-
Të mësojmë nga ilustrimi i talentaveKulla e Rojës—2015 | 15 Mars
-
-
NJË SKLLAV I LIG DHE I PLOGËSHT
14, 15. A donte të thoshte Jezui se shumë vëllezër të tij të mirosur do të tregoheshin të ligj e të plogësht? Shpjegoni.
14 Në shëmbëlltyrë, skllavi i tretë e groposi talentën e tij në vend që të bënte tregti me të ose të paktën ta depozitonte te bankierët. Ai skllav shfaqi një frymë të keqe sepse sabotoi me dashje interesat e zotërisë. Me të drejtë zotëria e quajti skllav «i lig dhe i plogësht». Ai ia mori talentën dhe ia dha atij që kishte dhjetë. Pastaj, skllavin e lig e flakën «jashtë në errësirë». ‘Atje do të qante dhe do të kërcëllinte dhëmbët.’—Mat. 25:24-30; Luka 19:22, 23.
15 Meqë një nga tre skllevërit e fshehu talentën e tij, a donte të thoshte Jezui këtu se një e treta e dishepujve të mirosur do të tregoheshin të ligj e të plogësht? Jo. Të mbajmë parasysh kontekstin. Në ilustrimin e skllavit të besueshëm e të matur, Jezui foli për një skllav të lig që i rrihte skllevërit e tjerë. Ai nuk po parathoshte se do të krijohej një klasë skllavi të lig. Në vend të kësaj, po e paralajmëronte skllavin e besueshëm të mos shfaqte tiparet e një skllavi të lig. Po njësoj, me ilustrimin e dhjetë virgjëreshave Jezui nuk po tregonte se gjysma e dishepujve të mirosur do të ishin si pesë virgjëreshat mendjelehta. Përkundrazi, po i paralajmëronte vëllezërit e tij frymorë se ç’do të ndodhte po të mos qëndronin vigjilentë e të mos ishin të përgatitur.f Prandaj, brenda këtij konteksti, duket logjike të nxjerrim përfundimin se me ilustrimin e talentave Jezui nuk po thoshte që gjatë ditëve të fundit shumë vëllezër të tij të mirosur do të tregoheshin të ligj e të plogësht. Në vend të kësaj, po i paralajmëronte dishepujt e mirosur të mbeteshin të papërtuar—pra ‘të bënin tregti’ me talentat—dhe të mos shfaqnin qëndrimet e veprimet e një skllavi të lig.—Mat. 25:16.
-