BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w95 1/7 f. 26-29
  • Si reagojnë të krishterët ndaj kritikave publike

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Si reagojnë të krishterët ndaj kritikave publike
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1995
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Një shembull për t’u ndjekur
  • T’u përgjigjemi kritikave?
  • Është i domosdoshëm informacioni i drejtpërdrejtë
  • Mos u frikëso nga kundërshtarët
  • Të mbrojmë besimin tonë
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1998
  • Të urryer pa shkak
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2004
  • Të përndjekur, e megjithatë të lumtur
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2004
  • Dëshmitarët e Jehovait
    Të arsyetojmë nga Shkrimet
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1995
w95 1/7 f. 26-29

Si reagojnë të krishterët ndaj kritikave publike

SI NDIHESH kur dikush të qorton ose përhap gënjeshtra për ty? Sigurisht që ndihesh i lënduar thellë. Dëshmitarët e Jehovait përjetojnë pak a shumë të njëjtën gjë kur bëhen tabelë qitjeje për informacionet e pasakta dhe të shtrembëruara në mjetet e informacionit. Por, siç tha Jezui në Mateun 5:11, 12, ata prapë kanë arsye për të qenë të gëzuar.

Për shembull, një botim katolik në Gjermani pohonte se «çdo Dëshmitar është i detyruar t’i dhurojë nga 17 deri në 28 për qind të të ardhurave të tij selisë qendrore të sektit». Megjithatë, Dëshmitarët e Jehovait nuk janë një sekt dhe vepra e tyre mbështetet plotësisht me kontribute vullnetare. Shumë lexues u mashtruan nga ky informacion i rremë, për të cilin Dëshmitarëve të Jehovait u erdhi keq. Si duhet të reagojnë të krishterët e vërtetë ndaj kritikave në shtyp?

Një shembull për t’u ndjekur

Kapitulli 23 i Mateut e përshkruan me gjallëri se si i paditi Jezui kundërshtarët e tij fetarë për hipokrizinë dhe mashtrimin e tyre. A është ky një shembull për të krishterët sot se si të përballojnë kritikat? Në fakt, jo. Biri i Perëndisë i paditi kundërshtarët e tij fetarë në bazë të autoritetit dhe mendjehollësisë së jashtëzakonshme që zotëronte, duke vepruar kështu për dobi të turmave që dëgjonin.

Mateu 15:1-11 tregon se Jezui po kritikohej, sepse thuhej se dishepujt e tij kishin shkelur traditat hebreje. Si reagoi Jezui? Ai qëndroi i pathyeshëm. Në disa raste, Jezui diskutoi hapur me ata që e kritikonin, duke i hedhur poshtë pikëpamjet e tyre. Duke folur në përgjithësi, të krishterët sot nuk bëjnë ndonjë gabim nëse përpiqen të korrigjojnë paraqitjen e shtrembër të veprës dhe mësimeve të tyre, në përpjekje për ta sqaruar situatën në mënyrë faktike dhe logjike. Ata e bëjnë këtë për të ndihmuar njerëzit e sinqertë të kuptojnë se kritikat ndaj Dëshmitarëve të Jehovait janë të pajustifikueshme dhe shpifëse.

Vëre se si reagoi Jezui pak kohë më vonë pasi dishepujt i treguan: «A e di se farisenjtë, kur i dëgjuan këto fjalë u skandalizuan?» Këta farisenj që «u skandalizuan», nuk ishin thjesht të pavendosur, por u bënë kundërshtarë të pathyeshëm, të cilët Jezui i hodhi poshtë. Kështu, ai u përgjigj: «Hiqni dorë prej tyre; ata janë të verbër.» S’kishte kuptim të diskutoje më tej me këta kundërshtarë armiqësorë. Jo vetëm që askush nuk do të përfitonte, por do të çonte në polemika të pafrytshme. (Mateu 7:6; 15:12-14; krahaso 27:11-14.) Përgjigjet e Jezuit tregonin se kishte «një kohë për të heshtur dhe një kohë për të folur».​—Eklisiastiu (Predikuesi) 3:7.

Dëshmitarët e Jehovait nuk pretendojnë që të gjithë të flasin në favor të tyre. Ata sjellin ndër mend fjalët e Jezuit: «Mjerë ju, kur të gjithë njerëzit do të flasin mirë për ju, sepse në të njëjtën mënyrë vepruan etërit e tyre me profetët e rremë.» (Luka 6:26) C. T. Russellit, kryetarit të parë të Shoqatës (Watch Tower), njëherë iu bë pyetja se përse nuk e mbronte veten nga kritikat. Ai u përgjigj: «Nëse ndalesh për të zënë me shqelma qentë që të lehin nga pas, nuk do të ecësh kurrë përpara.»

