KËMBA
Termi hebraik réĝel dhe ai grek pous kryesisht i referohen pjesës së fundit të gjymtyrëve të poshtme. Të dy termat janë përdorur si në kuptim të mirëfilltë, ashtu edhe në kuptim të figurshëm. Dy terma të tjerë, shohk në hebraisht dhe skélos në greqisht, u referohen gjymtyrëve të njeriut ose të kafshëve që shërbejnë për të mbajtur trupin dhe për të ecur. Termi hebraik ĥeraájim tregon kërcirin, domethënë pjesën e këmbës nga gjuri deri te kyçi, dhe çdo herë që del në Bibël i referohet këmbës së një kafshe të përgatitur për flijim.—Le 1:9, 13; 4:11, 12; 8:21; 9:14.
Kur u vendos priftëria, këmba e djathtë e ‘dashit për emërimin priftëror’ ishte pjesë e ‘blatimit të tundur’. (Le 8:22, 25-27) Në disa flijime, këmba e prapme e djathtë, pjesa e sipërme më e mirë e saj, i jepej si pjesë e shenjtë priftit të emëruar. (Le 7:32-34; 10:12, 14, 15) Te Numrat 6:19 dhe Ligji i përtërirë 18:3 thuhet se priftërinjve u jepej edhe këmba e përparme, pra ‘shpatulla’ (fjalë për fjalë «krahu»). Tek Amosi 3:12, profeti i Jehovait bën një ilustrim me një bari që i rrëmben luanit nga goja dy këmbë (me sa duket për të shkarkuar nga vetja përgjegjësinë për humbjen e një kafshe të kopesë). Me terma të gjallë, profeti përshkruan shkatërrimin që e priste Samarinë, sidomos krerët e saj. Shumë pak do t’u shpëtonin armiqve të Samarisë që ishin si luanë, gati për të gllabëruar prenë.
Termi hebraik ĥeraájim është përdorur një herë për të treguar ‘kofshat për të kërcyer’ të krijesave me krahë që lëvizin në tufa, të cilat ishin të vetmet krijesa të këtij lloji që Ligji i përcaktonte si të pastra për t’u ngrënë.—Le 11:21.
Në lashtësi, si ndodh në shumë vende sot, njerëzit udhëtonin kryesisht në këmbë. Kishte nga ata që ecnin zbathur, por zakonisht vishnin sandale që ishin thjesht një shollë me lidhëse. (Shih SANDALJA.) Me të hyrë në shtëpi, sandalet hiqeshin. Një gjest i rëndësishëm mikpritjeje, gati i detyrueshëm, ishte larja e këmbëve të mysafirit, ose të paktën i zoti i shtëpisë a një shërbëtor sillte ujë për këtë.—Zn 18:4; 24:32; 1Sa 25:41; Lu 7:37, 38, 44.
Një person i hiqte sandalet kur qëndronte në tokë të shenjtë, prandaj priftërinjtë shërbenin pa dyshim zbathur kur kryenin detyrat në tabernakull ose tempull. (Da 3:5; Js 5:15) Sandalet nuk ishin përfshirë tek udhëzimet për bërjen e veshjeve të priftërinjve.—Da kap 28; shih POZICIONET DHE GJESTET.
Krishti u lan këmbët dishepujve. Jezu Krishti u dha një mësim dishepujve se si të ishin të përulur dhe t’i shërbenin njëri-tjetrit kur ai, Zotëria i tyre, u lau këmbët. (Gjo 13:5-14; krahaso 1Ti 5:9, 10.) Në këtë rast, Jezui tha: «Kush ka bërë banjë, i duhet të lajë vetëm këmbët, dhe është krejt i pastër.» Pa dyshim e kishte fjalën se, edhe po të kishe bërë banjë, mjaftonte të ecje pak dhe këmbët bëheshin gjithë pluhur, prandaj duheshin larë shpesh. Gjatë shërbimit në tokë të Jezuit, priftërinjtë dhe levitët që shërbenin si roja në tempull bënin banjë herët në mëngjes, prandaj nuk u kërkohej të laheshin prapë atë ditë, por mjaftonte të lanin vetëm këmbët dhe duart. (Shih edhe Da 30:19-21.) Me fjalët «ju jeni të pastër, por jo të gjithë [duke folur për Judën]», duket se Jezui i dha edhe një kuptim frymor gjestit të tij. (Gjo 13:10, 11) Sipas Efesianëve 5:25, 26, Jezui e pastroi kongregacionin e krishterë nëpërmjet «larjes me ujë me anë të fjalës» të së vërtetës. Logjikisht, edhe dishepujt besnikë të tij duhej të kujdeseshin me përulësi jo vetëm për nevojat fizike të vëllezërve të tyre, por akoma më shumë për nevojat frymore. Kështu do të ndihmonin njëri-tjetrin të qëndronin të pastër nga tundimet e kurthet e botës që çdo ditë mund ta ndotnin një të krishterë.—He 10:22; Ga 6:1; He 12:13; shih LARJA E KËMBËVE.
