KAPITULLI 131
Një mbret i pafajshëm gozhdohet në shtyllë
MATEU 27:33-44 MARKU 15:22-32 LUKA 23:32-43 GJONI 19:17-24
JEZUIN E GOZHDOJNË NË SHTYLLËN E TORTURËS
E TALLIN PËR SHKAK TË MBISHKRIMIT MBI KOKËN E TIJ
JEZUI OFRON SHPRESËN PËR TË JETUAR NË PARAJSËN NË TOKË
Jezuin e çojnë në një vend afër qytetit ku do të ekzekutohet bashkë me dy kusarë. Ky vend quhet Gólgotha, domethënë Vendi i Kafkës, dhe duket «nga larg».—Marku 15:40.
Tre burrave të dënuar u heqin rrobat dhe u ofrojnë verë të përzier me mirrë e me vrer. Kjo pije është një lloj droge. Me sa duket, e kanë përgatitur gratë e Jerusalemit, dhe romakët nuk ua privojnë të dënuarve me vdekje këtë preparat qetësues. Por, me ta provuar, Jezui nuk pranon ta pijë. Pse? Do që të jetë me mendje të kthjellët gjatë kësaj prove vendimtare; do që të jetë plotësisht i vetëdijshëm dhe besnik deri në vdekje.
Jezuin e shtrijnë mbi shtyllë. (Marku 15:25) Ushtarët ngulin gozhdë në duart dhe në këmbët e tij, duke i shpuar mishin dhe dejet. Dhimbja arrin aty ku nuk mban më. Teksa ngrenë shtyllën në pozicion vertikal, dhimbja bëhet edhe më therëse kur, nga pesha e trupit, Jezuit i çahen plagët akoma më shumë. E megjithatë, nuk shfryn tërë mllef kundër ushtarëve. Përkundrazi lutet: «O Atë, fali se nuk dinë ç’po bëjnë!»—Luka 23:34.
Romakët e kanë zakon të vënë një mbishkrim që tregon për çfarë krimi është dënuar krimineli. Për Jezuin, Pilati shkruan këtë mbishkrim: «Jezui, nazareasi, Mbreti i judenjve.» Është e shkruar në hebraisht, latinisht dhe greqisht, që të ketë mundësi ta lexojë thuajse kushdo. Ky gjest i Pilatit tregon sa i përçmon ai judenjtë që kërkuan me ngulm vdekjen e Jezuit. Kjo i acaron krerët e priftërinjve që protestojnë: «Mos shkruaj ‘Mbreti i judenjve’, por që ai tha: ‘Unë jam Mbreti i judenjve.’» Mirëpo, ngaqë s’ka ndër mend të jetë përsëri vegël në duart e tyre, Pilati përgjigjet: «Atë që shkrova, e shkrova.»—Gjoni 19:19-22.
Të tërbuar, priftërinjtë përsëritin dëshminë e rreme që u dha më parë në gjyqin e Sinedrit. Prandaj s’është për t’u habitur që kalimtarët tundin kokën duke e tallur dhe e poshtërojnë: «Hë pra, ti që do ta rrëzoje tempullin dhe do ta ndërtoje për tri ditë! Shpëto veten tani dhe zbrit nga shtylla e torturës!» Po ashtu, krerët e priftërinjve dhe skribët i thonë njëri-tjetrit: «Të zbresë tani nga shtylla e torturës Krishti, Mbreti i Izraelit, që të shohim e të besojmë.» (Marku 15:29-32) Edhe kriminelët e dënuar, njëri në të djathtë e tjetri në të majtë të Jezuit, e përçmojnë, ndonëse ai është i vetmi i pafajshëm.
Jezuin e përqeshin edhe katër ushtarët romakë aty pranë. Mbase po pinë verë të thartë dhe tani për ta tallur, ia vënë përpara Jezuit, i cili nuk mund të zgjatë dorën për ta marrë. E vënë në lojë për mbishkrimin që ka mbi kokë, dhe thonë: «Nëse je Mbreti i judenjve, shpëto veten.» (Luka 23:36, 37) Mendo pak! Ai që dha prova se është udha, e vërteta dhe jeta, tani bëhet objekt keqtrajtimesh e talljesh. Gjithsesi ai i përballon pa u lëkundur gjithë këto vuajtje, pa qortuar judenjtë që po shohin, ushtarët romakë që po e tallin ose dy kriminelët e dënuar në shtyllë përkrah tij.
Katër ushtarët kanë marrë rrobën e Jezuit dhe e kanë ndarë në katër pjesë. Tani hedhin short për të vendosur cilën pjesë do të marrë secili. Mirëpo veshja e poshtme e Jezuit është më cilësore dhe «pa asnjë qepje, e endur nga fillimi në fund». Ushtarët arsyetojnë: «Të mos e grisim, por të hedhim short se e kujt do të jetë.» Kështu ata përmbushin shkrimin që thotë: «Mes tyre i ndanë rrobat e mia dhe për veshjen time hodhën short.»—Gjoni 19:23, 24; Psalmi 22:18.
Vjen momenti kur njëri nga kriminelët e kupton që Jezui është vërtet një mbret. Ai qorton shokun me këto fjalë: «Nuk ke fare frikë nga Perëndia, as tani që ke marrë të njëjtin dënim si ai?! Ne e kemi hak, sepse po marrim atë që meritojmë për gjërat që bëmë. Kurse ky s’ka bërë asgjë të keqe.» Pastaj i përgjërohet Jezuit: «Më kujto kur të hysh në Mbretërinë tënde.»—Luka 23:40-42.
Jezui i përgjigjet: «Vërtet po të them sot: ti do të jesh me mua», jo në Mbretëri, por «në Parajsë». (Luka 23:43) Ky premtim ndryshon nga ai që Jezui u bëri apostujve, pra se do të uleshin në frone me të në Mbretëri. (Mateu 19:28; Luka 22:29, 30) Krimineli jude mund të ketë dëgjuar për Parajsën në tokë që kishte siguruar në fillim Jehovai si shtëpi për Adamin, Evën dhe pasardhësit e tyre. Tani, ai mund të vdesë me shpresën që të jetojë në Parajsën në tokë.