Fundi i varfërisë afrohet
ÇFARË kishte ndër mend Jezui kur tha se «të varfrit do t’i keni përherë me ju»? (Mateu 26:11) A donte të thoshte se varfëria do të ekzistonte përgjithmonë, pa asnjë zgjidhje?
Jezui e dinte se, për aq kohë sa do të zgjaste sistemi i tanishëm i sundimit njerëzor, do të kishte varfëri. Ai e dinte se varfëria nuk mund të çrrënjosej përgjithnjë nga asnjë formë e qeverive njerëzore ose nga ndonjë sistem ekonomik apo shoqëror. Dhe dokumentacioni i historisë e vërteton këtë.
Përgjatë mijëra viteve të historisë njerëzore, është provuar çdo lloj qeverie dhe çdo lloj sistemi ekonomik e shoqëror, e megjithatë varfëria është akoma ndër ne. Në fakt, megjithë progresin në fusha të tilla, si: shkenca, industria dhe mjekësia, fakti i padiskutueshëm është se në mbarë botën numri i njerëzve të mbërthyer nga varfëria vazhdon të rritet.
Jezui ishte fare mirë në dijeni të faktorëve të shumtë që prodhojnë varfërinë, si: zia e bukës, thatësira, pushtimet e ushtrive të huaja, qeverisja e keqe, ekonomia e keqpërdorur, shtypja e të varfërve dhe e të dobtëve nga të pasurit e nga të fuqishmit, aksidentet e sëmundjet dhe vdekja e burrave që lënë prapa jetimë e të veja të varfëruara. Për më tepër, ai e dinte se njerëzit mund t’i sillnin varfërimin vetvetes dhe familjeve të tyre përmes veseve të këqija, si: dembelizmi, dehja, bixhozi dhe narkomania.
Prandaj, kur Jezui tha se «të varfrit do t’i keni përherë me ju», ai donte të thoshte se çrrënjosja e varfërisë ishte përtej mundësive të çdo enti të kësaj bote. Ai donte të thoshte se, për aq kohë sa do të ekzistonte sistemi i tanishëm i sundimit njerëzor, do të kishte njerëz të varfër.
Megjithëse problemi i varfërisë është një problem i lashtë, ne nuk duhet të nxjerrim përfundimin se, si Jezui, ashtu edhe Ati i tij qiellor ishin të pandjeshëm ndaj të varfërve. As nuk duhet të nxjerrim përfundimin nga fjalët e Jezuit se varfëria nuk do të mbarojë kurrë. Kjo është e qartë nga ajo që thotë Bibla mbi këtë çështje.
Varfëria dhe Ligji i Moisiut
Për shembull, shqyrtoni Ligjin që Perëndia i dha kombit të lashtë të Izraelit me anë të Moisiut. Një kërkesë e Ligjit ishte që çdo familjeje izraelite t’i jepej një trashëgimi toke në Kanaan. (Ligji i përtërirë 11:8-15; 19:14) Përjashtim bënin vetëm levitët, që nuk merrnin asnjë pjesë. Në vend të kësaj, duke pasur parasysh punën e tyre të veçantë në tempull, ata jetonin duke marrë një të dhjetën e prodhimit të tokës.—Numrat 18:20, 21, 24.
Për më tepër, ligjet e trashëgimisë nën Ligjin e Moisiut siguronin që toka të vazhdonte të mbahej nga familja ose fisi, të cilit i ishte dhënë. (Numrat 27:8-11) Edhe sikur një njeri ta shiste tokën e tij, ajo mund t’i përkiste pronarit të ri vetëm përkohësisht. Në kohën e duhur, toka do t’i kthehej familjes së atij që e shiste.
Për ata që bëheshin të varfër për arsye të ndryshme, si keqpërdorimi i tokës ose shterimi i rezervave të tyre, Ligji garantonte të drejtën për të mbledhur atë që mbetej në fushat, pemishtet dhe vreshtat e të tjerëve. (Levitiku 23:22) Përveç kësaj, një izraelit nevojtar mund të merrte para hua, pa iu dashur të paguante interesin. Në fakt, ndaj të varfërve pritej që të tregohej një frymë bujarie.—Eksodi 22:25.
Jezui u kujdes për të varfërit
Shekuj më vonë, kur Jezui erdhi në tokë, ai vazhdoi të shfaqte frymën e bujarisë që kishte mësuar nga Ati i tij, Jehovai. Jezui tregoi interes personal për ata që ishin të varfër materialisht. Ai dhe dishepujt e tij kishin një fond të përbashkët, nga i cili u jepnin gjëra izraelitëve nevojtarë.—Gjoni 12:5-8.