«Ecja.» Fjala «këmbët» është përdorur shpesh për të treguar prirjen ose udhën që ndjek dikush, e mirë ose e keqe qoftë. (Ps 119:59, 101; Pr 1:16; 4:26; 5:5; 19:2; Ro 3:15, Dio) Edhe termi «ec» përdoret në të njëjtin kuptim. Për shembull shprehja «Noeja eci me Perëndinë e vërtetë» do të thotë se ndoqi një udhë që ishte në harmoni me vullnetin dhe urdhërimet e Perëndisë. (Zn 6:9; krahaso Ef 2:1, 2.) Në mënyrë të figurshme, Perëndia i drejton këmbët e shërbëtorëve të vet besnikë në shtegun e drejtë. Ai u tregon nga të shkojnë që të mos pengohen frymësisht e të bien në lakun e së keqes, madje, disa herë i ruan që të mos i kapë armiku. (1Sa 2:9; Ps 25:15; 119:105; 121:3; Lu 1:78, 79) Nga ana tjetër, ai do të bëjë që armiqve t’u merren këmbët dhe të mposhten. (Lp 32:35; Ps 9:15) Jehovai i paralajmëron shërbëtorët e vet që të mos shoqërohen me të ligjtë e të mos ndjekin shtegun e tyre. (Pr 1:10, 15; 4:27) Ai e këshillon një individ që të ruajë këmbët kur shkon në shtëpinë e Perëndisë dhe të afrohet për të dëgjuar e për të mësuar me zemër të sinqertë.—Ek 5:1.
Përdorime të tjera të figurshme. Jehovai i tha Babilonisë në mënyrë profetike: «Grise bishtin e fustanit. Zbuloji këmbët dhe kalo lumenjtë.» (Is 47:1, 2) Duke mos qenë më një mbretëreshë e llastuar e mësuar t’i shërbenin, në mënyrë të figurshme, ajo duhej të zbulonte këmbët deri në mes dhe të çante lumenjtë këmbëzbathur si një robinjë e tërhequr zvarrë nga pushtuesit.
Këmbët janë përdorur në mënyrë të figurshme edhe për të treguar sa të fuqishëm ose të shpejtë janë njerëzit. Te Psalmi 147:10 lexojmë: «Ai [Jehovai] nuk i pëlqen kuajt e fuqishëm, as njeriun këmbëshpejtë [fjalë për fjalë ‘këmbët e njeriut’].» Te Proverbat 26:7 këmbët e të çalit simbolizojnë kotësinë ose paaftësinë.
