BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • it
  • Syri

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Syri
  • Gjykim i thellë nga Shkrimet
  • Material i ngjashëm
  • Mençuri për syrin
    Zgjohuni!—2012
  • Cili është kuptimi i ligjit «sy për sy»?
    Përgjigje për pyetje rreth Biblës
  • 3A «Shpirti»​—Krijesë e gjallë, njeri ose kafshë; jetë si person me intelekt; përdorime të tjera
    Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re 2005
  • Bebëza
    Gjykim i thellë nga Shkrimet
Shih më tepër
Gjykim i thellë nga Shkrimet
it

SYRI

Organi i të parit, një «aparat fotografik» tejet i efektshëm e vetërregullues, që përcjell impulse në tru, ku objekti i fokusuar në retinën e syrit interpretohet si pamje. Fjala hebraike ʽájin dhe ajo greke oftalmós përdoren si në kuptimin e mirëfilltë, ashtu dhe në atë figurativ. Termi hebraik përdoret për të përcaktuar edhe një ‘burim’. (Zn 24:13; Da 15:27) Meqë ka dy sy, njeriu mund të ketë një pamje tridimensionale. Humbja e shikimit është një mangësi tejet e madhe, sepse, pa asnjë dyshim, të parit është kanali më i rëndësishëm i komunikimit me mendjen.

Syri është një nga pjesët më të bukura të trupit. (Kng 1:15; 4:9; 7:4) Aq përçudnim e dëm sillte gjymtimi i syve, saqë, sipas besëlidhjes së Ligjit, dikush nuk mund të shërbente si prift nëse ishte i verbër ose i sëmurë qoftë edhe vetëm nga një sy. (Le 21:18, 20) Sipas Ligjit, në Izrael një njeri që i nxirrte syrin skllavit, duhej ta linte të shkonte i lirë. (Da 21:26) Që t’i poshtëronin armiqtë e t’u thyenin forcën, disa kombe të lashta ndiqnin zakonin mizor të verbimit të krerëve të armiqve të zënë rob.​—Gjy 16:21; 1Sa 11:2; 2Mb 25:7.

Struktura e syrit na zbulon një projektim të mrekullueshëm nga Bërësi i tij dhe shkencëtarët nuk arrijnë ta kuptojnë dot procesin përmes të cilit truri interpreton atë që i përcjell syri. E gjithë kjo tregon zgjuarsinë e Projektuesit të syrit. Perëndia Jehova e merr vetë përsipër krijimin e syrit kur thotë: «Ai që bëri syrin, vallë nuk mund të shikojë?»—Ps 94:9; Pr 20:12.

Sytë e Jehovait. Perëndia i ndihmon njerëzit të kuptojnë e të vlerësojnë disa gjëra që lidhen me të, duke i krahasuar me gjëra që ne i shohim dhe i njohim mirë. Kështu, në mënyrë të figurshme, ai thotë se «sytë» e tij janë mbi popullin e vet, me sa duket për të treguar se qëndron syçelë e kujdeset me dashuri për ta. Apostulli Pjetër tha: «Sytë e Jehovait janë mbi të drejtët.» (1Pj 3:12) Perëndia thekson sa kujdes dhe ndjeshmëri ka për mirëqenien e shërbëtorëve të tij kur i quan ‘bebëza e syrit’, e cila në mënyrë metaforike tregon sa të çmuar janë ata në sytë e tij dhe sa shpejt vepron ai në mbështetje të tyre kur preken nga armiqtë.​—Lp 32:10; Ps 17:8.

Perëndia i vëren veprimet e të gjithë njerëzve dhe Jeremia e përshkroi këtë kur tha se Ai ‘i mban sytë te tërë udhët e bijve të njerëzve, që t’i japë secilit sipas udhëve të veta’. (Jr 32:19) Apostulli Pavël shkroi se Jehovai është i gjithëdijshëm dhe se ka si qëllim të ushtrojë drejtësinë kundrejt të gjithëve: «Nuk ka krijesë që të mos jetë e dukshme përpara tij, por të gjitha gjërat janë lakuriq dhe fare sheshit në sytë e atij, të cilit do t’i japim llogari.» (He 4:13; 2Kr 16:9; Ps 66:7; Pr 15:3) Për të treguar me ç’hollësi i heton Perëndia njerëzit, psalmisti tha: «Syri i tij sheh bijtë e njerëzve, me sytë e tij rrezatues i heton.»—Ps 11:4.

