-
Çfarë është Mbretëria e Perëndisë?Kulla e Rojës—2011 | 1 Mars
-
-
Çfarë është Mbretëria e Perëndisë?
«Ky lajm i mirë për mbretërinë . . .»—MATEU 24:14.
NË PREDIKIMIN e famshëm në Mal, Jezui tha një lutje model që përfshin këtë kërkesë drejtuar Perëndisë: «Ardhtë mbretëria jote.» Miliona veta e kanë mësuar përmendsh këtë lutje dhe e kanë përsëritur shpesh. Sipas një enciklopedie, ajo është «lutja kryesore që e bëjnë të gjithë të krishterët në adhurimin e tyre». Por, shumë nga ata që e thonë përmendsh, nuk e dinë se çfarë është Mbretëria ose çfarë do të bëjë ajo kur të vijë.—Mateu 6:9, 10.
Kjo nuk është befasuese. Krerët e të ashtuquajturit krishterim japin shpjegime kontradiktore, pështjelluese e të ndërlikuara se çfarë është Mbretëria. Dikush shkruan se Mbretëria e Perëndisë është «diçka e mbinatyrshme, . . . një lidhje e brendshme me Perëndinë e gjallë . . . , diçka që e përjetojnë me Perëndinë, tek e cila burrat dhe gratë gjejnë shpëtim». Dikush tjetër e përshkruan ungjillin për Mbretërinë si «mësim rreth kishës». Dhe Katekizmi i Kishës Katolike thotë: «Mbretëria e Perëndisë [është] drejtësi, paqe dhe gëzim në Frymën e Shenjtë.»
Në faqen 2 të kësaj reviste do të gjeni një shpjegim shumë më të qartë. Aty lexojmë: «Mbretëria e Perëndisë, e cila është një qeveri reale në qiell, së shpejti do t’i japë fund ligësisë dhe do ta kthejë tokën në një parajsë.» Le ta shohim se si Bibla e mbështet këtë kuptueshmëri.
Sundimtarët e ardhshëm të tokës mbarë
Një mbretëri është një qeveri që drejtohet nga një mbret. Mbreti i Mbretërisë së Perëndisë është Jezu Krishti i ringjallur. Kurorëzimi i tij në qiell iu përshkrua në një vegim profetit Daniel, që shkroi: «Pashë në vegimet e natës dikë si një bir njeriu [Jezuin], i cili po vinte me retë e qiejve. Atij iu lejua të hynte tek i Lashti i Ditëve [Perëndia Jehova] dhe e afruan pranë, pikërisht përpara Tij. Atij iu dha sundim, lavdi dhe mbretëri, që t’i shërbenin gjithë popujt, kombet dhe gjuhët. Sundimi i tij do të zgjatë përgjithmonë dhe nuk do të kalojë, dhe mbretëria e tij nuk do të shkatërrohet.»—Danieli 7:13, 14.
Libri biblik i Danielit tregon edhe se Mbretëria do të themelohet patundshmërisht nga Perëndia, se do t’u japë fund të gjitha qeverive njerëzore dhe se nuk do të rrëzohet kurrë. Kapitulli 2 përshkruan një ëndërr të mbretit të Babilonisë që i ishte dhënë në mënyrë hyjnore. Në të ai pa një statujë tejet të madhe, që përfaqësonte ardhjen njëra pas tjetrës të fuqive botërore. Profeti Daniel e shpjegoi atë ëndërr. Ai shkroi se «në ditët e fundit» «Perëndia i qiellit do të vendosë një mbretëri që nuk do të shkatërrohet kurrë. Kjo mbretëri nuk do t’i kalojë asnjë populli tjetër. Ajo do të thërrmojë dhe do t’u japë fund të gjitha këtyre mbretërive, dhe vetë do të qëndrojë përgjithmonë».—Danieli 2:28, 44.
Mbreti i Mbretërisë së Perëndisë nuk sundon i vetëm. Gjatë shërbimit në tokë, Jezui i siguroi apostujt besnikë se ata, bashkë me të tjerë, do të ringjalleshin në qiell e do të uleshin në frone. (Luka 22:28-30) Jezui nuk e kishte fjalën për frone të mirëfillta, pasi, siç tregoi, Mbretëria do të ishte në qiej. Bibla thotë se këta bashkësundimtarë vijnë «nga çdo fis, gjuhë, popull dhe komb». Do të jenë «një mbretëri dhe priftërinj për Perëndinë tonë, dhe ata do të mbretërojnë mbi tokën».—Zbulesa 5:9, 10.
Pse është i mirë lajmi për Mbretërinë?
Vini re se Krishtit Jezu i është dhënë sundimi mbi të gjithë «popujt, kombet dhe gjuhët» dhe se ata që e shoqërojnë, do të «mbretërojnë mbi tokën». Po atëherë, cilët do të jenë nënshtetasit e kësaj Mbretërie? Ata që i përgjigjen pozitivisht lajmit të mirë që po predikohet sot. Te nënshtetasit përfshihen edhe ata që do të ringjallen në tokë dhe që do të kenë mundësinë për të jetuar përgjithmonë.
Bibla i përshkruan qartë bekimet që do të gëzojnë njerëzit nën Mbretërinë. Ja disa prej tyre:
«Ai i pushon luftërat deri në skaj të dheut; thyen harkun dhe e bën copë-copë heshtën; karrocat i djeg në zjarr.»—Psalmi 46:9.
«Ata do të ndërtojnë shtëpi e do të banojnë në to, do të mbjellin vreshta e do të hanë frytin e tyre. Nuk do të ndërtojnë që të banojë një tjetër dhe nuk do të mbjellin që të hajë një tjetër.»—Isaia 65:21, 22.
«[Perëndia] do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre. Nuk do të ketë më vdekje. As vajtim, as klithmë, as dhembje nuk do të ketë më. Gjërat e mëparshme shkuan.»—Zbulesa 21:3, 4.
«Në atë kohë do të hapen sytë e të verbërve dhe veshët e të shurdhërve. I çali do t’i ngjitë të përpjetat si një dre dhe gjuha e memecit do të lëshojë britma hareje.»—Isaia 35:5, 6.
«Po vjen ora, kur të gjithë ata që janë në varre, do ta dëgjojnë zërin e tij [e Jezuit] dhe do të dalin: ata që bënë gjëra të mira, në një ringjallje jete.»—Gjoni 5:28, 29.
«Zemërbutët do të trashëgojnë tokën dhe do të kënaqen pa masë me paqen e pafund.»—Psalmi 37:11.
Ky po që është lajm i mirë! Për më tepër, profecitë biblike që janë përmbushur tregojnë se është afër koha kur Mbretëria do ta vendosë sundimin e saj të drejtë mbi mbarë tokën.
-
-
Çfarë është lajmi i mirë?Kulla e Rojës—2011 | 1 Mars
-
-
Çfarë është lajmi i mirë?
«Ky lajm i mirë . . . »—MATEU 24:14.
NGA të krishterët pritet që t’u predikojnë të tjerëve ‘lajmin e mirë për mbretërinë’, pra t’u shpjegojnë se Mbretëria është qeveria e ardhshme botërore që do ta sundojë tokën me drejtësi. Megjithatë, shprehja «lajm i mirë» përdoret edhe në mënyra të tjera në Bibël. Për shembull, ja disa shprehje: «lajmin e mirë të shpëtimit» (Psalmi 96:2); «lajmit të mirë të Perëndisë» (Romakëve 15:16) dhe «lajmit të mirë për Jezu Krishtin».—Marku 1:1.
E thënë thjesht, lajmi i mirë përfshin tërë të vërtetat për të cilat foli Jezui dhe që shkruan dishepujt. Para se të ngjitej në qiell, Jezui u tha dishepujve: «Prandaj, shkoni dhe bëni dishepuj njerëz nga të gjitha kombet, duke i pagëzuar në emër të Atit, të Birit dhe të frymës së shenjtë, dhe mësojuni të zbatojnë të gjitha gjërat që ju kam urdhëruar.» (Mateu 28:19, 20) Për këtë arsye, vepra e të krishterëve të vërtetë nuk përfshin vetëm t’u flasin të tjerëve për Mbretërinë. Ata duhet edhe të përpiqen të bëjnë dishepuj.
Si po veprojnë kishat në këtë aspekt? Ata që nuk e kuptojnë çfarë është Mbretëria—të cilët janë shumë—nuk mund t’i mësojnë të tjerët me saktësi për të. Në vend të kësaj, ata predikojnë fjalime për faljen e mëkateve dhe për besimin te Jezui, që të bëjnë të ndihesh mirë. Gjithashtu përpiqen t’i kthejnë njerëzit në besim duke dhënë ndihma të ndryshme ose duke ndërtuar spitale, shkolla dhe shtëpi për të varfrit. Edhe pse përpjekje të tilla mund ta rritin numrin e njerëzve që shkojnë në kishë, kjo nuk bën të krishterë të vërtetë që përpiqen me gjithë zemër të jetojnë në harmoni me atë që mësoi Jezui.
Një teolog shkruan: «Pak studiues ose udhëheqës në rrethet e krishtere e mohojnë se nga ne pritet të bëjmë dishepuj ose ndihmës të Jezuit dhe t’i mësojmë ata të bëjnë gjithçka që tha Jezui. . . . Tek e fundit, udhëzimet e Jezuit për këtë çështje janë shumë të qarta. Ne thjesht nuk e bëjmë atë që tha ai. Nuk përpiqemi seriozisht. Dhe, me sa duket, nuk dimë si ta bëjmë këtë.»
Në mënyrë të ngjashme, një anketë për katolikët në Shtetet e Bashkuara, zbuloi se 95 për qind ishin dakord se predikimi i lajmit të mirë është një kërkesë për besimin e tyre. Për më tepër, pothuajse të gjithë mendonin se mënyra më e mirë për ta bërë këtë, ishte duke jetuar në mënyrë shembullore për të tjerët, e jo duke u folur për të. Një nga të anketuarit tha: «Ungjillëzimi ndryshon nga fjalët, fjalët, fjalët. Ne duhet të jemi Lajmi i Mirë.» Revista U.S. Catholic, që drejtoi anketën, tha se shumë veta sprapsen e nuk flasin me të tjerët për besimin e tyre për shkak të «imazhit të ulët të kishës me skandalet e fundit për abuzimin seksual dhe me mësimet problematike të kishës».
Në një vend tjetër, një peshkop metodist tha përvajshëm se kishat e tij janë të ndara e të pështjelluara. U mungon guximi për ta përmbushur misionin e tyre dhe thuajse mbajnë të njëjtat vlera si shoqëria në përgjithësi. Me një ton zhgënjimi, ai pyeti: «Cilët po e përhapin sot denjësisht ungjillin për Mbretërinë?»
Peshkopi nuk i dha përgjigje pyetjes së tij. Por ka një përgjigje. Do ta gjeni në artikullin e radhës.
[Diçitura në faqen 6]
Lajmi i mirë flet si për Mbretërinë e Perëndisë, edhe për shpëtimin me anë të besimit te Jezu Krishti
-