A falni siç fal Jehovai?
«Në qoftë se ju ua falni njerëzve gabimet e tyre, Ati juaj qiellor do t’jua falë edhe juve; por në qoftë se ju nuk ua falni njerëzve gabimet e tyre, as Ati juaj nuk do t’ua falë juve gabimet tuaja.»—MATEU 6:14, 15.
1, 2. Për çfarë Perëndie kemi nevojë dhe përse?
«ZOTI është i mëshirshëm dhe zemërbutë, i ngadalshëm në zemërim dhe i madh në mirësi. Ai nuk grindet përjetë dhe nuk e ruan zemërimin gjithnjë. Ai nuk na trajton siç e meritojnë mëkatet tona dhe nuk na dënon në bazë të fajeve tona. Sepse sa të lartë janë qiejtë mbi tokën, aq e madhe është mirësia e tij ndaj atyre që kanë frikë prej tij. Sa larg është lindja nga perëndimi, aq shumë ai ka larguar nga ne fajet tona. Ashtu si një baba është i mëshirshëm me bijtë e tij, kështu është i mëshirshëm Zoti me ata që kanë frikë prej tij. Sepse ai e njeh natyrën tonë dhe nuk harron që ne jemi pluhur.»—Psalmi 103:8-14.
2 Të ngjizur në mëkat dhe të dalë në dritë në gabim, me papërsosmëritë e trashëguara që gjithmonë përpiqen të na bëjnë rob të ligjeve të mëkatit, me dëshpërim kemi nevojë për një Perëndi, i cili «nuk harron që ne jemi pluhur». Treqind vjet pasi Davidi e përshkroi në mënyrë kaq të mrekullueshme Jehovain në Psalmin 103, një tjetër shkrimtar i Biblës, Mikea, e lartësoi këtë Perëndi në mënyrë po kaq të mrekullueshme për mëshirën me të cilën i fal mëkatet e kryera më parë. «Cili Perëndi është si ti, që fal paudhësinë dhe e kapërcen shkeljen e mbetjes së trashëgimisë së tij? Ai nuk e mban gjithnjë zemërimin e tij, sepse i pëlqen të jetë i mëshirshëm. Atij do t’i vijë përsëri keq për ne, do të shkelë paudhësitë tona, Ti do të hedhësh në fund të detit tërë mëkatet tona.»—Mikea 7:18, 19.
3. Ç’do të thotë të falësh?
3 Në Shkrimet Greke, folja e përkthyer «fal» do të thotë «heq nga mendja». Vëre se Davidi dhe Mikea, të përmendur më lart, e shprehin të njëjtin koncept me fjalë përshkruese dhe të këndshme. Për të çmuar plotësisht masën mahnitëse të faljes së Jehovait, le të shqyrtojmë disa nga shembujt e shumtë që tregojnë se si vepron ajo. I pari tregon se Jehovai mund të ndërrojë mendje dhe në vend që të shkatërrojë mund të falë.
Moisiu ndërhyn—Jehovai dëgjon
4. Pas cilave demonstrime të fuqisë së Jehovait, izraelitët kishin ende frikë për të hyrë në Tokën e Premtuar?
4 Jehovai e nxori kombin e Izraelit shëndoshë e mirë nga Egjipti dhe e çoi pranë tokës që u kishte premtuar atyre si atdhe. Por ata nuk pranuan të vazhdonin më tutje, nga frika e disa njerëzve të thjeshtë në Kanaan. Pasi kishin parë që Jehovai i liroi nga Egjipti me anë të dhjetë plagëve shkatërruese, hapi një rrugë kalimi mes për mes Detit të Kuq, shkatërroi ushtrinë egjiptase që u përpoq t’i ndiqte, hartoi me ta në Malin Sinai besëlidhjen e Ligjit, e cila i bënte ata kombin e zgjedhur të Jehovait dhe në mënyrë të mrekullueshme u siguroi atyre manën e përditshme nga qielli për t’i ushqyer dhe për t’i mbajtur gjallë, ata kishin frikë të hynin në Tokën e Premtuar për shkak të disa kanaanitëve me shtat vigan!—Numrat 14:1-4.
5. Si u përpoqën dy vëzhguesit besnikë t’i jepnin zemër Izraelit?
5 Moisiu dhe Aaroni shtangën para fytyrave të tmerruara të popullit. Josiu dhe Kalebi, dy vëzhguesit besnikë, u përpoqën t’i jepnin zemër Izraelit: ‘Vendi që kemi përshkuar për ta vëzhguar është një vend i mirë, shumë i mirë, një vend ku rrjedh qumësht dhe mjaltë. Mos kini frikë nga populli i vendit, Zoti është me ne.’ Në vend që të inkurajohej nga këto fjalë, populli i frikësuar dhe rebel u përpoq të vriste Josiun dhe Kalebin me gurë.—Numrat 14:5-10.
6, 7. (a) Çfarë vendosi të bënte Jehovai, kur Izraeli nuk deshi të marshonte për në Tokën e Premtuar? (b) Përse Moisiu e kundërshtoi gjykimin e Jehovait kundër Izraelit dhe me çfarë rezultati?
6 Jehovai u zemërua! «Pastaj Zoti i tha Moisiut: ‘Deri kur do të më përçmojë ky popull? Dhe deri kur do të refuzojnë të besojnë pas gjithë atyre mrekullive që kam bërë në mes tyre? Unë do ta godas me murtajë dhe do ta shkatërroj, por do të bëj prej teje një komb më të madh dhe më të fuqishëm se ai.’ Moisiu i tha Zotit: ‘Por do ta dëgjojnë Egjiptasit, nga mesi i të cilëve e ke ngritur këtë popull për fuqinë tënde dhe do t’ia bëjnë të ditur banorëve të këtij vendi. . . . Në se e bën këtë popull të vdesë si një njeri të vetëm, kombet që kanë dëgjuar namin tënd do të flasin, duke thënë: “Me qenë se Zoti nuk ka qenë i zoti ta futë këtë popull në vendin që ishte betuar t’i jepte, e vrau në shkretëtirë.”’»—Numrat 14:11-16.
7 Moisiu i kërkonte falje Jehovait për hir të emrit të tij: «Fale paudhësinë e këtij populli, me madhështinë e mëshirës sate, ashtu siç e ke falur këtë popull nga Egjipti deri këtu. Atëherë Zoti tha: ‘Unë fal, ashtu si kërkove ti.’»—Numrat 14:19, 20.
Idhujtaria e Manaseut dhe tradhtia bashkëshortore e Davidit
8. Çfarë reputacioni kishte bërë mbreti i Judës, Manaseu?
8 Një shembull i dukshëm i faljes së Jehovait është rasti i Manaseut, birit të mbretit Hezekia. Manaseu ishte 12 vjeç kur filloi të mbretëronte në Jeruzalem. Ai ndërtoi vende të larta, ngriti altare për Baalët, ngriti shtylla të shenjta, iu përul yjeve në qiell, praktikoi magjinë dhe shtrigërinë, bëri mediume frymore dhe vende për të treguar fatin, vuri një figurë të skalitur në tempullin e Jehovait dhe i kaloi bijtë e tij përmes zjarrit në Luginën Hinom. «Ai bëri plotësisht atë që është e keqe në sytë e Zotit» dhe «iu shmang Judës dhe banorëve të Jeruzalemit duke i shtyrë të vepronin më keq se kombet që Zoti kishte shkatërruar para bijve të Izraelit».—2. Kronikat 33:1-9.
9. Si u qetësua fytyra e Jehovait ndaj Manaseut dhe cili qe rezultati?
9 Përfundimisht, Jehovai bëri që asirianët të shkonin kundër Judës, të cilët e kapën rob Manaseun dhe e morën me vete në Babiloni: «Kur u gjend në hall, iu lut shumë Zotit, Perëndisë së tij, dhe u përul thellë përpara Perëndisë së etërve të tij. Pastaj iu fal dhe iu lut shumë dhe Perëndia e dëgjoi lutjen e tij dhe e çoi përsëri në Jeruzalem në mbretërinë e tij.» (2. Kronikat 33:11-13) Kështu, Manaseu hoqi perënditë e huaja, idhujt e altarët dhe i flaku jashtë qytetit. Filloi të bënte sakrifica në altarin e Jehovait dhe nxiti Judën t’i shërbente Perëndisë së vërtetë. Kjo ishte një shfaqje e mahnitshme e gatishmërisë së Jehovait për të falur kur përulësia, lutja dhe veprimet për të korrigjuar sjelljen e gabuar sjellin fryte të përshtatshme për pendim!—2. Kronikat 33:15, 16.
10. Si u përpoq Davidi ta mbulonte mëkatin e tij me gruan e Uriahut?
10 Mëkati i tradhtisë bashkëshortore i kryer nga mbreti David me të shoqen e hititit Uriah është i njohur mjaft mirë. Ai jo vetëm bëri tradhti bashkëshortore me të, por gjithashtu shpiku një skenë të stërholluar kur ajo mbeti shtatzënë. Mbreti i dha leje Uriahut për të lënë frontin e luftës e për t’u kthyer në shtëpi, duke shpresuar që të kthehej e të kishte marrëdhënie seksuale me të shoqen. Por, nga respekti për shokët e tij ushtarë në frontin e luftës, Uriahu nuk pranoi. Atëherë, Davidi e ftoi për të ngrënë dhe e dehu, por Uriahu përsëri nuk shkoi tek e shoqja. Prandaj, Davidi dërgoi një mesazh për gjeneralin e tij, që ta hidhte Uriahun në zjarrin e betejës e kështu të vritej, gjë që edhe ndodhi.—2. Samuelit 11:2-25.
11. Çfarë e ndihmoi Davidin që të pendohej për mëkatin e tij, e megjithatë çfarë vuajti ai?
11 Jehovai dërgoi tek Davidi profetin e tij, Natanin, për t’i treguar mbretit mëkatin. «Atëherë Davidi i tha Nathanit: ‘Kam mëkatuar kundër Zotit.’ Nathani iu përgjigj Davidit: ‘Zoti e ka hequr mëkatin tënd; ti nuk ke për të vdekur.’» (2. Samuelit 12:13) Davidi ndihej shumë fajtor për mëkatin e tij dhe e shprehu pendimin e tij në një lutje të sinqertë ndaj Jehovait: «Ti në fakt nuk ndjen ndonjë kënaqësi në flijim, përndryshe do ta ofroja, nuk të pëlqen as olokausti. Flijimet e Perëndisë janë frymë e thyer; o Perëndi, ti nuk e përçmon zemrën e thyer dhe të penduar.» (Psalmi 51:16, 17) Jehovai nuk e përbuzi lutjen e Davidit, të ofruar nga një zemër e thyer. Megjithatë, Davidi vuajti një dënim të ashpër, në përputhje me deklaratën e Jehovait mbi faljen, në Të Dalët 34:6, 7: «Nuk e lë të pandëshkuar fajtorin.»
Dedikimi i tempullit nga Solomoni
12. Çfarë kërkoi Solomoni në kohën e dedikimit të tempullit dhe si u përgjigj Jehovai?
12 Kur përfundoi ndërtimin e tempullit të Jehovait, Solomoni tha në lutjen e tij të dedikimit: «Dëgjo lutjet e shërbëtorit tënd dhe të popullit tënd të Izraelit kur do të luten të kthyer nga ky vend. Dëgjo nga vendi i banesës sate, nga qiejtë; dëgjo dhe fali.» Jehovai u përgjigj: «Kur do të mbyll qiellin dhe nuk do të ketë më shi, kur do të urdhëroj që karkalecat të gllabërojnë vendin, kur do t’i dërgoj murtajën popullit tim, në qoftë se populli im, i cili thirret me emrin tim, përulet, lutet, kërkon fytyrën time dhe kthehet prapa nga rrugët e këqija, unë do ta dëgjoj nga qielli, do t’i fal mëkatin dhe do ta shëroj vendin e tij.»—2. Kronikat 6:21; 7:13, 14.
13. Çfarë tregon Ezekieli 33:13-16 mbi mënyrën se si i shikon Jehovai njerëzit?
13 Kur Jehovai të sheh, ai të pranon ashtu si je tani, jo se si ke qenë. Është ashtu siç thotë Ezekieli 33:13-16: «Kur i them të drejtit që ke për të jetuar me siguri, në rast se ka besim në drejtësinë e vet dhe kryen paudhësinë, tërë veprimet e tij të drejta nuk do të kujtohen më, por ai do të vdesë për shkak të paudhësisë që ka kryer. Përkundrazi, kur i them të pabesit: ‘Ti me siguri do të vdesësh’, në rast se ai largohet nga mëkati i tij dhe kryen atë që është e ndershme dhe e drejtë, në rast se i pabesi kthen pengun, kthen atë që ka vjedhur dhe ecën sipas statuteve të jetës, pa kryer paudhësi, ai me siguri ka për të jetuar, nuk ka për të vdekur. Asnjë nga mëkatet e kryera prej tij nuk do të kujtohen kundër tij; ai ka bërë atë që është e ndershme dhe e drejtë dhe me siguri ka për të jetuar.»
14. Cila është një karakteristikë dalluese e faljes që jep Jehovai?
14 Falja që na siguron Perëndia Jehova ka një aspekt dallues, një të tillë që ne krijesat njerëzore e kemi të vështirë ta përfshijmë në faljet që i bëjmë njëri-tjetrit: ai edhe fal edhe harron. Disa njerëz mund të thonë: ‘Mund të ta fal atë që ke bërë, por nuk mund ta harroj.’ Në kontrast me këtë, vërej se çfarë ka thënë Jehovai se do të bëjë: «Unë do ta fal paudhësinë e tyre dhe nuk do ta kujtoj më mëkatin e tyre.»—Jeremia 31:34.
15. Ç’mund të themi për Jehovain, për sa i përket faljes së tij?
15 Prej mijëra vjetësh Jehovai i ka falur adhuruesit e tij mbi tokë. Ka falur mëkate për të cilat ata kanë qenë të vetëdijshëm, si edhe shumë për të cilët nuk kanë qenë të vetëdijshëm. Mëshira, shpirtmadhësia dhe falja e tij kanë qenë pa fund. Isaia 55:7 thotë: «I pabesi le ta lërë rrugën e tij dhe njeriu i padrejtë mendimet e tij, dhe le të kthehet tek Zoti që të ketë dhembshuri për të, tek Perëndia ynë që fal bujarisht.»
Falja në Shkrimet e Krishtere Greke
16. Përse mund të themi se praktikimi i faljes nga ana e Jezuit është në përputhje me atë të Jehovait?
16 Tregimet mbi faljen e Perëndisë janë me bollëk në Shkrimet e Krishtere Greke. Jezui foli shpesh mbi të, duke treguar se është në përputhje me mendjen e Jehovait mbi këtë çështje. Mendimet e Jezuit vijnë prej Jehovait, ai pasqyron Jehovain, ai është përfaqësuesi i saktë i vetë qenies së Jehovait; të shohësh atë, do të thotë të kesh parë Jehovain.—Gjoni 12:45-50; 14:9; Hebrenjve 1:3.
17. Si e ilustroi Jezui se Jehovai fal «në një masë të gjerë»?
17 Fakti që Jehovai fal në një masë të gjerë, është treguar në një ilustrim të Jezuit, që bën fjalë për një mbret që i fali skllavit një borxh prej 10.000 talentash (rreth 3.000.000.000 lekë). Po kur ky skllav nuk i fali një skllavi tjetër një borxh prej njëqind dinarësh (rreth 5.430 lekë), mbreti u nxeh. «‘Shërbëtor i lig, unë ta fala gjithë këtë detyrim, sepse m’u lute. A nuk duhej të kishe mëshirë edhe ti për shokun tënd, ashtu si pata mëshirë unë për ty?’ Dhe zotëria i tij, i zemëruar, ua dorëzoi torturuesve deri sa të paguante gjithë detyrimin.» Dhe atëherë Jezui bëri aplikimin: «Kështu do të veprojë me ju edhe Ati im qiellor, në qoftë se secili prej jush nuk e fal me gjithë zemër vëllanë e vet për fajet e tij.»—Mateu 18:23-35.
18. Si mund ta krahasojmë pikëpamjen e Pjetrit mbi faljen me atë të Jezuit?
18 Pak para se Jezui të jepte ilustrimin e mësipërm, Pjetri kishte vajtur te Jezui dhe e kishte pyetur: «Zot, në se vëllai im mëkaton kundër meje, sa herë duhet ta fal? Deri shtatë herë?» Pjetri mendonte se po tregohej shumë zemërgjerë. Ndërsa skribët dhe farisenjtë kishin vënë një kufi për faljen, Jezui i tha Pjetrit: «Unë nuk të them deri shtatë herë, por deri shtatëdhjetë herë shtatë.» (Mateu 18:21, 22) Shtatë herë zor se do të mjaftonin për një ditë, siç tha Jezui: «Kini kujdes veten tuaj! Në se yt vëlla mëkaton kundër teje, qortoje; dhe në se pendohet, fale. Edhe sikur të mëkatonte shtatë herë në ditë kundër teje, dhe shtatë herë në ditë do të kthehet te ti duke thënë: ‘Pendohem’, fale.» (Luka 17:3, 4) Kur fal, Jehovai nuk i mban në llogari mëkatet tona. Dhe shyqyr për ne!
19. Çfarë duhet të bëjmë për të marrë faljen e Jehovait?
19 Nëse kemi përulësinë për t’u penduar dhe për t’i rrëfyer mëkatet tona, Jehovai pranon të na mbështesë: «Po t’i rrëfejmë mëkatet tona, ai është besnik dhe i drejtë që të na falë mëkatet dhe të na pastrojë nga çdo paudhësi.»—1. Gjonit 1:9.
20. Në ç’mënyrë Stefani u tregua i gatshëm për të falur?
20 Dishepulli i Jezuit, Stefani, me një frymë të jashtëzakonshme faljeje, bërtiti kur një turmë e zemëruar po e qëllonte me gurë: «‘O Zoti Jezus, pranoje frymën time!’ Atëherë ra në gjunjë dhe bërtiti me zë të lartë: ‘O Zot, mos ua ngarko atyre këtë mëkat!’ Dhe, si tha këtë, fjeti.»—Veprat 7:59, 60.
21. Përse ishte aq e shkëlqyer gatishmëria e Jezuit për të falur ushtarët romakë?
21 Jezui dha një shembull akoma më të shkëlqyer në gatishmërinë për të falur. Armiqtë e tij e arrestuan, e munduan në mënyrë të paligjshme, e dënuan, e tallën, e pështynë, e rrahën me një kamzhik që kishte shumë rripa, të cilët ka mundësi të kenë pasur copa kockash dhe metalesh të ngulura dhe më në fund e lanë të gozhduar në një shtyllë për orë të tëra. Në pjesën më të madhe, në këto gjëra ishin përfshirë romakët. Megjithatë, ndërsa po vdiste mbi atë shtyllë mundimesh, Jezui i tha Atit të tij qiellor për ushtarët që e kishin vënë në shtyllë: «O Atë, fali ata sepse nuk dinë ç’bëjnë.»—Luka 23:34.
22. Cilat fjalë nga Predikimi në Mal duhet të përpiqemi t’i zbatojmë?
22 Në Predikimin e tij në Mal, Jezui kishte thënë: «Duani armiqtë tuaj, bekoni ata që ju mallkojnë.» Në fund të shërbimit të tij mbi tokë, ai vetë iu bind këtij parimi. Mos vallë kjo gjë kërkon shumë prej nesh, që luftojmë me dobësitë e trupit tonë të rënë? Të paktën, ne duhet të përpiqemi të zbatojmë fjalët që Jezui u mësoi ithtarëve të vet, pasi u dha lutjen model: «Sepse në qoftë se ju ua falni njerëzve gabimet e tyre, Ati juaj qiellor do t’jua falë edhe juve; por në qoftë se ju nuk ua falni njerëzve gabimet e tyre, as Ati juaj nuk do t’ua falë juve gabimet tuaja.» (Mateu 5:44; 6:14, 15) Nëse falim siç fal Jehovai, atëherë do të falim e do të harrojmë.
A të kujtohet?
◻ Si sillet Jehovai me mëkatet tona dhe përse?
◻ Përse Manaseu u rivendos në mbretërinë e tij?
◻ Cili aspekt dallues i faljes së Jehovait përbën një sfidë për t’u imituar nga njerëzit?
◻ Përse gatishmëria e Jezuit për të falur ishte aq e shkëlqyer?
[Figura në faqen 24]
Natani e ndihmoi Davidin për të parë nevojën e faljes nga Perëndia