BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • Lehtësim nga stresi: Një kurë praktike
    Kulla e Rojës—2001 | 15 Dhjetor
    • Nën zgjedhë

      9, 10. Simbol i çfarë gjëje ishte zgjedha në kohët e lashta dhe përse Jezui i ftoi njerëzit që të merrnin mbi vete zgjedhën e tij?

      9 Nëse e vutë re, në fjalët e cituara nga Mateu 11:28, 29 Jezui tha: «Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni prej meje.» Në atë kohë, njerëzit e thjeshtë mund të jenë ndier sikur po punonin nën një zgjedhë. Që nga kohët e lashta, zgjedha është përdorur si ilustrim për skllavërinë ose robërinë. (Zanafilla 27:40; Levitiku 26:13; Ligji i përtërirë 28:48) Shumë nga mëditësit që takoi Jezui punonin duke mbajtur një zgjedhë të mirëfilltë në shpatulla, duke mbartur barrë të rënda. Në varësi të formës që i jepej zgjedhës, ajo mund të ishte pak a shumë e rehatshme në qafë e në shpatulla ose mund të fërkohej e të shkaktonte acarim të lëkurës. Si zdrukthëtar, Jezui mbase kishte bërë zgjedha dhe do ta ketë ditur si t’i jepte formë një zgjedhe që të ishte «e këndshme». Ndoshta pikat ku ajo fërkohej me trupin i vishte me lëkurë ose me ndonjë pëlhurë për ta bërë zgjedhën sa më të rehatshme që të ishte e mundur.

      10 Kur Jezui tha «merrni mbi vete zgjedhën time», mund të ishte duke e krahasuar veten me një person që siguronte zgjedha të bëra mirë, të cilat do të ishin ‘të këndshme’ për qafën dhe shpatullat e një punëtori. Kështu, Jezui shtoi: «Ngarkesa ime është e lehtë.» Kjo nënkuptonte që zgjedha nuk ishte e pakëndshme dhe as puna nuk ishte skllavëruese. Kuptohet, duke i ftuar dëgjuesit e tij që të pranonin zgjedhën e tij, Jezui nuk po ofronte lehtësim të menjëhershëm nga të gjitha kushtet shtypëse që kishte atëherë. Gjithsesi, pikëpamja e ndryshme që paraqiti do të sillte freskim mjaft të madh. Edhe rregullimet që do të bënin në stilin e jetesës dhe në mënyrën se si i bënin gjërat do t’u sillnin lehtësim. Ç’është më e rëndësishme, një shpresë e qartë dhe e fortë do t’i ndihmonte që ta shihnin jetën si më pak stresuese.

      Mund të gjeni freskim

      11. Përse Jezui nuk po propozonte thjesht një këmbim zgjedhash?

      11 Është për t’u vënë re se Jezui nuk po thoshte që njerëzit do ta këmbenin një zgjedhë me një tjetër. Roma do ta kishte ende nën kontroll vendin, ashtu si qeveritë e sotme kanë nën kontroll vendet ku jetojnë të krishterët. Taksat romake të shekullit të parë nuk do të zhdukeshin. Problemet shëndetësore dhe ekonomike do të mbeteshin. Papërsosmëria dhe mëkati do të vazhdonin të ndikonin te njerëzit. Gjithsesi, ata mund të gjenin freskim duke përvetësuar mësimin e Jezuit, siç mund të gjejmë freskim edhe ne sot.

      12, 13. Çfarë theksoi Jezui se do të sillte freskim dhe si u përgjigjën disa?

      12 Një zbatim i rëndësishëm i ilustrimit të Jezuit me zgjedhën u bë i dukshëm në lidhje me veprën e bërjes së dishepujve. S’ka asnjë dyshim se vepra kryesore e Jezuit ishte mësimdhënia, duke e vënë theksin te Mbretëria e Perëndisë. (Mateu 4:23) Prandaj, kur ai tha «merrni mbi vete zgjedhën time», kjo me siguri do të kishte përfshirë që ta ndiqnin në të njëjtën vepër. Ungjijtë tregojnë se Jezui i nxiti disa njerëz të çiltër që të ndryshonin punën e tyre, e cila është një shqetësim kryesor në jetën e shumë vetave. Sillni ndër mend thirrjen që i bëri Pjetrit, Andreas, Jakovit dhe Gjonit: «Ejani pas meje dhe unë do t’ju bëj të jeni peshkatarë njerëzish.» (Marku 1:16-20) U tregoi atyre peshkatarëve sa e kënaqshme do të ishte nëse do të bënin veprën që ai po e vinte në vend të parë në jetën e tij, duke e bërë këtë nën udhëheqjen dhe me ndihmën e tij.

