Hebr. 9:9.
Duke i krahasuar me kujdes këto shkrime dhe shkrime të tjera, u bë e qartë se tempulli frymor nuk është në ndërtim e sipër dhe se të krishterët e mirosur nuk janë «gurë» të cilëve u jepet formë ndërsa janë në tokë për t’u bërë pjesë e tij. Përkundrazi, të krishterët e mirosur po shërbejnë në oborrin dhe në të Shenjtën e tempullit frymor, duke i paraqitur çdo ditë Perëndisë «një flijim lëvdimi».—Hebr. 13:15.
[Figura në faqen 23]
Si mund ta përmirësojmë kuptueshmërinë për «gjërat e thella të Perëndisë»?