BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w98 15/10 f. 30-31
  • Pyetje nga lexuesit

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Pyetje nga lexuesit
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1998
  • Material i ngjashëm
  • Ditëlindja
    Të arsyetojmë nga Shkrimet
  • Pse Dëshmitarët e Jehovait nuk i festojnë ditëlindjet?
    Pyetje që bëhen më shpesh për Dëshmitarët e Jehovait
  • A i pëlqejnë Perëndisë të gjitha festat?
    Të mësojmë nga Mësuesi i Madh
  • Festime që fyejnë Perëndinë
    ‘Ruaj veten në dashurinë e Perëndisë’
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1998
w98 15/10 f. 30-31

Pyetje nga lexuesit

Shumë nga Dëshmitarët e Jehovait kremtojnë përvjetorin e tyre të martesës. Ditëlindja është një përvjetor i ditës kur ke lindur. Kështu, përse përvjetorët e martesës festohen dhe ditëlindjet jo?

Të jemi të sinqertë, një i krishterë nuk ka nevojë të festojë asnjërën prej tyre. Megjithatë, kjo nuk do të thotë që këta dy përvjetorë kanë të njëjtën rëndësi apo që të krishterët duhet t’i konsiderojnë të parët (përvjetorët e martesave) siç konsiderojnë ditëlindjet.

Siç është vënë re, mund të thuhet se që të dy janë përvjetorë, sepse një «përvjetor» është ‘një përsëritje vjetore e një date që shënon një ngjarje të caktuar’. Çdo ngjarje mund të ketë një përvjetor: dita kur keni bërë një aksident automobilistik, kur keni parë një eklips të hënës, kur keni shkuar në plazh me familjen, e kështu me radhë. Qartë, të krishterët nuk e kthejnë çdo «përvjetor» në një ditë të veçantë apo të bëjnë një festë për ta përkujtuar atë. Ne duhet të shqyrtojmë aspektet e një ngjarjeje dhe të vendosim se çfarë është e përshtatshme.

Për shembull, Perëndia i udhëzoi në mënyrë specifike izraelitët të kremtonin çdo vit ditën kur engjëlli i tij kaloi mbi shtëpitë e izraelitëve në Egjipt dhe daljen që pasoi për popullin e tij në vitin 1513 p.e.s. (Eksodi 12:14) Kur judenjtë, duke përfshirë edhe Jezuin, më vonë e përkujtuan përvjetorin e asaj ngjarjeje, kjo gjë u bë në bindje të udhëzimit të Perëndisë dhe ata nuk e bënë këtë gjë me një festë ose me dhënie dhuratash. Judenjtë e trajtuan si diçka të veçantë edhe përvjetorin e ridedikimit të tempullit. Edhe pse përkujtimi i kësaj ngjarjeje historike nuk urdhërohej në Bibël, Gjoni 10:22, 23 na bën të kuptojmë se Jezui nuk e pa me sy kritik. Së fundi, të krishterët kanë një mbledhje të veçantë në përvjetorin e vdekjes së Jezuit. Sigurisht, kjo gjë bëhet për t’iu bindur një urdhëri të qartë që e gjejmë në Fjalën e Perëndisë.—Luka 22:19, 20.

Ç’të themi për përvjetorët e martesës? Në disa vende është e zakonshme që burri dhe gruaja t’i kushtojnë vëmendje përvjetorit të hyrjes së tyre në gjendjen martesore, një rregullim që e filloi Perëndia. (Zanafilla 2:18-24; Mateu 19:4-6) Sigurisht, Bibla nuk e vendos martesën në një dritë të keqe. Jezui ishte i pranishëm në një kremtim martese dhe i kontribuoi kënaqësisë së rastit.—Gjoni 2:1-11.

Prandaj, nuk do të ishte e çuditshme që një çift të rezervojë kohë në ditën e përvjetorit të martesës së tyre, për të medituar mbi gëzimin e rastit dhe mbi vendimin e tyre për të punuar që të kenë sukses si çift. U përket atyre të vendosin nëse do të përqendrohen mbi këtë rast të lumtur privatisht, vetëm si çift, apo me disa të afërm dhe miq të ngushtë. Ky rast nuk duhet të bëhet një justifikim për një grumbullim të madh shoqëror. Në këtë rast të krishterët do të duan të udhëhiqen nga parimet që zbatojnë çdo ditë në jetën e tyre. Prandaj, është një çështje personale nëse e kremtojmë apo jo përvjetorin e martesës.—Romakëve 13:13, 14.

Çfarë mund të themi për t’i kushtuar vëmendje të veçantë ditëlindjes? A kemi ndonjë tregues në Bibël rreth një përvjetori të tillë?

Mirë, në fillim të këtij shekulli, Studentët e Biblës, siç njiheshin atëherë Dëshmitarët e Jehovait, u kushtonin vëmendje ditëlindjeve. Shumë prej tyre mbanin libra të vegjël të quajtur Mana e përditshme qiellore. Këta libra përmbanin një shkrim biblik për çdo ditë dhe shumë të krishterë vendosnin një fotografi të vogël në faqet që u korrespondonin ditëlindjeve të Studentëve të tjerë të Biblës. Gjithashtu, Kulla e Rojës, 15 shkurt 1909, tregonte se në një kongres në Xheksonvill, Florida, SHBA, vëlla Russell, atëherë presidenti i Shoqatës, u shoqërua për në podium. Përse? Atij iu bë një dhuratë surprizë për ditëlindjen, me disa kuti me qitro, ananas dhe portokalle. Kjo na jep një imazh të së kaluarës. Për t’i vënë gjërat në kontekstin e duhur, kujtoni se gjatë asaj periudhe Studentët e Biblës përkujtonin edhe 25 dhjetorin si përvjetorin e lindjes së Jezuit ose ditëlindjen e tij. Madje ishte një zakon që të bëhej një darkë për Krishtlindje në Selinë Qendrore në Bruklinit.

Sigurisht, që nga ajo kohë populli i Perëndisë është rritur frymësisht në shumë aspekte. Në vitet 20, drita në rritje e së vërtetës u dha mundësi vëllezërve të kuptonin sa vijon:

Jezui nuk lindi në 25 dhjetor, një datë e lidhur me fenë pagane. Bibla na drejton të përkujtojmë datën e vdekjes së Jezuit, jo përvjetorin e lindjes së tij apo të lindjes së ndonjë tjetri. Bërja e kësaj është në përputhje me Predikuesin 7:1 dhe si përfundon jeta e një personi besnik është më e rëndësishme se dita e lindjes së tij. Bibla nuk na tregon për ndonjë shërbëtor besimplotë, i cili ka festuar ditëlindjen e tij. Ajo tregon festimet e ditëlindjeve të paganëve, duke i lidhur këto me akte mizore. Le të shohim sfondin e këtyre përvjetorëve të ditëlindjeve.

E para është ditëlindja e Faraonit në ditët e Jozefit. (Zanafilla 40:20-23) Në lidhje me këtë, artikulli mbi ditëlindjet në Encyclopædia of Religion and Ethics e Hastingsit, fillon me fjalët: «Zakoni i kremtimit të ditës së lindjes lidhet, në formën e vet, me llogaritjen e kohës dhe, në përmbajtjen e vet, me disa parime primitive fetare.» Pastaj kjo enciklopedi citon egjiptologjistin Sër J. Gardner Uilkinson, i cili shkroi: «Çdo egjiptian i jepte shumë rëndësi ditës, madje edhe orës, së lindjes së tij dhe ka të ngjarë që, ashtu si në Persi, çdo individ ta kremtonte ditëlindjen e tij me festime të mëdha, duke i mirëpritur miqtë e tij me të gjitha kënaqjet e shoqërisë dhe me një bollëk më shumë se të zakonshëm të gjellërave në tavolinë.»

Një ditëlindje tjetër e përmendur në Bibël është ajo e Herodit, në të cilën iu pre koka Gjon Pagëzorit. (Mateu 14:6-10) The International Standard Bible Encyclopedia (botimi i vitit 1979) siguron këtë mendjehollësi: «Grekët parahelenistikë kremtonin ditëlindjet e perëndive dhe të burrave të shquar. Fjala g[rek]e genéthlia përshkruante këto kremtime, kurse fjala genésia nënkuptonte një festim përkujtues të ditëlindjes së një individi të rëndësishëm të vdekur. Në 2. Mak[abenjve] 6:7, gjejmë referimet për një genéthlia mujore të Antiokut IV, gjatë së cilës judenjtë detyroheshin ‘të merrnin pjesë nga flijimet’. . . . Kur Herodi festoi ditëlindjen e tij, ai po vepronte në përputhje me zakonin helenistik. Nuk ka asnjë dëshmi për kremtimin e ditëlindjeve në Izrael në kohët parahelenistike.»

Duhet pranuar se të krishterët e vërtetë sot nuk janë tepër të shqetësuar për rrënjët dhe lidhjet e mundshme fetare të lashta të çdo praktike ose zakoni, por ata nuk janë as të prirur për të shpërfillur të dhënat e qarta që gjenden në Fjalën e Perëndisë. Kjo përfshin faktin se të vetmet festime të ditëlindjeve që janë regjistruar në Bibël janë të paganëve dhe lidhen me akte mizorie. Kështu, Shkrimet i vënë qartësisht festimet e ditëlindjeve në një dritë negative, një fakt që të krishterët e vërtetë nuk e shpërfillin.

Si rrjedhim, ndërkohë që është tërësisht një çështje personale nëse një i krishterë zgjedh t’i kushtojë vëmendje të veçantë përvjetorit të martesës, ekzistojnë arsye të vlefshme se përse të krishterët e pjekur heqin dorë nga festimi i ditëlindjeve.

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo