BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w17 shkurt f. 23-28
  • Kush po e drejton popullin e Perëndisë sot?

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Kush po e drejton popullin e Perëndisë sot?
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait (Për studim)—2017
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • NJË TRUP I DUKSHËM NËN NJË UDHËHEQËS TË PADUKSHËM
  • «KJO NUK ËSHTË VEPËR E NJERIUT»
  • «KUSH ËSHTË NË TË VËRTETË SKLLAVI I BESUESHËM DHE I MATUR?»
  • «KUJTONI ATA QË MARRIN DREJTIMIN»
  • Roli i ‘skllavit besnik dhe të mençur’
    Gëzoje jetën përgjithmonë—Bibla zbulon si
  • Si funksionon sot Trupi Udhëheqës?
    Cilët po bëjnë vullnetin e Jehovait sot?
  • Të jetojmë në lartësinë e dedikimit të krishterë në liri
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1998
  • «Vendosëm njëzëri»
    ‘Të japim dëshmi të plotë’ për Mbretërinë e Perëndisë
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait (Për studim)—2017
w17 shkurt f. 23-28
Trupi udhëheqës në shekullin e parë

Kush po e drejton popullin e Perëndisë sot?

«Kujtoni ata që marrin drejtimin mes jush.»​—HEBR. 13:7.

KËNGËT: 125, 43

A MUND TË SHPJEGONI?

Në shekullin e parë dhe sot, si kanë treguar ata që marrin drejtimin mes popullit të Perëndisë se . . .

  • tek ata ka vepruar fryma e shenjtë?

  • i kanë ndihmuar engjëjt?

  • i ka udhëhequr Fjala e Perëndisë?

1, 2. Cila pyetje mund t’u ketë lindur apostujve pas ngjitjes së Jezuit në qiell?

APOSTUJT e Jezuit po rrinin në Malin e Ullinjve dhe ia kishin ngulur sytë qiellit. Sapo kishin parë zotërinë dhe mikun e tyre, Jezuin, të ngrihej lart e pastaj një re ua kishte fshehur nga sytë. (Vep. 1:9, 10) Për afro dy vjet, Jezui i kishte mësuar, i kishte inkurajuar dhe i kishte udhëhequr. E tani ai kishte ikur. Çfarë do të bënin ata?

2 Jezui u kishte ngarkuar këtë detyrë dishepujve të tij: «Do të jeni dëshmitarët e mi në Jerusalem, në mbarë Judenë, në Samari e deri në skajin më të largët të tokës.» (Vep. 1:8) Po si vallë do ta kryenin këtë caktim? Vërtet, Jezui i kishte siguruar se pas pak do të merrnin frymën e shenjtë. (Vep. 1:5) Gjithsesi, një fushatë ndërkombëtare predikimi kërkonte drejtim dhe organizim. Për ta drejtuar dhe organizuar popullin e tij në kohët e lashta, Jehovai kishte përdorur përfaqësues të dukshëm. Prandaj, apostujt ndoshta pyetnin veten: «A do të caktojë tani Jehovai një udhëheqës të ri?»

3. (a) Cilin vendim të rëndësishëm morën apostujt besnikë pas ngjitjes së Jezuit në qiell? (b) Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?

3 As dy javë më vonë, dishepujt e Jezuit bënë kërkime në Shkrime, u lutën për drejtimin e Perëndisë dhe zgjodhën Matian që të zëvendësonte Judë Iskariotin si apostulli i 12-të. (Vep. 1:15-26) Pse ishte kaq e rëndësishme për ta dhe për Jehovain kjo zgjedhje? Matia plotësoi një nevojë organizative jetësore.a Jezui nuk i kishte zgjedhur apostujt thjesht që ta shoqëronin në shërbim, por që të luanin një rol kyç mes popullit të Perëndisë. Ç’ishte ky rol, dhe si i përgatiti Jehovai nëpërmjet Jezuit që ta përmbushnin? Cila masë e ngjashme ekziston sot mes popullit të Perëndisë? Dhe si mund ‘t’i kujtojmë ata që marrin drejtimin’ mes nesh, sidomos ata që përbëjnë ‘skllavin e besueshëm dhe të matur’?​—Hebr. 13:7; Mat. 24:45.