Pasi u vra Jezui, të njëjtin kujdes për të varfrit e treguan të krishterët, kur u siguronin ndihmë materiale veçanërisht vëllezërve të tyre frymorë më të varfër dhe motrave. (Romakëve 15:26) Të krishterët e vërtetë sot tregojnë të njëjtin kujdes të dashur për njëri-tjetrin.
Sigurisht, edhe pse Bibla shpreh dhembshuri për viktimat e kushteve shtypëse, ajo i qorton ata që, në thelb, ‘hanë mishin e tyre’ për shkak të dembelizmit. (Predikuesit 4:1, 5) Apostulli Pavël shkroi: «Po qe se ndonjë nuk do të punojë, as të mos hajë.» (2. Thesalonikasve 3:10) Ngjashëm, ata që i prishin paratë në vese të tilla, si: dhënia pas drogës, duhani ose alkooli, mund ta gjejnë veten në varfëri. Ky është rezultat i vetë veprimeve të tyre të këqija, ata faktikisht ‘po korrin atë që kanë mbjellë’.—Galatasve 6:7.
Siguri që tani
Bibla thotë se Perëndia tregon interes të veçantë për gjendjen e atyre që përpiqen të bëjnë vullnetin e tij. Për shembull, në Psalmin 37:25, Davidi pohon: «Unë kam qenë fëmijë dhe tani jam plakur, por nuk e kam parë kurrë të drejtin të braktisur dhe pasardhësit e tij të lypin bukë.» Atyre që janë të prirur drejtësisht nuk u premtohet pasuri, por fakti këtu është se Perëndia do të kujdeset që ata të kenë furnizime materiale të mjaftueshme për të mbijetuar. Dhe Psalmi 37 vargu 28 i të njëjtit psalm thotë: «Jehovai është një dashurues i drejtësisë dhe nuk do t’i lërë besnikët e tij.»—BR.
Jezui bëri më shumë sesa thjesht të tregonte interesim për të varfrit, duke i ndihmuar ata materialisht gjatë jetës së tij në tokë. Ai i siguroi ata se, për sa kohë që do të përpiqeshin të bënin vullnetin e Perëndisë, Perëndia do të kujdesej që të paktën nevojat minimale të tyre të siguroheshin, si për të tashmen, ashtu edhe për të ardhmen. Jezui tha sa vijon:
«Vini re zogjtë e qiellit: ata nuk mbjellin, nuk korrin dhe nuk mbledhin në hambare; megjithatë Ati juaj qiellor i ushqen. A nuk vleni ju shumë më tepër sesa ata? . . . Pse shqetësoheni për veshjen tuaj? Vini re si rriten zambakët e fushës: ata nuk lodhen dhe nuk tjerrin; dhe unë, pra, po ju them se Salomoni vetë, me gjithë lavdinë e tij, nuk ishte veshur si ndonjë nga ata. Tani, nëse Perëndia e vesh kështu barin e fushës, që sot është dhe nesër hidhet në furrë, vallë nuk do t’ju veshë shumë më tepër ju, njerëz besimpakë? Mos u shqetësoni, pra, duke thënë: ‘Çfarë do të hamë ose çfarë do të pimë, ose me çfarë do të vishemi?’ . . . Ati juaj qiellor, pra, e di mirë se ju keni nevojë për të gjitha këto gjëra.»—Mateu 6:26-32.
Jezui përfundoi duke i nxitur ithtarët e tij: «Por, para së gjithash, kërkoni mbretërinë e Perëndisë dhe drejtësinë e tij dhe të gjitha këto gjëra do t’ju shtohen.» (Mateu 6:33) Sa inkurajim i shkëlqyer është ky për ata që janë të varfër, por që kërkojnë të bëjnë vullnetin e Perëndisë! Vëreni, gjithashtu, se Jezui tregoi që Mbretëria e Perëndisë duhej të ishte gjëja më e rëndësishme në jetën e ithtarëve të tij. Jezui e dinte se kur Mbretëria qiellore e Perëndisë të merrte kontrollin e plotë mbi të gjithë tokën, atëherë dhe vetëm atëherë, do të eliminohej varfëria.
Jo përgjithmonë me ne
Me këto fjalë Jezui dha një shpresë të mrekullueshme për të ardhmen. Kështu, kur tha se «të varfrit do t’i keni përherë me ju», ai po i referohej jetës nën sistemin e tanishëm të sundimit njerëzor. Nuk po i referohej jetës në të ardhmen, nën sundimin e Mbretërisë qiellore të Perëndisë. Bibla parathotë: «Sepse nevojtari [i varfri, BR] nuk do të harrohet përjetë, shpresa e të shtypurve nuk do të zhduket përjetë.» (Psalmi 9:18) Dhe si Mbreti i Mbretërisë së Perëndisë, Krishti Jezu nuk do të tolerojë asnjë që përpiqet të shfrytëzojë dhe të shtypë të tjerët.
Jezui e bëri sundimin e Mbretërisë qiellore të Perëndisë temën qendrore të mësimit të tij. (Mateu 4:17) Nën sundimin e Mbretërisë, kushtet në tokë do të pasqyrojnë ose do të paraqesin kushtet në qiell. Ja përse ai i mësoi ithtarët e tij t’i luteshin Perëndisë: «Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt në tokë si në qiell.»—Mateu 6:10.
Si do të ndodhë kjo? Është qëllimi i Perëndisë që ta eliminojë nga toka të gjithë sistemin e tanishëm të sundimit njerëzor dhe ta zëvendësojë me sundimin e Mbretërisë së tij qiellore. Profecia në Danielin 2:44 thotë: «Në kohën e këtyre mbretërve [që ekzistojnë tani] Perëndia i qiellit do të nxjerrë një mbretëri që nuk do të shkatërrohet kurrë; kjo mbretëri nuk do t’i lihet një populli tjetër, [nuk do të ketë më sundim njerëzor] por do të copëtojë dhe do të asgjësojë tërë këto mbretëri [të tanishme] dhe do të ekzistojë përjetë.»
Atëherë, në një botë të re nën sundimin e Mbretërisë së Perëndisë, e gjithë toka do të transformohet në një parajsë bollëku, pa asnjë gjurmë të varfërisë. Vëreni disa profeci biblike në lidhje me kushtet që do të ekzistojnë në atë kohë:
«Zoti i ushtrive do t’u përgatitë tërë popujve . . . një banket me verëra të vjetra, me gjellë të shijshme me shumë palcë.» (Isaia 25:6) «Do të ketë bollëk gruri mbi tokë, në majat e maleve.» (Psalmi 72:16) «Do të jenë shira bekimi. Druri i fushës do të japë frytin e tij dhe toka do të japë prodhimet e saj. Ato do të jenë të sigurta në tokën e tyre.» (Ezekieli 34:26, 27) «Toka do të prodhojë frytin e vet, Perëndia, Perëndia ynë do të na bekojë.» (Psalmi 67:6) «Le të gëzohen vendet e shkreta e të papërshkueshme, le të galdojë shkretëtira e të lulëzojë si lili.»—Isaia 35:1, DSF.
Përveç kësaj, Mikea 4:4 premton: «Do të ulet secili nën hardhinë e vet dhe nën fikun e vet dhe askush nuk do t’i trembë më.» Të gjithë do të kenë shtëpitë e tyre: «Do të ndërtojnë shtëpi dhe do të banojnë në to. . . . Nuk do të ndërtojnë më që të banojë një tjetër.» (Isaia 65:21, 22) S’është çudi që Jezui mund t’u premtonte atyre që besuan në mësimet e tij: «Do të jesh me mua në Parajsë!»—Luka 23:43.
Po, vetë Fjala e frymëzuar e Perëndisë mëson qartësisht se do të ketë një fund të plotë të varfërisë. Dhe koha po afron, sepse profecitë biblike tregojnë që kjo botë tani është në «ditët e fundit» të saj, duke përjetuar «kohë të vështira». (2. Timoteut 3:1-5, 13) Së shpejti, sistemi i tanishëm i gjërave do të fshihet përgjithmonë dhe varfëria do të zhduket përgjithnjë, jo nga përpjekjet e njeriut, por me anë të ndërhyrjes hyjnore. Mbreti Jezu Krisht «do ta çlirojë nevojtarin që bërtet dhe të mjerin që nuk ka se kush ta ndihmojë. Atij do t’i vijë keq për të dobëtin dhe për nevojtarin dhe do të shpëtojë jetën e nevojtarëve».—Psalmi 72:12, 13.
[Figura në faqen 9]
Në botën e re të Perëndisë do të ketë shtëpi të mira dhe ushqim të bollshëm për të gjithë
[Figura në faqen 10]
Në botën e re, nuk do të ketë kurrë fëmijë të uritur