Psalmisti David tregoi se, ashtu si në rastin e Jakobit dhe Esaut (Zn 25:21-23; Ro 9:10-13), Jehovai ka aftësi të njohë karakteristikat dhe prirjet e një njeriu ose përbërjen e tij gjenetike, madje qysh kur ai formohet në barkun e nënës. Ai tha: «Sytë e tu panë embrionin tim, dhe në librin tënd ishin shkruar tërë pjesët e tij, ditët kur ato u formuan, megjithëse ende nuk ekzistonte asnjë prej tyre.»—Ps 139:15, 16.

Përdorimi i figurshëm. Syri i njeriut është një kanal komunikimi i rëndësishëm për mendjen, që ndikon fuqimisht te ndjenjat dhe veprimet. Satanai e tundoi Evën duke e shtyrë të dëshironte diçka që ajo e pa me sy. (Zn 3:6) Ai u përpoq ta shtynte Jezuin të synonte padrejtësisht gjëra që i pa me sy, e kështu të mëkatonte. (Lu 4:5-7) Po kështu, apostulli Gjon na thotë se «dëshirat e syve» janë një nga gjërat që vijnë nga kjo botë që po kalon. (1Gjo 2:16, 17) Në mënyrë të ngjashme, shumë ndjenja shprehen përmes syve. Prandaj, Shkrimet përdorin shprehje të tilla, si «sytë krenarë» (Pr 6:17); «sytë e saj të ndritshëm» (të gruas së keqe, joshëse​—Pr 6:25); «sy plot kurorëshkelje» (2Pj 2:14); «sy kurnac» (Pr 23:6, NW); «sy ziliqar» (Pr 28:22) dhe ‘sy që është i lig’ (‘sy i keq’, KJ). Kjo shprehje e fundit nuk lidhet me ndonjë aftësi magjike të syrit, por me qëllimin e keq të tij, pra është e kundërta e një syri «dashamirës».​—Mt 20:15; Pr 22:9.

Gjestet e syve shprehin në shkallë të madhe ndjenjat e njerëzve. Sytë mund të tregojnë dhembshuri ose mungesë të saj (Lp 19:13); njerëzit mund ‘të shkelin syrin’ në formë përqeshjeje ose kur thurin intriga. (Ps 35:19; Pr 6:13; 16:30) Ata që nuk duan të vërejnë ose që nuk kanë dëshirë të bëjnë diçka për të tjerët, përshkruhen se i kanë mbyllur sytë ose i kanë kthyer sytë mënjanë. (Mt 13:15; Pr 28:27) Thuhet se budallai i ka sytë «nëpër skajet e tokës», duke u endur andej-këtej pa ndonjë objektiv të përcaktuar, pasi mendimet e tij vërtiten gjithandej, përveçse aty ku duhet. (Pr 17:24) Sytë tregojnë madje shëndetin, forcën dhe gjendjen e lumtur të një personi. (1Sa 14:27-29; Lp 34:7; Jb 17:7; Ps 6:7; 88:9) Mbreti Jehozafat iu drejtua Jehovait: «Sytë i kemi drejtuar nga ti.»—2Kr 20:12.

Në disa kontekste, «sytë» i referohen gjykimit (Zn 19:14, NW; Pr 12:15, NW; Mt 21:42), pranisë (Zn 23:11, NW), dijenisë (Nu 15:24), vëmendjes (Zn 44:21; Lu 4:20) ose dhembshurisë (Pr 28:27) së një personi. Fjala hebraike ʽájin (sy) mund t’i referohet edhe pamjes së diçkaje, si për shembull, ‘sipërfaqes së tokës deri ku të sheh syri’ (Da 10:5), mënyrës si «dukej» mana dhe përzierja ar-argjend (Nu 11:​7, shën., NW; Ezk 1:4), ‘rrëzëllimit’ të verës (Pr 23:31), ‘sipërfaqes rrëzëlluese’ të akullit (Ezk 1:22) dhe ‘dukjes’ së bakrit (Dn 10:6, NW).—Krahaso Za 5:6, shën., NW.

