Kohët dhe stinët në duart e Jehovait
«Nuk ju takon juve të njihni kohët apo stinët që Ati i ka vendosur në juridiksionin e vet.»—VEPRAT 1:7, BR.
1. Si iu përgjigj Jezui apostujve kur ata i kërkuan një orientim kohor?
Ç’GJË mund të jetë më e natyrshme për ata që «psherëtijnë dhe rënkojnë për të gjitha gjërat e neveritshme që po bëhen» në të ashtuquajturin krishterim anembanë tokës, sesa të pyesin veten se kur do të marrë fund dhe do të zëvendësohet nga bota e re e drejtë e Perëndisë ky sistem i lig? (Ezekieli 9:4; 2. Pjetrit 3:13) Tamam përpara vdekjes dhe pas ringjalljes së tij, apostujt i kërkuan Jezuit një orientim kohor. (Mateu 24:3; Veprat 1:6) Por në përgjigje, Jezui nuk u dha një mënyrë për llogaritjen e datave. Në njërin rast, ai u dha një shenjë të përbërë, ndërsa në tjetrin tha se ‘nuk u takonte atyre të njihnin kohët apo stinët që Ati i kishte vendosur në juridiksionin e vet’.—Veprat 1:7, BR.
2. Pse mund të thuhet se Jezui nuk e ka ditur gjithmonë kohën e caktuar nga Ati i tij për ngjarjet që duhet të ndodhin gjatë kohës së fundit?
2 Ndonëse Jezui është Biri i vetëmlindur i Jehovait, ai vetë jo gjithmonë e ka ditur orarin e caktuar nga Ati i tij për ngjarje të ndryshme. Në profecinë e tij në lidhje me ditët e fundit, me përulësi Jezui pranoi: «Në lidhje me atë ditë dhe orë, askush nuk e di, as engjëjt e qiejve, as Biri, por vetëm Ati.» (Mateu 24:36, BR) Jezui ishte i gatshëm të priste me durim që i Ati t’i zbulonte kohën e saktë të aksionit shkatërrimtar që do të ndërmerret kundër këtij sistemi të lig gjërash.a
3. Çfarë mund të mësojmë nga përgjigjet e Jezuit për pyetjet që kishin lidhje me qëllimin e Perëndisë?
3 Nga mënyra se si iu përgjigj Jezui pyetjeve në lidhje me kohën se kur do të ndodhnin ngjarjet në përmbushje të qëllimit të Perëndisë, mund të nxirren dy gjëra. Së pari, që Jehovai ka një orar dhe së dyti, atë e vendos vetëm ai; shërbëtorët e tij nuk mund të presin që t’u jepet një informacion i saktë paraprak për kohët apo stinët e tij.
Kohët dhe stinët e Jehovait
4. Cila është domethënia e fjalëve greke të përkthyera «kohët» dhe «stinët», në Veprat 1:7?
4 Ç’domethënie kanë «kohët» dhe «stinët»? Deklarata e Jezuit e shkruar në Veprat 1:7, përmban dy aspekte të kohës. Fjala greke e përkthyer «kohët» do të thotë «kohë në kuptimin e zgjatjes», një periudhë kohore (e shkurtër ose e gjatë). «Stinët» është përkthimi i një fjale që i referohet një kohe fikse ose të caktuar, një stine ose periudhe të veçantë, që dallohet nga disa veçori. Në lidhje me këto dy fjalë origjinale, W. E. Vine pohon: «Në Veprat 1:7, ‘Ati ka vënë brenda autoritetit të Tij’ si kohët (chronos), gjatësitë e periudhave, ashtu edhe stinët (kairos), epokat e karakterizuara nga ngjarje të veçanta.»
5. Kur e informoi Jehovai Noen se kishte si qëllim ta shkatërronte botën e korruptuar dhe cilin mision të dyfishtë kreu Noeja?
