Të jetojmë në lartësinë e dedikimit të krishterë në liri
«Atje ku është fryma e Jehovait, atje është liria.»—2. KORINTASVE 3:17, BR.
1. Kujt i janë dedikuar Dëshmitarët e Jehovait dhe pse përdorin mjete ligjore?
DËSHMITARËT E JEHOVAIT besojnë se feja e tyre do të vazhdojë përgjithmonë. Prandaj, ata presin t’i shërbejnë Perëndisë «në frymë dhe në të vërtetë» për të gjithë përjetësinë. (Gjoni 4:23, 24) Si njerëz me vullnet të lirë, këta të krishterë kanë bërë një dedikim pa rezerva ndaj Perëndisë Jehova dhe janë të vendosur të jetojnë në lartësinë e tij. Për këtë qëllim, ata mbështeten në Fjalën e Perëndisë dhe në frymën e tij të shenjtë. Ndërsa ndjekin me gjithë zemër rrugën e dedikimit të tyre të krishterë në lirinë e dhënë nga Perëndia, Dëshmitarët tregojnë respektin e duhur për rolin e «autoriteteve më të larta» qeveritare dhe përdorin siç duhet mjetet dhe masat ligjore. (Romakëve 13:1; Jakovit 1:25) Për shembull, Dëshmitarët përdorin Shoqatën Watch Tower si instrument ligjor, një prej shumë të tillave në vende të ndryshme, që t’u bëjë të mundur të kryejnë veprën e tyre për të ndihmuar njerëzit, sidomos në aspekte frymore. Por Dëshmitarët i janë dedikuar Perëndisë, jo ndonjë mjeti ligjor, dhe dedikimi i tyre ndaj Jehovait do të vazhdojë përgjithmonë.
2. Pse Shoqata Watch Tower dhe mjete të ngjashme ligjore çmohen shumë nga Dëshmitarët e Jehovait?
2 Si shërbëtorë të dedikuar ndaj Perëndisë, Dëshmitarët e Jehovait janë të detyruar të ndjekin udhëzimet e Jezuit për të ‘bërë dishepuj nga njerëzit e të gjitha kombeve, duke i pagëzuar në emër të Atit, të Birit dhe të frymës së shenjtë, duke i mësuar’. (Mateu 28:19, 20, BR) Kjo vepër do të vazhdojë deri në përfundim të sistemit të gjërave, sepse Jezui tha edhe: «Ky lajm i mirë i mbretërisë do të predikohet në të gjithë tokën e banuar si dëshmi për të gjitha kombet dhe atëherë do të vijë fundi.» (Mateu 24:3, 14, BR) Çdo vit, stabilimente shtypjeje të Shoqatës Watch Tower dhe korporata të ngjashme ligjore i furnizojnë Dëshmitarët e Jehovait me miliona Bibla, libra, broshura dhe revista, për t’i përdorur në veprën e tyre mbarëbotërore të predikimit. Prandaj, këto ente ligjore janë të paçmueshme në ndihmën që u japin shërbëtorëve të Perëndisë, për të jetuar në lartësinë e dedikimit të tyre ndaj tij.
3. Në ç’kuptim e përdornin më parë Dëshmitarët e Jehovait termin «Shoqata»?
3 Dikush mund të nxjerrë argumentin se mënyra në të cilën flasin Dëshmitarët për Shoqatën Watch Tower, apo më shpesh thjesht «Shoqata», tregon se e konsiderojnë atë si diçka më shumë sesa një instrument ligjor. A nuk e konsiderojnë atë si të jetë autoriteti përfundimtar në lidhje me çështjet e adhurimit? Libri Dëshmitarët e Jehovait: Lajmëtarë të Mbretërisë së Perëndisë e sqaron këtë pikë, duke shpjeguar: «Kur Kulla e Rojës [1 qershor 1938, anglisht] iu referua ‘Shoqatës’, kjo do të thoshte jo thjesht një instrument ligjor, por trupi i të krishterëve të mirosur, që e kishte formuar dhe përdorur këtë ent ligjor. Prandaj, kjo shprehje përfaqësonte skllavin e besueshëm dhe të matur.»a (Mateu 24:45, BR) Ky është kuptimi në të cilin e përdornin në përgjithësi Dëshmitarët termin «Shoqata». Sigurisht, korporata ligjore dhe «skllavi i besueshëm dhe i matur», nuk janë terma të ndërkëmbyeshme. Drejtuesit e Shoqatës Watch Tower zgjidhen, ndërsa Dëshmitarët që përbëjnë ‘skllavin e besueshëm’ janë mirosur nga fryma e shenjtë e Jehovait.