      13 Disa judenj që po e dëgjonin, e kuptuan për çfarë e kishte fjalën dhe e vunë në praktikë. Përfytyroni skenën buzë detit për të cilën lexojmë te Luka 5:1-11. Katër peshkatarë ishin robtuar gjithë natën, por nuk kishin zënë gjë. Papritur, rrjetat e tyre u mbushën plot! Kjo nuk ishte e rastësishme, pasi ndodhi si rrjedhojë e ndërhyrjes së Jezuit. Ndërsa shihnin drejt bregut të detit, ata panë një shumicë njerëzish shumë të interesuar për mësimet e Jezuit. Kjo ishte një ndihmë për të shpjeguar atë që u tha Jezui të katërve: ‘Që tani e tutje, do të zini njerëz të gjallë.’ Cila ishte përgjigjja e tyre? «Ata i nxorën barkat në tokë, braktisën çdo gjë dhe e ndoqën.»

      14. (a) Si mund të gjejmë sot freskim? (b) Cilin lajm të mirë freskues shpalli Jezui?

      14 Në thelb, ju mund të përgjigjeni në mënyrë të ngjashme. Vepra për t’u mësuar njerëzve të vërtetën biblike është ende në vazhdim. Rreth gjashtë milionë Dëshmitarë të Jehovait në mbarë botën e kanë pranuar ftesën e Jezuit për të ‘marrë mbi vete zgjedhën e tij’ dhe janë bërë «peshkatarë njerëzish». (Mateu 4:19) Disa janë angazhuar në kohë të plotë në këtë vepër, të tjerë bëjnë sa më shumë që munden në një pjesë të kohës së tyre. Të gjithëve u duket freskuese kjo gjë, kështu që jeta e tyre bëhet më pak stresuese. Kjo vepër përfshin të bëjnë një gjë që u pëlqen, pra, t’u thonë të tjerëve lajmin e mirë​—«lajmin e mirë të mbretërisë». (Mateu 4:23) Është gjithnjë kënaqësi të flasësh për lajme të mira, por sidomos për këtë lajm të mirë. Bibla përmban materialin bazë që na duhet për t’i bindur shumë veta se mund të bëjnë një jetë më pak stresuese.​—2 Timoteut 3:16, 17.

      15. Si mund të nxirrni dobi nga mësimet e Jezuit për jetën?

      15 Në njëfarë mase, edhe njerëzit që sapo kanë filluar të mësojnë për Mbretërinë e Perëndisë, kanë nxjerrë dobi nga mësimet që ka dhënë Jezui se si duhet jetuar. Shumë mund ta vërtetojnë se mësimet e Jezuit i kanë freskuar dhe i kanë ndihmuar të ndryshojnë jetën. Mund ta zbuloni vetë këtë, duke shqyrtuar disa nga parimet për jetën, të cilat gjenden në tregimet e jetës dhe të shërbimit të Jezuit, e sidomos në Ungjijtë e shkruar nga Mateu, Marku dhe Luka.

      Një mënyrë për të gjetur freskim

      16, 17. (a) Ku mund t’i gjeni disa nga mësimet kryesore të Jezuit? (b) Çfarë nevojitet për të gjetur freskim duke zbatuar mësimet e Jezuit?

      16 Në pranverën e vitit 31 të e.s., Jezui mbajti një fjalim që është i njohur edhe sot e kësaj dite në mbarë botën. Zakonisht e quajnë Predikimi në Mal. Është dokumentuar në kapitujt 5, 6 dhe 7 të Mateut e në kapitullin 6 të Lukës dhe përmbledh shumë nga mësimet e tij. Mund të gjeni mësime të tjera të Jezuit edhe në pjesë të tjera të Ungjijve. Shumë nga gjërat që tha ai nuk kanë nevojë për shpjegime, ndonëse mund të jetë një sfidë të vihen në praktikë. Përse të mos i lexoni ata kapituj me kujdes dhe duke medituar? Lini që fuqia e ideve të Jezuit të ndikojë në mënyrën tuaj të të menduarit dhe në qëndrimin tuaj.

      17 Qartë, mësimet e Jezuit mund të grupohen në mënyra të ndryshme. Le t’i grupojmë mësimet kryesore, në mënyrë që të kemi një mësim për çdo ditë të muajit, me synimin për t’i vënë në praktikë në jetë. Si? Mirë, mos i kaloni tepër shpejt ato. Sillni ndër mend sundimtarin e pasur i cili e pyeti Jezu Krishtin: «Ç’të bëj që të trashëgoj jetën e përhershme?» Kur Jezui përsëriti kërkesat jetësore të Ligjit të Perëndisë, ai iu përgjigj se tashmë i plotësonte këto. Gjithsesi, e kuptonte se duhej të bënte më shumë. Jezui i kërkoi që të bënte më shumë përpjekje për t’i zbatuar parimet hyjnore në mënyra praktike, që të ishte një dishepull aktiv. Me sa duket, ai njeri nuk ishte gati të shkonte deri aty. (Luka 18:18-23) Prandaj, ai që dëshiron të marrë sot mësimet e Jezuit, duhet të mos harrojë se ka një dallim ndërmjet të qenët i një mendimi me to dhe përqafimit të tyre në mënyrë aktive. Kjo e fundit është mënyra për të pakësuar stresin.

      18. Ilustroni se si mund ta përdorni në mënyrë dobiprurëse kutinë shoqëruese.

      18 Si fillim, për të shqyrtuar dhe për të zbatuar mësimet e Jezuit, shikoni pikën 1 në kutinë shoqëruese. I referohet Mateut 5:3-9. Ta themi hapur, secili prej nesh mund të kalonte goxha kohë duke medituar për këshillat e mrekullueshme që paraqiten në këto vargje. Megjithatë, duke i parë në tërësi, çfarë përfundimi nxirrni lidhur me qëndrimin që duhet pasur? Nëse dëshironi vërtet të kapërceni efektin e stresit të tepërt në jetën tuaj, çfarë do t’ju ndihmojë? Si mund të ndikojë për mirë te ju nëse u kushtoni më shumë vëmendje gjërave frymore, duke menduar më shumë për to? A ka ndonjë çështje në jetën tuaj së cilës nevojitet t’i kushtoni më pak rëndësi, duke lënë vend që t’u kushtoni më shumë vëmendje gjërave frymore? Nëse veproni kështu, do ta shtoni lumturinë tuaj që tani.

      19. Çfarë mund të bëni për të fituar më tej gjykim të thellë dhe kuptueshmëri?

      19 Tani, bëni edhe një hap më tej. Përse të mos flitni për këto vargje me një shërbëtor tjetër të Perëndisë, ndoshta me bashkëshortin, me një të afërm ose me një mik? (Fjalët e urta 18:24; 20:5) Mbani parasysh se sundimtari i pasur pyeti dikë tjetër, Jezuin, për një çështje të rëndësishme. Përgjigjja mund t’ia kishte rritur atij mundësinë për të qenë i lumtur dhe për të pasur jetë të gjatë. Bashkadhuruesi me të cilin flitni për këto vargje nuk është i barabartë me Jezuin, por, gjithsesi, biseda lidhur me mësimet e Jezuit do të jetë me dobi për të dy. Përpiquni ta bëni këtë sa më shpejt.

      20, 21. Cilin program mund të ndiqni për të mësuar disa nga mësimet e Jezuit dhe si mund ta përcaktoni përparimin që keni bërë?

      20 Vini re edhe një herë kutinë shoqëruese, «Mësime që do t’ju ndihmojnë». Këto mësime janë grupuar në mënyrë të tillë që të keni të paktën një mësim çdo ditë për të shqyrtuar. Në fillim mund të lexoni se çfarë kishte për të thënë Jezui në vargjet e cituara. Më pas, mendoni për fjalët e tij. Meditoni se si mund ta zbatoni këtë mësim në jetën tuaj. Nëse ju duket që tashmë po e zbatoni, meditoni për të kuptuar se çfarë mund të bëni më tepër për të jetuar sipas këtij mësimi hyjnor. Përpiquni ta zbatoni gjatë asaj dite. Nëse e keni të vështirë ta kuptoni ose të shihni se si mund ta zbatoni, kaloni edhe një ditë tjetër me të. Gjithsesi, mbani në mend se nuk ju duhet ta keni zotëruar në mënyrë të përkryer para se të kaloni te mësimi që vjen më pas. Ditën tjetër, mund të shqyrtoni një tjetër mësim. Në fund të javës, mund të shqyrtoni se sa sukses keni pasur duke vënë në praktikë katër ose pesë mësime të Jezuit. Javën e dytë, shtoni mësime të tjera, ditë pas dite. Nëse kuptoni se nuk ia keni dalë mbanë në zbatimin e disa mësimeve, mos u shkurajoni. Çdo të krishteri do t’i ndodhë kjo. (2 Kronikave 6:36; Psalmi 130:3; Predikuesi 7:20; Jakovit 3:8) Vazhdoni t’i zbatoni ato në javën e tretë dhe të katërt.

      21 Pas një muaji ose aty afër, mund t’i keni shqyrtuar të 31 pikat. Sido që të jetë, si do të ndiheni për pasojë? A nuk do të jeni disi më të lumtur e ndoshta më të lehtësuar? Edhe sikur të arrini të bëni vetëm një përmirësim të vogël, ka shumë të ngjarë të ndieni më pak stres ose të paktën do ta përballoni më mirë stresin dhe do të keni një metodë për të vazhduar. Mos harroni se ka shumë pika të tjera të shkëlqyera të mësimeve të Jezuit, të cilat nuk janë në listë. Përse të mos kërkoni cilat janë disa prej tyre dhe të përpiqeni t’i vini në praktikë?​—Filipianëve 3:16.

      22. Çfarë mund të vijë si rrjedhim duke ndjekur mësimet e Jezuit, por cila veçori e mëtejshme e meriton ta studiojmë?

      22 Mund ta shihni se, ndonëse nuk është fare pa ngarkesë, zgjedha e Jezuit është vërtet e këndshme. Ngarkesa që sjellin mësimet e tij dhe përgjegjësia për të qenë dishepull është e lehtë. Pasi kishte kaluar më shumë se 60 vjet përvojë personale, apostulli Gjon, miku i dashur i Jezuit, vërtetoi: «Kjo do të thotë dashuri për Perëndinë: të zbatojmë urdhërimet e tij; dhe megjithatë urdhërimet e tij nuk janë të rënda.» (1 Gjonit 5:3) Edhe ju mund të jeni po kaq të sigurt. Sa më e gjatë të jetë koha që i zbatoni mësimet e Jezuit, aq më tepër do të shihni se ajo që e bën jetën shumë stresuese për shumë veta sot nuk do të jetë po aq dëshpëruese për ju. Do të shihni se keni gjetur një lehtësim mjaft të madh. (Psalmi 34:8) Megjithatë, ka edhe një veçori të zgjedhës së këndshme të Jezuit të cilin duhet ta shqyrtoni. Jezui përmendi edhe se ishte «me natyrë të butë e i përulur në zemër». Si lidhet kjo me faktin që mësojmë nga Jezui dhe e imitojmë atë? Në artikullin vijues, do të marrim në shqyrtim këtë.​—Mateu 11:29.

  • «Mësoni prej meje»
    Kulla e Rojës—2001 | 15 Dhjetor
    • «Mësoni prej meje»

      «Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni prej meje, sepse unë jam me natyrë të butë e i përulur në zemër dhe ju do të gjeni freskim për shpirtrat tuaj.»—MATEU 11:29.

      1. Përse mund të jetë e këndshme dhe pasuruese të mësojmë nga Jezui?

      JEZU KRISHTI gjithnjë mendonte, mësonte dhe vepronte në mënyrë të përshtatshme. Koha që kaloi ai në tokë ishte e shkurtër, por pati një karrierë shpërblyese e të kënaqshme dhe ishte gjithnjë i lumtur. Mblodhi dishepuj dhe u mësoi se si ta adhuronin Perëndinë, të donin njerëzimin e të mundnin botën. (Gjoni 16:33) I mbushi zemrat e tyre me shpresë dhe «hodhi dritë mbi jetën dhe paprishjen nëpërmjet lajmit të mirë». (2 Timoteut 1:10) Nëse e llogaritni veten mes dishepujve të tij, çfarë mendoni se nënkupton të jesh një dishepull? Duke shqyrtuar atë që thotë Jezui për dishepujt, mund të mësojmë se si ta pasurojmë jetën tonë. Kjo përfshin të përvetësojmë pikëpamjen e tij dhe të zbatojmë disa parime bazë.—Mateu 10:24, 25; Luka 14:26, 27; Gjoni 8:31, 32; 13:35; 15:8.

      2, 3. (a) Çfarë është një dishepull i Jezuit? (b) Përse është e rëndësishme të pyesim veten ‘dishepull i kujt jam bërë’?

      2 Në Shkrimet e Krishtere Greke, fjala e përkthyer «dishepull» në thelb do të thotë një person që e drejton mendjen te diçka ose një që mëson. Një fjalë që lidhet me këtë gjendet në shkrimin kryesor të këtij artikulli, në Mateun 11:29, ku thuhet: «Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni prej meje, sepse unë jam me natyrë të butë e i përulur në zemër dhe ju do të gjeni freskim për shpirtrat tuaj.» Po, dishepulli është një person që mëson. Zakonisht në Ungjij fjala «dishepull» përdoret për ithtarët më të afërt të Jezuit, të cilët udhëtonin me të ndërsa predikonte dhe mësonin prej tij. Disa njerëz thjesht mund t’i kishin pranuar mësimet e Jezuit, ndoshta duke e bërë këtë edhe në fshehtësi. (Luka 6:17; Gjoni 19:38) Shkrimtarët e Ungjijve përmendën edhe «dishepujt e Gjonit [Pagëzorit] dhe dishepujt e farisenjve». (Marku 2:18) Meqë Jezui i paralajmëroi ithtarët e tij që të «ruheshin . . . nga mësimet e farisenjve», mund të pyesim veten: ‘Dishepull i kujt jam bërë?’—Mateu 16:12.

      3 Po qe se jemi dishepuj të Jezuit, po qe se kemi mësuar prej tij, atëherë të tjerët duhet të ndihen të freskuar frymësisht kur janë në shoqërinë tonë. Duhet ta dallojnë se jemi bërë më shumë me natyrë të butë dhe të përulur në zemër. Në rast se kemi përgjegjësi administrative në punë, jemi prindër ose kemi detyra si pleq në kongregacionin e krishterë, a e ndiejnë ata që janë nën kujdesin tonë se i trajtojmë siç i trajtoi Jezui ata që ishin nën kujdesin e tij?

      Si i trajtonte Jezui njerëzit?

      4, 5. (a) Përse nuk është e vështirë ta dimë se si i trajtonte Jezui njerëzit që kishin probleme? (b) Cilën përvojë pati Jezui kur ishte për të ngrënë në shtëpinë e një fariseu?

      4 E kemi të nevojshme të dimë se si i trajtonte Jezui njerëzit, sidomos ata që kishin probleme të rënda. Kjo nuk duhet të jetë e vështirë për ta mësuar, pasi Bibla përmban shumë dokumentime të takimeve të Jezuit me njerëz të tjerë, disa prej të cilëve ishin të munduar. Le të vërejmë, gjithashtu, mënyrën se si i trajtonin udhëheqësit fetarë, e sidomos farisenjtë, njerëzit me probleme të ngjashme. Ndryshimi do të na japë më shumë kuptueshmëri.

      5 Në vitin 31 të e.s., kur Jezui po bënte një udhëtim predikimi në Galile, «një prej farisenjve vazhdonte t’i kërkonte të hante me të». Jezui nuk ngurroi ta pranonte ftesën. «Prandaj, ai hyri në shtëpinë e fariseut dhe u shtrua në tryezë. Dhe ja, një grua që në qytet njihej si mëkatare, mësoi se ai ishte shtruar për të ngrënë në shtëpinë e fariseut dhe solli një enë alabastri me vaj të parfumuar, dhe duke zënë vend prapa, te këmbët e tij, qau dhe nisi t’ia lagte këmbët me lot dhe t’ia fshinte me flokët e kokës së saj. Gjithashtu, ia puthi këmbët me butësi dhe ia leu me vajin e parfumuar.»—Luka 7:36-38.

      6. Përse mund të ketë qenë në shtëpinë e fariseut gruaja që ishte një «mëkatare»?

      6 A mund ta përfytyroni këtë? Një vepër referimi pohon: «Gruaja (v.37) përfitoi nga zakonet shoqërore që i lejonin njerëzit nevojtarë të shkonin nëpër këto bankete për të marrë disa nga ushqimet e mbetura.» Kjo mund të shpjegojë se si ka mundësi që një njeri të hynte atje pa qenë i ftuar. Mund të ketë pasur edhe të tjerë që shpresonin të mblidhnin diçka pasi të përfundonte banketi. Gjithsesi, sjellja e kësaj gruaje ishte e pazakontë. Ajo nuk qëndroi në prapaskenë, duke pritur që të mbaronte banketi. Nami që kishte ajo ishte i keq, duke qenë «mëkatare» e njohur, kështu që Jezui tha se i njihte «mëkatet e saj, edhe pse [ishin] të shumta».—Luka 7:47.

      7, 8. (a) Si mund të kishim reaguar ne në rrethana si ato të dokumentuara te Luka 7:36-38? (b) Si reagoi Simoni?

      7 Përfytyrojeni veten sikur jetoni në atë epokë dhe jeni në vendin e Jezuit. Si do të kishit reaguar? A do të ishit ndier në siklet teksa ju afrohej kjo grua? Si do të ndikonte te ju një rrethanë e tillë? (Luka 7:45) A do të ishit tmerruar ose tronditur?

      8 Sikur të kishit qenë ndër të ftuarit e tjerë, a mund të ndodhte që mendimet tuaja të ishin të paktën disi të ngjashme me ato të Simonit, fariseut? «Kur e pa këtë, fariseu që e ftoi [Jezuin] tha me vete: ‘Nëse ky njeri do të ishte profet, do ta dinte se kush dhe se ç’lloj gruaje është kjo që po e prek, se është një mëkatare’.» (Luka 7:39) Ndryshe nga ai, Jezui ishte një njeri me shumë dhembshuri. Ai e kuptoi gjendjen e mjeruar të asaj gruaje dhe e ndjeu angështinë e saj. Nuk na thuhet se si ra ajo në një jetë mëkatare. Nëse vërtet ishte një prostitutë, burrat e qytetit, të cilët ishin judenj të dedikuar, me sa duket, nuk e kishin ndihmuar në këtë aspekt.

      9. Si reagoi Jezui dhe cili ka të ngjarë të ketë qenë përfundimi?

      9 Por Jezui donte ta ndihmonte. Ai i tha: «Mëkatet e tua janë falur.» Pastaj, shtoi: «Besimi yt të ka shpëtuar; shko në paqe.» (Luka 7:48-50) Këtu tregimi përfundon. Dikush mund të kundërshtojë duke thënë se, në fund të fundit, Jezui nuk bëri shumë për të. Me pak fjalë, ai e përcolli duke i dhënë bekimin e tij. A mendoni se ndoshta ajo u kthye në mënyrën e saj të vajtueshme të të jetuarit? Ndonëse nuk mund ta themi me siguri, vëreni se çfarë thotë më tej Luka. Ai tregoi se Jezui udhëtoi «nga qyteti në qytet dhe nga fshati në fshat, duke predikuar dhe duke shpallur lajmin e mirë të mbretërisë». Luka raportoi edhe se «disa gra» e shoqëronin Jezuin dhe dishepujt e tij, ‘duke u shërbyer me zotërimet e [grave]’. Nuk mund të përjashtohet mundësia se kjo grua e penduar dhe mirënjohëse tani ishte mes tyre, duke nisur një mënyrë jetese të perëndishme me një ndërgjegje të pastër, me një ndjenjë të rigjallëruar se jeta ka një qëllim dhe me një dashuri shumë më të thellë për Perëndinë.—Luka 8:1-3.

      Dallimi ndërmjet Jezuit dhe farisenjve

      10. Përse është e dobishme të shqyrtojmë tregimin e Jezuit dhe të gruas në shtëpinë e Simonit?

      10 Çfarë mund të mësojmë nga ky tregim i gjallë? Na ka vënë në lëvizje ndjenjat, apo jo? Përfytyrojeni veten në shtëpinë e Simonit. Si do të ndiheshit? A do të reagonit si Jezui apo do të ndiheshit pak si mikpritësi i tij farise? Jezui ishte Biri i Perëndisë, kështu që nuk mund të ndihemi e të veprojmë pikë për pikë si ai. Nga ana tjetër, ndoshta nuk na pëlqen shumë ta mendojmë veten se jemi si Simoni, fariseu. Të paktë janë ata që do të krenoheshin se janë si farisenjtë.