5 Përpara Përmbytjes, Perëndia i caktoi botës së korruptuar të shkaktuar nga njerëzit dhe engjëjt e materializuar rebelë, një kufi kohor prej 120 vjetësh. (Zanafilla 6:1-3) Në atë kohë, Noeja i perëndishëm ishte 480 vjeç. (Zanafilla 7:6) Ai nuk kishte fëmijë dhe nuk pati edhe për 20 vjet të tjerë. (Zanafilla 5:32) Shumë më vonë, vetëm pasi bijtë e Noes ishin rritur dhe ishin martuar, Perëndia e informoi Noen mbi qëllimin e Tij për ta hequr nga toka ligësinë. (Zanafilla 6:9-13, 18) Edhe atëherë, megjithëse iu besua detyra e dyfishtë që të ndërtonte arkën dhe t’u predikonte bashkëkohësve, Jehovai nuk ia zbuloi Noes programin e vet kohor.—Zanafilla 6:14; 2. Pjetrit 2:5.
6. (a) Si e tregoi Noeja se i la në duart e Jehovait faktorët kohorë? (b) Si mund ta ndjekim shembullin e Noes?
6 Për dekada të tëra, ndoshta për gjysmë shekulli, «Noeja vazhdoi të bënte sipas gjithë asaj që i kishte urdhëruar Perëndia». Noeja veproi kështu «me anë të besimit», pa ditur ndonjë datë fikse. (Zanafilla 6:22; Hebrenjve 11:7) Jehovai e la të painformuar mbi kohën e saktë se kur do ndodhnin ngjarjet, deri një javë para se të fillonte Përmbytja. (Zanafilla 7:1-5) Besimi i patundur i Noes te Jehovai, bëri të mundur që ai t’i linte faktorët kohorë në duart e Jehovait. Sa mirënjohës duhet të ketë qenë Noeja kur ka ndjerë mbrojtjen e Jehovait gjatë Përmbytjes, si dhe më vonë kur doli nga arka në një tokë të pastruar! Me sytë nga një shpresë e ngjashme çlirimi, a nuk duhet që edhe ne të ushtrojmë një besim të tillë te Perëndia?
7, 8. (a) Si erdhën në ekzistencë kombet dhe fuqitë botërore? (b) Si i ‘dekretoi Jehovai kohët e caktuara dhe kufijtë e vënë për banesën e njerëzve’?
7 Pas Përmbytjes, shumica e pasardhësve të Noes e braktisën adhurimin e vërtetë të Jehovait. Me qëllimin për të qëndruar në një vend, ata nisën të ndërtonin një qytet dhe një kullë për adhurimin e rremë. Jehovai vendosi që ishte koha të ndërhynte. Ai ngatërroi gjuhën e tyre dhe «i shpërndau nga [Babeli] në të gjithë sipërfaqen e tokës». (Zanafilla 11:4, 8, 9) Më vonë, grupet gjuhësore u zhvilluan dhe u bënë kombe, disa prej të cilave gllabëruan kombe të tjera dhe u bënë fuqi rajonale, madje fuqi botërore.—Zanafilla 10:32.
8 Në harmoni me realizimin e qëllimit të tij, herë pas here Perëndia vendoste kufij kombëtarë, si dhe në cilën kohë do të mbizotëronte në shkallë lokale ose si fuqi botërore një komb. (Zanafilla 15:13, 14, 18-21; Dalja [Eksodi] 23:31; Ligji i përtërirë 2:17-22; Danieli 8:5-7, 20, 21) Apostulli Pavël iu referua këtij aspekti të kohëve dhe të stinëve të Jehovait, kur u tha intelektualëve grekë në Athinë: «Perëndia që bëri botën dhe të gjitha gjërat në të . . . bëri nga një njeri i vetëm çdo komb njerëzish, që ata të banojnë mbi krejt sipërfaqen e tokës, dekretoi kohët e caktuara dhe kufijtë e përcaktuar të banesës së njerëzve.»—Veprat 17:24, 26, BR.
9. Si i ka ‘ndryshuar Jehovai kohët dhe stinët’ në lidhje me mbretërit?
9 Kjo nuk do të thotë se Perëndia është përgjegjës për të gjitha pushtimet politike dhe ndryshimet mes kombeve. Por megjithatë, ai mund të ndërhyjë kur zgjedh ta bëjë një gjë të tillë që të realizojë qëllimin e tij. Kështu, profeti Danieli, i cili duhej të dëshmonte për rënien e fuqisë botërore të Babilonisë dhe zëvendësimin e saj nga Medo-Persia, tha për Jehovain: «Ai ndryshon kohët dhe stinët, duke hequr mbretër dhe duke vendosur mbretër, duke u dhënë mençuri të mençurve dhe njohuri atyre që njohin aftësinë shquese.»—Danieli 2:21, BR; Isaia 44:24–45:7.
«Po afrohej koha»
10, 11. (a) Sa kohë më përpara e caktoi Jehovai kohën kur do t’i çlironte pasardhësit e Abrahamit nga skllavëria? (b) Ç’gjë lë të kuptohet se izraelitët nuk e dinin saktësisht se kur do të çliroheshin?
10 Më shumë se katër shekuj përpara, Jehovai përcaktoi vitin e saktë se kur do ta poshtëronte mbretin e fuqisë botërore egjiptiane dhe do të lironte pasardhësit e Abrahamit nga skllavëria. Duke ia zbuluar qëllimin e tij Abrahamit, Perëndia premtoi: «Ta dish me siguri se fara jote do të bëhet banor i huaj në një vend që nuk është i tyre, do t’u duhet t’u shërbejnë dhe këta do t’i pikëllojnë me siguri për katërqind vjet. Por kombin të cilit do t’i shërbejnë po e gjykoj dhe pas kësaj ata do të dalin me shumë të mira materiale.» (Zanafilla 15:13, 14, BR) Kur bëri një përmbledhje të historisë së Izraelit përpara sinedrit, Stefani iu referua kësaj periudhe 400-vjeçare dhe deklaroi: «Pikërisht ndërsa po afrohej koha për përmbushjen e premtimit që Perëndia i kishte deklaruar haptazi Abrahamit, populli u rrit dhe u shumëfishua në Egjipt, derisa mbi Egjiptin u ngrit një mbret tjetër që nuk dinte gjë për Jozefin.»—Veprat 7:6, 17, 18.
11 Ky faraon i ri i katandisi izraelitët në skllevër. Moisiu s’e kishte shkruar ende librin e Zanafillës, megjithatë ka të ngjarë që premtimet e bëra Abrahamit nga Jehovai të ishin transmetuar në formë gojore ose të shkruar. Edhe sikur të ketë ndodhur kështu, duket se informacioni që zotëronin izraelitët nuk u lejonte të llogaritnin datën e saktë të çlirimit nga shtypja. Perëndia e dinte se kur do t’i çlironte, por me sa duket izraelitët që po vuanin nuk ishin të informuar. Lexojmë: «Gjatë atyre ditëve të shumta ndodhi që mbreti i Egjiptit më në fund vdiq, por bijtë e Izraelit vazhduan të psherëtinin për shkak të skllavërisë dhe të bërtitnin duke u ankuar dhe britma e tyre për ndihmë vazhdoi të ngjitej te Perëndia i vërtetë, për shkak të skllavërisë. Me kalimin e kohës, Perëndia e dëgjoi rënkimin e tyre dhe Perëndisë iu kujtua besëlidhja e tij me Abrahamin, Isakun dhe Jakobin. Kështu, Perëndia pa bijtë e Izraelit dhe Perëndia vuri re.»—Dalja 2:23-25, BR.