Disa shprehje të tjera të figurshme janë: ‘vend ku të vësh [prehësh] këmbët’, që do të thotë të banosh ose të zotërosh një vend (Zn 8:9; Lp 28:65); një ‘këmbë tokë’, domethënë pjesa më e vogël e tokës që mund të zotërojë dikush (Ve 7:5; Lp 2:5; krahaso Js 1:3); ‘të lëvizësh këmbën’, të nisësh ose të ndërmarrësh një veprim (Zn 41:44); «këmba jote të shkelë rrallë në shtëpinë e të afërmit tënd», pra të mos përfitosh nga mikpritja e tij (Pr 25:17); ‘të endesh këmbëzbathur’, shenjë poshtërimi ose mbajtje zie (robërit shpesh i vinin të ecnin këmbëzbathur) (Is 20:2); ‘të vësh diçka në këmbët’ e dikujt, të japësh si dhuratë ose blatim (Ve 5:1, 2); ‘t’i biesh ndër këmbë dikujt’, shenjë nderimi (Mr 5:22); ‘të vësh nën këmbë’, të nënshtrosh (1Ko 15:27; He 2:8); ‘të shtypësh ose të dërrmosh nën këmbë’, të korrësh fitore (Ma 4:3; Ro 16:20); ‘të vësh këmbën në zverk të armikut’, simbol i mposhtjes së armikut (Js 10:24); ‘të lash këmbët në gjak’, të ekzekutosh armiqtë (Ps 68:22, 23); ‘të mbulosh këmbët’, të kryesh nevojat personale (fjalë për fjalë ‘të mbash këmbët të fshehura’; Gjy 3:24, shën., NW; 1Sa 24:3, shën., NW). Shprehja «ta zhytë këmbën në vaj» u përdor në mënyrë profetike për të parathënë se fisi i Asherit do të merrte pjesën më të mirë ose të bollshme mes fiseve të tjera të Izraelit. (Lp 33:24) Rutha zbuloi dhe u shtri në këmbët e Boazit për t’i dhënë të kuptonte se duhej të vepronte ligjërisht në lidhje me detyrën që i takonte kunatit.—Ru 3:4, 7, 8.
Këmbë «të bukura». Jehovai ka konsideratë të veçantë për këmbët e atyre që shpallin lajmin e mirë për Mbretërinë dhe i quan ato «të bukura». (Is 52:7; Ro 10:15) I krishteri duhet t’i mbathë këmbët «me pajimet e lajmit të mirë të paqes» që të mund ta shpallë atë siç duhet. (Ef 6:15) Jezui i udhëzoi dishepujt që nëse njerëzit e një shtëpie ose qyteti nuk pranonin t’i futnin brenda a të dëgjonin lajmin e mirë, ata duhej të shkundin pluhurin nga këmbët. Ishte sikur shtëpinë ose qytetin që nuk i mikpriste ta linin të korrte pasojat që do të vinin nga një burim më i lartë, nga qielli.—Mt 10:14.
‘Të presësh këmbën.’ Jezui foli për ‘prerjen e këmbës’, jo në kuptim të mirëfilltë, por në kuptim të figurshëm, kur tha: «Prandaj, nëse dora ose këmba po të bëhet pengesë, prite dhe flake tej.» Me këtë donte të thoshte se, në vend që një i krishterë ta lejonte një gjymtyrë të trupit si këmba a dora ta çonte drejt një mëkati të pafalshëm, ai duhej ta bënte të vdiste këtë gjymtyrë tamam sikur të ishte shkëputur fare nga trupi.—Mt 18:8; Mr 9:45; krahaso Kl 3:5.
Në «trupin» e krishterë. Duke e krahasuar kongregacionin e krishterë me trupin e njeriut, apostulli Pavël thekson ndërvarësinë e gjymtyrëve të tij kur thotë: «Sikur këmba të thoshte: ‘Meqë nuk jam dorë, unë s’jam pjesë e trupit’, jo për këtë arsye nuk është pjesë e trupit.»—1Ko 12:15.
Stoli i këmbëve të Perëndisë. Jehovai, në pozitën e tij si sovran, e përshkruan veten si të ulur në një fron qiellor me tokën si stol për këmbët. (Is 66:1) Ai i thotë Sionit se do ta zbukurojë vendin e shenjtërores së tij dhe shton: «Unë do t’i jap lavdi vendit të këmbëve të mia.»—Is 60:13, 14.
Thyerja e këmbëve. Duket se romakët e kishin zakon që t’ua thyenin këmbët kriminelëve të dënuar me vdekje në shtyllë për t’u dhënë fund vuajtjeve. Me kërkesë të judenjve, ushtarët ua thyen këmbët burrave të varur në shtyllë përbri Jezu Krishtit, por jo atij, meqë panë se tashmë kishte vdekur. Kështu u përmbush profecia e Psalmit 34:20.—Gjo 19:31-36; krahaso Da 12:46; Nu 9:12.
Shih edhe THEMBRA; GISHTI (Gishti i këmbës).