JERUSALEMI
[me paqe të dyfishtë; themel i paqes së dyfishtë].
Kryeqyteti i kombit të lashtë të Izraelit nga viti 1070 p.e.s. e më tej, dhe, pasi kombi u nda në dy mbretëri (997 p.e.s.), kryeqyteti i mbretërisë jugore të Judës. Në Shkrime përmendet mbi 800 herë.
Emri. Emri më i lashtë i dokumentuar i qytetit është ‘Salem’. (Zn 14:18) Megjithëse disa përpiqen ta lidhin kuptimin e emrit Jerusalem me atë të një perëndie semitik të perëndimit të quajtur Shalem, apostulli Pavël tregon se kuptimi i vërtetë i pjesës së dytë të emrit është ‘paqe’. (He 7:2) Nga mënyra si shkruhej në hebraisht pjesa e dytë e emrit mund të nënkuptojë një formë të dyfishtë, pra «paqe e dyfishtë». Në tekstet akadiane (asiro-babilonase) qyteti quhej Urusalim (ose Ur-sa-li-im-mu). Në bazë të kësaj, disa studiues mendojnë se emri do të thotë «qytet i paqes». Por forma hebraike, që logjikisht duhet të jetë kryesorja, duket se ka kuptimin «me paqe të dyfishtë; themel i paqes së dyfishtë».
Në Shkrime përdoren edhe shumë shprehje e tituj të tjerë për këtë qytet. Në një rast, psalmisti përdor emrin e mëparshëm «Salem». (Ps 76:2) Përcaktime të tjera ishin: «Qyteti i Jehovait» (Is 60:14), «qyteti i Mbretit të Madh» (Ps 48:2; krahaso Mt 5:35), «Qytet i drejtësisë», «Qytet besnik» (Is 1:26), ‘Sioni’ (Is 33:20) dhe «qytet i shenjtë» (Ne 11:1; Is 48:2; 52:1; Mt 4:5). Emri El Kuds, që do të thotë «[Qyteti] i Shenjtë», përdoret ende në arabisht për Jerusalemin. Në hartat e sotme të Izraelit emri është Jerushalajim.
Vendndodhja. Jerusalemi ndodhej relativisht larg rrugëve kryesore ndërkombëtare tregtare dhe shtrihej në skaj të një shkretëtire të zhuritur (shkretëtirës së Judës) me burime të pakta uji. Sidoqoftë, pranë qytetit kryqëzoheshin dy rrugë tregtare kombëtare. Njëra kishte drejtimin veri-jug, kalonte sipër rrafshnaltës që formonte «shtyllën kurrizore» të Palestinës së lashtë dhe lidhte qytete të tilla, si: Dotani, Sikemi, Betheli, Betlehemi, Hebroni dhe Beer-Sheba. Rruga e dytë kishte drejtimin lindje-perëndim dhe niste nga Rabahu (Amani i sotëm), çante përmes luginave të përrenjve deri te baseni i lumit Jordan, ngjitej në shpatet e thepisura të Judës dhe dredhonte poshtë shpateve perëndimore deri në qytetin-port të Jopës, në bregdetin e Mesdheut. Për më tepër, Jerusalemi ndodhej në qendër të Tokës së Premtuar, prandaj ishte i përshtatshëm si qendra administrative e kombit.
Jerusalemi është rreth 55 km në lindje të detit Mesdhe dhe rreth 25 km në perëndim të skajit verior të Detit të Vdekur, si edhe shtrihet mes kodrave të vargmalit qendror. (Krahaso Ps 125:2.) Lartësia prej rreth 750 m mbi nivelin e detit e bënte një nga kryeqytetet më të larta të botës në atë kohë. ‘Lartësia’ e tij përmendet në Shkrime, dhe udhëtarët duhej ‘të ngjiteshin’ nga rrafshinat bregdetare që të shkonin në qytet. (Ps 48:2; 122:3, 4) Klima është e këndshme, me net të freskëta, temperaturë mesatare vjetore 17° C. dhe mesatare vjetore reshjesh rreth 63 cm, që bien kryesisht nga nëntori në prill.
Pavarësisht nga lartësia, Jerusalemi nuk spikat mbi terrenin përreth. Udhëtarët e shohin plotësisht qytetin kur ndodhen shumë afër tij. Në lindje ngrihet Mali i Ullinjve rreth 800 m mbi nivelin e detit. Në veri të tij ndodhet mali Skop rreth 820 m dhe në jug e perëndim e rrethojnë kodra që arrijnë deri në 835 m. Prandaj nga këto lartësi mund të shihet Mali i Tempullit (rr. 740 m).
Në kohë lufte, dukej sikur kjo i jepte epërsi armikut. Por çdo lloj pike e dobët kompensohej nga fakti që qyteti rrethohej në tri anë nga lugina me faqe të thikta: lugina e përroit të Kidronit në lindje dhe lugina e Hinomit në jug e në perëndim. Lugina Qendrore, që me sa duket historiani Jozef e quan lugina e Tiropeonit (ose «Lugina e Djathëbërësve»), e ndante qytetin në dy kodra ose zgjatime kodrinore, një në lindje e një në perëndim. (Lufta judaike, V, 136, 140 [iv, 1]) Kjo luginë është mbushur mjaft gjatë shekujve, por, kur një vizitor kalon përmes qytetit, ende duhet të bëjë një zbritje thuajse të thiktë e më pas të ngjitet në anën tjetër. Ka dëshmi se, përveç Luginës Qendrore në drejtimin veri-jug, kodrat i ndanin edhe dy lugina më të vogla, ose ultësira, në drejtimin lindje-perëndim, ku njëra kalonte përmes kodrës lindore dhe tjetra përmes kodrës perëndimore.
Faqet e rrëpirëta të luginës duket se kanë qenë pjesë e sistemit të mureve mbrojtëse të qytetit në çdo kohë. E vetmja anë e qytetit pa mbrojtje natyrore ishte në veri, prandaj këtu muret i bënin shumë të forta. Sipas historianit Jozef, gjeneral Titi u përball me tri mure njëri pas tjetrit në këtë anë kur sulmoi qytetin në vitin 70 të e.s.
Rezervat ujore. Banorët e Jerusalemit vuanin nga zi buke të rënda gjatë rrethimeve, por siç duket nuk kishin edhe aq probleme me ujin. Kjo sepse qyteti shfrytëzonte ujëra të freskëta e të pashtershme dhe kishte mjaft rezervuarë brenda mureve, ndonëse ndodhej afër shkretëtirës së zhuritur të Judës.
Afër qytetit ishin dy burime, En-Rogeli dhe Gihoni. I pari, pak në jug të vendit ku bashkohej lugina e Kidronit dhe e Hinomit, ishte burim uji i paçmuar, por ishte e pamundur të shkoje atje në kohë sulmi a rrethimi për shkak të vendndodhjes. Burimi i Gihonit ndodhej në anën perëndimore të luginës së Kidronit, përgjatë atij që më vonë u quajt Qyteti i Davidit. Ky burim ishte jashtë mureve të qytetit e prapëseprapë afër tij. Falë kësaj, në qytet u hap një tunel që lidhej me një pus nëntokësor ku banorët mund të mbushnin ujë pa dalë jashtë mureve mbrojtëse. Sipas dëshmive arkeologjike, kjo gjë u bë gjatë historisë së hershme të qytetit. Në vitin 1961 dhe 1962, nga gërmimet u zbulua një mur i lashtë i madh poshtë hyrjes së sipërme të tunelit, prandaj ajo ishte brenda murit. Mendohet që ky të ketë qenë muri i qytetit të lashtë të jebusitëve.
Gjatë viteve u hapën tunele e kanale të tjera për të shpërndarë ujërat e Gihonit. Një kanal niste nga hyrja e shpellës së burimit të Gihonit, kalonte nëpër luginë dhe përreth skajit juglindor të kodrës për në një pellg që ndodhej te bashkimi i luginës së Hinomit me Luginën Qendrore, ose të Tiropeonit. Sipas asaj që është gjetur, ky kanal ishte në formë llogoreje, i mbuluar me pllaka guri dhe vende-vende hynte nëpër kodër. Me anë të disa çarjeve në intervale mund të merrej ujë për të vaditur brezaret e luginës poshtë. Pjerrësia e kanalit prej 4 ose 5 mm për metër bënte që rrjedha të ishte e butë dhe e ngadaltë, e cila të kujtonte ‘ujërat e Shiloahut që rridhnin ëmbël’. (Is 8:6) Ky kanal i pambrojtur e që mund të prishej lehtë, mendohet të jetë hapur gjatë mbretërimit të Solomonit kur mbizotëronin paqja dhe siguria.
Përveç ujit që merrnin nga burimet, shtëpitë dhe ndërtesat e Jerusalemit duket se kishin sterna. Atje ruhej i pastër e i freskët uji i shiut që grumbullohej nga çatitë. Zona e tempullit duket se kishte sterna veçanërisht të mëdha dhe arkeologët mendojnë se kanë përcaktuar vendndodhjen e 37 sternave me një kapacitet total prej rreth 38.000 m3, ku vetëm njëra prej tyre është llogaritur se mbante 7.600 m3 ujë.
Gjatë shekujve u ndërtuan një sërë ujësjellësish që të sigurohej ujë për Jerusalemin. Tradita ia atribuon Solomonit ndërtimin e një ujësjellësi që niste nga «rezervuarët e Solomonit» (tre rezervuarë në jugperëndim të Betlehemit) dhe vazhdonte deri te muri i tempullit në Jerusalem. Tek Eklisiastiu 2:6, Solomoni thotë: «Bëra edhe rezervuarë me ujë, për të vaditur me ta pyllin.» Një punë kaq e madhe, si ndërtimi i rezervuarëve, fare mirë mund të ketë përfshirë edhe ndërtimin e një ujësjellësi për furnizimin me më shumë ujë, i cili do të nevojitej në Jerusalem pasi të fillonin shërbimet e tempullit. Gjithsesi, përveç traditës, nuk ka dëshmi tjetër që t’ia atribuojë Solomonit ndërtimin e ndonjë ujësjellësi nga rezervuarët e Solomonit deri në Jerusalem. Ende mund të shihen gjurmë të disa ujësjellësve. Sipas historianit Jozef, ujësjellësin e ndërtuar për të çuar ujë nga burimet në Vadi-el-ʽArrub, 20 km në jug-jugperëndim të Jerusalemit, deri te rezervuarët e Solomonit, ka mundësi ta ketë ndërtuar Ponc Pilati me fondet e thesarit të tempullit. (Antikitete judaike, XVIII, 60 [iii, 2]; Lufta judaike, II, 175 [ix, 4]) Më i ulëti nga dy ujësjellësit që çonin ujë nga rezervuarët e Solomonit deri në Jerusalem, është më i vjetri dhe ndoshta daton që nga koha e Herodit ose e Hasmonenjve. Ky ujësjellës kalonte poshtë qytetit të Betlehemit dhe vazhdonte mbi «Harkun e Uillsonit» për në Malin e Tempullit.
Kërkimet arkeologjike. Ndonëse janë bërë shumë kërkime e gërmime, janë gjetur pak fakte konkrete për qytetin e kohëve biblike. Faktorë të ndryshëm i kanë kufizuar kërkimet ose vlerën e tyre. Gjatë erës sonë, Jerusalemi ka qenë i banuar pothuajse vazhdimisht, e kjo e ka zvogëluar mjaft zonën e gërmimeve arkeologjike. Përveç kësaj, qyteti është shkatërruar disa herë dhe sipër rrënojave të tij janë ndërtuar qytete të reja, shpesh me materiale nga këto rrënoja. Ngaqë mbetjet dhe gërmadhat në disa vende shkojnë gati 30 m nën tokë, topografia e qytetit është e paqartë dhe shpjegimi i dëshmive arkeologjike është i dyshimtë. Janë zbuluar disa pjesë muresh, rezervuarë, tunele uji dhe varre të lashta, por fare pak material i shkruar. Zbulimet kryesore arkeologjike vijnë nga kodra juglindore, e cila tani gjendet jashtë mureve të qytetit.
Prandaj, burimet kryesore të informacionit për qytetin e lashtë mbeten Bibla dhe përshkrimi i qytetit të shekullit të parë nga Jozefi, historiani jude.
Historia e lashtë. Nga ana historike, qyteti përmendet për herë të parë në dekadën mes viteve 1943 dhe 1933 p.e.s., kur Abrahami u takua me Melkisedekun. Melkisedeku ishte «mbret i Salemit» dhe «prift i Perëndisë Më të Lartë». (Zn 14:17-20) Gjithsesi, origjina e qytetit dhe e popullsisë së tij janë po aq të mjegullta sa edhe origjina e Melkisedekut, që ishte mbreti dhe prifti i tij.—Krahaso He 7:1-3.
Me sa duket, edhe një ngjarje tjetër në jetën e Abrahamit ndodhi pranë Jerusalemit. Abrahami mori urdhrin të flijonte të birin, Isakun, në një nga ‘malet’ në «vendin e Moriahut». Tempulli që ndërtoi Solomoni u ngrit në «malin e Moriahut», në një vend që më parë kishte qenë lëmë. (Zn 22:2; 2Kr 3:1) Kështu, me sa duket Bibla e lidh vendin ku Abrahami u përpoq të bënte flijimin me rajonin malor përreth Jerusalemit. (Shih MORIAHU.) Nuk thuhet nëse Melkisedeku jetonte ende në atë kohë, por duket se Salemi mbeti vend paqësor për Abrahamin.
Në Pllakat e Amarnës, që sundimtarët kananitë i shkruan për kryezotin e tyre egjiptian, përfshihen shtatë letra nga mbreti ose sundimtari i Jerusalemit (Urusalimit). Këto letra u shkruan para se izraelitët të pushtonin Kanaanin. Kështu që Jerusalemi në periudhën afro 465-vjeçare, që nga takimi i Abrahamit me Melkisedekun e deri te pushtimi izraelit, kishte rënë në duart e kananitëve kamitë paganë dhe ishte nën sundimin e Perandorisë Egjiptiane të kamitëve.
Në tregimin për pushtimin e gjerë që bëri Josiu në Kanaan, mes mbretërve aleatë që sulmuan Gibeonin përmendet Adon-Zedeku, mbret i Jerusalemit. Emri i tij [që do të thotë «zotëria (im) është drejtësi»] ngjan shumë me emrin e Melkisedekut («mbret i drejtësisë»), mbretit të hershëm të Jerusalemit, por Adon-Zedeku nuk ishte adhurues i Perëndisë Më të Lartë, Jehovait.—Js 10:1-5, 23, 26; 12:7, 8, 10.
Kur u caktuan territoret e fiseve, Jerusalemi ishte në kufirin mes Judës e Beniaminit, kufi që shtrihej përgjatë luginës së Hinomit. Kjo nënkupton se të paktën ai që më vonë u bë «Qyteti i Davidit», i cili gjendej në kodrën mes luginës së Kidronit e asaj të Tiropeonit, ndodhej brenda territorit të Beniaminit. Por, nga sa duket, qyteti kananit kishte edhe vendbanime të tjera, ose «periferi», dhe një pjesë e zonës së banuar ndoshta shtrihej në territorin e Judës, në perëndim e në jug të luginës së Hinomit. Sipas Gjykatësve 1:8, bijtë e Judës ishin të parët që morën Jerusalemin, por, pasi forcat pushtuese përparuan, banorët jebusitë duket se mbetën (ose u kthyen) me forca të mjaftueshme për të formuar më vonë një grusht luftëtarësh, të cilët as Juda as Beniamini nuk mundën t’i mposhtnin. Ja pse, si për Judën, edhe për Beniaminin thuhet se ‘jebusitët vazhduan të banonin me ta në Jerusalem’. (Js 15:63; Gjy 1:21) Kjo situatë vazhdoi për rreth 4 shekuj, dhe qyteti ndonjëherë quhej ‘Jebus’, «një qytet me të huaj».—Gjy 19:10-12; 1 Kr 11:4, 5.
Mbretëria e bashkuar. Selia e mbretit Saul ishte në Gibeah, në territorin e Beniaminit. Kryeqyteti i mbretit David në fillim ishte Hebroni i Judës, rreth 30 km në jug-jugperëndim të Jerusalemit. Pasi mbretëroi atje gjithsej shtatë vjet e gjysmë (2Sa 5:5), ai vendosi ta transferonte kryeqytetin në Jerusalem. Këtë e bëri sipas drejtimit hyjnor (2Kr 6:4-6), pasi Jehovai kishte folur shekuj më parë për ‘vendin që do të zgjidhte ku do të thirrej emri i tij’.—Lp 12:5; 26:2; krahaso 2Kr 7:12.
Duket se në këtë kohë jebusitët e kishin qytetin në pjesën jugore të kodrës lindore. Ata ishin të sigurt se qyteti i tyre si fortesë ishte i padepërtueshëm, pasi në tri anë mbrohej natyrshëm nga shpatet e rrëpirëta të luginave dhe në veri ka shumë të ngjarë të kishte fortifikata të veçanta. Ai njihej si «një vend ku ishte e vështirë të arrije» (1Kr 11:7), dhe jebusitët e sfidonin Davidin se edhe «të verbrit e të çalët» e qytetit do t’ia prapësonin sulmet. Por Davidi e pushtoi qytetin me anë të sulmit që i priu Joabi, i cili duket se u fut në qytet nëpërmjet «tunelit të ujit». (2Sa 5:6-9; 1Kr 11:4-8) Studiuesit nuk janë plotësisht të sigurt për kuptimin e termit hebraik që këtu përkthehet ‘tunel uji’, por në përgjithësi pranojnë këtë ose përkthime të ngjashme («kanalin nëntokësor të ujit», ECM; «kanal të kroit», DSF) si kuptimet më të mundshme. Tregimi i shkurtër nuk thotë si e çanë mbrojtjen e qytetit. Që kur u zbulua tuneli dhe pusi nëntokësor që të çonin te burimi i Gihonit, mendimi i përhapur është se Joabi dhe njerëzit e tij ngjitën pusin nëntokësor, kaluan nëpër tunelin e pjerrët dhe dolën në qytet për të sulmuar papritur. (FIGURA, vëll. 2, f. 951) Sido që të jenë futur, e morën qytetin dhe Davidi e zhvendosi kryeqytetin atje (1070 p.e.s.). Tani kalaja e jebusitëve u njoh me emrin ‘Qyteti i Davidit’, si dhe ‘Sioni’.—2Sa 5:7.
Davidi filloi një program ndërtimi atje, e me sa duket përmirësoi edhe sistemin mbrojtës të qytetit. (2Sa 5:9-11; 1Kr 11:8) «Bregorja» (heb., hamMillóhʼ ) që përmendet këtu (2Sa 5:9) dhe në tregime të mëvonshme (1Mb 9:15, 24; 11:27), ishte veçori natyrore ose artificiale e qytetit, e mirënjohur atëherë, por sot nuk mund të përcaktohet. Më vonë, kur Davidi mori masa që ‘arka e shenjtë e Jehovait’ të transferohej nga shtëpia e Obed-Edomit për në Jerusalem, qyteti u bë qendra fetare dhe administrative e kombit.—2Sa 6:11, 12, 17; shih VARRIM, VARR; QYTETI I DAVIDIT; BREGORJA.
Nuk ka asnjë të dhënë që Jerusalemin ta kenë sulmuar forcat armike gjatë mbretërimit të Davidit, sepse ai i sulmonte vetë armiqtë. (Krahaso 2Sa 5:17-25; 8:1-14; 11:1.) Por në një rast, Davidi e pa të udhës ta braktiste qytetin para se të përparonin forcat rebele të udhëhequra nga i biri, Absalomi. Mbreti mund të jetë tërhequr që të mos derdhej gjak në luftë civile, në vendin ku banonte emri i Jehovait. (2Sa 15:13-17) Cilido të ketë qenë motivi i kësaj tërheqjeje, ajo çoi në përmbushjen e profecisë së frymëzuar të Natanit. (2Sa 12:11; 16:15-23) Davidi nuk lejoi që arka e besëlidhjes të evakuohej bashkë me të, por urdhëroi priftërinjtë besnikë që ta kthenin në qytet, në vendin e zgjedhur nga Perëndia. (2Sa 15:23-29) Te 2 Samuelit kapitulli 15, ku përshkruhen momentet kur Davidi po arratisej, theksohen mirë veçoritë gjeografike të zonës në lindje të qytetit.
Nga fundi i mbretërimit, Davidi filloi të siguronte materialet për ndërtimin e tempullit. (1Kr 22:1, 2; krahaso 1Mb 6:7.) Gurët e latuar që siguroi mund të jenë nxjerrë nga një gurore e zonës, sepse shtresa shkëmbore e Jerusalemit pritet e daltohet kollaj në një formë e përmasë të caktuar. Prapëseprapë, nën ndikimin e motit, forcohet e kthehet në gurë ndërtimi të fortë e të bukur. Duket se afër Portës së Damaskut të ditëve tona ka pasur një gurore të lashtë, ku gjatë viteve janë nxjerrë sasi të mëdha gurësh.
Një përshkrim tjetër i terrenit përreth Jerusalemit, këtë herë në lindje e në jug, jepet në tregimin për mirosjen e Solomonit me urdhër të mbretit të moshuar David. Kur Solomoni u miros te burimi i Gihonit, Adonijahu, një nga bijtë e Davidit, ndodhej te burimi i En-Rogelit duke komplotuar që të uzurponte mbretërinë. Distanca nga këto dy vende ishte aq e shkurtër (rr. 700 m), sa Adonijahu dhe bashkëkomplotuesit e tij dëgjuan zhurmën e bririt dhe festimet në Gihon.—1Mb 1:5-9, 32-41.
Gjatë mbretërimit të Solomonit u bënë mjaft ndërtime (e ndoshta rindërtime) brenda qytetit dhe u zgjeruan kufijtë e tij. (1Mb 3:1; 9:15-19, 24; 11:27; krahaso Ek 2:3-6, 9.) Tempulli, vepra më e jashtëzakonshme e Solomonit, dhe oborret e tij u ndërtuan në malin e Moriahut, në kodrën lindore, por në veri të «Qytetit të Davidit», me shumë gjasa në zonën ku sot ndodhet Kubeja e Shkëmbit. (2Kr 3:1; 1Mb 6:37, 38; 7:12) Ndërtesa të tjera të rëndësishme aty afër ishin: shtëpia ose pallati i Solomonit, Shtëpia e Pyllit të Libanit që ishte prej cedri, Portiku i Shtyllave dhe Portiku i Fronit të gjykimit. (1Mb 7:1-8) Ky kompleks ndërtesash me sa duket ndodhej në jug të tempullit, në tatëpjetën e butë që zbriste drejt «Qytetit të Davidit».—HARTA, vëll. 1, f. 752; FIGURA, vëll. 1, f. 748 në botimin anglisht.
Mbretëria e ndarë (997-607 p.e.s.). Rebelimi i Jeroboamit e ndau kombin në dy mbretëri dhe Jerusalemi mbeti kryeqyteti i dy fiseve, i Beniaminit dhe i Judës, të cilat ishin nën sundimin e Rehoboamit, birit të Solomonit. Edhe levitët e priftërinjtë shkuan në qytetin ku banonte emri i Jehovait, e kështu mbretëria e Rehoboamit u forcua. (2Kr 11:1-17) Tani, nga ana gjeografike, Jerusalemi nuk ishte më në qendër të mbretërisë, pasi ishte vetëm pak kilometra larg kufirit të mbretërisë armiqësore veriore dhjetëfisëshe. Brenda pesë vjetësh që nga vdekja e Solomonit, qyteti përjetoi të parin e një sërë pushtimesh. Mbreti Shishak i Egjiptit sulmoi mbretërinë e Judës, të cilën pa dyshim e shihte si të pambrojtur tani që ishte zvogëluar. Për shkak të jobesnikërisë së kombit, ai arriti të hynte në Jerusalem dhe mori thesaret e tempullit e gjëra të tjera të çmuara. Meqë u penduan, Jehovai u dha njëfarë mbrojtjeje, e kështu qyteti nuk u shkatërrua.—1Mb 14:25, 26; 2Kr 12:2-12.
Gjatë mbretërimit të Asës, mbret besnik, mbreti Baasha i mbretërisë veriore u përpoq më kot të fortifikonte kufirin verior të Judës që ta mbyllte krejt e të pengonte lidhjet me Jerusalemin (dhe ndoshta të mos i lejonte nënshtetasit e tij të tregonin ndonjë lloj besnikërie ndaj mbretërisë së Judës). (1Mb 15:17-22) Meqë adhurimi i pastër vazhdoi të praktikohej gjatë mbretërimit të Jehozafatit, birit të Asës, qyteti pati mbrojtjen hyjnore dhe dobi të mëdha, si për shembull sistem gjyqësor të përmirësuar.—2Kr 19:8-11; 20:1, 22, 23, 27-30.
Kjo situatë vazhdoi gjatë gjithë pjesës tjetër të historisë së Jerusalemit si kryeqyteti i mbretërisë së Judës: adhurimi i pastër sillte bekimin dhe mbrojtjen e Jehovait, kurse apostazia çonte në probleme të rënda dhe sulme të kollajshme. Gjatë mbretërimit të Jehoramit (913-rr. 907 p.e.s.), birit jobesnik të Jehozafatit, qytetin e pushtoi dhe e plaçkiti për herë të dytë një ushtri aleate arabo-filistine, pavarësisht mureve të forta mbrojtëse. (2Kr 21:12-17) Shekullin pasues, kur mbreti Jehoas braktisi rrugën e drejtë, forcat siriane «filluan të pushtonin Judën dhe Jerusalemin», dhe nga konteksti kuptohet që arritën të futeshin në qytet. (2Kr 24:20-25) Gjatë apostazisë së Amaziahut, mbretëria veriore e Izraelit pushtoi Judën dhe hapi një të çarë rreth 180 m në murin e rëndësishëm verior të Jerusalemit, mes Portës së Qoshes (në qoshen veriperëndimore) dhe Portës së Efraimit (në lindje të Portës së Qoshes). (2Kr 25:22-24) Ka mundësi që, në njëfarë momenti para kësaj ngjarjeje, qyteti të ishte zgjeruar nëpër Luginën Qendrore deri në kodrën perëndimore.
Mbreti Uziah (829-778 p.e.s.) shtoi fortifikata të rëndësishme në sistemin mbrojtës të qytetit duke forcuar me kulla Portën e Qoshes (në veriperëndim) dhe Portën e Luginës (në qoshen jugperëndimore), si edhe një kullë te «Kundërforca» («Kënd», DSF; «skaj», ECM), që me sa duket ishte pjesë e murit lindor jo larg ndërtesave mbretërore të Davidit ose të Solomonit. (2Kr 26:9; Ne 3:24, 25) Gjithashtu, Uziahu i pajisi kullat e qoshet me «makina lufte», ndoshta katapulta mekanike për të gjuajtur shigjeta e gurë të mëdhenj. (2Kr 26:14, 15) Programin e ndërtimit e vazhdoi i biri, Jotami.—2Kr 27:3, 4.
Mbreti besnik Hezekia, që sundoi pas të atit apostat, Akazit, u mor me pastrimin dhe meremetimin e tempullit dhe organizoi një festim madhështor të Pashkës që solli në Jerusalem adhurues nga i gjithë vendi, edhe nga mbretëria veriore. (2Kr 29:1-5, 18, 19; 30:1, 10-26) Por kjo nxitje për adhurimin e vërtetë shpejt u pasua nga sulmi i grupeve pagane, tallës të Perëndisë së vërtetë, emri i të cilit banonte në Jerusalem. Në vitin 732 p.e.s., 8 vjet pasi Asiria pushtoi mbretërinë veriore të Izraelit, mbreti asirian, Senakeribi, zaptoi Palestinën dhe dërgoi trupa që të kërcënonin Jerusalemin. (2Kr 32:1, 9) Hezekia e kishte përgatitur qytetin për rrethim. Ai kishte bllokuar ujërat e burimeve që ishin jashtë qytetit që t’i fshihte e t’ia vështirësonte gjërat armikut dhe kishte përforcuar e fortifikuar muret. (2Kr 32:2-5, 27-30) Me sa duket, «kanalin» që sillte ujë në qytet nga burimi i Gihonit e kishte ndërtuar tashmë, ndoshta në kohë paqeje. (2Mb 20:20; 2Kr 32:30) Nëse, siç mendohet, ky ishte ujësjellësi që përfshinte tunelin e gërmuar në shpatin e luginës së Kidronit, i cili mbaronte te Pellgu i Siloamit në luginën e Tiropeonit, atëherë nuk ka qenë projekt i vogël që të mbaronte në pak ditë. (Shih ARKEOLOGJIA [Palestina dhe Siria]; GIHONI nr. 2.) Sidoqoftë, fuqia e qytetit nuk gjendej te sistemet mbrojtëse e te rezervat, por te fuqia mbrojtëse e Perëndisë Jehova, që tha: «Unë do ta mbroj këtë qytet dhe do ta shpëtoj për hirin tim dhe për hir të Davidit, shërbëtorit tim.» (2Mb 19:32-34) Shfarosja me anë të një mrekullie e 185.000 ushtarëve asirianë bëri që Senakeribi t’ia mbathte në Asiri. (2Mb 19:35, 36) Kur tregimi i kësaj fushate ushtarake u dokumentua në analet asiriane, tregohej me mburrje se Senakeribi e mbylli Hezekinë brenda Jerusalemit si «zogun në kafaz», por nuk thuhej se e morën qytetin.—Shih SENAKERIBI.
Gjatë mbretërimit të Manaseut (716-662 p.e.s.) u ndërtuan mure të tjera përgjatë luginës së Kidronit. Gjithashtu, kombi u largua edhe më shumë nga adhurimi i pastër. (2Kr 33:1-9, 14) Nipi i tij, Josia, e ndreqi përkohësisht këtë situatë dhe, gjatë sundimit të tij, lugina e Hinomit që ishte përdorur për ceremoni të neveritshme idhujtare, ‘u bë e papërshtatshme për adhurim’; mbase e përdhosën duke e kthyer në vend plehrash. (2Mb 23:10; 2Kr 33:6) Me sa duket «Porta e Togjeve të Hirit» të çonte te kjo luginë. (Ne 3:13, 14; shih GEHENA; LUGINA E HINOMIT.) Në kohën e Josisë, Shkrimet përmendin për herë të parë «lagjen e dytë» («qytetin e ri», DSF) të Jerusalemit. (2Mb 22:14; 2Kr 34:22) Në përgjithësi mendohet se «lagjja e dytë» ishte pjesa e qytetit në perëndim ose veriperëndim të zonës së tempullit.—So 1:10.
Pas vdekjes së Josisë, situata në Jerusalem u përkeqësua shpejt, sepse në fron hipën njëri pas tjetrit katër mbretër jobesnikë. Vitin e tetë të mbretit Jehojakim, Juda u bë vasale e Babilonisë. Revolta e Jehojakimit tre vjet më vonë nxiti rrethimin e Jerusalemit nga babilonasit, të cilët plaçkitën thesaret e qytetit dhe syrgjynosën mbretin Jehojakin e banorë të tjerë. (2Mb 24:1-16; 2Kr 36:5-10) Mbreti i emëruar nga Babilonia, Zedekia, u përpoq ta hiqte zgjedhën babilonase dhe, në vitin e tij të nëntë (609 p.e.s.), Jerusalemin e rrethuan sërish. (2Mb 24:17-20; 25:1; 2Kr 36:11-14) Një ushtri egjiptiane që u dërgua të largonte rrethuesit, i largoi ata vetëm përkohësisht. (Jr 37:5-10) Siç thoshte profecia e Jehovait me anë të Jeremisë, babilonasit u kthyen dhe e rrethuan përsëri qytetin. (Jr 34:1, 21, 22; 52:5-11) Jeremia e kaloi periudhën e fundit të rrethimit i burgosur në «Oborrin e Rojës» (Jr 32:2; 38:28) që lidhej me «shtëpinë e mbretit». (Ne 3:25) Më në fund, 18 muaj pasi filloi rrethimi bashkë me urinë, sëmundjet e vdekjet që erdhën si pasojë, muret e Jerusalemit i çanë në vitin e 11-të të Zedekisë, dhe kështu e pushtuan qytetin.—2Mb 25:2-4; Jr 39:1-3.
Shkretimi dhe rivendosja. Muret e qytetit i çanë më 9 tamuz të vitit 607 p.e.s. Një muaj më vonë, më 10 ab, përfaqësuesi i Nabukodonosorit, Nebuzaradani, hyri në Jerusalemin e pushtuar dhe filloi ta rrënonte, duke djegur tempullin e ndërtesa të tjera dhe duke rrëzuar muret e qytetit. Mbretin e Jerusalemit dhe shumicën e popullit i çuan robër në Babiloni dhe thesaret e qytetit i morën si plaçkë.—2Mb 25:7-17; 2Kr 36:17-20; Jr 52:12-20; FIGURA, vëll. 2, f. 326 në botimin anglisht.
Pohimi i arkeologut Kandër se «historia e qytetit të rrënuar mbetet e panjohur deri me ardhjen e Kirit» nuk vlen vetëm për Jerusalemin, por edhe për gjithë mbretërinë e Judës. Ndryshe nga asirianët, mbreti babilonas nuk solli banorë të tjerë në rajonin e pushtuar. Filloi një periudhë shkretimi prej 70 vjetësh, pikërisht siç ishte parathënë.—Jr 25:11; 2Kr 36:21.
«Vitin e parë» (më 538 p.e.s., siç duket si sundimtar i Babilonisë), Kiri pers nxori dekretin mbretëror që judenjtë e mërguar të liroheshin e ‘të shkonin në Jerusalem të Judës dhe të rindërtonin shtëpinë e Jehovait, Perëndisë së Izraelit’. (Ezd 1:1-4) Populli që bëri udhëtimin e gjatë për në Jerusalem duke mbajtur me vete thesaret e tempullit përbëhej nga 42.360 burra, përveç skllevërve dhe këngëtarëve profesionistë. Ata mbërritën në kohë për të kremtuar festën e Kasolleve, në tishër (shtator-tetor) të vitit 537 p.e.s. (Ezd 2:64, 65; 3:1-4) Rindërtimi i tempullit u bë nën drejtimin e guvernatorit Zorobabel dhe, pas disa ndërhyrjeve serioze e njëfarë apatie mes judenjve të rikthyer, më në fund përfundoi në mars të vitit 515 p.e.s. Më shumë të mërguar u kthyen në vitin 468 p.e.s. me Ezdrën, i cili ishte prift dhe skrib, duke sjellë gjëra të tjera ‘që të hijeshonin shtëpinë e Jehovait, e cila ishte në Jerusalem’ (Ezd 7:27), e gjithë kjo me autorizimin e mbretit Artakserks (Dorëgjati). Thesaret që sollën duket se vlenin më shumë se 43.000.000 dollarë.—Ezd 8:25-27.