12. Si e tregoi Stefani se Moisiu veproi përpara kohës së Jehovait?
12 Fakti që nuk e dinin kohën e saktë të çlirimit të Izraelit, mund të nxirret edhe nga përmbledhja që bëri Stefani. Duke folur për Moisiun, ai tha: «Kur po mbushej koha e vitit të tij të dyzetë, i erdhi në zemër të inspektonte vëllezërit e tij, bijtë e Izraelit. Dhe kur i zunë sytë dikë që po trajtohej padrejtësisht e mbrojti dhe mori hak për atë, me të cilin po abuzohej, duke e vrarë egjiptasin. Atij ia merrte mendja se vëllezërit e tij do ta kuptonin që Perëndia po u jepte shpëtimin nëpërmjet dorës së tij, por ata nuk e kuptuan këtë.» (Veprat 7:23-25, BR) Në këtë rast, Moisiu veproi 40 vjet përpara kohës së Perëndisë. Stefani nxori në pah se Moisiu duhej të priste edhe 40 vjet të tjerë përpara se Perëndia ‘t’u jepte izraelitëve shpëtimin nëpërmjet dorës së tij’.—Veprat 7:30-36, BR.
13. Në ç’mënyrë situata jonë ngjan me atë të izraelitëve përpara çlirimit të tyre nga Egjipti?
13 Megjithëse «po afrohej koha për përmbushjen e premtimit» dhe ky vit i saktë ishte fiksuar nga Perëndia, Moisiut dhe gjithë Izraelit iu desh të ushtronin besim. Ata duhet të pritnin kohën e caktuar nga Jehovai, kohë që me sa duket nuk ishin në gjendje ta llogaritnin paraprakisht. Edhe ne jemi të bindur se çlirimi ynë nga sistemi i tanishëm i lig i gjërave po afrohet. E dimë se po jetojmë në «ditët e fundit». (2. Timoteut 3:1-5) A nuk duhet, pra, të jemi të gatshëm ta shfaqim besimin tonë dhe të presim kohën e duhur sipas Jehovait për ditën e tij të madhe? (2. Pjetrit 3:11-13) Atëherë, ashtu si Moisiu dhe izraelitët, do të mund të këndojmë fort një këngë të mrekullueshme çlirimi në lavdi të Jehovait.—Dalja 15:1-19.
‘Kur erdhi koha’
14, 15. Si e dimë se Perëndia kishte caktuar një kohë për ardhjen e Birit të tij në tokë dhe për çfarë qëndruan zgjuar profetët, e madje edhe engjëjt?
14 Jehovai kishte caktuar një kohë fikse kur Biri i tij i vetëmlindur do të vinte në tokë si Mesia. Pavli shkroi: «Kur erdhi kufiri i plotë i kohës, Perëndia dërgoi Birin e tij, që lindi nga një grua dhe që u vu nën ligj.» (Galatasve 4:4, BR) Kjo u bë në përmbushje të premtimit të Perëndisë për të dërguar një Farë, ‘Shilohun, të cilit do t’i takonte bindja e popujve’.—Zanafilla 3:15; 49:10, BR.
15 Profetët e Perëndisë, madje edhe engjëjt, qëndruan syçelur për «stinën» kur në tokë do të shfaqej Mesia dhe kur për njerëzimin mëkatar do të bëhej i mundur shpëtimi. «Në lidhje me këtë shpëtim,—tha Pjetri,—u bë një hetim i zellshëm dhe një kërkim i kujdesshëm nga profetët që profetizuan për dashamirësinë e pamerituar të paracaktuar për ju. Ata vazhduan të hetonin se cilën stinë të veçantë ose çfarë lloj stine po tregonte fryma e shenjtë në ta në lidhje me Krishtin, kur ajo po u jepte para kohe dëshmi në lidhje me vuajtjet për Krishtin dhe me lavditë që do t’i ndiqnin këto. . . . Pikërisht këto gjëra engjëjt kanë dëshirë t’i shohin me shumë vëmendje.»—1. Pjetrit 1:1-5, 10-12, BR.
16, 17. (a) Me anë të cilës profeci i ndihmoi Jehovai judenjtë e shekullit të parë që të ishin në pritje të Mesisë? (b) Si ndikoi profecia e Danielit në pritjen e Mesisë nga judenjtë?