Të shohësh Perëndinë; të shohësh Jezuin. Krijesat frymore, engjëjt, janë në gjendje të shohin shkëlqimin e Jehovait (Mt 18:10; Lu 1:19), një përvojë që s’mund ta përballojë asnjë sy njerëzor, sepse vetë Jehovai i tha Moisiut: «Asnjë njeri nuk mund të më shohë e të jetojë.» (Da 33:20) Gjoni tha: «Askush s’e ka parë asnjëherë Perëndinë.» (Gjo 1:18) Prandaj, kur Jezui i tha dishepullit Filip se «ai që më ka parë mua, ka parë edhe Atin» (Gjo 14:9) dhe kur apostulli Gjon shkroi se «kush bën të keqen, nuk e ka parë Perëndinë» (3Gjo 11), është e qartë se nuk e kishin fjalën se Perëndinë mund ta shohim me sytë fizikë, por me «sytë e zemrës», siç i përshkroi Pavli. (Ef 1:18) Vetëm ata që shohin me sytë e zemrës, kanë arritur vërtet ta njohin Perëndinë e të vlerësojnë cilësitë e tij. Ja përse Gjoni mundi të thoshte: «Kush nuk ka dashuri, nuk ka arritur ta njohë Perëndinë, sepse Perëndia është dashuri.»—1Gjo 4:8.

Po njësoj, duke marrë parasysh që Jezui tha se ‘bota nuk do ta shihte më’ (Gjo 14:19), fjalët e Zbulesës 1:7 se «[Jezu Krishtin] do ta shohë çdo sy», nuk lidhen me sytë e mirëfilltë. Përkundrazi, i referohen ndikimit që do të kishin në mendjet e vëzhguesve njerëzorë dëshmitë që mund të shihen me sytë e mirëfilltë kur ai të dalë që të shfarosë armiqtë e tij. Megjithatë, Bibla e tregon qartë se ata që Perëndia i thërret në jetën qiellore bashkë me Krishtin, do të shohin Perëndinë në kuptimin e mirëfilltë. Kjo kërkon që ata të ringjallen me trupa frymorë qiellorë.​—1Pj 1:4; 1Ko 15:50-54; krahaso 1Pj 3:18.

Shikimi frymor. Ashtu si syri fizik, edhe syri frymor është dhuratë nga Perëndia. (Pr 20:12) Ai premton se do të shërojë si sytë frymorë, ashtu edhe ata fizikë, dhe do të zhdukë të gjitha arsyet që shkaktojnë lot. (Is 35:5; Zb 21:4) Një person s’mund t’i kuptojë qëllimet e Perëndisë pa pasur dhuratën e shikimit frymor. Në anën tjetër, Jehovai ua fsheh të vërtetat e tij syve të kokëfortëve ose rebelëve, duke lejuar që sytë e tyre ‘të errësohen’. (Ro 11:8-10; Lu 19:42) ‘Ata kanë sy [fizikë], por nuk mund të shohin [frymësisht].’—Jr 5:21; Is 59:10.

Gjithashtu, Jezui theksoi se shikimi frymor duhet mbajtur i mprehtë dhe i fokusuar. Ai tha: «Llamba e trupit është syri. Prandaj, nëse syri yt është i thjeshtë [i sinqertë; i përqendruar në një vend; i fokusuar; bujar], gjithë trupi do të jetë i ndriçuar, por nëse syri yt është i lig, gjithë trupi do të jetë i errët. Në të vërtetë, nëse drita që ke, është errësirë, sa e madhe do të jetë errësira!» (Mt 6:22, 23, shën., NW) Më tej, Jezui tha se dikush nuk duhet të guxojë të ofrohet për të nxjerrë nga syri i vëllait të tij qoftë edhe një ‘lëmishte’ të thjeshtë, që ta ndihmojë të gjykojë në mënyrë më të drejtë, ndërkohë që vetë aftësia e tij për të gjykuar siç duhet, pengohet nga një «tra».—Mt 7:3-5.

Apostulli Gjon pa fronin e Perëndisë dhe pranë tij katër krijesa të gjalla, plot me sy para e prapa. (Zb 4:6, 8) Krijesa të pajisura në këtë mënyrë, do të ishin vazhdimisht vigjilente, në gjendje të shihnin gjithçka. Ato do të ishin tërësisht të vetëdijshme se ç’do të ndodhte këtu në tokë, do t’i kushtonin vëmendje Perëndisë në çdo gjë dhe do të ndiqnin të gjitha udhëzimet që do të jepte ai për gjërat që duheshin bërë. (Krahaso Ps 123:2; edhe Ezk 1:18; 10:12.) Jehovai i këshillon shërbëtorët e vet që ‘të mos i largojnë nga sytë’ fjalët e tij.​—Pr 4:20, 21; Lu 10:23; shih VERBËRIA.

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo