BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w98 15/3 f. 3-9
  • Të rijetojmë ditët e fundit të Jezuit në tokë

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Të rijetojmë ditët e fundit të Jezuit në tokë
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1998
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • 9 nisan
  • 10 nisan
  • 11 nisan
  • 12 dhe 13 nisan
  • 14 nisan, pas perëndimit të diellit
  • Jeta e Jezuit dhe ti
  • «Ora ka ardhur!»
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2000
  • Dita e fundit e jetës së Jezuit si njeri
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1999
  • Afrohet Festa e Kalimit—E fundit për Jezuin
    Jezui: Udha, e vërteta dhe jeta
  • Pashka e fundit e Jezuit është afër
    Njeriu më i madh që ka jetuar ndonjëherë
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1998
w98 15/3 f. 3-9

Të rijetojmë ditët e fundit të Jezuit në tokë

ËSHTË dita e shtatë e muajit hebraik të nisanit, në vitin 33 të e.s. Përfytyro sikur je duke vëzhguar ngjarjet në provincën romake të Judesë. Duke lënë Jerikonë dhe gjethnajën e saj të harlisur, Jezu Krishti dhe dishepujt e tij po çapiten nëpër një rrugë gjarpëruese dhe tërë pluhur. Shumë udhëtarë të tjerë po ngjiten, gjithashtu, drejt Jerusalemit, për kremtimin vjetor të Pashkës. Megjithatë, në mendjen e dishepujve të Krishtit ka diçka më shumë se kjo ngjitje e lodhshme.

Hebrenjtë kanë dëshiruar fort një Mesi, që mund t’u sjellë çlirimin prej zgjedhës romake. Shumë besojnë se ky Shpëtimtar i shumëpritur është Jezui nga Nazareti. Për tre vjet e gjysmë, ai ka folur rreth Mbretërisë së Perëndisë. Ai ka shëruar të sëmurët dhe ka ushqyer të uriturit. Po, ai u ka sjellë ngushëllim njerëzve. Por udhëheqësit fetarë janë të nxehur nga denoncimi therrës që u ka bërë Jezui dhe janë të vendosur që të shkaktojnë vdekjen e tij. Megjithatë, ja tek ndodhet, në krye të dishepujve të tij duke ngjitur me vendosmëri e me hapa të mëdhenj rrugën e zhuritur.—Marku 10:32.

Ndërsa përpara tyre dielli zhytet prapa Malit të Ullinjve, Jezui dhe shokët e tij mbërrijnë në fshatin e Betanisë, ku do të kalojnë gjashtë netët e tjera. Atje, për t’i mikpritur, ndodhen miqtë e tyre të dashur: Lazari, Maria dhe Marta. Mbrëmja u jep një lehtësim freskues nga udhëtimi përvëlues dhe shënon fillimin e sabatit të 8 nisanit.—Gjoni 12:1, 2.

9 nisan

Pas sabatit, Jerusalemi gumëzhin nga aktiviteti. Me mijëra vizitorë janë mbledhur tashmë në qytet për Pashkën. Por rrëmuja e zhurmshme që dëgjojmë është më shumë sesa ajo e zakonshmja për këtë periudhë të vitit. Turmat kureshtare po shtyhen nëpër rrugët e ngushta, drejt portave të qytetit. Ç’pamje i përshëndet ata, ndërsa çajnë rrugën për të dalë nga portat plot e përplot me njerëz! Shumë njerëz të ngazëlluar po zbresin Malin e Ullinjve në rrugën prej Betfagës. (Luka 19:37) Cila është domethënia e gjithë kësaj?

Pa shiko! Jezui i Nazaretit vjen i hipur mbi kërriçin e një gomari. Në rrugën përpara tij, njerëzit shtrojnë veshjet e tyre. Të tjerë valëvitin degë palme të sapoprera dhe me gëzim bërtasin: «Bekuar ai që vjen në emër të Jehovait, po, mbreti i Izraelit!»—Gjoni 12:12-15, BR.

Ndërsa turma i afrohet Jerusalemit, Jezui shikon qytetin dhe preket thellë. Ai fillon të derdhë lot dhe ne e dëgjojmë tek parathotë se ky qytet do të shkatërrohet. Kur pak më vonë mbërrin në tempull, Jezui i mëson turmat, si dhe shëron njerëzit e verbër e sakatë, që shkojnë tek ai.—Mateu 21:14; Luka 19:41-44, 47.

Kjo gjë nuk kalon pa u vënë re nga krerët e priftërinjve dhe nga skribët. Sa acarohen ata tek shohin gjërat e mrekullueshme që bën Jezui dhe ngazëllimin e turmave! Duke mos qenë në gjendje ta fshehin indinjatën e tyre, farisenjtë i kërkojnë prerazi: «Mësues, qorto dishepujt e tu!» «Unë po ju them,—përgjigjet Jezui,—se nëse këta do të heshtnin, gurët do të bërtitnin.» Përpara se të nisej, Jezui vëren aktivitetet tregtare në tempull.—Luka 19:39, 40; Mateu 21:15, 16; Marku 11:11.

10 nisan

Jezui mbërrin herët në tempull. Dje, ai nuk mundi të mos ndizej nga zemërimi për kthimin flagrant në mall tregu të adhurimit të Atit të tij, Perëndisë Jehova. Prandaj, me një zell të madh, ai fillon të flakë jashtë ata që blejnë dhe shesin në tempull. Pastaj përmbys tavolinat e këmbyesve lakmitarë të parave dhe stolat e atyre që shesin pëllumba. Jezui thërret: «Është shkruar: ‘Shtëpia ime do të quhet shtëpi lutjeje’, por ju e keni kthyer në një shpellë kusarësh.»—Mateu 21:12, 13.

Kryepriftërinjtë, skribët dhe paria nuk mund t’i durojnë veprimet dhe mësimin publik të Jezuit. Sa të dëshiruar janë ta vrasin! Por stepen nga turma, sepse njerëzit kanë mbetur me gojë hapur nga mësimi i Jezuit dhe vazhdojnë ‘ta dëgjojnë me vëmendje të madhe’. (Luka 19:47, 48) Ndërsa afrohet mbrëmja, Jezui dhe shokët e tij gëzojnë kthimin e këndshëm drejt Betanisë, për të kaluar një pushim të mirë natën.

11 nisan

Është mëngjes herët dhe Jezui me dishepujt e tij janë tashmë në rrugë, duke kaluar nëpër Malin e Ullinjve për në Jerusalem. Sapo mbërrijnë në tempull, krerët e priftërinjve dhe pleqtë nuk vonojnë t’i dalin përpara Jezuit. Në mendjen e tyre është i freskët veprimi i tij kundër këmbyesve të parave dhe tregtarëve në tempull. Plot vrer, armiqtë e tij e pyesin: «Me ç’pushtet i bën ti këto gjëra? Dhe kush ta ka dhënë këtë pushtet?» «Edhe unë do t’ju bëj një pyetje,—ua kthen Jezui,—dhe në qoftë se ju do të më përgjigjeni, unë, gjithashtu, do t’ju them me ç’pushtet i bëj këto gjëra. Pagëzimi i Gjonit, nga erdhi? Nga qielli apo nga njerëzit?» Të mbledhur së bashku, kundërshtarët arsyetojnë: «Po t’i themi nga qielli, do të na thotë: ‘Përse atëherë nuk i besuat?’ Në qoftë se i themi nga njerëzit, kemi frikë nga turma, sepse të gjithë e konsiderojnë Gjonin profet.» Pa ditur ç’të thonë, ata përgjigjen me zë të mekur: «Nuk e dimë.» Me qetësi, Jezui përgjigjet: «As unë nuk do t’jua them me ç’pushtet i bëj këto gjëra.»—Mateu 21:23-27.

Tani, armiqtë e Jezuit përpiqen ta zënë në gabim në ndonjë thënie, për të cilën mund të arrestohet. «A është e ligjshme,—pyesin ata,—t’i paguhet taksa Cezarit, apo jo?» «Më tregoni monedhën e taksës»,—u kundërpërgjigjet Jezui. Ai pyet: «E kujt është kjo fytyrë dhe ky mbishkrim?» «E Cezarit»,—thonë ata. Duke i hutuar, Jezui deklaron qartë, që të dëgjojnë të gjithë: «Jepini, pra, Cezarit atë që i përket Cezarit dhe Perëndisë atë që i përket Perëndisë.»—Mateu 22:15-22.

Pasi i ka bërë armiqtë e vet të heshtin me një argumentim të pakundërshtueshëm, tani Jezui hidhet në ofensivë para turmave dhe dishepujve të tij. Dëgjoje tek denoncon fare pa frikë skribët dhe farisenjtë: «Mos bëni si bëjnë ata,—thotë ai,—sepse thonë, por nuk e bëjnë.» Me guxim, ai deklaron një sërë mjerimesh mbi ta, duke i identifikuar si udhëheqës të verbër dhe hipokritë. «O gjarpërinj, o pjellë nepërkash!—thotë Jezui.—Si do t’i shpëtoni gjykimit të Gehenës?»—Mateu 23:1-33.

Këto denoncime fshikulluese nuk do të thonë se Jezui është i verbër para cilësive të mira të të tjerëve. Më vonë, ai i sheh njerëzit të hedhin para në arkat e thesarit të tempullit. Sa prekëse është të shohësh një të ve nevojtare të hedhë të gjithë atë që ka për të jetuar: dy monedha të vogla, që kanë një vlerë shumë të vogël. Me çmueshmëri të ngrohtë, Jezui nxjerr në pah se në fakt, ajo ka hedhur shumë më tepër se të gjithë ata që bënë kontribute të jashtëzakonshme «nga tepricat e pasurisë së tyre». Me dhembshurinë e tij të butë, Jezui çmon thellë çfarëdo që një person është në gjendje të bëjë.—Luka 21:1-4.

Tani Jezui po largohet për herë të fundit nga tempulli. Disa prej dishepujve të tij, flasin për madhështinë e këtij tempulli, që është «i stolisur me gurë të bukur dhe me oferta». Për habinë e tyre, Jezui përgjigjet: «Nga të gjitha këto gjëra që ju admironi, do të vijnë ditët kur nuk do të mbetet gur mbi gur pa u rrënuar.» (Luka 21:5, 6) Ndërsa apostujt ndjekin Jezuin jashtë qytetit të mbushur me njerëz, ata pyesin veten se çfarë mund të ketë dashur të thotë ai me këtë.

E pra, pak më vonë, Jezui dhe apostujt e tij ulen e gëzojnë paqen dhe qetësinë e Malit të Ullinjve. Ndërsa soditin pamjen e mrekullueshme të Jerusalemit dhe tempullin, Pjetri, Jakovi, Gjoni dhe Andrea, kërkojnë sqarimin e asaj gjëje tronditëse që paratha Jezui. «Na trego,—thonë ata,—kur do të ndodhin këto gjëra dhe cila do të jetë shenja e pranisë sate dhe e përfundimit të sistemit të gjërave?»—Mateu 24:3; Marku 13:3, 4, BR.

Në përgjigje, Mësuesi Mjeshtër jep një profeci vërtet të jashtëzakonshme. Ai parathotë luftëra të egra, tërmete, mungesë ushqimi dhe murtaja. Jezui parathotë, gjithashtu, se lajmi i mirë i Mbretërisë do të predikohet në mbarë tokën. «Atëherë,—paralajmëron ai,—do të ketë një mundim aq të madh, sa nuk ka ndodhur kurrë që nga krijimi i botës e deri më sot dhe as nuk do të ketë më kurrë.»—Mateu 24:7, 14, 21; Luka 21:10, 11.

Katër apostujt dëgjojnë me vëmendje, ndërsa Jezui flet për aspekte të tjera të ‘shenjës së pranisë së tij’. Ai thekson nevojën për të ‘qëndruar zgjuar’. Pse? «Sepse,—thotë ai,—nuk e dini në cilën ditë do të vijë Zotëria juaj.»—Mateu 24:42; Marku 13:33, 35, 37, BR.

Për Jezuin dhe apostujt e tij, kjo ka qenë një ditë e paharrueshme. Në fakt, ajo është dita e fundit e shërbimit publik të Jezuit përpara arrestimit, procesit gjyqësor dhe ekzekutimit të tij. Meqenëse po bëhet vonë, ata fillojnë të kthehen për në Betani nga rruga e shkurtër nëpër kodër.

12 dhe 13 nisan

Bashkë me dishepujt e tij, Jezui e kalon qetë 12 nisanin. Ai e kupton se udhëheqësit fetarë duan ta vrasin medoemos dhe nuk do që ata t’ia pengojnë kremtimin e Pashkës mbrëmjen tjetër. (Marku 14:1, 2) Ditën tjetër, më 13 nisan, njerëzit janë të zënë me bërjen e rregullimeve të fundit për Pashkën. Nga fillimi i pasdites, Jezui dërgon Pjetrin dhe Gjonin që të përgatitin Pashkën për ta, në një dhomë të sipërme në Jerusalem. (Marku 14:12-16; Luka 22:8) Pak para perëndimit të diellit, Jezui dhe dhjetë apostujt e tjerë i takojnë ata atje, për kremtimin e Pashkëve për herë të fundit.

14 nisan, pas perëndimit të diellit

Jerusalemi është veshur nga drita e butë e mugëtirës, ndërsa hëna e plotë ngrihet mbi Malin e Ullinjve. Në një dhomë të madhe me orendi, Jezui dhe të 12-ët po shtrohen rreth një tryeze të përgatitur. «Kam pasur dëshirë të madhe ta ha këtë Pashkë bashkë me ju, para se të vuaj»,—thotë ai. (Luka 22:14, 15) Pas pak, apostujt habiten tek shohin Jezuin të ngrihet dhe të vërë mënjanë veshjen e tij të sipërme. Pasi ka marrë një peshqir dhe një legen me ujë, ai fillon t’u lajë këmbët. Ç’mësim i paharrueshëm mbi shërbimin e përulur!—Gjoni 13:2-15.

Megjithatë, Jezui e di se një prej këtyre burrave, Juda Iskarioti, ka marrë tashmë masat për ta tradhtuar tek udhëheqësit fetarë. Kuptohet që ai shqetësohet shumë: «Një nga ju do të më tradhtojë»,—thotë hapur ai. Apostujt hidhërohen shumë për këtë. (Mateu 26:21, 22) Pasi kremton Pashkën, Jezui i thotë Judës: «Ç’ke për të bërë, bëje shpejt!»—Gjoni 13:27.

Sapo del Juda, Jezui fillon vaktin e të ngrënit, për të përkujtuar vdekjen e tij shumë të afërt. Ai merr një copë buke pa maja, shpreh falënderimet e tij në lutje, e thyen dhe i udhëzon të 11-ët të marrin prej saj. «Kjo do të thotë trupi im,—thotë ai,—i cili duhet dhënë në dobinë tuaj. Vazhdoni ta bëni këtë në kujtimin tim.» Pastaj merr një kupë me verë të kuqe. Pasi thotë një bekim, ua kalon kupën atyre, duke u thënë të pinë prej saj. Jezui shton: «Kjo do të thotë ‘gjaku im i besëlidhjes’, i cili duhet derdhur në dobi të shumë vetave, për falje mëkatesh.»—Luka 22:19, 20; Mateu 26:26-28, BR.

Gjatë kësaj mbrëmjeje shumë të rëndësishme, Jezui u mëson apostujve të tij të besueshëm shumë mësime të vlefshme dhe mes tyre edhe rëndësinë e dashurisë vëllazërore. (Gjoni 13:34, 35) Ai i siguron ata se do të marrin një «ndihmës», frymën e shenjtë. Ky ndihmës do t’u sjellë ndër mend të gjitha gjërat që ua ka thënë ai. (Gjoni 14:26) Në mbrëmje vonë, ata duhet të jenë shumë të inkurajuar tek dëgjojnë Jezuin të bëjë një lutje të zjarrtë për ta. (Gjoni, kapitulli 17) Pasi këndojnë disa këngë lavdie, ata largohen nga dhoma e sipërme dhe ndjekin Jezuin jashtë, në ajrin e freskët të natës së vonë.

Pasi përshkojnë Luginën Kidron, Jezui dhe apostujt e tij drejtohen për tek njëri prej vendeve të tyre të preferuara, kopshti i Getsemanisë. (Gjoni 18:1, 2) Ndërsa apostujt e tij presin, Jezui largohet pak më tutje për t’u lutur. Stresi i tij emocional është më i madh se ç’mund ta përshkruajnë fjalët, ndërsa duke u lutur me gjithë fuqinë i kërkon ndihmë Perëndisë. (Luka 22:44) Pikërisht mendimi i sharjes që do të hidhet mbi Atin e tij të shtrenjtë qiellor nëse ai dështon, e mundon sa s’ka ku të shkojë më.

Jezui sapo kishte mbaruar së luturi, kur Juda Iskarioti mbërrin me një turmë që mban shpata, topuzë dhe pishtarë. «Tungjatjeta, mësues!»—thotë Juda, duke e puthur me butësi Jezuin. Kjo është shenja, që njerëzit të arrestojnë Jezuin. Në çast, Pjetri godet me shpatën e tij dhe i heq njërin vesh skllavit të kryepriftit. «Ktheje shpatën në vendin e vet,—thotë Jezui, ndërsa shëron veshin e atij njeriu,—sepse të gjithë ata që rrokin shpatën, prej shpate do të vdesin.»—Mateu 26:47-52.

Çdo gjë ndodh kaq shpejt! Jezui është i arrestuar dhe në pranga. Me frikë dhe rrëmujë, apostujt e braktisin Mjeshtrin e tyre dhe ikin. Jezuin e kanë çuar tek Ana, ish-kryeprifti. Pastaj e çojnë te Kajafa, kryeprifti i tanishëm, për ta sprovuar. Në orët e para të mëngjesit, Sinedri akuzon në mënyrë të rreme Jezuin për blasfemi. Më pas, Kajafa bën që atë ta çojnë te guvernatori romak, Ponc Pilati. Ai e dërgoi Jezuin te Herod Antipa, sundimtari i Galilesë. Herodi dhe rojet e tij tallen me Jezuin. Pastaj, e dërgojnë përsëri te Pilati. Pafajësia e Jezuit vërtetohet nga Pilati. Por udhëheqësit fetarë judenj e shtyjnë ta dënojë me vdekje atë. Pas një abuzimi të konsiderueshëm gojor dhe fizik, Jezuin e çojnë në Golgotha, ku pa mëshirë e gozhdojnë në një shtyllë mundimi dhe vuan një vdekje agonike.—Marku 14:50–15:39; Luka 23:4-25.

Do të kishte qenë tragjedia më e madhe në histori, nëse vdekja e Jezuit do t’i kishte sjellë një fund të përhershëm jetës së tij. Lumturisht, nuk ndodhi kështu. Më 16 nisan të vitit 33 të e.s., dishepujt e tij mbetën të çuditur kur vunë re se ai ishte ringjallur së vdekuri. Me kalimin e kohës, më shumë se 500 njerëz patën mundësinë të vërtetonin se Jezui qe përsëri gjallë. Gjithashtu, 40 ditë pas ringjalljes së tij, një grup ithtarësh besimplotë e pa të ngjitej në qiell.—Veprat 1:9-11; 1. Korintasve 15:3-8.

Jeta e Jezuit dhe ti

Si ndikon kjo tek ty, në të vërtetë, tek të gjithë ne? E pra, shërbimi, vdekja dhe ringjallja e Jezuit, lartësojnë Perëndinë Jehova dhe janë momente kritike në realizimin e qëllimit të Tij të madh. (Kolosianëve 1:18-20) Për ne ato kanë një rëndësi jetësore, për faktin se mund të na falen mëkatet mbi bazën e flijimit të Jezuit dhe kështu mund të kemi një marrëdhënie personale me Perëndinë Jehova.—Gjoni 14:6; 1. Gjonit 2:1, 2.

Ajo ndikon edhe te personat e vdekur. Ringjallja e Jezuit hap rrugën për t’i kthyer ata në jetë, në parajsën tokësore të premtuar nga Perëndia. (Luka 23:39-43; 1. Korintasve 15:20-22) Nëse dëshiron të dish më shumë rreth këtyre gjërave, të ftojmë të jesh i pranishëm në Përkujtimin e vdekjes së Krishtit, më 11 prill 1998, në një Sallë Mbretërie të Dëshmitarëve të Jehovait në zonën tënde.

[Kutia në faqen 6]

«Një shpellë kusarësh»

JEZUI pati arsye të mjaftueshme për të thënë se tregtarët lakmitarë e kishin kthyer tempullin e Perëndisë në «një shpellë kusarësh». (Mateu 21:12, 13) Për të paguar taksën e tempullit, hebrenjve dhe prozelitëve nga vendet e tjera u duhej t’i këmbenin paratë e tyre të huaja me para të vendit. Në librin e tij Jeta dhe periudhat e kohës së Jezu Mesisë, Alfred Edersheim shpjegon se këmbyesit e parave e kishin zakon ta nisnin biznesin e tyre nëpër provinca më 15 adar, një muaj para Pashkës. Duke filluar nga 25 adari, ata shkonin në zonën e tempullit në Jerusalem, për të përfituar nga vërshimi i tmerrshëm i hebrenjve dhe i prozelitëve. Tregtarët bënin një biznes që u ecte, duke caktuar një çmim për çdo pjesë të këmbyer parash. Referimi që Jezui u bëri atyre si kusarë, jep idenë se çmimet e tyre ishin kaq të tepruara saqë, në fakt, ata po zhvatnin para nga të varfërit.

Disa mund të mos sillnin kafshët e veta për flijim. Kushdo që e sillte, duhej ta çonte për ekzaminim kafshën te një inspektor në tempull, përkundrejt një çmimi. Duke mos dashur të rrezikonin që t’ua hidhnin kafshën, pasi ta kishin sjellë nga një rrugë e largët, shumë blinin një kafshë «të miratuar» në mënyrë levitike, nga tregtarët e korruptuar në tempull. «Atje zhvateshin fare mirë shumë fshatarë të varfër»,—thotë një studiues.

Ekzistojnë dëshmi se ish-kryeprifti Ana dhe familja e tij kishin interes të madh te tregtarët e tempullit. Shkrimet rabinike flasin për «pazaret e [tempullit] të bijve të Anës». Të ardhurat nga këmbyesit e parave dhe nga shitja e kafshëve brenda territorit të tempullit, ishte një prej burimeve kryesore të të ardhurave të tyre. Një studiues thotë se veprimi i Jezuit për përzënien e tregtarëve «ishte i drejtuar jo vetëm kundër prestigjit të priftërinjve, por edhe kundër xhepave të tyre». Sidoqoftë, armiqtë e tij donin ta hiqnin qafe patjetër!—Luka 19:45-48.

[Tabela në faqen 4]

Ditët e fundit të jetës njerëzore të Jezuit

33 nisan e.s. Ngjarjet Njeriu më i madh*

7 E premte Jezui dhe dishepujt e tij 101, par. 1

udhëtojnë nga Jeriko për

në Jerusalem (7 nisani përkon

me të dielën, 5 prill 1998,

megjithëse ditët hebraike janë

nga një mbrëmje në tjetrën)

8 E premte në mbrëmje Jezui dhe dishepujt e tij

mbërrijnë në Betani; fillon sabati 101,

par. 2-4

E shtunë Sabati (E hënë, 6 prill 1998) 101, par.4

9 E shtunë në mbrëmje E ngrëna me Simon lebrozin;

Maria lyen Jezuin me vaj nardi; 101,

par. 5-9

shumë veta vijnë nga Jerusalemi

për të parë dhe për të dëgjuar

Jezuin

E diel Hyrja triumfale në Jerusalem;

mëson në tempull 102

10 E hënë Udhëtimi i parë në Jerusalem; 103, 104

pastron tempullin; Jehovai flet

nga qielli

11 E martë Në Jerusalem, mëson në tempull, 105 deri duke përdorur ilustrime; dënon 112,par. 1

farisenjtë; vëren kontributin e

së vesë; jep shenjën e pranisë

së tij të ardhshme

12 E mërkurë Ditë e qetë me dishepujt në 112,

Betani; Juda organizon tradhtinë par. 2-4

13 E enjte Pjetri dhe Gjoni përgatiten 112,

për Pashkën në Jerusalem; Jezui par. 5 dhe dhjetë apostujt e tjerë deri 113,

shkojnë më pas, pasdite vonë par. 1

(E shtunë, 11 prill 1998)

14 E enjte në mbrëmje Kremtimi i Pashkës; Jezui lan 113,

këmbët e apostujve; Juda del par. 2

jashtë për të tradhtuar Jezuin; deri 117

Krishti themelon Përkujtimin e

vdekjes së tij (Pas perëndimit të

diellit, e shtunë, 11 prill 1998)

Pas mesnate Tradhtia dhe arrestimi në 118 deri

kopshtin e Gjetsemanisë; apostujt 120

ikin; gjykimi para krerëve të

priftërinjve dhe Sinedrit; Pjetri

mohon Jezuin

E premte, nga lindja Përsëri para Sinedrit; te 121 deri

Pilati, pastaj te Herodi, përsëri 127,

te deri në perëndim Pilati; par. 7

i dënuar me vdekje; i vënë në

shtyllë; i varrosur

15 E shtunë Sabat; Pilati lejon të vihen roje 127, par.

për varrin e Jezuit 8-10

16 E diel Jezui i ringjallur 128

* Këtu janë renditur numra, të cilët tregojnë kapitujt në librin Njeriu më i madh që ka jetuar ndonjëherë. Për një pasqyrë që përmban referime të hollësishme biblike mbi shërbimin përfundimtar të Jezuit, shiko «I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm», faqe 290, anglisht. Këta libra janë botuar nga Shoqata Watchtower Bible and Tract of New York, Inc.

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo