KAPITULLI 3
«Kujtoni ata që marrin drejtimin mes jush»
KËTO fjalë të apostullit Pavël, të dokumentuara te Hebrenjve 13:7, mund të përkthehen edhe: «Kujtoni ata që ju udhëheqin.» Që nga Festa e Ditës së Pesëdhjetë në vitin 33 të e.s., apostujt besnikë të Zotërisë Jezu Krisht e plotësuan këtë rol si një trup udhëheqës, i cili mori drejtimin për t’i siguruar udhëzime kongregacionit të krishterë të sapoformuar. (Vep. 6:2-4) Rreth vitit 49 të e.s., ky trup udhëheqës ishte zgjeruar, duke përfshirë edhe të tjerë përveç apostujve të Jezuit. Kur u vendos çështja e rrethprerjes, trupi udhëheqës përbëhej nga «apostujt dhe pleqtë» në Jerusalem. (Vep. 15:1, 2) Këta kishin përgjegjësinë të shqyrtonin çështje që ndikonin te të krishterët kudo që ndodheshin. Gjithashtu dërgonin letra dhe dekrete për të forcuar kongregacionet e për t’i ndihmuar dishepujt që të vazhdonin të ishin në unitet në mendime dhe veprime. Kongregacionet i bindeshin dhe i nënshtroheshin drejtimit të trupit udhëheqës, dhe si rrjedhim merrnin bekimin e Jehovait e u vente mbarë.—Vep. 8:1, 14, 15; 15:22-31; 16:4, 5; Hebr. 13:17.
2 Pas vdekjes së apostujve, nisi apostazia e madhe. (2 Sel. 2:3-12) Ashtu siç e paratha Jezui në shëmbëlltyrën e grurit dhe të egjrave, pas grurit (të krishterët e mirosur) u mbollën edhe egjrat (të krishterët e shtirur). Gjatë shekujve, të dyja grupet u lejuan të rriteshin bashkë deri në kohën e korrjes, pra të ‘përfundimit të sistemit’. (Mat. 13:24-30, 36-43) Edhe në këtë periudhë vazhdonte të kishte individë të mirosur që gëzonin miratimin e Jezuit, por nuk ekzistonte një trup udhëheqës, një kanal i përcaktuar në tokë që Jezui ta përdorte për të drejtuar dishepujt e tij. (Mat. 28:20) Sidoqoftë, ai paratha se gjatë korrjes do të ndodhte një ndryshim.
3 «Kush është në të vërtetë skllavi besnik dhe i mençur?» Me këtë pyetje, Jezu Krishti nisi të tregonte një shëmbëlltyrë ose ilustrim si pjesë të ‘shenjës’ që dha për ‘përfundimin e sistemit’. (Mat. 24:3, 42-47) Ai tregoi se skllavi besnik do të ishte shumë i zënë duke i siguruar popullit të Perëndisë ushqim nga Bibla «në kohën e duhur». Sikurse Jezui nuk përdori një individ, por një grup burrash për të marrë drejtimin në shekullin e parë, po njësoj gjatë përfundimit të sistemit, skllavi besnik që po përdor ai, nuk është një njeri i vetëm.
TË IDENTIFIKOJMË ‘SKLLAVIN BESNIK DHE TË MENÇUR’
4 Cilët caktoi Jezui për të ushqyer dishepujt e tij? Është më se me vend që të përdorte të krishterët e mirosur në tokë. Bibla i quan «priftëri mbretërore», të caktuar që ‘“të shpallin kudo cilësitë e tij të shkëlqyera” të Atij që i thirri nga errësira në dritën e tij të mrekullueshme’. (1 Pjet. 2:9; Mal. 2:7; Zbul. 12:17) A janë të gjithë të mirosurit në tokë pjesë e skllavit besnik? Jo. Kur Jezui i siguroi ushqim me anë të një mrekullie një turme prej rreth 5.000 burrash, pa përfshirë gratë e fëmijët, ai ua shpërndau dishepujve, të cilët ia shpërndanë turmës. (Mat. 14:19) Ushqeu një shumicë nga duart e një pakice. Sot siguron ushqim nga Fjala e Perëndisë në mënyrë të ngjashme.
5 Kështu «kujdestari besnik, i mençuri» përbëhet nga një grup i vogël vëllezërish të mirosur të cilët, gjatë pranisë së Krishtit, janë përfshirë drejtpërdrejt në përgatitjen dhe në shpërndarjen e ushqimit të bazuar në Bibël. (Luka 12:42) Gjatë gjithë ditëve të fundit, vëllezërit e mirosur që formojnë ‘skllavin besnik dhe të mençur’ kanë shërbyer së bashku në selinë botërore. Sot këta vëllezër të mirosur përbëjnë Trupin Udhëheqës të Dëshmitarëve të Jehovait.
6 Krishti e përdor këtë grup që të botojë informacione rreth përmbushjes së profecive të Biblës dhe që të japë udhëzime në kohën e duhur për zbatimin e parimeve të Biblës në jetën e përditshme. Ky ushqim shpërndahet me anë të kongregacioneve të Dëshmitarëve të Jehovait. (Isa. 43:10; Gal. 6:16) Në lashtësi, një skllav ose kujdestar besnik, ishte administrues i shtëpisë. Po njësoj, skllavi besnik dhe i mençur është ngarkuar me përgjegjësinë që të administrojë shtëpinë e besimit. Kështu, skllavi besnik mbikëqyr edhe të mirat materiale, veprën e predikimit, programet për asambletë e kongreset, emërimin e mbikëqyrësve që shërbejnë në caktime të ndryshme në organizatë, si edhe prodhimin e literaturës nga Bibla, të gjitha këto në dobi të ‘shërbëtorëve të shtëpisë’.—Mat. 24:45.
7 Atëherë, cilët janë «shërbëtorët e shtëpisë»? E thënë thjesht, ata që ushqehen. Në fillim, të gjithë shërbëtorët e shtëpisë ishin të mirosur. Më vonë, shërbëtorëve të shtëpisë iu shtua edhe shumica e madhe e ‘deleve të tjera’. (Gjoni 10:16) Të dyja grupet ushqehen me ushqimin besimforcues që siguron skllavi besnik.
8 Gjatë shtrëngimit të madh, kur Jezui të vijë që të shpallë e të ekzekutojë gjykimin mbi këtë sistem të lig, do të emërojë skllavin besnik «mbi gjithë zotërimet e veta». (Mat. 24:46, 47) Ata që përbëjnë skllavin besnik do të marrin shpërblimin qiellor. Bashkë me pjesën tjetër të 144.000-ve, do të kenë atë autoritet si ai i Krishtit në qiell. Ndonëse në tokë nuk do të ketë më skllav besnik e të mençur, Jehovai dhe Jezui do t’u sigurojnë drejtim nënshtetasve tokësorë të Mbretërisë mesianike nëpërmjet atyre që do të emërohen të shërbejnë si «princa».—Psal. 45:16.
PSE ‘T’I KUJTOJMË ATA QË MARRIN DREJTIMIN’?
9 Ka shumë arsye pse ‘t’i kujtojmë ata që marrin drejtimin’ dhe pse ta tregojmë se u besojmë. Përse është për të mirën tonë kjo? Apostulli Pavël tha: «[Ata] rrinë zgjuar për ju e do të japin llogari, që ta bëjnë këtë me gëzim e jo me psherëtima, sepse kjo do të ishte në dëmin tuaj.» (Hebr. 13:17) Është jetësore të jemi të bindur e të nënshtruar ndaj atyre që na drejtojnë, sepse i mbajnë sytë mbi ne që ta mbrojmë miqësinë tonë me Perëndinë e të jemi të lidhur ngushtë me të.
10 Siç është dokumentuar te 1 Korintasve 16:14, Pavli tha: «Çdo gjë që bëni, bëjeni me dashuri!» Vendimet që merren për popullin e Perëndisë bazohen te dashuria, cilësia që i tejkalon të tjerat. Te 1 Korintasve 13:4-8 thuhet për dashurinë: «Dashuria është e duruar dhe plot mirësi. Dashuria nuk është xheloze. Ajo nuk mburret, nuk krekoset, nuk sillet në mënyrë të pahijshme, nuk kërkon interesin e vet, nuk provokohet, nuk e mban llogari të keqen, nuk gëzon për padrejtësinë, por gëzon me të vërtetën. Mban çdo gjë, beson çdo gjë, shpreson çdo gjë, i qëndron çdo gjëje. Dashuria nuk shuhet kurrë.» Ngaqë dashuria është baza e tërë vendimeve të marra në dobi të shërbëtorëve të Jehovait, kemi çdo arsye të ndihemi të sigurt nën këtë drejtim. Për më tepër, ky drejtim s’është gjë tjetër veçse pasqyrim i dashurisë së Jehovait.
Është jetësore të jemi të nënshtruar ndaj atyre që i mbajnë sytë mbi ne që të jemi të lidhur ngushtë me Perëndinë
11 Ashtu si në shekullin e parë, ata që po përdor Jehovai për të udhëhequr popullin e tij, janë të papërsosur. Por edhe në të kaluarën Jehovai ka përdorur njerëz të papërsosur që të kryenin vullnetin e tij. Noeja ndërtoi një arkë dhe predikoi për shkatërrimin që do të vinte në ditët e tij. (Zan. 6:13, 14, 22; 2 Pjet. 2:5) Moisiu u caktua të udhëhiqte popullin e Jehovait të dilte nga Egjipti. (Eks. 3:10) Burra të papërsosur u frymëzuan nga Perëndia të shkruanin Biblën. (2 Tim. 3:16; 2 Pjet. 1:21) Fakti që Jehovai sot përdor burra të papërsosur për të drejtuar veprën e predikimit dhe të bërjes së dishepujve, nuk na e dobëson besimin tek organizata e tij. Përkundrazi, kjo na e forcon besimin, sepse e dimë se pa mbështetjen e Jehovait organizata nuk do t’ia dilte kurrë të bënte gjithë sa po bën. Përvojat dhe vështirësitë e shumta që ka kaluar skllavi besnik, kanë treguar se drejtohet nga fryma e shenjtë e Perëndisë. Në pjesën e dukshme të organizatës së Jehovait sot, janë derdhur bekime të bollshme. Ndaj me gjithë zemër e mbështetim plotësisht dhe kemi besim tek ajo.
SI E TREGOJMË BESIMIN TONË?
12 Ata që janë të emëruar në kongregacion, e tregojnë besimin duke i pranuar me kënaqësi dhe duke i përmbushur me besnikëri detyrimet që përfshijnë caktimet e tyre. (Vep. 20:28) Si lajmëtarë të Mbretërisë, marrim pjesë me zell në predikimin shtëpi më shtëpi, bëjmë rivizita dhe drejtojmë studime të Biblës. (Mat. 24:14; 28:19, 20) Për të nxjerrë plotësisht dobi nga ushqimi i pasur që jep skllavi besnik, përgatitemi për mbledhjet dhe i ndjekim ato, përfshirë asambletë e kongreset. Të gjithë nxjerrim shumë dobi nga inkurajimi i ndërsjellë që vjen kur shoqërohemi me vëllezërit në këto raste të krishtere.—Hebr. 10:24, 25.
13 Kur e mbështetim organizatën me kontributet tona materiale, tregojmë se kemi besim tek ajo. (Prov. 3:9, 10) Kur shohim se vëllezërit tanë kanë nevojë për ndihmë materiale, i ndihmojmë pa vonesë. (Gal. 6:10; 1 Tim. 6:18) Këtë e bëjmë me një frymë dashurie vëllazërore, duke qenë gjithnjë vigjilentë ndaj rasteve kur mund t’i tregojmë Jehovait dhe organizatës së tij se e çmojmë mirësinë që na tregojnë.—Gjoni 13:35.
14 Tregojmë se i besojmë organizatës edhe duke mbështetur vendimet që merr. Kjo përfshin të ndjekim përulësisht drejtimin e atyre që kanë si detyrë të mbikëqyrin kongregacionet, siç janë mbikëqyrësit qarkorë dhe pleqtë e kongregacionit. Këta vëllezër janë ndër «ata që marrin drejtimin», të cilëve duhet t’u bindemi dhe t’u nënshtrohemi. (Hebr. 13:7, 17) Ndonëse nuk i kuptojmë plotësisht arsyet që qëndrojnë pas disa vendimeve, e dimë se do të jetë për të mirën tonë afatgjatë t’i mbështetim ato. Rrjedhimisht, Jehovai na bekon ngaqë i bindemi Fjalës dhe organizatës së tij. Kështu tregojmë nënshtrimin tonë ndaj Zotërisë, Jezu Krishtit.
15 Po, kemi çdo arsye për t’i besuar skllavit besnik dhe të mençur. Satanai, perëndia i këtij sistemi, po përpiqet me të gjitha forcat të njollosë emrin e Jehovait dhe organizatën e tij. (2 Kor. 4:4) Mos bjer pre e taktikave të liga të Satanait! (2 Kor. 2:11) Ai e di se i ka mbetur vetëm ‘një periudhë e shkurtër kohe’ para se të hidhet në humnerë, dhe është i vendosur të largojë nga Jehovai sa më shumë shërbëtorë të Tij. (Zbul. 12:12) Megjithatë, ndërkohë që Satanai shton përpjekjet, le t’i afrohemi gjithnjë e më shumë Jehovait. Le të shfaqim besim të plotë te Jehovai dhe te kanali që po përdor sot për të drejtuar popullin e vet! Si rezultat do të jemi një vëllazëri e bashkuar.