«Bëni dishepuj nga njerëzit e të gjitha kombeve»
«SHKONI, dhe bëni dishepuj nga njerëzit e të gjitha kombeve, duke i pagëzuar në emrin e Atit, të Birit dhe të frymës së shenjtë.» Kështu e përkthen urdhrin e Jezuit në Mateun 28:19 Përkthimi Bota e Re. Megjithatë, ky përkthim është kritikuar. Një pamflet fetar, për shembull, deklaron: «I vetmi përkthim i lejuar nga teksti grek, është: ‘Bëni dishepuj nga të gjitha kombet!’» A është e vërtetë?
Ky përkthim, «bëni dishepuj nga të gjitha kombet», shfaqet në shumë versione të Biblës dhe është një përkthim fjalë për fjalë nga greqishtja. Pra, çfarë baze ekziston për përkthimin, «bëni dishepuj nga njerëzit e të gjitha kombeve, duke i pagëzuar»? Konteksti. Shprehja «duke i pagëzuar», i referohet në mënyrë të qartë individëve, jo kombeve. Studiuesi gjerman Hans Bruns, pohon: «[Fjala] ‘i’ nuk u referohet kombeve (greqishtja bën një dallim të qartë), por njerëzve në këto kombe.»
Veç kësaj, duhet marrë në konsideratë mënyra në të cilën u përmbush urdhri i Jezuit. Në lidhje me shërbimin e Pavlit dhe Barnabës në Derbë, një qytet në Azinë e Vogël, lexojmë: «Pasi deklaruan lajmin e mirë në atë qytet dhe bënë mjaft dishepuj, ata u kthyen në Listra, në Ikon dhe në Antioki.» (Veprat 14:21, BR) Vëre se Pavli dhe Barnaba bënë dishepuj jo nga qyteti i Derbës, por nga disa prej njerëzve të Derbës.
Ngjashëm, në lidhje me kohën e fundit, libri i Zbulesës paratha se jo kombe të tëra do t’i shërbenin Perëndisë, por se do ta bënte këtë «një shumicë e madhe . . . nga të gjitha kombet, fiset, popujt dhe gjuhët». (Zbulesa 7:9, BR) Pra, Përkthimi Bota e Re qëndron i përligjur si një përkthim i besueshëm i ‘të gjithë Shkrimit, të frymëzuar nga Perëndia’.—2. Timoteut 3:16.