      11. Përse nuk do të donim të ishim në një kategori me farisenjtë?

      11 Nga studimi i dëshmive biblike dhe laike, mund të nxjerrim përfundimin se farisenjtë mendonin tepër lart për veten e tyre, si ruajtës të së mirës së përgjithshme dhe të mirëqenies së kombit. Nuk ishin të kënaqur që Ligji i Perëndisë ishte në thelb i qartë dhe kuptohej me lehtësi. Sa herë që u dukej sikur Ligji nuk ishte specifik, kërkonin t’i mbushnin hendeqet e supozuara me zbatime të përcaktuara qartë, duke hequr kështu nevojën për një ndërgjegje. Këta udhëheqës fetarë u orvatën të hartonin një ligj që do të udhëhiqte sjelljen e njerëzve në çdo çështje, edhe në gjëra të papërfillshme.a

      12. Cilën pikëpamje kishin farisenjtë për veten?

      12 Një historian jude i shekullit të parë, Jozefi, e tregon qartë se farisenjtë e quanin veten se ishin dashamirës, të sjellshëm, të drejtë dhe plotësisht të kualifikuar për detyrën që bënin. Pa dyshim, disa prej tyre i afroheshin mjaft këtij përshkrimi. Ndoshta ju vjen ndër mend Nikodemi. (Gjoni 3:1, 2; 7:50, 51) Me kalimin e kohës, disa prej tyre përqafuan udhën e krishterë. (Veprat 15:5) Për disa judenj, siç ishin farisenjtë, apostulli i krishterë Pavël shkroi: «[Ata] kanë zell për Perëndinë; por jo sipas njohurisë së saktë.» (Romakëve 10:2) Gjithsesi, Ungjijtë i paraqesin këta persona ashtu siç i shihnin njerëzit e thjeshtë: krenarë, arrogantë, të vetëquajtur të drejtë, kritikues, gjykues dhe përbuzës.

      Pikëpamja e Jezuit

      13. Çfarë tha Jezui për farisenjtë?

      13 Jezui i dënoi skribët dhe farisenjtë si hipokritë. «Ata lidhin ngarkesa të rënda dhe ua vënë njerëzve mbi supe, por ata vetë nuk kanë dëshirë t’i lëvizin ato as me gishtin e tyre.» Po, ngarkesa ishte e rëndë dhe zgjedha që u ishte vënë njerëzve ishte e vështirë. Jezui më tej i quajti skribët dhe farisenjtë «të marrë». Një i marrë përbën kërcënim për popullsinë. Gjithashtu, Jezui i quajti skribët e farisenjtë «udhërrëfyes të verbër» dhe pohoi se kishin «shpërfillur çështjet më me peshë të Ligjit, domethënë, drejtësinë, mëshirën dhe besueshmërinë». Kush do të donte që Jezui të mendonte për të si për një farise?—Mateu 23:1-4, 16, 17, 23.

      14, 15. (a) Çfarë zbulon për mënyrën e veprimit të farisenjve mënyra se si Jezui e trajtoi Mateu Levin? (b) Çfarë mësimesh të rëndësishme mund të nxjerrim nga ky tregim?

      14 Gati çdo lexues i Ungjijve mund ta kuptojë se çfarë natyre kritikuese kishin shumica e farisenjve. Pasi Jezui e ftoi Mateu Levin, taksambledhësin, që të bëhej dishepull, Levi shtroi për të një gosti të madhe. Tregimi thotë: «Atëherë, farisenjtë dhe skribët e tyre nisën t’u murmuritnin dishepujve të tij, duke thënë: ‘Pse hani e pini me taksambledhësit dhe mëkatarët?’ Duke u përgjigjur, Jezui u tha: ‘. . . Unë nuk kam ardhur të thërras të drejtët, por mëkatarët, për pendim.’»—Luka 5:27-32.

      15 Vetë Levi kuptoi diçka tjetër që tha Jezui në atë rast: «Shkoni, pra, dhe mësoni ç’do të thotë kjo: ‘Unë dua mëshirë dhe jo sakrificë.’» (Mateu 9:13) Ndonëse farisenjtë pohonin se besonin në shkrimet e profetëve hebrenj, nuk e pranuan këtë thënie nga Hozea 6:6. Edhe po të gabonin, siguroheshin që kjo të mos ishte nga ana e bindjes ndaj traditave. Secili prej nesh mund të pyesë veten: A jam i njohur si një person që ngulitet pas disa rregullave, si ato që paraqesin ide personale ose mendime të zakonshme për një çështje? Apo të tjerët mendojnë për mua se jam, para së gjithash, i mëshirshëm dhe i mirë?

      16. Në cilën mënyrë vepronin farisenjtë dhe si mund ta shmangim që të jemi si ata?

      16 Kritika, kritika, kritika. Kështu vepronin farisenjtë. Ata përpiqeshin të gjenin çdo të metë, reale ose imagjinare. I vinin njerëzit në pozita mbrojtëse dhe u kujtonin vazhdimisht mangësitë që kishin. Farisenjtë mburreshin, sepse jepnin të dhjetat e bimëve më të vogla, si mendra, kopra dhe qimnoni. E reklamonin devocionin e tyre me anë të veshjes që mbanin dhe përpiqeshin të drejtonin kombin. Sigurisht, nëse duam që veprimet tona të jenë në harmoni me shembullin e Jezuit, duhet të shmangim prirjen për të kërkuar gjithnjë dhe për të vënë në dukje të metat e të tjerëve.

      Si i zgjidhte Jezui problemet?

      17-19. (a) Shpjegoni se si e përballoi Jezui një rrethanë që mund të kishte pasur pasoja shumë të rënda. (b) Çfarë e bënte këtë rrethanë stresuese dhe të pakëndshme? (c) Po të kishit qenë atje kur gruaja iu afrua Jezuit, si do të kishit reaguar?

      17 Mënyra se si i zgjidhte Jezui problemet ishte shumë e ndryshme nga ajo e farisenjve. Shikoni se si e përballoi Jezui një rrethanë që mund të kishte qenë shumë e rëndë. Kishte të bënte me një grua që për 12 vjet kishte pasur rrjedhje gjaku. Tregimin mund ta lexoni te Luka 8:42-48.

      18 Tregimi i Markut thotë se gruaja ishte «e trembur e duke u dridhur». (Marku 5:33) Përse? Pa dyshim, sepse e dinte që kishte shkelur Ligjin e Perëndisë. Sipas Levitikut 15:25-28, një grua që kishte rrjedhje gjaku të pazakontë ishte e papastër për sa kohë që zgjaste kjo gjendje, plus një javë më tepër. Çdo gjë dhe çdo person që prekte ajo bëhej i ndotur. Për t’iu afruar Jezuit, kësaj gruaje i ishte dashur të çante përmes turmës. Kur e lexojmë këtë tregim 2.000 vjet më vonë, ndiejmë keqardhje për gjendjen e saj të sikletshme.

      19 Po të kishit qenë të pranishëm atë ditë, si do ta kishit parë këtë rrethanë? Çfarë do të kishit thënë? Vini re se Jezui e trajtoi këtë grua me kujdes, dashuri e dhembshuri, duke mos përmendur as larg e larg ndonjë problem që mund të kishte shkaktuar ajo.—Marku 5:34.

      20. Sikur Levitiku 15:25-28 të ishte një kërkesë sot, cilën sfidë do të hasnim?

      20 A mund të mësojmë ndonjë gjë nga kjo ngjarje? Ta zëmë se je një plak në një kongregacion të krishterë të ditëve tona. Gjithashtu, ta zëmë se Levitiku 15:25-28 do të ishte një kërkesë e krishterë sot dhe që një grua e krishterë do të kishte shkelur këtë ligj, pasi ndihej e dëshpëruar dhe e braktisur. Si do të reagoje? A do ta poshtëroje para gjithë të tjerëve, duke i dhënë këshilla vendimtare? «Aspak,—thoni ju,—nuk do ta bëja kurrë këtë! Duke ndjekur shembullin e Jezuit, do të bëja çdo përpjekje për të qenë i kujdesshëm, i dashur, i vëmendshëm e i dhembshur.» Shumë bukur. Por, sfida është ta bëjmë këtë, të imitojmë shembullin e Jezuit.

      21. Çfarë u mësonte Jezui njerëzve për Ligjin?

      21 Në thelb, njerëzit ndiheshin të freskuar nga Jezui, të ndërtuar dhe të inkurajuar. Aty ku Ligji i Perëndisë ishte specifik, kishte atë kuptim që thoshte. Nëse dukej një ligj i përgjithshëm, do të hynte më shumë në lojë ndërgjegjja e tyre dhe ata mund të tregonin dashurinë që kishin për Perëndinë me anë të vendimeve të tyre. Ligji u linte hapësirë për të jetuar e për të marrë frymë. (Marku 2:27, 28) Perëndia e donte popullin e tij, punonte vazhdimisht për të mirën e tyre dhe ishte i gatshëm të tregonte mëshirë kur ata pengoheshin. Jezui ishte pikërisht kështu.—Gjoni 14:9.

Botimet shqip (1993-2025)
Shkëputu
Hyr me identifikim
  • shqip
  • Dërgo
  • Parametrat
  • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
  • Kushtet e përdorimit
  • Politika e privatësisë
  • Parametrat e privatësisë
  • JW.ORG
  • Hyr me identifikim
Dërgo