4. (a) Si shprehen shumë Dëshmitarë, që të shmangin keqkuptimet? (b) Pse duhet të jemi të drejtpeshuar për sa i përket terminologjisë?
4 Që të shmangin keqkuptimet, Dëshmitarët e Jehovait përpiqen të jenë të kujdesshëm në lidhje me mënyrën se si shprehen. Në vend që të thonë «Shoqata mëson», shumë Dëshmitarë preferojnë të përdorin shprehje të tilla, si: «Bibla thotë» ose «E kuptoj se Bibla mëson». Në këtë mënyrë, ata vënë në dukje vendimin personal që ka marrë çdo Dëshmitar për pranimin e mësimeve të Biblës, si dhe shmangin krijimin e një përshtypjeje të rremë sikur Dëshmitarët janë gjithsesi nën diktatin e ndonjë sekti fetar. Sigurisht, sugjerimet në lidhje me terminologjinë nuk duhet të bëhen kurrë objekt debati. Në fund të fundit, terminologjia ka rëndësi vetëm deri në atë pikë që pengon keqkuptimet. Kërkohet drejtpeshim i krishterë. Bibla na këshillon ‘të mos zihemi në lidhje me fjalët’. (2. Tim. 2:14, 15, BR) Shkrimet pohojnë edhe këtë parim: «Nëse ju, nëpërmjet gjuhës, nuk shqiptoni një të folur që kuptohet lehtë, si do të bëhet e ditur se çfarë po thuhet?»—1. Korintasve 14:9, BR.
Fryma e Perëndisë pakëson nevojën për rregulla
5. Si duhet kuptuar 1. Korintasve 10:23?
5 «Të gjitha gjërat janë të ligjshme, por jo të gjitha gjërat janë dobiprurëse»,—vërejti apostulli Pavël. Ai shtoi: «Të gjitha gjërat janë të ligjshme, por jo të gjitha gjërat ndërtojnë.» (1. Korintasve 10:23, BR) Natyrisht që Pavli nuk donte të thoshte se është e ligjshme të bësh gjëra që Fjala e Perëndisë i dënon qartësisht. Në krahasim me rreth 600 ligjet që iu dhanë Izraelit të lashtë, ekzistojnë relativisht pak urdhra të prera që rregullojnë jetën e krishterë. Pra, shumë çështje janë lënë në ndërgjegjen e individit. Një person që i ka bërë një dedikim Jehovait, gëzon lirinë që rezulton nga udhëheqja prej frymës së Perëndisë. Pasi e ka bërë të vetën të vërtetën, një i krishterë ndjek ndërgjegjen e tij të stërvitur nga Bibla dhe mbështetet në drejtimin e Perëndisë me anë të frymës së shenjtë. Kjo e ndihmon të krishterin e dedikuar të përcaktojë se ç’gjë do ta «ndërtojë» dhe do të jetë «dobiprurëse» për atë vetë dhe për të tjerët. Ai e kupton se vendimet që merr do të ndikojnë në marrëdhënien e tij personale me Perëndinë, të cilit i është dedikuar.
6. Si mund ta demonstrojmë nëpër mbledhjet e krishtere se e kemi bërë tonën të vërtetën?
6 Një Dëshmitar e demonstron se e ka bërë të vetën të vërtetën, duke komentuar nëpër mbledhjet e krishtere. Në fillim, ai mund të thotë fjalë për fjalë atë që është shkruar në botimin që po studiohet. Por, me kalimin e kohës, ai do të përparojë deri në pikën që t’i shprehë mësimet e Biblës me fjalët e veta. Kështu, ai jep dëshmi se po zhvillon aftësinë e tij të të menduarit, duke mos përsëritur thjesht atë që kanë thënë të tjerët. Formulimi i mendimeve me fjalët e veta dhe të shprehurit e fjalëve korrekte të së vërtetës në një mënyrë të ndjerë nga zemra, do t’i sjellë atij kënaqësi dhe do të tregojë se është i bindur në mendjen e tij.—Eklisiastiu [Predikuesi] 12:10; krahaso Romakëve 14:5b.
7. Cilat vendime janë marrë vullnetarisht nga shërbëtorët e Jehovait?
7 Dëshmitarët e Jehovait janë të motivuar nga dashuria për Perëndinë dhe për njerëzit. (Mateu 22:36-40) Vërtet, ata janë të lidhur ngushtë së bashku nga lidhja e dashurisë së ngjashme me atë të Krishtit, si një shoqëri mbarëbotërore vëllezërish. (Kolosianëve 3:14; 1. Pjetrit 5:9) Por, si person me vullnet të lirë, secili ka vendosur personalisht të deklarojë lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë, të mbetet politikisht asnjanës, të përmbahet nga gjaku, të shmangë disa lloje zbavitjesh dhe të jetojë sipas standardeve të Biblës. Këto nuk janë vendime që u janë imponuar. Janë vendime që bëjnë pjesë në kuadrin e një mënyre jetese të zgjedhur vullnetarisht nga Dëshmitarët e mundshëm, përpara se ata të hedhin hapin e dedikimit të krishterë.
I japin llogari një Trupi Udhëheqës?
8. Cila pyetje duhet sqaruar?
8 Bibla e tregon qartë se të krishterët e vërtetë nuk i shërbejnë Perëndisë nga shtrëngimi. Ajo thotë: «Jehovai është Fryma dhe atje ku është fryma e Jehovait, atje është liria.» (2. Korintasve 3:17, BR) Por si mund të harmonizohet ky fakt me idenë e një «skllavi të besueshëm dhe të matur» bashkë me Trupin e tij Udhëheqës?—Mateu 24:45-47, BR.
9, 10. (a) Si aplikohet parimi i kryesisë në kongregacionin e krishterë? (b) Ç’gjë bëri të domosdoshme ndjekja e parimit të kryesisë në kongregacionin e krishterë të shekullit të parë?
9 Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, duhet të mbajmë parasysh parimin biblik të kryesisë. (1. Korintasve 11:3, BR) Në Efesianëve 5:21-24, Krishti identifikohet si «kreu i kongregacionit», ai ndaj të cilit kongregacioni është «i nënshtruar». (BR) Dëshmitarët e Jehovait e kuptojnë se skllavi i besueshëm dhe i matur është i përbërë nga vëllezërit frymorë të Jezuit. (Hebrenjve 2:10-13) Kjo klasë e skllavit të besueshëm është emëruar për t’i siguruar popullit të Perëndisë ‘ushqim frymor në kohën e duhur’. Në këtë kohë të fundit, Krishti e ka emëruar këtë skllav «mbi gjithë pronat e veta». Prandaj, pozita e tij meriton respekin e kujtdo që deklaron se është i krishterë.
10 Qëllimi i kryesisë është të ruajë unitetin dhe të sigurohet që «çdo gjë të bëhet hijshëm dhe sipas rregullimit». (1. Korintasve 14:40, BR) Për ta arritur këtë në shekullin e parë, u zgjodh një numër të krishterësh të mirosur nga klasa e skllavit të besueshëm dhe të matur, për të përfaqësuar të gjithë grupin. Siç provuan ngjarjet që ndodhën më pas, mbikëqyrja e ushtruar nga ky trup udhëheqës i shekullit të parë, pati miratimin dhe bekimin e Jehovait. Të krishterët e shekullit të parë e pranuan me gëzim këtë rregullim. Po, ata në fakt e mirëpritën dhe qenë mirënjohës për rezultatet e shkëlqyera që dha ai.—Veprat 15:1-32.
11. Si duhet konsideruar Trupi Udhëheqës i ditëve të sotme?
11 Vlera e një rregullimi të tillë ekziston ende. Tani, Trupi Udhëheqës i Dëshmitarëve të Jehovait përbëhet nga dhjetë të krishterë të mirosur, të gjithë me dekada përvoje të krishterë mbi supe. Ata u ofrojnë drejtim frymor Dëshmitarëve të Jehovait, ashtu siç bëri trupi udhëheqës i shekullit të parë. (Veprat 16:4) Ashtu si të krishterët e hershëm, Dëshmitarët u drejtohen me gëzim vëllezërve të pjekur të Trupit Udhëheqës për drejtim dhe udhëheqje të bazuar në Bibël, në lidhje me çështjet e adhurimit. Megjithëse anëtarët e Trupit Udhëheqës janë skllevër të Jehovait dhe të Krishtit, siç janë edhe bashkë të krishterët e tyre, Bibla na udhëzon: «Jini të bindur ndaj atyre që marrin drejtimin mes jush dhe jini të nënshtruar, sepse vigjilojnë mbi shpirtrat tuaj, si ata që do të japin llogari, që këtë ta bëjnë me gëzim dhe jo duke psherëtirë, sepse kjo do të ishte e dëmshme për ju.»—Hebrenjve 13:17, BR.
12. Kujt duhet t’i japë llogari çdo individ i krishterë?
12 A do të thotë pozita e mbikëqyrjes se Shkrimet i caktojnë Trupit Udhëheqës, që secili prej Dëshmitarëve të Jehovait duhet t’i japë llogari këtij trupi për punët e veta? Jo, sipas fjalëve të Pavlit drejtuar të krishterëve në Romë: «Pse e gjykon vëllain tënd? Ose, pse edhe e përçmon vëllain tënd? Sepse të gjithë ne do të qëndrojmë përpara fronit gjykues të Perëndisë . . . Secili prej nesh do t’i japë llogari Perëndisë për veten.»—Romakëve 14:10-12, BR.
13. Pse e raportojnë aktivitetin e tyre të predikimit Dëshmitarët e Jehovait?
13 Por, a nuk është e vërtetë se nga individët Dëshmitarë pritet të raportojnë aktivitetin e tyre të predikimit? Po, por qëllimi i kësaj gjëje është shpjeguar qartë në një manual të Dëshmitarëve, në të cilin thuhet: «Ithtarët e hershëm të Jezu Krishtit interesoheshin për raportet e përparimit të veprës së predikimit. (Marku 6:30) Ndërsa vepra lulëzonte, raportet statistikore përpiloheshin bashkë me tregime përvojash të shkëlqyera të atyre që merrnin pjesë në predikimin e lajmit të mirë. . . . (Veprat 2:5-11, 41, 47; 6:7; 1:15; 4:4) . . . Sa inkurajuese ishte për ata punëtorë të krishterë të besueshëm, të dëgjonin raporte mbi atë që po kryhej! . . . Në mënyrë të ngjashme, organizata moderne e Jehovait përpiqet të mbajë regjistrime të sakta të veprës që po bëhet në përmbushje të Mateut 24:14.»
14, 15. (a) Si i aplikohet 2. Korintasve 1:24 Trupit Udhëheqës? (b) Mbi ç’bazë duhet t’i marrin vendimet individët e krishterë, duke ditur fare mirë cilin fakt?
14 Trupi Udhëheqës është një sigurim i dashur dhe një shembull besimi të denjë për imitim. (Filipianëve 3:17; Hebrenjve 13:7) Duke iu përmbajtur dhe duke ndjekur Krishtin si model, ata mund t’u bëjnë jehonë fjalëve të Pavlit: «Jo se jemi zotërinj mbi besimin tuaj, por jemi bashkëpunëtorë për gëzimin tuaj, sepse është me anë të besimit tuaj që po qëndroni në këmbë.» (2. Korintasve 1:24, BR) Duke vëzhguar prirjet, Trupi Udhëheqës e tërheq vëmendjen te dobitë e dëgjimit të këshillave biblike, ofron sugjerime rreth aplikimit të ligjeve dhe të parimeve biblike, paralajmëron për rreziqet e fshehura dhe u siguron «bashkëpunëtorëve» inkurajimin e nevojshëm. Kështu, ai kryen detyrën e tij si ekonom i krishterë, i ndihmon të mbajnë gëzimin e tyre, si dhe i ndërton në besim, kështu që ata mund të qëndrojnë të palëkundur.—1. Korintasve 4:1, 2; Titit 1:7-9.
15 Nëse një Dëshmitar merr vendime mbi bazën e këshillave biblike të ofruara nga Trupi Udhëheqës, e bën këtë me vullnetin e tij, sepse studimi që i ka bërë Biblës e ka bindur se kjo është rruga e duhur. Çdo Dëshmitar ndikohet nga Fjala e vetë Perëndisë, për të aplikuar këshillat e shëndosha biblike të ofruara nga Trupi Udhëheqës, duke e ditur fare mirë se vendimet që merr do të ndikojnë në marrëdhënien e tij personale me Perëndinë, të cilit i është dedikuar.—1. Selanikasve [Thesalonikasve] 2:13, BR.
Studentë dhe ushtarë
16. Megjithëse vendimet për sa i përket sjelljes janë një çështje personale, pse përjashtohen disa?
16 Por, nëse vendimet për sa i përket sjelljes janë një çështje personale, pse përjashtohen disa Dëshmitarë të Jehovait? Askush nuk përcakton arbitrarisht se praktika e një mëkati të veçantë kërkon përjashtim. Përkundrazi, ky veprim kërkohet sipas Biblës, vetëm kur një anëtar i kongregacionit merr pjesë pa u penduar në mëkate të rënda, të tilla si atë të renditura në 1Ko kapitullin 5 të letrës së parë drejtuar korintasve. Pra edhe pse një i krishterë mund të përjashtohet, pasi ka praktikuar kurvërinë, kjo ndodh vetëm nëse individi refuzon të pranojë ndihmën frymore të barinjve të dashur. Dëshmitarët e Jehovait nuk janë të vetmit që ndjekin këtë praktikë të krishterë. Enciklopedia e fesë vëren: «Çdo bashkësi deklaron të drejtën për ta mbrojtur veten nga anëtarët që nuk veprojnë në përputhje me të, të cilët mund të kërcënojnë mirëqenien e përbashkët. Në kuadrin fetar, kjo e drejtë është përforcuar shpesh nga bindja se sanksioni [i shkishërimit] ndikon në qëndrimin e një personi para Perëndisë.»
17, 18. Si mund të ilustrohet fakti që përjashtimi është diçka me vend?
17 Dëshmitarët e Jehovait janë studentë të Biblës. (Josiu [Jozueu] 1:8; Psalmi 1:2; Veprat 17:11) Programi i arsimimit biblik, i siguruar nga Trupi Udhëheqës mund të krahasohet me një program shkolle të paraqitur nga një këshill arsimimi. Megjithëse këshilli në vetvete nuk është burimi i materialit që mësohet, ai harton programin, përcakton metodën e mësimit dhe nxjerr direktiva të nevojshme. Nëse kushdo refuzon në mënyrë flagrante të jetojë sipas kërkesave të institucionit, krijon vështirësi për studentët e tjerë ose turpëron shkollën, mund të përjashtohet. Është brenda të drejtave të autoriteteve të shkollës, që të veprojnë në dobinë e studentëve, të konsideruar si një e tërë.
18 Përveçse janë studentë, Dëshmitarët e Jehovait janë ushtarë të Jezu Krishtit, të mësuar për të ‘bërë betejën e shkëlqyer të besimit’. (1. Timoteut 6:12, BR; 2. Timoteut 2:3) Natyrisht, sjellja e vazhdueshme që nuk i ka hije një ushtari të krishterë mund të sjellë mosaprovimin hyjnor. Si një individ i pajisur me lirinë e zgjedhjes, një ushtar i krishterë mund të vendosë si të dojë, por duhet të bartë pasojat e vendimit të tij. Pavli arsyeton: «Asnjë njeri që shërben si ushtar nuk përfshihet në çështjet tregtare të jetës, që të fitojë miratimin e atij, i cili e rekrutoi si ushtar. Për më tepër, nëse dikush ndeshet qoftë edhe në lojëra, ai nuk kurorëzohet nëse nuk është ndeshur sipas rregullave.» (2. Timoteut 2:4, 5, BR) Të krishterët e pjekur, përfshirë edhe ata të Trupit Udhëheqës, qëndrojnë tërësisht në dispozicion të Udhëheqësit të tyre, Jezu Krishtit, duke zbatuar «rregullat», kështu që mund ta fitojnë çmimin e jetës së përhershme.—Gjoni 17:3; Zbulesa 2:10.
19. Pasi kemi shqyrtuar faktet në lidhje me dedikimin e krishterë, për çfarë mund të jemi të sigurt?
19 A nuk e bëjnë të qartë faktet, se Dëshmitarët e Jehovait janë shërbëtorë të Perëndisë, jo skllevër të njerëzve? Si të krishterë të dedikuar që gëzojnë lirinë për të cilën Krishti i bëri të lirë, ata lënë që fryma e Perëndisë dhe Fjala e tij të sundojnë jetën e tyre, ndërsa shërbejnë të bashkuar me vëllezërit e tyre në kongregacionin e Perëndisë. (Psalmi 133:1) Dëshmitë e kësaj gjëje duhet të fshijnë, gjithashtu, çdo pasiguri në lidhje me burimin e forcës së tyre. Bashkë me psalmistin, ata mund të këndojnë: «Jehovai është forca ime dhe mburoja ime. Në të ka besuar zemra ime dhe jam ndihmuar, kështu që zemra ime ngazëllohet dhe me këngën time do t’i thur lavdi atij.»—Psalmi 28:7, BR.
[Shënimi]
a Botuar në vitin 1993 nga Shoqata Watchtower Bible and Tract of New York, Inc., anglisht.
Si do të përgjigjeshe?
◻ Si i ndihmon Dëshmitarët e Jehovait, Shoqata Watch Tower dhe mjetet e ngjashme ligjore?
◻ Si nxjerrin dobi të krishterët nga roli i Trupit Udhëheqës të Dëshmitarëve të Jehovait?
◻ Pse populli i Jehovait e raporton aktivitetin e vet të predikimit?
◻ Në cilat rrethana është i përshtatshëm përjashtimi i një të krishteri të dedikuar?
[Figura në faqen 19]
Trupi udhëheqës i shekullit të parë ruajti unitetin e doktrinës
[Figura në faqen 23]
Në mbarë botën, Dëshmitarët e Jehovait gëzojnë lirinë, për të cilën Krishti i bëri të lirë