16 Me anë të profetit të tij Daniel, një burrë me besim të palëkundur, Jehovai kishte dhënë një profeci ku përfshiheshin «shtatëdhjetë javë». Ajo profeci do t’u kishte bërë të mundur judenjve të shekullit të parë të dinin se shfaqja e Mesisë së premtuar po afrohej. Pjesërisht, profecia thoshte: «Që nga dalja e fjalës për të rivendosur dhe për të rindërtuar Jerusalemin deri te Mesia, Udhëheqësi, do të jenë shtatë javë, edhe gjashtëdhjetë e dy javë.» (Danieli 9:24, 25, BR) Studiuesit hebrenj, katolikë dhe protestantë në përgjithësi janë dakord që «javët» e përmendura këtu do të thonë javë vitesh. Këto 69 «javë» (483 vjet) të Danielit 9:25 filluan në vitin 455 p.e.s., kur mbreti pers Artakserksi e autorizoi Nehemian ta «rivendoste dhe ta rindërtonte Jerusalemin». (Nehemia 2:1-8) «Javët» përfunduan 483 vjet më vonë, në vitin 29 të e.s., kur Jezui u pagëzua dhe u miros me frymën e shenjtë, duke u bërë kështu Mesia apo Krishti.—Mateu 3:13-17.
17 Nuk dihet nëse judenjtë e shekullit të parë e dinin saktësisht apo jo se kur filluan 483 vjetët. Por kur Gjon Pagëzuesi filloi shërbimin e tij, «populli ishte në pritje dhe në lidhje me Gjonin, të gjithë arsyetonin në zemrat e tyre: ‘Mos ndoshta është ky Krishti?’» (Luka 3:15, BR) Disa studiues të Biblës e lidhin këtë pritje me profecinë e Danielit. Duke komentuar mbi këtë varg, Methju Henri shkroi: «Këtu na thuhet . . . se nga shërbimi dhe pagëzimi i Gjonit, populli mori shkas që të mendonte për Mesinë dhe të mendonte për të si të ishte te dera. . . . Tashmë shtatëdhjetë javët e Danielit po mbaronin.» Manuali biblik francez, nga Vigurë Bakye dhe Brasak pohon: «Populli e dinte se shtatëdhjetë javët e viteve të caktuara nga Danieli po i afroheshin fundit; askush nuk çuditej tek dëgjonte Gjon Pagëzuesin të njoftonte se mbretëria e Perëndisë ishte afruar.» Studiuesi hebre Aba Hilel Silver shkroi se sipas «kronologjisë së njohur» në atë kohë, «Mesia pritej rreth çerekut të dytë të shekullit të parë të e.s.».
Ngjarje, jo llogaritje të kohës
18. Ndonëse profecia e Danielit i ndihmoi judenjtë të identifikonin kohën se kur mund të pritej shfaqja e Mesisë, cila ishte dëshmia më bindëse e mesianitetit të Jezuit?
18 Megjithëse duket se kronologjia e ndihmoi popullin jude të kishte një ide të përgjithshme për kohën se kur duhej të shfaqej Mesia, ngjarjet që vijuan treguan se kjo kronologji nuk ndihmoi për ta bindur shumicën prej tyre mbi mesianitetin e Jezuit. Më pak se një vit përpara vdekjes së tij, Jezui i pyeti dishepujt: «Kush thonë turmat se jam?» Ata u përgjigjën: «Gjon Pagëzuesi, por të tjerë, Elija dhe të tjerë akoma, që njëri prej profetëve të lashtë është ngritur.» (Luka 9:18, 19, BR) Nuk kemi asnjë dokument që Jezui të ketë cituar ndonjëherë profecinë e javëve simbolike, për të provuar se ishte Mesia. Por në një rast, ai tha: «Unë kam dëshmi më të madhe se ajo e Gjonit, sepse vetë veprat që Ati më caktoi të kryej, vetë veprat që po bëj, dëshmojnë për mua se më dërgoi Ati.» (Gjoni 5:36, BR) Në vend të ndonjë kronologjie të zbuluar, predikimi i Jezuit, mrekullitë e tij dhe ngjarjet që kishin të bënin me vdekjen e tij (mrekullia e territ, çarja e perdes së tempullit dhe tërmeti) dëshmuan se ai ishte Mesia i dërguar nga Perëndia.—Mateu 27:45, 51, 54; Gjoni 7:31; Veprat 2:22.
19. (a) Si do ta dinin të krishterët se shkatërrimi i Jerusalemit ishte afër? (b) Pse të krishterët e hershëm që ikën nga Jerusalemi kishin ende nevojë për shumë besim?
19 Ngjashëm, pas vdekjes së Jezuit, të krishterëve të hershëm nuk iu dha asnjë mesatare për të llogaritur fundin që po vinte të sistemit judaik të gjërave. Vërtet që profecia e Danielit mbi javët simbolike e përmendte shkatërrimin e atij sistemi. (Danieli 9:26b, 27b) Por kjo do të ndodhte pas përfundimit të «shtatë javëve» (455 p.e.s.—36 e.s.). Me fjalë të tjera, pas vitit 36 të e.s., kur johebrenjtë e parë u bënë ithtarë të Jezuit, të krishterët i kishin kaluar ‘gurët kilometrikë’ të kronologjisë të kapitullit 9 të Danielit. Për ta ishin ngjarjet dhe jo kronologjia, ato që do t’u tregonin se sistemi judaik duhej të merrte fund pas pak kohësh. Ato ngjarje të parathëna nga Jezui, filluan të arrinin kulmin që prej vitit 66 të e.s., kur legjionet romake sulmuan Jerusalemin dhe më pas u tërhoqën. Kjo u dha të krishterëve besimplotë dhe të vëmendshëm në Jerusalem dhe Jude mundësinë për të ‘ikur në male’. (Luka 21:20-22) Meqenëse nuk kishin tabela rrugore kronologjike, ata të krishterë të hershëm nuk e dinin se kur do të ndodhte shkatërrimi i Jerusalemit. Ç’besim u duhej që të arrinin të linin shtëpitë, fermat dhe punishtet dhe të qëndronin jashtë Jerusalemit për rreth katër vjet, derisa u kthye ushtria romake në vitin 70 të e.s. dhe zhduku sistemin judaik!—Luka 19:41-44.
20. (a) Si mund të nxjerrim dobi nga shembujt e Noes, Moisiut dhe të krishterëve të shekullit të parë në Jude? (b) Çfarë do të trajtojmë në artikullin vijues?
20 Ashtu si Noeja, Moisiu dhe të krishterët e shekullit të parë në Jude, sot mund t’i lëmë me besim kohët dhe stinët në duart e Jehovait. Bindja jonë se po jetojmë në kohën e fundit dhe se po na afrohet çlirimi, varet jo thjesht nga llogaritë kronologjike, por nga ngjarjet reale që përmbushin profecitë e Biblës. Për më tepër, fakti që po jetojmë gjatë pranisë së Krishtit, nuk do të thotë se s’kemi më nevojë të ushtrojmë besim dhe të rrimë zgjuar. Duhet të vazhdojmë të jetojmë duke pritur me padurim ngjarjet emocionuese të parathëna në Shkrimet. Ky do të jetë subjekti i artikullit vijues.
[Shënimi]
Pika për rishikim
◻ Çfarë u tha Jezui apostujve të tij për sa u përket kohëve dhe stinëve të Jehovait?
◻ Sa kohë më përpara e dinte Noeja se kur duhej të fillonte Përmbytja?
◻ Ç’gjë tregon se Moisiu dhe izraelitët nuk e dinin saktësisht se kur do të çliroheshin nga Egjipti?
◻ Si mund të nxjerrim dobi nga shembujt e Biblës që kanë të bëjnë me kohët dhe stinët e Jehovait?
[Figura në faqen 11]
Besimi bëri të mundur që Noeja t’i linte faktorët kohorë në duart e Jehovait