Rreth një shekull e gjysmë pas pushtimit të Nabukodonosorit, muret dhe portat e qytetit ishin ende të rrënuara. Nehemia mori leje nga Artakserksi që të shkonte në Jerusalem e ta ndreqte këtë gjendje. (Ne 2:1-8) Tregimi vijues për Neheminë, se si doli natën të vëzhgonte dhe si ua caktoi punën e ndërtimit grupeve të familjeve të ndryshme, është burim i madh informacioni për strukturën e qytetit në atë kohë, veçanërisht për portat e tij. (Ne 2:11-15; 3:1-32; shih PORTA.) Ky rindërtim ndodhi në përmbushje të profecisë së Danielit dhe shënoi vitin e parë të 70 ‘javëve’ profetike që lidheshin me ardhjen e Mesisë. (Dn 9:24-27) Megjithëse u binin në qafë, ata e rrethuan Jerusalemin me mur e me porta më 455 p.e.s., vetëm për 52 ditë.—Ne 4:1-23; 6:15; 7:1; shih SHTATËDHJETË JAVËT («Dalja e fjalës»).
Tani Jerusalemi ishte «i shtrirë e i madh, [por] brenda kishte pak njerëz». (Ne 7:4) Pasi lexuan publikisht Shkrimet dhe festuan «në sheshin që ishte përpara Portës së Ujërave», në anën lindore të qytetit (Ne 3:26; 8:1-18), morën masa që të shtohej popullsia e qytetit duke çuar një në çdo dhjetë izraelitë që të banonte atje. Për këtë hodhën short, por duket se kishte edhe vullnetarë. (Ne 11:1, 2) Bënë një pastrim frymor që popullsia e qytetit të kishte themel të mirë për adhurimin e vërtetë. (Ne 12:47–13:3) Nehemia ishte guvernator për 12 vjet a më shumë dhe gjatë kësaj kohe bëri një udhëtim në oborrin e mbretit të Persisë. Kur u kthye në Jerusalem, pa se nevojitej pastrim i mëtejshëm. (Ne 13:4-31) Dokumentimi i Shkrimeve Hebraike mbyllet me përpjekjet që bëri Nehemia për të çrrënjosur apostazinë, diku pas vitit 443 p.e.s.
Nën kontrollin e helenëve e të Makabenjve. Kalimi nga sundimi medo-pers tek ai grek ndodhi në vitin 332 p.e.s., kur Aleksandri i Madh marshoi mes Judës. Historianët grekë nuk thonë nëse Aleksandri hyri në Jerusalem. Megjithatë, qyteti ra nën sundimin grek dhe është e arsyeshme të mendojmë se Aleksandri nuk e anashkaloi plotësisht. Në shekullin e parë të e.s., historiani Jozef dokumentoi traditën judaike, sipas së cilës, me t’iu afruar Jerusalemit, Aleksandrin e takoi kryeprifti jude që i tregoi profecitë e frymëzuara të dokumentuara nga Danieli, të cilat parathoshin pushtimet e rrufeshme të Greqisë. (Antikitete judaike, XI, 326-338 [viii, 4, 5]; Dn 8:5-7, 20, 21) Çfarëdo që të ketë ndodhur, duket se Jerusalemi doli pa u dëmtuar nga ky ndryshim sundimi.
Pas vdekjes së Aleksandrit, Jerusalemi dhe Judea ranë në duart e Ptolemenjve që sundonin nga Egjipti. Në vitin 198 p.e.s., Antioku i Madh, që sundonte në Siri, zaptoi qytetin e fortifikuar të Sidonit e më pas mori Jerusalemin, dhe Judea u vu në varësinë e Perandorisë së Seleukajve. (Krahaso Dn 11:16.) Jerusalemi mbeti nën sundimin e Seleukajve për 30 vjet. Më vonë, në vitin 168 p.e.s., mbreti asirian Antioku IV (Epifan), teksa përpiqej t’i helenizonte krejtësisht judenjtë, ia kushtoi Zeusit (Jupiterit) tempullin e Jerusalemit dhe përdhosi altarin duke bërë një flijim të papastër. (1 Makabenjve 1:57, 62; 2 Makabenjve 6:1, 2, 5; FIGURAT, vëll. 2, f. 335 në botimin anglisht) Kjo çoi në revoltën e Makabenjve (ose të Hasmonenjve). Pas një beteje trivjeçare, Juda Makabeu mori nën kontroll qytetin bashkë me tempullin dhe ia rikushtoi altarin e Jehovait adhurimit të vërtetë në përvjetorin e përdhosjes së tij, më 25 hislev të vitit 165 p.e.s.—1 Makabenjve 4:52-54; 2 Makabenjve 10:5; krahaso Gjonin 10:22.
Lufta kundër sundimtarëve Seleukaj ende nuk kishte mbaruar. Judenjtë i kërkuan ndihmë Romës e kështu, rreth vitit 160 p.e.s., në skenën e Jerusalemit u shfaq një fuqi e re. (1 Makabenjve 8:17, 18) Tani Jerusalemi filloi të vihej nën ndikimin e Perandorisë Romake që po zgjerohej. Rreth vitit 142 p.e.s., Simon Makabeu arriti ta bënte Jerusalemin kryeqytetin e një rajoni në dukje të pavarur ose të lirë nga taksat e kombeve jojudeje. Madje Aristobuli I, kryeprifti i Jerusalemit, mori titullin mbret në vitin 104 p.e.s., edhe pse nuk ishte nga linja davidike.
Jerusalemi nuk ishte «qytet i paqes» gjatë kësaj periudhe. Konfliktet e brendshme, të shkaktuara nga ambiciet egoiste e të rënduara nga fraksione fetare rivale—saducenjtë, farisenjtë, zelotët etj.—e dobësuan jashtë mase qytetin. Konflikti i dhunshëm mes Aristobulit II dhe të vëllait, Hirkanit, solli ndërhyrjen e Romës që të gjykonte situatën. Nën gjeneral Pompeun, forcat romake rrethuan për tre muaj Jerusalemin në vitin 63 p.e.s., me qëllim që të hynin në qytet e të zgjidhnin mosmarrëveshjen. Thuhet se vdiqën 12.000 judenj, shumë nga duart e vetë izraelitëve.
Në tregimin e historianit Jozef për pushtimin e Pompeut përmendet për herë të parë ura me harqe përmes luginës së Tiropeonit. Ajo lidhte pjesën lindore me atë perëndimore të qytetit dhe falë saj hynin drejt e në zonën e tempullit banorët e pjesës perëndimore.
Tani idumeasi Antipatri (II) u caktua guvernator romak për Judenë, kurse në Jerusalem u la si kryeprift dhe entark një nga familja e Makabenjve. Më vonë, i biri i Antipatrit, Herodi (i Madh), u caktua nga Roma «mbret» i Judesë. Ai nuk e mori nën kontroll Jerusalemin deri në vitin 37 ose 36 p.e.s. kur filloi vërtet sundimin.
Nën Herodin e Madh. Sundimi i Herodit u karakterizua nga një program ambicioz ndërtimi, dhe qyteti u bë mjaft i begatë. U shtua një teatër, një palestër, një hipodrom (FIGURA, vëll. 2, f. 535 në botimin anglisht) dhe ndërtesa të tjera publike. Gjithashtu, Herodi ndërtoi një pallat mbretëror shumë të fortifikuar (FIGURA, vëll. 2, f. 538), siç duket në anën perëndimore të qytetit, në jug të Portës së Jafës të ditëve tona, ku arkeologët mendojnë se kanë gjetur themelin e njërës kullë. Një fortesë tjetër, Kulla e Antonias, gjendej afër tempullit dhe lidhej me të nëpërmjet një korridori. (FIGURA, vëll. 2, f. 535; Antikitete judaike, XV, 424 [xi, 7] në botimin anglisht) Kështu që garnizoni romak mund të hynte shpejt në zonën e tempullit, siç mund të ketë ndodhur kur ushtarët shpëtuan Pavlin nga një turmë atje.—Ve 21:31, 32.
Por vepra më e madhe e Herodit ishte rindërtimi i tempullit dhe i kompleksit të ndërtesave të tij. Tempulli përfundoi brenda një viti e gjysmë, duke filluar nga viti i 18-të i mbretërimit të Herodit (Antikitete judaike, XV, 380 [xi, 1]), por puna me ndërtesat ngjitur dhe oborret vazhdoi edhe shumë kohë pas vdekjes së tij. (Gjo 2:20) E gjithë zona e tempullit ishte gati sa dyfishi i së mëparshmes. Me sa duket ekzistojnë ende pjesë të murit të oborrit të tempullit, i njohur sot me emrin Muri Perëndimor, ose Muri i Vajtimit. Arkeologët i datojnë që nga koha e ndërtimit të Herodit radhët e poshtme të blloqeve të stërmëdha, 90 cm të larta.
Nga viti 2 p.e.s. deri në vitin 70 të e.s. Përshkrimi i ngjarjeve që lidhen me Jerusalemin tani vazhdon në Shkrimet e Krishtere Greke. Jezui nuk lindi në Jerusalem, por aty pranë, në Betlehem, «në qytetin e Davidit». (Lu 2:10, 11) Gjithsesi, ajo që thanë më vonë astrologët për lindjen e ‘mbretit të judenjve’, turbulloi Herodin dhe ‘bashkë me të gjithë Jerusalemin’. (Mt 2:1-3) Pak pasi nxori urdhrin famëkeq për vrasjen e foshnjave të Betlehemit, Herodi vdiq, me sa duket në vitin 1 p.e.s. (Shih HERODI nr. 1.) Arkelau, i biri, trashëgoi fronin në Jerusalem, në Jude e në zona të tjera. Më vonë, Roma e hoqi Arkelaun për keqbërje dhe më pas, guvernatorët i emëronte vetë ajo, siç ishte rasti i Ponc Pilatit gjatë shërbimit të Jezuit.—Lu 3:1.
Jezuin e çuan në Jerusalem 40 ditë pas lindjes dhe ia paraqitën Jehovait në tempull meqë ishte i parëlinduri i Marisë. Simeoni dhe Ana, të shkuar në moshë, gëzuan kur panë Mesinë e premtuar, dhe Ana u foli për fëmijën «gjithë atyre që pritnin çlirimin e Jerusalemit». (Lu 2:21-38; krahaso Le 12:2-4.) Nuk thuhet sa herë të tjera e çuan në Jerusalem gjatë fëmijërisë, por të paktën një herë e çuan atje në moshën 12-vjeçare, siç tregojnë qartë Shkrimet. Në këtë rast ai diskutoi me mësuesit në zonën e tempullit, pra ishte aktiv «në shtëpinë e Atit», në qytetin e zgjedhur të të Atit.—Lu 2:41-49.
Pas pagëzimit dhe gjatë shërbimit prej tre vjetësh e gjysmë, Jezui shkoi herë pas here në Jerusalem. Pa dyshim shkoi atje për tri festat vjetore ku duhej të merrnin pjesë të gjithë meshkujt judenj. (Da 23:14-17) Por pjesën më të madhe të kohës ishte jashtë kryeqytetit, sepse predikoi e mësoi në Galile e në rajone të tjera të vendit.
Përveç zonës së tempullit ku Jezui mësonte shpesh, pak vende të tjera specifike të qytetit përmenden kur flitet për shërbimin e tij. Pellgu i Betzatasë me pesë kolonada (Gjo 5:2) mendohet të jetë ai që është zbuluar pak më në veri të zonës së tempullit. (Shih BETZATA.) Kurse Pellgu i Siloamit ndodhej në një shpat në pjesën jugore të kodrës lindore, i cili e merrte ujin nga burimi i Gihonit me anë të ujësjellësit e tunelit që i atribuohen Hezekisë. (Gjo 9:11; FIGURA, vëll. 2, f. 949 në botimin anglisht) Më shumë hollësi për qytetin gjejmë te përshkrimi i vizitës së fundit të Jezuit në Jerusalem.—HARTA, vëll. 2, f. 742; FIGURAT, vëll. 2, f. 743 në botimin anglisht.
Gjashtë ditë para festës së Pashkës së vitit 33 të e.s., Jezui shkoi në Betani, në anën lindore të Malit të Ullinjve. Ditën tjetër, më 9 nisan, hipur mbi kërriç iu afrua kryeqytetit si Mbreti i mirosur i Jehovait, në përmbushje të profecisë së Zakarisë 9:9. (Mt 21:1-9) Teksa po zbriste nga Mali i Ullinjve, ndaloi të shihte qytetin dhe qau për të, duke parathënë qartë rrethimin dhe shkatërrimin që e priste. (Lu 19:37-44) Kur hyri në qytet, ka të ngjarë nga një portë në murin lindor, i gjithë qyteti «u pështjellua», sepse lajmet përhapeshin shpejt në atë vend relativisht të vogël.—Mt 21:10.
Nga fundi i jetës, kur ditët i kaloi në Jerusalem dhe netët në Betani (Lu 21:37, 38), Jezui pastroi zonën e tempullit nga tregtarët (Mt 21:12, 13), siç kishte bërë rreth tre vjet më parë. (Gjo 2:13-16) Më 11 nisan ishte me katër dishepuj në Malin e Ullinjve, prej nga shihej qyteti dhe tempulli, kur tha profecinë madhështore për shkatërrimin e ardhshëm të Jerusalemit, për ‘përfundimin e sistemit’ dhe për praninë e tij. (Mt 24; Mr 13; Lu 21) Më 13 nisan, Pjetri dhe Gjoni organizuan darkën e Pashkës në një dhomë të sipërme në Jerusalem ku, atë mbrëmje (në fillim të 14 nisanit), Jezui kremtoi Pashkën me apostujt. Pasi biseduan, u larguan nga qyteti, shkuan matanë përroit dimëror të Kidronit e pastaj ngjitën shpatet e Malit të Ullinjve për në kopshtin e Getsemanisë. (Mt 26:36; Lu 22:39; Gjo 18:1, 2) Getsemani do të thotë «shtypëse ullinjsh» dhe në atë shpat gjenden akoma pemë ulliri shumë të lashta. Por vendndodhja e saktë e kopshtit nuk dihet me siguri.—Shih GETSEMANIA.
Jezuin e arrestuan atë natë dhe e çuan sërish në Jerusalem te priftërinjtë Hana dhe Kajafa që të gjykohej në sallën e Sinedrit. (Mt 26:57–27:1; Gjo 18:13-27) Që atje, në agim, e çuan te Pilati ‘në pallatin e guvernatorit’ (Mt 27:2; Mr 15:1, 16) e më pas te Herod Antipa, i cili ishte po ashtu në Jerusalem në atë kohë. (Lu 23:6, 7) Më në fund e kthyen te Pilati për gjykimin përfundimtar te «Kalldrëmi», që në hebraisht quhet «Gábatha».—Lu 23:11; Gjo 19:13; shih KALLDRËMI.
Golgota, që do të thotë «(Vendi) i Kafkës», ishte vendi ku e vunë në shtyllë Jezuin. (Mt 27:33-35; Lu 23:33) Ndonëse pa dyshim ndodhej jashtë mureve të qytetit, ka shumë të ngjarë drejt veriut, vendndodhja e saj nuk mund të përcaktohet me siguri. (Shih GOLGOTA.) E njëjta gjë vlen edhe për varrin e Jezuit.—FIGURAT, vëll. 2, f. 948 në botimin anglisht.
‘Ara e poçarit për të varrosur të huajt’, e blerë me paratë që Juda ua ktheu priftërinjve (Mt 27:5-7), sipas traditës mendohet të ketë qenë në anën jugore të luginës së Hinomit, afër vendit ku bashkohet me Kidronin. Në këtë zonë janë gjetur shumë varre.—Shih AKELDAMA.
Në kohën e apostujve. Pasi u ringjall, Jezui i urdhëroi dishepujt të mos iknin në atë kohë nga Jerusalemi. (Lu 24:49; Ve 1:4) Kështu do të fillonte të predikohej pendimi për faljen e mëkateve në emër të Krishtit. (Lu 24:46-48) Dhjetë ditë pasi u ngjit në qiell, dishepujt që ishin mbledhur në një dhomë të sipërme u mirosën me frymë të shenjtë. (Ve 1:13, 14; 2:1-4) Jerusalemi ishte mbushur me judenj e prozelitë nga të gjitha anët e Perandorisë Romake me rastin e festës së Ditës së Pesëdhjetë. Si rezultat i dëshmisë që dhanë të krishterët e mbushur me frymë të shenjtë, u pagëzuan mijëra veta. Ngaqë mijëra dëshmonin për besimin e tyre, nuk është çudi që udhëheqësit fetarë bërtitën të zemëruar: «Ju e mbushët Jerusalemin me mësimin tuaj.» (Ve 5:28) Mrekullitë që kryen, e bënë edhe më të fuqishme dëshminë, si në rastin e shërimit të lypësit të çalë te ‘dera e tempullit që quhej E Bukura’, ka të ngjarë te Porta Lindore e Oborrit të Grave.—Ve 3:2, 6, 7.
Edhe pasi lajmi i mirë filloi të përhapej nga Jerusalemi në «Samari e deri në skajin më të largët të tokës» (Ve 1:8), Jerusalemi ishte ende vendi ku ndodhej trupi udhëheqës i kongregacionit të krishterë. Si pasojë e përndjekjes së asaj kohe, «të gjithë, përveç apostujve, u shpërndanë në mbarë viset e Judesë dhe të Samarisë». (Ve 8:1; krahaso Ga 1:17-19; 2:1-9.) Nga Jerusalemi u dërguan disa apostuj e dishepuj për të ndihmuar grupe të reja besimtarësh, si për shembull në Samari. (Ve 8:14; 11:19-22, 27) S’kaloi shumë dhe Saulit nga Tarsi (Pavlit) iu duk e mençur ta shkurtonte vizitën e parë në Jerusalem si i krishterë, ngaqë donin ta vritnin. (Ve 9:26-30) Por kishte edhe periudha të qeta. (Ve 9:31) Pjetri u tregoi të krishterëve që ishin mbledhur në Jerusalem se Perëndia i pranonte besimtarët jojudenj dhe, po këtu, u zgjidh çështja e rrethprerjes dhe çështje të tjera që lidheshin me të.—Ve 11:1-4, 18; 15:1, 2, 22-29; Ga 2:1, 2.
Jezui e kishte quajtur Jerusalemin ‘vrasës të profetëve, që i vriste me gurë ata që ishin dërguar tek ai’. (Mt 23:37; krahaso vargjet 34-36.) Ndonëse shumë banorë të tij besuan te Biri i Perëndisë, qyteti në tërësi ndoqi modelin e së kaluarës. Prandaj ‘shtëpia e Jerusalemit u braktis dhe iu la atij’. (Mt 23:38) Në vitin 66 të e.s., një revoltë judaike solli në qytet forcat romake nën udhëheqjen e Cest Galit, të cilat e rrethuan dhe u vërsulën për te muret e tempullit. Papritur Cest Gali u tërhoq pa ndonjë arsye të qartë. Kjo u dha mundësi të krishterëve të vepronin sipas udhëzimeve të Jezuit: «Atëherë ata në Jude le të fillojnë të ikin në male, ata që janë brenda [Jerusalemit], të largohen, dhe ata që janë në fshatra, të mos hyjnë në qytet.» (Lu 21:20-22) Në veprën Histori kishtare (III, V, 3), Eusebi thotë se të krishterët ikën nga Jerusalemi dhe nga gjithë Judea në një qytet të Peresë që quhej Pelé.
Lehtësimi i Jerusalemit kur u tërhoqën romakët nuk zgjati shumë, siç kishte ndodhur kur babilonasit u zmbrapsën përkohësisht që të luftonin me egjiptianët nga fundi i mbretërimit të Zedekisë. Në vitin 70 të e.s., nën gjeneral Titin, forcat romake u rikthyen më të shumta në numër dhe rrethuan qytetin tanimë plot me njerëz që po kremtonin Pashkën. Romakët ngritën ledhe dhe e rrethuan qytetin me një fortifikatë me hunj që asnjë të mos arratisej as ditën, as natën. Edhe kjo përmbushi profecinë e Jezuit. (Lu 19:43) Brenda qytetit fraksionet rivale ziheshin e luftonin, shumë nga rezervat ushqimore u shkatërruan dhe, ata që përpiqeshin të iknin nga qyteti, vriteshin si tradhtarë. Historiani Jozef, burimi i këtij informacioni, tregon se pati një zi buke aq të madhe sa njerëzit hanin kashtë e lëkurë, madje edhe vetë fëmijët e tyre. (Krahaso Va 2:11, 12, 19, 20; Lp 28:56, 57.) Udhëheqësit kokëfortë të qytetit vazhdimisht i hodhën poshtë ofertat e Titit për paqe.
Dalëngadalë romakët i çanë muret dhe trupat e tyre pushtuan qytetin. (FIGURA, vëll. 2, f. 752 në botimin anglisht) Ata e dogjën tempullin dhe e plaçkitën komplet, ndonëse i urdhëruan të mos e bënin këtë. Sipas historianit Jozef, kjo ndodhi në përvjetorin e shkatërrimit të tempullit të parë nga Nabukodonosori shekuj më parë. Gjithashtu, ai tregon se i vunë zjarrin vendit të arkivave, ku ndodheshin regjistrimet gjenealogjike të fiseve e të familjeve, si dhe të drejtat e trashëgimisë. (Lufta judaike, VI, 250, 251 [iv, 5]; II, 426-428 [xvii, 6]; VI, 354 [vi, 3]) Kështu, morën fund mjetet ligjore për të përcaktuar linjën gjenealogjike që çonte te fisi mesianik i Judës dhe te fisi priftëror i Levit.
Qyteti u pushtua për vetëm 4 muaj e 25 ditë, nga data 3 prill deri më 30 gusht të vitit 70 të e.s. Prandaj, ndonëse shtrëngimi ishte i egër, zgjati pak. Pa dyshim që kësaj periudhe të shkurtër i kontribuoi edhe qëndrimi e veprimet e paarsyeshme të judenjve brenda qytetit. Ndonëse historiani Jozef thotë se pati 1.100.000 të vdekur, pati edhe të mbijetuar. U zunë 97.000 robër, shumica e të cilëve u çuan skllevër në Egjipt ose u vranë nga shpata a nga bishat në teatrot e provincave romake. Edhe kjo plotësoi profecinë hyjnore.—Lp 28:68.
I gjithë qyteti u shkretua, përveç kullave të pallatit të Herodit dhe një pjese të murit perëndimor, që iu lanë brezave të mëvonshëm si dëshmi të forcës mbrojtëse që nuk vlejti fare. Historiani Jozef thotë se, përveç këtyre mbetjeve, «pjesa tjetër e murit që rrethonte qytetin u rrafshua kaq shumë sa vizitorëve të ardhshëm nuk iu la asnjë provë që të besonin se qyteti kishte qenë ndonjëherë i banuar». (Lufta judaike, VII, 3 [i, 1]) Në një reliev në Harkun e Titit në Romë paraqiten ushtarë romakë që mbartin enët e shenjta të tempullit të shkatërruar.—Krahaso Mt 24:2; FIGURA, vëll. 2, f. 752 në botimin anglisht.
Në periudhat e mëvonshme. Jerusalemi mbeti thuajse i shkretë deri rreth vitit 130 të e.s. kur perandori Adrian urdhëroi ndërtimin e një qyteti të ri me emrin Aelia-Kapitolina. Kjo nxiti një revoltë judaike nga Bar-Kohba (132-135 të e.s.), e cila pati sukses për njëfarë kohe, por pastaj u shtyp. Për afro dy shekuj, judenjtë nuk i lejuan të hynin në qytetin e ndërtuar nga romakët. Në shekullin e katërt, nëna e Kostandinit të Madh, Helena, vizitoi Jerusalemin e filloi të përcaktonte vendndodhjen e të ashtuquajturave vende të shenjta dhe të faltoreve, të cilat ishin të shumta. Më vonë qyteti ra në duart e myslimanëve. Sot ka dy ndërtesa islame në Malin e Tempullit. Nga fundi i shekullit të shtatë, kalifi ʽAbd al-Malik ibn Marwan ndërtoi Kubenë e Shkëmbit mbi ose afër vendit të tempullit. Kjo nuk është xhami në kuptimin e mirëfilltë, por më shumë një faltore. Në jug të Kubesë së Shkëmbit është xhamia El Aksa, e cila për herë të parë u ndërtua në shekullin e 8-të dhe, më pas, u rindërtua e zgjeruar në shekullin e 11-të.
Për më shumë informacion rreth vendeve gjeografike që lidhen me Jerusalemin, shih artikuj të tillë, si: EN-ROGELI; LUGINA E PËRROIT TË KIDRONIT; MAKTESHI; MALI I ULLINJVE; OFELI; TEMPULLI dhe SIONI.
Domethënia e qytetit. Jerusalemi ishte shumë më tepër se kryeqyteti i një kombi. Ishte i vetmi qytet në mbarë tokën ku Perëndia Jehova kishte vënë emrin e vet. (1Mb 11:36) Pasi u transferua atje arka e besëlidhjes, e cila përfaqësonte praninë e Jehovait, dhe sidomos kur u ndërtua shenjtërorja e tempullit, ose shtëpia e Perëndisë, Jerusalemi u bë ‘banesa’ e figurshme e Jehovait, ‘vendi ku pushonte’. (Ps 78:68, 69; 132:13, 14; 135:21; krahaso 2Sa 7:1-7, 12, 13.) Ngaqë mbretërit e linjës davidike ishin të mirosurit e Perëndisë, të cilët uleshin «në fronin e Jehovait» (1Kr 29:23; Ps 122:3-5), edhe vetë Jerusalemi quhej «froni i Jehovait». Fiset ose kombet që i drejtoheshin Jerusalemit në shenjë pranimi të sovranitetit të Perëndisë, në fakt mblidheshin në emër të Jehovait. (Jr 3:17; Ps 122:1-4; Is 27:13) Kurse armiqtë ose ata që luftonin kundër Jerusalemit, në të vërtetë i kundërviheshin sovranitetit të Perëndisë. Kjo do të ndodhte patjetër, sipas profecisë së parathënë te Zanafilla 3:15.
Pra, Jerusalemi përfaqësonte selinë e qeverisë së vendosur nga Perëndia ose ishte model profetik i Mbretërisë së Perëndisë. Nga ai dilte ligji, fjala dhe bekimi i Perëndisë. (Mi 4:2; Ps 128:5) Kështu, kush i kontribuonte paqes dhe dobisë së Jerusalemit, kontribuonte që qëllimi i drejtë i Perëndisë të kishte sukses, që vullneti i tij të përmbushej. (Ps 122:6-9) Ndonëse ndodhej mes maleve të Judës e pa dyshim me pamje mbresëlënëse, në të vërtetë Jerusalemi ishte madhështor e i bukur ngaqë Perëndia Jehova e kishte nderuar dhe i kishte dhënë lavdi që të ishte si «një kurorë e bukur» për Të.—Ps 48:1-3, 11-14; 50:2; Is 62:1-7.
Meqë ato që e lëvdojnë Jehovain dhe bëjnë vullnetin e tij janë kryesisht krijesat me intelekt, nuk ishin ndërtesat që përcaktonin nëse do ta përdorte në vazhdimësi qytetin, por ishin njerëzit, sundimtarët e nënshtetasit, priftërinjtë dhe populli. (Ps 102:18-22; Is 26:1, 2) Kur këta ishin besnikë dhe e nderonin emrin e Jehovait me fjalë e me vepra, ai e bekonte dhe e mbronte Jerusalemin. (Ps 125:1, 2; Is 31:4, 5) Mospëlqimi i Jehovait erdhi shpejt mbi popullin dhe mbretërit e tij, sepse shumica ndoqi rrugën e apostazisë. Për këtë arsye Jehovai tha se do ta hidhte poshtë qytetin që kishte mbajtur emrin e tij. (2Mb 21:12-15; 23:27) Ai do të hiqte nga qyteti «mbështetjen dhe përkrahjen», e kështu vendi do të mbushej me tirani, krime nga të rinjtë dhe mosrespekt për burrat në pozita të nderuara; Jerusalemi do të poshtërohej rëndë dhe do të çnderohej. (Is 3:1-8, 16-26) Ndonëse Perëndia Jehova e riktheu në gjendjen e mëparshme qytetin, 70 vjet pasi lejoi të shkatërrohej nga Babilonia, dhe e bëri sërish qendrën e bukur e të gëzuar të adhurimit të vërtetë në tokë (Is 52:1-9; 65:17-19), populli dhe udhëheqësit e tij u kthyen prapë në udhën apostate.
Jehovai e ruajti qytetin derisa dërgoi në tokë të Birin. Ai duhej të ishte atje që të përmbusheshin profecitë mesianike. (Is 28:16; 52:7; Za 9:9) Udha apostate e Izraelit arriti kulmin kur vuri në shtyllë Mesinë, Jezu Krishtin. (Krahaso Mt 21:33-41.) Kjo ngjarje ndodhi në Jerusalem e nxitur nga udhëheqësit e kombit që kishin mbështetjen e shumicës, prandaj ishte e sigurt se Perëndia do ta hidhte poshtë një herë e mirë qytetin si vendin që e përfaqësonte dhe që mbante emrin e Tij. (Krahaso Mt 16:21; Lu 13:33-35.) As Jezui, as apostujt nuk parathanë se Perëndia do ta rikthente në gjendjen e mëparshme Jerusalemin tokësor dhe tempullin e tij pas shkatërrimit me urdhër hyjnor, që ndodhi në vitin 70 të e.s.
Megjithatë, emri Jerusalem vazhdoi të përdorej si simbol i diçkaje më të madhe se qyteti tokësor. Me anë të frymëzimit hyjnor, apostulli Pavël tregoi se ekziston «Jerusalemi lart», të cilin ai e quan «nëna» e të krishterëve të mirosur. (Ga 4:25, 26) Prandaj për ‘Jerusalemin lart’ mund të thuhet se është gruaja e Perëndisë Jehova, Atit të madh dhe Jetëdhënësit. Kur Jerusalemi tokësor përdorej si qyteti kryesor i kombit të zgjedhur të Perëndisë, edhe ai quhej një grua e martuar me Perëndinë, e cila ishte lidhur me të me lidhje të shenjtë në një marrëdhënie besëlidhjeje. (Is 51:17, 21, 22; 54:1, 5; 60:1, 14) Kështu, ai simbolizonte ose përfaqësonte të gjithë kongregacionin e shërbëtorëve të Perëndisë në tokë. Prandaj, «Jerusalemi lart» duhet të simbolizojë të gjithë kongregacionin e shërbëtorëve besnikë në qiell.
Jerusalemi i Ri. Në Zbulesën e frymëzuar, apostulli Gjon dokumentoi informacione për ‘Jerusalemin e ri’. (Zb 3:12) Ai pa në vegim «qytetin e shenjtë . . . të zbriste nga qielli, nga Perëndia, i përgatitur si një nuse e stolisur për burrin e saj». Kjo lidhet me vegimin që pa për «një qiell të ri dhe një tokë të re». Për këtë «nuse» u tha se ishte ‘gruaja e Qengjit’. (Zb 21:1-3, 9-27) Shkrime të tjera të apostujve përdorin të njëjtën figurë letrare për kongregacionin e të krishterëve të mirosur. (2Ko 11:2; Ef 5:21-32) Te kapitulli 14 i Zbulesës thuhet se ‘Qengji’ Jezu Krisht qëndron në malin e Sionit, emër me të cilin quhej edhe Jerusalemi (krahaso 1Pj 2:6), dhe me të janë 144.000 veta që kanë të shkruar në ballë emrin e tij dhe të Atit.—Zb 14:1-5; shih JERUSALEMI I RI.
Jerusalemi jobesnik. Meqë në Shkrime ka shumë mesazhe gjykuese për Jerusalemin, është e qartë se vetëm kur ishte besnik simbolizonte pjesën qiellore të organizatës së Jehovait dhe, ndonjëherë, kongregacionin e të krishterëve të vërtetë, «Izraelin e Perëndisë». (Ga 6:16) Kur ishte jobesnik, përshkruhej si një prostitutë dhe grua kurorëshkelëse, tamam si amoritët e hititët paganë që dikur kishin nën kontroll qytetin. (Ezk 16:3, 15, 30-42) Si i tillë, s’mund të përfaqësonte veçse apostatët, ata që ndjekin udhën e një ‘prostitute’ duke tradhtuar Perëndinë, emrin e të cilit pretendojnë se mbajnë.—Jk 4:4.
Pra fjala «Jerusalem» është përdorur në shumë kuptime, dhe në çdo rast duhet shqyrtuar konteksti për ta kuptuar saktë.—Shih KOHËT E CAKTUARA TË KOMBEVE.
[Harta]
(Për tekstin e faqosur, shih botimin e shtypur)
JERUSALEMI dhe ZONA PËRRETH
Jerusalem
Betlehem
Baal-Perazim
Betfagë
Betani
Nob
Anatoth
Gibeah
Gebë
Ramah
Gibeon
Emaus
Kiriat-Jearim
Mikmash
Mizpah
Beth-Horoni i Sipërm
Beth-Horoni i Poshtëm
Ai
Bethel
[Figurat në botimin e shtypur]
Monedhë prutah prej bronzi e prerë gjatë luftës judaike kundër Romës, me mbishkrimin «Liria e Sionit»
Sestert bronzi që përkujton pushtimin e Judës nga Roma; para, perandor Vespasiani; prapa, «IVDAEA CAPTA» (Juda e pushtuar)