Prandaj, nuk duhet të lejojmë që akuzat e kundërshtarëve të vendosur të na largojnë nga shërbimi ynë ndaj Perëndisë. (Psalmi 119:69) Le të përqendrohemi në veprën e të krishterëve të vërtetë, pra, ungjillëzimin. Si pasojë, natyrshëm do të kemi mundësi t’u përgjigjemi pyetjeve dhe të shpjegojmë natyrën e veprës sonë që e ngre njeriun moralisht dhe e mëson atë në Fjalën e Perëndisë.​—Mateu 24:14; 28:19, 20.

T’u përgjigjemi kritikave?

Jezui u tha ithtarëve të tij: «Nuk jeni nga bota, . . . prandaj bota ju urren.» (Gjoni 15:19) Shumë artikuj shtypi mbushur me kritika për Dëshmitarët e Jehovait, janë një shprehje e kësaj urrejtjeje dhe një gjëje të tillë nuk i duhet vënë veshi. Shpeshherë, megjithatë, shtypi mund të paraqesë informacion që pasqyron një mungesë njohurie për Dëshmitarët ose që shtrembëron ose keqinterpreton disa fakte. Disa gazetarë mund ta tërheqin materialin nga burime të njëanshme. Është mirë të mos e përfillim këtë informacion të rremë në shtyp apo ta mbrojmë të vërtetën me mjete të përshtatshme varet nga rrethanat, nga fakti se kush qëndron prapa këtyre kritikave dhe nga synimet që dëshiron të arrijë.

Shpeshherë faktet mund të ndreqen duke i shkruar në mënyrë të përshtatshme një letër kryeredaktorit të gazetës, në qoftë se letra botohet e plotë. Por një letër e tillë mund të japë një efekt të kundërt nga ai që pritet. Në ç’mënyrë? Lajmi origjinal i rremë mund të reklamohet më shumë ose mund t’u jepen kundërshtarëve mundësi të tjera për të përhapur shpifjet dhe gënjeshtrat e tyre përmes shtypit. Në të shumtën e rasteve, është e mençur që t’ia lëmë pleqve të vendosin nëse është më mirë t’i shkruhet një letër kryeredaktorit apo jo. Nëse një artikull negativ nxit paragjykime, zyra e degës së Shoqatës (Watch Tower) mund t’i informojë kongregacionet e atij vendi se si qëndrojnë faktet, në mënyrë që të gjithë lajmëtarët të mund t’u japin përgjigje të kënaqshme atyre që bëjnë pyetje lidhur me çështjen.

A është nevoja të përfshihesh individualisht në të gjitha këto thënie të shtrembëruara? Këshilla e Jezuit «hiqni dorë prej tyre», mos ua vini veshin, zbatohet qartësisht ndaj këtij grupi kundërshtarësh. Të krishterët besnikë kanë arsye biblike për t’u larguar nga apostatët dhe pikëpamjet e tyre. (1. Korintasve 5:11-13; Titit 3:10, 11; 1. Gjonit 2:19; 2. Gjonit 10, 11) Kur dikush interesohet sinqerisht nëse kritikat ndaj Dëshmitarëve janë të drejta apo jo, zakonisht njohuria jote e saktë mjafton për t’u përgjigjur.​—Shiko Kullën e Rojës, 15 mars 1986, faqet 13 dhe 14, (angl.).

Nëse ndeshesh me informacione të shtrembëruara të botuara nga shtypi, ndiq këshillën që jepet në Proverbat 14:15: «Budallai i beson çdo fjale, por njeriu i matur tregon kujdes të veçantë për hapat e tij.» Në Zvicër shumë njerëz u indinjuan kur një artikull shtypi, që të therte në zemër, deklaronte se një vajzë e re Dëshmitare vdiq, pasi të afërmit nuk lejuan që personeli mjekësor t’i bënte transfuzion gjaku. A kishte ndodhur me të vërtetë kështu? Jo. Pacientja refuzoi transfuzionin e gjakut për arsye fetare, por ishte dakort që të merrte kura mjekësore pa gjak, të cilat po të ishin filluar pa humbur kohë do t’i kishin shpëtuar jetën. Megjithatë, spitali pa qenë nevoja i vonoi gjërat derisa në fund ishte tepër vonë. Artikulli nuk i përmendte këto fakte.

Prandaj, vlerëso me kujdes se sa të vërteta përmban artikulli. Mund t’u shpjegojmë atyre që na pyesin se pleqtë po e ndjekin këtë çështje në një mënyrë të dashur dhe në përputhje me normat biblike. Duke iu përmbajtur parimeve në dhënien e përgjigjeve, shmangim dhënien e përfundimeve të nxituara.

Është i domosdoshëm informacioni i drejtpërdrejtë

Në shekullin e parë, njerëzit përhapën gënjeshtra për Jezu Krishtin për të dëmtuar reputacionin e tij. Disa, madje e paraqitën si tradhtar. (Luka 7:34; 23:3; krahaso Mateun 22:21.) Më vonë, kongregacioni i ri i krishterë ndeshi kundërshtim të përhapur si nga elementët botërorë, ashtu edhe nga ata fetarë. Pasi «Perëndia ka zgjedhur gjërat e marra të botës», shumë njerëz i shikonin me mospërfillje shërbëtorët e tij. (1. Korintasve 1:22-29) Të krishterët e vërtetë sot, duhet të kenë parasysh kritikat, që janë një formë e persekutimit.​—Gjoni 15:20.

Megjithatë, Dëshmitarët e Jehovait e çmojnë shumë kur personi me të cilin bisedojnë është asnjanës dhe shfaq të njëjtin qëndrim si disa vizitorë të Pavlit në Romë, të cilët thanë: «Ne dëshirojmë të dëgjojmë prej teje ç’mendon, sepse për këtë sekt ne dimë se kudo flitet kundra.»​—Veprat 28:22.

Me butësi, jepu shpjegime njerëzve të keqinformuar. (Romakëve 12:14; krahaso 2. Timoteut 2:25.) Ftoji të marrin informacion të drejtpërdrejtë lidhur me Dëshmitarët e Jehovait, gjë që do t’u japë mundësi të mos mashtrohen nga akuzat e rreme. Mund të përdorësh, gjithashtu, shpjegimet e botuara nga Shoqata Watch Tower, që japin hollësi mbi organizatën, mësimet dhe historinë e saj.a Njëherë, Filipi iu përgjigj Natanaelit thjesht duke thënë: «Eja e shih!» (Gjoni 1:46) Po kështu mund të bëjmë edhe ne. Kushdo që dëshiron e ftojmë me ngrohtësi të vizitojë Sallën lokale të Mbretërisë, në mënyrë që të shohë me sytë e vet se ç’lloj njerëzish janë Dëshmitarët e Jehovait dhe çfarë besojnë ata.

Mos u frikëso nga kundërshtarët

Sa inkurajuese është të dimë se kritikat nuk i ndalojnë njerëzit të bëhen Dëshmitarë të Jehovait! Gjatë një transmetimi televiziv në Gjermani, apostatët paraqitën një thes me gënjeshtra për Dëshmitarët. Një telespektator kuptoi se zbukurimet e apostatëve s’ishin gjë tjetër veçse një fantazi dhe u nxit të rifillonte studimin biblik me Dëshmitarët. Po, kritikat publike nganjëherë japin rezultate pozitive!​—Krahaso Filipianëve 1:12, 13.

Apostulli Pavël e dinte se disa do t’i kushtonin vëmendje «përrallave» e jo të vërtetës. Prandaj, ai shkroi: «Ti rri syçelë në çdo gjë, duro vuajtjet, kryeje punën e ungjilltarit, përmbushe plotësisht shërbesën tënde.» (2. Timoteut 4:3-5) Prandaj, mos lejo që të shpërqendrohesh dhe ‘mos u tremb në asgjë nga kundërshtarët’. (Filipianëve 1:28) Rri i qetë e tregohu i përmbajtur. Predikoje lajmin e mirë me gëzim dhe do t’i bësh ballë me vendosmëri kritikave publike. Po, mos harro premtimin e Jezuit: «Lum ju kur do t’ju shajnë e do t’ju përndjekin dhe, duke gënjyer, do të thonë të gjitha të zezat kundër jush për shkakun tim. Gëzohuni dhe ngazëllohuni, sepse shpërblimi juaj është i madh në qiej, sepse kështu i kanë përndjekur profetët që qenë para jush.»​—Mateu 5:11, 12.

[Shënimi]

a Shiko botimet Dëshmitarët e Jehovait​—Të bashkuar për të kryer vullnetin e Perëndisë në të gjithë botën, Dëshmitarët e Jehovait në shekullin e njëzetë (angl.) dhe Dëshmitarët e Jehovait​—Lajmëtarë të Mbretërisë së Perëndisë (angl.).

[Diçitura në faqen 27]

Kur u ndesh me kundërshtarët, Jezui u tha dishepujve të tij: «Hiqni dorë prej tyre.» Çfarë donte të thoshte?

[Diçitura në faqen 29]

«Lum ju kur do t’ju shajnë e do t’ju përndjekin dhe, duke gënjyer, do të thonë të gjitha të zezat kundër jush për shkakun tim.»​—Mateu 5:11

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo