Festat
Përkufizimi: Ditë kur njerëzit nuk shkojnë në punë dhe në shkollë, për të kremtuar një ngjarje. Këto ditë mund të jenë edhe raste për kremtime familjare ose të komunitetit. Pjesëmarrësit mund t’i konsiderojnë ato si kremtime fetare ose kryesisht si kremtime shoqërore a shekullare.
A bazohet në Bibël kremtimi i Krishtlindjeve?
Dita e kremtimit
Një enciklopedi thotë: «Kremtimi i Krishtlindjeve nuk është caktuar nga Perëndia dhe as e ka origjinën në B[esëlidhjen] e R[e]. Dita e lindjes së Krishtit nuk mund të zbulohet nga B[esëlidhja] e R[e] dhe, në të vërtetë, as nga ndonjë burim tjetër.»—(Cyclopædia e autorëve Meklintok dhe Strong, Nju-Jork, 1871), vëll. II, f. 276.
Luka 2:8-11 tregon se natën kur lindi Jezui, barinjtë ishin jashtë në fusha. Një libër thotë: «Kopetë e deleve . . . e kalonin dimrin në kasolle; dhe vetëm nga kjo mund të kuptohet se data tradicionale e Krishtlindjeve, që i bie në dimër, nuk ka të ngjarë të jetë e saktë, meqë Ungjilli thotë se barinjtë ishin jashtë në fusha.»—(Daily Life in the Time of Jesus, Nju-Jork, 1962), Henri Daniel-Rops, f. 228.
Një enciklopedi na informon: «Arsyeja pse 25 dhjetori u caktua si dita e Krishtlindjeve, është disi e paqartë, por në përgjithësi, mendohet se kjo ditë u zgjodh që të përkonte me festat pagane që zhvilloheshin rreth solsticit të dimrit, kur dita fillon të zgjatet, për të kremtuar ‘rilindjen e diellit’. . . . Në këtë kohë zhvilloheshin edhe Saturnalet romake (një festë kushtuar Saturnit, perëndisë së bujqësisë, dhe fuqisë së përtërirë të diellit), dhe disa zakone të Krishtlindjeve mendohet se i kanë rrënjët në atë kremtim të lashtë pagan.»—The Encyclopedia Americana, (1977), vëll. 6, f. 666.
Një enciklopedi katolike pranon: «Dita e lindjes së Krishtit nuk dihet. Ungjijtë nuk tregojnë as ditën, as muajin. . . . Sipas hipotezës së H. Juzenerit . . . dhe të pranuar nga shumica e studiuesve sot, si datë për lindjen e Krishtit u caktua dita e solsticit të dimrit (25 dhjetori në kalendarin julian, 6 janari në kalendarin egjiptian), sepse në këtë ditë, kur dielli fillon të rikthehet në qiejt e vendeve veriore, ithtarët paganë të Mitrës kremtonin dies natalis Solis Invicti (ditëlindjen e të pamposhturit diell). Më 25 dhjetor 274, Aureliani e shpalli perëndinë-diell mbrojtësin kryesor të perandorisë dhe i kushtoi atij një tempull në Campus Martius. Krishtlindjet nisën të kremtoheshin në një kohë kur kulti i diellit ishte shumë i fuqishëm në Romë.»—New Catholic Encyclopedia, (1967), vëll. III, f. 656.
Dijetarët që u drejtuan nga një yll
Ata Dijetarë në të vërtetë ishin astrologë nga lindja. (Mat. 2:1, 2, BR; ECM) Megjithëse sot astrologjia pëlqehet nga shumë njerëz, kjo praktikë nuk është aspak e miratuar në Bibël. (Shih faqet 113, 114, te tema «Fati».) A do të kishte drejtuar Perëndia te Jezui i porsalindur ata njerëz, praktikat e të cilëve i dënonte?
Mateu 2:1-16 tregon se, në fillim, ylli i drejtoi ata astrologë te mbreti Herod dhe më pas, te Jezui; pastaj Herodi u përpoq të vriste Jezuin. Nuk thuhet fare që «yllin» e panë edhe të tjerë përveç astrologëve. Pasi ata u larguan, engjëlli i Jehovait e lajmëroi Jozefin të ikte në Egjipt, që të mbronte fëmijën. «Ylli» ishte një shenjë nga Perëndia apo nga dikush që po kërkonte ta vriste Birin e Perëndisë?
Është për t’u theksuar se tregimi biblik nuk thotë se ata e gjetën foshnjën Jezu në një koritë, siç paraqitet zakonisht në veprat artistike për Krishtlindjet. Kur mbërritën astrologët, Jezui dhe prindërit e tij banonin në një shtëpi. Kurse për sa i përket moshës së Jezuit në atë kohë, le të kujtojmë se, në bazë të asaj që mësoi nga astrologët, Herodi urdhëroi të vriteshin të gjithë djemtë nga mosha dy vjeç e poshtë në krahinën e Betlehemit.—Mat. 2:1, 11, 16.
Shkëmbimi i dhuratave si pjesë e kremtimit; historitë për Plakun e Krishtlindjeve, etj.
Zakoni i shkëmbimit të dhuratave për Krishtlindje, nuk bazohet në atë që bënë Dijetarët. Siç u tregua më sipër, ata nuk mbërritën në çastin e lindjes së Jezuit. Për më tepër, ata nuk i dhanë dhurata njëri-tjetrit, por fëmijës Jezu, si ishte zakon atëherë kur vizitoheshin njerëz të shquar.
Një enciklopedi pohon: «Gjatë Saturnaleve . . . ishin të përhapura gostitë dhe shkëmbeheshin dhurata.» (The Encyclopedia Americana, 1977, vëll. 24, f. 299) Në shumë raste, shkëmbimi i dhuratave përbën frymën e Krishtlindjeve. Kjo frymë që pasqyrohet gjatë shkëmbimit të dhuratave, nuk sjell lumturi të vërtetë, sepse shkel parimet e krishtere, si ato që gjenden te Mateu 6:3, 4 dhe 2 Korintasve 9:7. Patjetër që një i krishterë, në shenjë dashurie, mund t’u japë dhurata të tjerëve në periudha të ndryshme të vitit, dhe këtë mund ta bëjë sa herë të dojë.
Në varësi të vendit ku jetojnë, fëmijëve u thuhet se dhuratat i sjell Plaku i Krishtlindjeve, Santa Klausi, Shën Nikolla, Per Noëli, Kneht Ruprehti, Dijetarët, elfi Jultomten (ose Julenisen) ose një shtrigë me emrin Befana. (The World Book Encyclopedia, 1984, vëll. 3, f. 414) Natyrisht, asnjëra nga këto histori nuk është e vërtetë. A ndërtojnë ato te fëmijët respektin për të vërtetën dhe a nderon një zakon i tillë Jezu Krishtin, i cili mësoi se Perëndia duhet adhuruar me të vërtetë?—Gjoni 4:23, 24.
A ka ndonjë problem të marrësh pjesë në kremtime që ndoshta nuk kanë origjinë të krishterë, por që nuk bëhen për arsye fetare?
Efes. 5:10, 11: «Vazhdoni të siguroheni se çfarë është e pranueshme para Zotërisë, dhe mos merrni më pjesë me ta në veprat e pafrytshme që i përkasin errësirës, por më mirë qortojini.»
2 Kor. 6:14-18: «Ç’lidhje ka drejtësia me paligjshmërinë? Apo ç’pjesë ka drita me errësirën? Ç’harmoni ka mes Krishtit dhe Belialit? Apo ç’pjesë ka një besimtar me një jobesimtar? Ç’marrëveshje ka tempulli i Perëndisë me idhujt? . . . ‘Prandaj, dilni nga mesi i tyre dhe ndahuni,—thotë Jehovai,—dhe mjaft e prekët gjënë e papastër’, ‘dhe unë do t’ju pranoj’. . . . ‘Dhe ju do të jeni për mua bij e bija,—thotë Jehovai, i Plotfuqishmi.’» (Dashuria e vërtetë për Jehovain dhe dëshira e fortë për t’i pëlqyer atij, do ta ndihmojnë një person të çlirohet nga zakone jo të krishtere që mund ta kenë tërhequr emocionalisht. Një njeri që e njeh dhe e do vërtet Jehovain, nuk mendon se nuk do të jetë i lumtur nëse shmang ato zakone që nderojnë perënditë e rreme ose përhapin gënjeshtra. Dashuria e vërtetë e bën atë të mos gëzojë për padrejtësinë, por me të vërtetën. Shih 1 Korintasve 13:6.)
Krahasoni Eksodin 32:4-10. Vëreni se izraelitët përvetësuan një zakon fetar egjiptian, por i dhanë atij një emër të ri, «një festë për Jehovain». Megjithatë Jehovai i ndëshkoi rëndë për këtë. Ndërsa sot, përsa u përket festave, ne shohim vetëm zakonet e kohës sonë. Disa nga ato mund të duken të padëmshme. Por Jehovai i njeh mirë ato, ngaqë i ka parë drejtpërdrejt në të kaluarën zakonet fetare pagane nga të cilat e kanë origjinën zakonet e sotme. A nuk duhet të na interesojë pikëpamja e tij?
Ilustrim: Imagjinoni sikur një turmë njerëzish shkon te shtëpia e një zotërie dhe i thonë se kanë ardhur t’i festojnë ditëlindjen. Atij nuk i pëlqen festimi i ditëlindjeve. Nuk i pëlqen të shohë njerëz që hanë me tepri, që dehen ose sillen në mënyrë të shthurur. Por disa nga turma bëjnë gjithë këto gjëra dhe sjellin dhurata për tërë të pranishmit, përveçse për të. Ç’është më kryesore, zgjedhin t’ia kremtojnë ditëlindjen atë ditë kur ka lindur një nga armiqtë e tij. Si do të ndihej ai? A do të donit të merrnit pjesë në një kremtim të tillë? Pikërisht kjo gjë ndodh gjatë kremtimit të Krishtlindjeve.
Ç’origjinë kanë Pashkët dhe zakonet që lidhen me to?
Një enciklopedi britanike komenton: «Në Besëlidhjen e Re ose në shkrimet e Etërve apostolikë nuk ka asgjë që të tregojë për kremtimin e festës së Pashkëve. Të krishterët e parë nuk mendonin aspak që ditë të veçanta të ishin të shenjta.»—Encyclopædia Britannica (1910), vëll. VIII, f. 828.
Një enciklopedi katolike thotë: «Shumë zakone pagane për kremtimin e kthimit të pranverës u përfshinë në kremtimet e Pashkëve. Veza është simboli i jetës që çel në fillim të pranverës. . . . Lepuri është një simbol pagan, i cili ka simbolizuar gjithmonë pjellorinë.»—The Catholic Encyclopedia, (1913), vëll. V, f. 227.
Në një libër lexojmë: «Çfarë do të thotë fjala Easter (term që përdoret në shumë vende për Pashkët)? Nuk është një emër i krishterë. Është tërësisht me origjinë kaldease. Easter nuk është gjë tjetër veçse Astarta, një nga titujt e Beltisit, mbretëreshës së qiejve, emri i së cilës . . . është Ishtar, siç u gjend në monumentet asiriane nga Lajardi. . . . Kjo është historia e Easterit. Zakonet popullore që e shoqërojnë edhe sot periudhën e kremtimit të saj, vërtetojnë gjerësisht dëshmitë e historisë në lidhje me karakterin e saj babilonas. Kuleçtë e nxehtë me shenjën e kryqit sipër, që bëhen të Premten e Zezë, dhe vezët e lyera të Pashkëve, ishin pjesë e riteve kaldease, pikërisht siç janë pjesë edhe e riteve të sotme.»—The Two Babylons, nga Aleksandër Hislop (Nju-Jork, 1943), f. 103, 107, 108; krahaso Jereminë 7:18.
A është i papranueshëm për të krishterët festimi i Vitit të Ri?
Një enciklopedi thotë: «Romakët ia kushtuan këtë ditë (1 janarin) Janusit, perëndisë së portave, të dyerve dhe të fillimeve. Muaji janar e mori emrin nga Janusi, i cili kishte dy fytyra—njëra nga para dhe tjetra nga pas.»—The World Book Encyclopedia, (1984), vëll. 14, f. 237.
Si dita, ashtu edhe zakonet që lidhen me festimin e Vitit të Ri, ndryshojnë nga njëri vend në tjetrin. Në shumë vende, pjesë e festimeve janë ahengjet e shfrenuara dhe pirja me tepri. Por Romakëve 13:13 na këshillon: «Të ecim si na ka hije, si ditën, jo në ahengje të shfrenuara e në dehje, jo në marrëdhënie seksuale të paligjshme dhe sjellje të shthurur, jo në konflikte e xhelozi.» (Shih edhe 1 Pjetrit 4:3, 4; Galatasve 5:19-21.)
Çfarë qëndron pas kremtimit që bëhet në kujtim të «shpirtrave të të vdekurve»?
Një enciklopedi thotë: «Dita e të vdekurve. . . është një ditë e caktuar nga kisha katolike për kujtimin e besimtarëve të vdekur. Kremtimi bazohet në doktrinën se shpirtrat e besimtarëve që nuk ishin pastruar nga mëkatet e falshme kur vdiqën, nuk mund të arrijnë Vegimin e Lumturimit, por mund të ndihmohen ta arrijnë nëpërmjet lutjeve dhe flisë së meshës. . . . Disa besime popullore në lidhje me Ditën e të vdekurve janë me origjinë pagane dhe shumë të lashta. Kështu, fshatarët e shumë vendeve katolike besojnë se natën e asaj feste, të vdekurit kthehen në shtëpitë e tyre të dikurshme dhe hanë ushqimin e të gjallëve.»—Encyclopædia Britannica (1910), vëll. I, f. 709.
Një enciklopedi tjetër thotë: «Elemente të zakoneve që kanë lidhje me Hallouinin, mund të gjenden në një ceremoni druide në kohët e parakrishtere. Keltët kishin festa për dy perëndi të mëdha—perëndinë-diell dhe për perëndinë e të vdekurve (që quhej Samhain) dhe festa për këtë të fundin mbahej më 1 nëntor, pra, në fillim të vitit të ri kelt. Festa e të vdekurve hyri dalëngadalë në ritualet e krishtere.»—The Encyclopedia Americana (1977), vëll. 13, f. 725.
Një libër tregon origjinën e këtij kremtimi: «Mitologjitë e të gjitha kombeve të lashta gërshetohen me ndodhitë e Përmbytjes. . . . Provë për këtë argument është kremtimi i festës së madhe të të vdekurve në përkujtim të asaj ngjarjeje, jo vetëm nga kombe që pak a shumë komunikojnë me njëri-tjetrin, por edhe nga kombe të tjera që janë mjaft të ndarë, qoftë nga oqeanet, qoftë nga shekujt. Për më tepër, këtë festë të gjithë e mbajnë në ditën që sipas tregimit të Moisiut ndodhi Përmbytja ose rreth asaj dite, domethënë, ditën e shtatëmbëdhjetë të muajit të dytë—ky muaj përkon përafërsisht me nëntorin e sotëm.» (The Worship of the Dead, Londër, 1904, kolonel Xh. Garnier, f. 4) Pra, në të vërtetë, këto kremtime nisën të mbaheshin në nderim të njerëzve që Perëndia i shkatërroi për shkak të ligësisë së tyre, në ditët e Noesë.—Zan. 6:5-7; 7:11.
Këto festa për nder të «shpirtrave të të vdekurve», sikur ata të jetonin në një vend tjetër, janë në kundërshtim me përshkrimin që bën Bibla për vdekjen si gjendje pavetëdije të plotë.—Ekl. 9:5, 10; Psal. 146:4.
Në lidhje me origjinën e pavdekësisë së shpirtit të njeriut, shih faqen 429 te tema «Vdekja» dhe faqet 391, 392 te tema «Shpirti».
Cila është origjina e Ditës së Shën Valentinit?
Një enciklopedi thotë: «Dita e Shën Valentinit bie në të njëjtën ditë me kremtimin e dy martirëve të krishterë me të njëjtin emër, Valentin. Por zakonet që lidhen me atë ditë, . . . ndoshta vijnë nga një festë e lashtë romake e quajtur Luperkalet, që mbahej çdo 15 shkurt. Festa bëhej për nder të Junonës, perëndesha romake e grave dhe e martesës, si edhe të Panit, perëndia i natyrës.»—The World Book Encyclopedia (1973), vëll. 20, f. 204.
Cila është origjina e festës së nënave?
Një tjetër enciklopedi thotë: «Kjo është një festë që vjen nga zakoni i adhurimit të nënës në Greqinë e lashtë. Adhurimi i nënës, me ceremonitë në nder të Cibelës ose Reas, Nëna e Madhe e perëndive, mbahej në tërë Azinë e Vogël më 15 mars, sipas kalendarit romak.»—Encyclopædia Britannica, (1959), vëll. 15, f. 849.
Te cilat parime biblike mbështetet pikëpamja e të krishterëve për ceremonitë që përkujtojnë ngjarje të historisë politike të një kombi?
Gjoni 18:36: «Jezui i tha [guverantorit romak]: ‘Mbretëria ime nuk është pjesë e kësaj bote.’»
Gjoni 15:19: «Po të ishit [ithtarët e Jezuit] pjesë e botës, bota do të tregonte përzemërsi për atë që është e veta. Ngaqë nuk jeni pjesë e botës, por unë ju kam zgjedhur nga bota, bota ju urren.»
1 Gjon. 5:19: «E gjithë bota dergjet nën pushtetin e të ligut.» (Krahaso Gjoni 14:30; Zbulesa 13:1, 2; Danieli 2:44.)
Festa të tjera lokale ose kombëtare
Ka shumë të tilla. Është e pamundur të trajtohen të gjitha këtu. Por informacionet historike që janë dhënë më sipër, na tregojnë se cilës gjë duhet t’i kushtojmë vëmendje kur marrim në shqyrtim një festë. Po ashtu, parimet biblike të trajtuara këtu, japin një drejtim të mjaftueshëm për ata që dëshirojnë para së gjithash të bëjnë atë që i pëlqen Perëndisë Jehova.