NJË TRUP I DUKSHËM NËN NJË UDHËHEQËS TË PADUKSHËM

4. Çfarë roli luanin në shekullin e parë apostujt dhe pleq të tjerë në Jerusalem?

4 Më 33 të e.s., në festën e Ditës së Pesëdhjetë, apostujt nisën të merrnin drejtimin në kongregacionin e krishterë. Në atë rast «Pjetri u çua bashkë me njëmbëdhjetë apostujt» dhe i mësoi të vërteta jetëshpëtuese një turme të madhe me judenj dhe prozelitë. (Vep. 2:14, 15) Shumë prej tyre u bënë besimtarë. Pas kësaj, ata të krishterë të rinj «i kushtoheshin mësimit të apostujve». (Vep. 2:42) Apostujt administronin të ardhurat financiare të kongregacionit. (Vep. 4:34, 35) Ata kujdeseshin për nevojat frymore të popullit të Perëndisë, siç e tregojnë edhe fjalët e tyre: «Ne do t’i kushtohemi lutjes dhe mësimit të fjalës së Perëndisë.» (Vep. 6:4) Gjithashtu, caktonin të krishterë me përvojë që të çonin para veprën e ungjillëzimit në territore të reja. (Vep. 8:14, 15) Me kalimin e kohës, pleq të tjerë të mirosur u bashkuan me apostujt për të organizuar e mbikëqyrur çështjet e kongregacioneve. Si trup udhëheqës, ata u jepnin drejtim të gjitha kongregacioneve.​—Vep. 15:2.

5, 6. (a) Si vepronte fryma e shenjtë te trupi udhëheqës? (Shih figurën hapëse.) (b) Si e ndihmonin engjëjt trupin udhëheqës? (c) Si e udhëhiqte Fjala e Perëndisë trupin udhëheqës?

5 Të krishterët në shekullin e parë e kuptonin se trupi udhëheqës drejtohej nga Perëndia Jehova nëpërmjet Udhëheqësit të tyre, Jezuit. Si mund të ishin të sigurt për këtë? Së pari, te trupi udhëheqës vepronte fryma e shenjtë. (Gjoni 16:13) Fryma e shenjtë u derdh mbi të gjithë të krishterët e mirosur, por në veçanti ajo ndihmoi apostujt dhe pleq të tjerë në Jerusalem që të përmbushnin rolin e tyre si mbikëqyrës. Për shembull, në vitin 49 të e.s., fryma e shenjtë e drejtoi trupin udhëheqës që të merrte një vendim për çështjen e rrethprerjes. Kongregacionet ndoqën drejtimin e tyre e «bëheshin të patundura në besim dhe rriteshin ditë për ditë». (Vep. 16:4, 5) Në letrën ku komunikohej ai vendim del në pah edhe se trupi udhëheqës shfaqte frytin e frymës së Perëndisë, që përfshinte dashurinë dhe besimin.​—Vep. 15:11, 25-29; Gal. 5:22, 23.

6 Së dyti, trupin udhëheqës e ndihmonin engjëjt. Para se Korneli të pagëzohej si i krishteri i parë jojude i parrethprerë, një engjëll e udhëzoi t’i çonte fjalë apostullit Pjetër që t’i vente në shtëpi. Pasi Pjetri i predikoi Kornelit dhe të afërmve të tij, mbi ta u derdh fryma e shenjtë, ndonëse burrat nuk ishin të rrethprerë. Kjo i shtyu apostujt dhe vëllezër të tjerë që t’i nënshtroheshin vullnetit të Perëndisë dhe t’i pranonin jojudenjtë e parrethprerë në kongregacionin e krishterë. (Vep. 11:13-18) Veç kësaj, engjëjt punonin me zell për të mbështetur e për t’i dhënë hov veprës së predikimit që mbikëqyrte trupi udhëheqës. (Vep. 5:19, 20) Së treti, trupi udhëheqës drejtohej nga Fjala e Perëndisë. Qoftë kur zgjidhnin çështje doktrinale, qoftë kur jepnin drejtim organizativ, ata pleq të mirosur nga fryma udhëhiqeshin nga Shkrimet.​—Vep. 1:20-22; 15:15-20.

7. Pse mund të themi se të krishterët e hershëm i udhëhiqte Jezui?

7 Ndonëse kishte autoritet në kongregacionin e shekullit të parë, trupi udhëheqës e pranonte se Udhëheqësi i tyre ishte Jezui. «Ai [Krishti] i dha disa si apostuj,​—shkroi apostulli Pavël.—​Le të rritemi me anë të dashurisë në të gjitha gjërat, në përputhje me atë që është kreu, Krishti.» (Efes. 4:11, 15) E në vend që t’i vinin vetes emrin e ndonjë apostulli të shquar, «dishepujt u quajtën të krishterë, me anë të drejtimit hyjnor». (Vep. 11:26) Patjetër që Pavli e pranonte se ishte e rëndësishme ‘të mbaheshin fort traditat’, ose praktikat e bazuara në Shkrime, që jepnin apostujt dhe burra të tjerë që merrnin drejtimin. Sidoqoftë, ai shtoi: «Por dua të dini se kreu i çdo burri [përfshirë edhe çdo anëtar të trupit udhëheqës] është Krishti, . . . dhe kreu i Krishtit është Perëndia.» (1 Kor. 11:2, 3) Po, nën drejtimin e Kreut të tij, Perëndisë Jehova, Krishti Jezu i padukshëm dhe i lartësuar në qiell po udhëhiqte kongregacionin.

«KJO NUK ËSHTË VEPËR E NJERIUT»

8, 9. Çfarë roli të rëndësishëm luajti vëlla Rasëlli që nga fundi i shekullit të 19-të?

8 Nga fundi i shekullit të 19-të, Çarls Tejz Rasëlli dhe disa shokë të tij u përpoqën me të gjitha forcat të rivendosnin adhurimin e vërtetë të krishterë. Një ndihmë që të përhapnin farën e së vërtetës biblike në gjuhë të ndryshme ishte themelimi si korporatë ligjore i Zion’s Watch Tower Tract Society më 1884, me vëlla Rasëllin si president.b Ai ishte studiues i shkëlqyer i Biblës dhe pa u trembur i demaskoi si të rreme doktrina të tilla si Triniteti dhe pavdekësia e shpirtit. Ai e kuptoi se kthimi i Krishtit do të ishte i padukshëm dhe se «kohët e caktuara të kombeve» do të përfundonin më 1914. (Luka 21:24) Vëlla Rasëlli shpenzoi pa u kursyer kohën, energjitë dhe paratë e tij për t’ua mësuar këto të vërteta të tjerëve. Është e qartë se në atë kohë vendimtare, ai po përdorej nga Jehovai dhe nga kreu i kongregacionit.

9 Vëlla Rasëlli nuk kërkonte lavdi nga njerëzit. Në vitin 1896, ai shkruante: «Ne nuk duam nderim e as lavdi për vete ose për shkrimet tona; as dëshirojmë të na thërrasin Shkëlqesi ose Rabi. E nuk duam as që ndokush të thirret me emrin tonë.» Më vonë ai tha: «Kjo nuk është vepër e njeriut.»

10. (a) Kur e emëroi Jezui ‘skllavin e besueshëm dhe të matur’? (b) Tregoni si u bë gjithnjë e më i qartë ndryshimi mes Trupit Udhëheqës dhe Shoqatës Watch Tower.

10 Më 1919, tre vjet pas vdekjes së vëlla Rasëllit, Jezui emëroi ‘skllavin e besueshëm dhe të matur’. Për çfarë qëllimi? Që t’i jepte shërbëtorëve të shtëpisë së tij «ushqim në kohën e duhur». (Mat. 24:45) Qysh në ato vite të hershme, një grup i vogël vëllezërish të mirosur që shërbente në selinë botërore në Bruklin, Nju-Jork, përgatiste dhe u shpërndante ushqim frymor dishepujve të Jezuit. Shprehja «trup udhëheqës» filloi të shfaqej në botimet tona në vitet 1940. Atëherë mendohej se trupi udhëheqës lidhej ngushtësisht me korporatën Watch Tower Bible and Tract Society. Megjithatë, në vitin 1971, u qartësua se Trupi Udhëheqës ndryshon nga Shoqata Watch Tower​—që është një mjet ligjor e jo një ent biblik—​dhe nga drejtuesit e saj. Që nga ajo kohë, në Trupin Udhëheqës u përfshinë vëllezër të mirosur që nuk ishin drejtues të Shoqatës. Vitet e fundit, vëllezër me përgjegjësi nga ‘delet e tjera’ kanë shërbyer si drejtues të Shoqatës ligjore dhe të korporatave të tjera që përdor populli i Perëndisë, duke i dhënë mundësi kështu Trupit Udhëheqës të përqendrohet te sigurimi i drejtimit dhe i arsimimit frymor. (Gjoni 10:16; Vep. 6:4) Në Kullën e Rojës të 15 korrikut 2013, sqarohej se «skllavi i besueshëm dhe i matur» është një grup i vogël vëllezërish të mirosur që formojnë Trupin Udhëheqës.

Trupi udhëheqës në vitet 1950

Trupi udhëheqës, vitet 1950

11. Si funksionon Trupi Udhëheqës?

11 Trupi Udhëheqës merr vendime të rëndësishme si grup. Në ç’mënyrë? Anëtarët e tij mblidhen çdo javë, e kjo nxit komunikimin e hapur dhe unitetin. (Prov. 20:18) Drejtuesin e këtyre mbledhjeve e ndryshojnë çdo vit me rotacion, pasi asnjë anëtar i Trupit Udhëheqës nuk konsiderohet më i rëndësishëm se anëtarët e tjerë. (1 Pjet. 5:1) Në të njëjtën mënyrë, në secilin nga gjashtë komitetet e Trupit Udhëheqës, drejtuesi ndryshon me rotacion. E çdo anëtar i këtij trupi nuk e sheh veten si udhëheqësi i vëllezërve të tij, por si një nga «shërbëtorët e shtëpisë» që ushqehet nga skllavi i besueshëm dhe që i nënshtrohet drejtimit të tij.

Revista Kulla e Rojës nga vitet 1800 deri sot; Trupi Udhëheqës sot

Që kur u emërua më 1919, skllavi i besueshëm ka përgatitur ushqim frymor për popullin e Perëndisë (Shih paragrafët 10, 11.)

«KUSH ËSHTË NË TË VËRTETË SKLLAVI I BESUESHËM DHE I MATUR?»

12. Meqë Trupi Udhëheqës nuk është as i frymëzuar nga Perëndia as i pagabueshëm, cilat pyetje lindin?

12 Trupi Udhëheqës nuk është as i frymëzuar nga Perëndia as i pagabueshëm. Prandaj, ai mund të gabojë në çështje doktrinale ose në drejtimin organizativ. Në fakt, Treguesi i botimeve Watch Tower përfshin temën «Qartësohen bindjet», ku renditen përmirësimet që janë bërë në kuptueshmërinë tonë biblike që nga viti 1870. Natyrisht, Jezui nuk na tha se skllavi i tij i besueshëm do të siguronte ushqim frymor të përsosur. Atëherë, si mund t’i përgjigjemi pyetjes së Jezuit: «Kush është në të vërtetë skllavi i besueshëm dhe i matur?» (Mat. 24:45) Çfarë dëshmish ka se Trupi Udhëheqës po përmbush këtë rol? Le të ndalemi te po ata tre faktorë që drejtuan trupin udhëheqës në shekullin e parë.

13. Si e ka ndihmuar fryma e shenjtë Trupin Udhëheqës?

13 Dëshmi të veprimit të frymës së shenjtë. Fryma e shenjtë e ka ndihmuar Trupin Udhëheqës të kapë të vërteta biblike që nuk kuptoheshin më parë. Për shembull, të meditojmë për atë listë bindjesh të qartësuara që u përmend në paragrafin e kaluar. Sigurisht, asnjë njeri nuk mund të marrë meritën për zbulimin dhe shpjegimin e këtyre ‘gjërave të thella të Perëndisë’. (Lexo 1 Korintasve 2:10.) Trupi Udhëheqës bashkohet me ndjenjat e apostullit Pavël, që shkroi: «Për këto gjëra ne edhe flasim, jo me fjalë të mësuara nga mençuria njerëzore, por me ato të mësuara nga fryma.» (1 Kor. 2:13) Pas shekujsh të tërë apostazie dhe terri frymor, ç’gjë tjetër vallë përveç frymës së shenjtë mund të jetë shkaku i rritjes së vrullshme në kuptueshmërinë frymore që nga 1919-a?!

14. Sipas Zbulesës 14:6, 7, si e ndihmojnë engjëjt popullin e Perëndisë sot?

14 Dëshmi të ndihmës së engjëjve. Trupi Udhëheqës sot ka detyrën kolosale që të mbikëqyrë një vepër predikimi ndërkombëtare ku përfshihen mbi 8 milionë ungjillëzues. Pse ka qenë kaq e suksesshme kjo vepër? Një arsye është se në të janë përfshirë engjëjt. (Lexo Zbulesën 14:6, 7.) Në mjaft raste, lajmëtarët kanë trokitur në shtëpitë e individëve që porsa ishin lutur për ndihmë.c Edhe rritja e përgjithshme e veprës së predikimit dhe të bërjes së dishepujve pavarësisht nga kundërshtimi i egër në disa vende, ka qenë e mundur vetëm falë ndihmës mbinjerëzore.

15. Çfarë kontrasti ekziston mes Trupit Udhëheqës dhe udhëheqësve të krishterimit? Jepni një shembull.

15 Mbështetja te Fjala e Perëndisë. (Lexo Gjonin 17:17.) Të mendojmë për atë që ndodhi më 1973. Atë vit në Kullën e Rojës të 1 qershorit ngrihej pyetja: «A kualifikohen për pagëzim ata që nuk e kanë hequr vesin e pirjes së duhanit?» Përgjigjja ishte: «Provat biblike na çojnë në përfundimin se nuk kualifikohen.» Pasi përmendte disa shkrime që lidhen me këtë çështje, Kulla e Rojës shpjegonte pse duhej përjashtuar një duhanpirës i papenduar. (1 Kor. 5:7; 2 Kor. 7:1) Aty thuhej: «Kjo nuk përbën një përpjekje për të vepruar në mënyrë arbitrare e diktatoriale. Qëndrimi i prerë në realitet e ka burimin te Perëndia, i cili është shprehur nëpërmjet Fjalës së tij të shkruar.» A ka qenë e gatshme ndonjë organizatë tjetër fetare të mbështetet plotësisht te Fjala e Perëndisë, edhe atëherë kur kjo përbën vërtet një sfidë për disa anëtarë të saj? Në një libër të kohëve të fundit për fenë në Shtetet e Bashkuara shkruhet: «Udhëheqësit e krishterë i kanë rishikuar rregullisht mësimet e tyre që t’i përputhin me bindjet dhe opinionet e përkrahura nga anëtarët e tyre dhe nga shoqëria në tërësi.» Nëse anëtarët e Trupit Udhëheqës lejojnë që vendimet e tyre të udhëhiqen nga Fjala e Perëndisë e jo nga opinioni i përgjithshëm, atëherë kush po e drejton në të vërtetë popullin e Perëndisë sot?

«KUJTONI ATA QË MARRIN DREJTIMIN»

16. Cila është një mënyrë se si ta kujtojmë Trupin Udhëheqës?

16 Lexo Hebrenjve 13:7. Fjala e përkthyer «kujtoni» mund të përkthehet edhe «përmendni». Pra, një mënyrë si mund ‘t’i kujtojmë ata që marrin drejtimin’ është të përmendim Trupin Udhëheqës në lutjet tona. (Efes. 6:18) Të meditojmë rreth përgjegjësisë së tyre që të sigurojnë ushqim frymor, të mbikëqyrin veprën globale të predikimit dhe të administrojnë kontributet financiare. Pa diskutim që kanë nevojë të lutemi me ngulm për ta!

17, 18. (a) Si bashkëpunojmë me Trupin Udhëheqës? (b) Si e mbështetim skllavin e besueshëm dhe Jezuin me predikimin tonë?

17 Sigurisht, Trupin Udhëheqës e kujtojmë jo vetëm me fjalë, por edhe duke bashkëpunuar me drejtimin që jep. Trupi Udhëheqës siguron drejtimin që jepet në botimet tona dhe në mbledhje, asamble e kongrese. Përveç kësaj, ai emëron mbikëqyrës qarkor, të cilët emërojnë pleq kongregacioni. Mbikëqyrësit qarkorë dhe pleqtë e kujtojnë Trupin Udhëheqës duke ndjekur me shumë kujdes udhëzimet që u jepen. Të gjithë ne tregojmë respekt për Udhëheqësin tonë, Jezuin, duke iu bindur e nënshtruar burrave që përdor ai për të na drejtuar.​—Hebr. 13:17.

18 Një mënyrë tjetër si e kujtojmë Trupin Udhëheqës është duke punuar me të gjitha forcat në veprën e predikimit. Në fakt, Pavli na nxit të imitojmë besimin e atyre që marrin drejtimin mes nesh. E skllavi i besueshëm ka treguar besim të jashtëzakonshëm duke përkrahur dhe përhapur me zell lajmin e mirë për Mbretërinë. A je një nga delet e tjera që po mbështet të mirosurit në këtë vepër jetësore? Sa do të të gufojë zemra nga gëzimi kur Udhëheqësi yt, Jezui, të thotë: ‘Nëse e ke bërë këtë për një nga këta vëllezërit e mi më të vegjël, e ke bërë edhe për mua.’​—Mat. 25:34-40.

19. Pse je i vendosur të ndjekësh Udhëheqësin tënd, Jezuin?

19 Kur u kthye në qiell, Jezui nuk i braktisi dishepujt e tij. (Mat. 28:20) Ai e provoi vetë se ç’ndihmë të madhe i dhanë fryma e shenjtë, engjëjt dhe Fjala e Perëndisë që të merrte drejtimin kur ishte në tokë. Ndaj, i ka siguruar të njëjtën ndihmë skllavit të besueshëm sot. Si të krishterë të mirosur, anëtarët e këtij skllavi «vazhdojnë të ndjekin Qengjin, kudo që të shkojë». (Zbul. 14:4) Prandaj, ndërsa ndjekim drejtimin e tyre, ndjekim Udhëheqësin tonë, Jezuin. Së shpejti, ai do të na udhëheqë drejt jetës së përhershme. (Zbul. 7:14-17) E asnjë udhëheqës njerëzor nuk e premton dot këtë!

a Siç duket, Jehovai kishte si qëllim që 12 apostujt të formonin në të ardhmen ‘dymbëdhjetë gurët e themelit’ të Jerusalemit të Ri. (Zbul. 21:14) Kështu, nuk ishte e nevojshme të zëvendësohej ndonjë apostull besnik që përfundonte më vonë jetën në tokë.

b Që nga 1955-a, kjo korporatë është njohur me emrin Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania.

c Shih librin ‘Të japim dëshmi të plotë’ për Mbretërinë e Perëndisë, f. 58-59.

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo