BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • si f. 181-186
  • Libri biblik numër 41​—Marku

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Libri biblik numër 41​—Marku
  • «I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm»
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • PËRMBAJTJA E MARKUT
  • PËRSE ËSHTË I DOBISHËM?
  • Marku​—«I dobishëm për shërbimin»
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2010
  • Marku nuk hoqi dorë
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2008
  • Pika kryesore nga libri i Markut
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2008
  • Libri biblik numër 40​—Mateu
    «I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm»
Shih më tepër
«I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm»
si f. 181-186

Libri biblik numër 41​—Marku

Shkrimtari: Marku

Vendi ku u shkrua: Romë

Shkrimi përfundoi: rr. 60 të e.s.–65 të e.s.

Periudha përkatëse: 29 të e.s.–33 të e.s.

1. Çfarë dihet për Markun dhe familjen e tij?

KUR u arrestua Jezui në Getsemani dhe apostujt ikën, atë e ndoqi «një djalë i ri, që kishte hedhur në trupin e vet të zhveshur një rrobë liri të hollë». Ndërsa turma përpiqej ta kapte, «ai la pas rrobën dhe ia mbathi i zhveshur». Në përgjithësi mendohet se ky djalë i ri ishte Marku. Te Veprat ai përshkruhet si ‘Gjoni, që mbiquhej Mark’, dhe ka mundësi të vinte nga një familje mjaft në gjendje në Jerusalem, sepse kishin shtëpi dhe shërbëtorë. Edhe e ëma, Maria, ishte e krishterë, dhe kongregacioni i hershëm përdorte shtëpinë e saj si vend për t’u mbledhur. Kur Pjetrin e liroi nga burgu një engjëll, ai shkoi në këtë shtëpi dhe gjeti vëllezërit të mbledhur atje.​—Mar. 14:51, 52; Vep. 12:12, 13.

2, 3. (a) Ç’gjë e nxiti pa dyshim Markun të niste shërbimin misionar? (b) Ç’raporte pati ai me misionarët e tjerë, sidomos me Pjetrin dhe Pavlin?

2 Barnaba, një levit nga Qiproja që shërbente si misionar, ishte kushëriri i Markut. (Vep. 4:36; Kolos. 4:10) Kur Barnaba vajti me Pavlin në Jerusalem për të çuar ndihma gjatë një zie buke, Marku u njoh edhe me Pavlin. Këto shoqëri në kongregacion dhe me shërbëtorë të zellshëm që vinin herë pas here, pa dyshim ngulitën te Marku dëshirën për të nisur shërbimin misionar. Kështu, atë e gjejmë si shërbëtor dhe ndihmës të Pavlit e të Barnabës në udhëtimin e tyre të parë misionar. Megjithatë, kur ishin në Pergë të Pamfilisë, për ndonjë arsye Marku u largua prej tyre dhe u kthye në Jerusalem. (Vep. 11:29, 30; 12:25; 13:5, 13) Nga kjo, Pavli nuk deshi ta merrte Markun me vete në udhëtimin e dytë misionar, dhe kjo bëri që Pavli dhe Barnaba të ndaheshin. Pavli mori Silën, kurse Barnaba mori kushëririn e tij, Markun, dhe u nis me anije për në Qipro.​—Vep. 15:36-41.

3 Marku u tregua një shërbëtor i besuar dhe qe një ndihmë e çmuar jo vetëm për Barnabën, por më vonë edhe për apostullin Pjetër dhe Pavël. Marku ishte me Pavlin (rr. 60-61 të e.s.) gjatë burgimit të tij për herë të parë në Romë. (Fil. 1, 24) Më vonë, mes viteve 62 dhe 64 të e.s., Markun e gjejmë me Pjetrin në Babiloni. (1 Pjet. 5:13) Pavli burgoset përsëri në Romë, ndoshta në vitin 65 të e.s., dhe i kërkon në një letër Timoteut të marrë me vete Markun, duke i thënë: «Sepse është i dobishëm për shërbimin tim.» (2 Tim. 1:8; 4:11) Kjo është hera e fundit që Marku përmendet në Bibël.

4-6. (a) Ku mundi t’i merrte Marku hollësitë e vogla për Ungjillin e tij? (b) Ku duket se ai ishte shumë i lidhur me Pjetrin? (c) Përmend disa shembuj të karakteristikave të Pjetrit në këtë Ungjill.

4 Pikërisht ky Mark ka meritën për hartimin e këtij Ungjilli që është më i shkurtri. Ai bashkëpunoi me apostujt e Jezuit dhe ishte ndër ata që vunë jetën në shërbim të lajmit të mirë. Megjithatë, Marku nuk bënte pjesë në grupin e dymbëdhjetë apostujve dhe nuk kishte qenë shok i ngushtë me Jezuin. Si i dinte hollësitë e vogla që e bëjnë tregimin e tij për shërbimin e Jezuit kaq të gjallë nga fillimi deri në fund? Sipas traditës më të hershme të Papiasit, Origjenit dhe Tertulianit, burimi ishte Pjetri, me të cilin Marku ishte shumë i lidhur.a A nuk e quajti Pjetri «biri im»? (1 Pjet. 5:13) Të gjitha ato që dokumentoi Marku, Pjetri i kishte parë me sytë e vet, ndaj Marku mund të ketë mësuar prej tij shumë hollësi përshkruese që nuk i gjejmë në Ungjijtë e tjerë. Për shembull, Marku flet për «mëditësit» që punonin për Zebedeun, për të lebrosurin që i përgjërohej Jezuit «në gjunjë», për të demonizuarin që «e gjakoste veten me gurë», për profecinë e Jezuit kur ishte ulur në Malin e Ullinjve «nga i cili dukej tempulli», se ‘Biri i njeriut do të vinte në re me fuqi dhe lavdi të madhe’.​—Mar. 1:20, 40; 5:5; 13:3, 26.

5 Vetë Pjetri ishte njeri shumë i ndjeshëm, ndaj mund t’i kuptonte ndjenjat dhe emocionet e Jezuit dhe t’ia përshkruante Markut. Ja pse shpesh Marku tregon si ndihej dhe si reagonte Jezui. Për shembull, ai thotë se Jezui «pa rreth e rrotull me indinjatë, krejt i hidhëruar», se «psherëtiu thellë» dhe se «rënkoi thellë përbrenda». (3:5; 7:34; 8:12) Pikërisht Marku na tregon ndjenjat e Jezuit për pasanikun e ri me pozitë, kur thotë se ai «ndjeu dashuri për të». (10:21) Sa ngrohtësi gjejmë në tregimin që flet për rastin kur Jezui jo vetëm vuri një fëmijë mes tyre, por edhe «i hodhi dorën në qafë». Kurse në një rast tjetër, «i mori fëmijët në krahë».​—9:36; 10:13-16.

6 Në stilin e Markut, një stil impulsiv, i gjallë, plot forcë, dinamik e përshkrues, vihen re disa karakteristika të Pjetrit. Gati-gati duket sikur mezi pret t’i tregojë ngjarjet sa më shpejt. Për shembull, fjala «menjëherë» del vazhdimisht, dhe kjo i jep tregimit një stil dramatik.

7. Ç’gjë e dallon Ungjillin e Markut nga ai i Mateut?

7 Megjithëse Marku e kishte Ungjillin e Mateut dhe vetëm 7 për qind e tregimit të tij nuk gjendet në Ungjijtë e tjerë, do të ishte gabim të mendohej se Marku i bëri vetëm një përmbledhje Ungjillit të Mateut dhe i shtoi ndonjë hollësi të veçantë. Mateu e kishte portretizuar Jezuin si Mesinë dhe Mbretin e premtuar, kurse Marku trajton jetën dhe veprat e Jezuit nga një këndvështrim tjetër. Ai e paraqit Jezuin si Birin e Perëndisë që kryen mrekulli, si Shpëtimtarin fitimtar. Marku thekson aktivitetin e Krishtit më shumë se predikimet dhe mësimet e tij. Ai raporton një pjesë të vogël të shëmbëlltyrave të Jezuit dhe vetëm njërin nga fjalimet e tij më të gjata. Gjithashtu, nuk ka përfshirë në Ungjillin e tij Predikimin në Mal. Këto janë arsyet pse Ungjilli i Markut është më i shkurtër, ndonëse përmban po aq aksion sa edhe të tjerët. Ky Ungjill përmend në mënyrë të veçantë të paktën 19 mrekulli.

8. Cilat aspekte tregojnë se Ungjilli i Markut me sa duket u shkrua për romakët?

8 Mateu e shkroi Ungjillin e tij për hebrenjtë, kurse Marku me sa duket e shkroi në radhë të parë për romakët. Si e dimë këtë? Ligji i Moisiut përmendet vetëm kur tregohen biseda në të cilat përmendet Ligji, dhe gjenealogjia e Jezuit nuk është përfshirë. Ungjilli i Krishtit paraqitet me një rëndësi universale. Ai bën disa komente për të shpjeguar mësimet dhe zakonet hebraike, të cilat lexuesit johebrenj mund të mos i njohin. (2:18; 7:3, 4; 14:12; 15:42) Përkthen shprehjet në aramaisht. (3:17; 5:41; 7:11, 34; 14:36; 15:22, 34) Jep shpjegime për vendet gjeografike dhe florën e Palestinës. (1:5, 13; 11:13; 13:3) Vlerën e monedhave hebraike e jep në vlerën e monedhave romake. (12:42, shënimi) Përdor më shumë terma latinë se shkrimtarët e tjerë të Ungjijve, si për shembull, speculator (truprojë), praetorium (pallati i guvernatorit) dhe centurio (centurion).​—6:27; 15:16, 39.

9. Ku dhe kur u shkrua Ungjilli i Markut dhe ç’gjë vërteton autenticitetin e tij?

9 Meqenëse Marku, nga ç’duket, shkroi në radhë të parë për romakët, ka shumë mundësi që ta ketë shkruar Ungjillin e tij në Romë. Edhe tradita më e hershme, edhe përmbajtja e librit të lejojnë të dalësh në përfundimin se ai u hartua në Romë gjatë burgosjes së parë ose të dytë të apostullit Pavël, pra, gjatë viteve 60-65 të e.s. Gjatë kësaj periudhe Marku ishte në Romë, në mos dy, të paktën një herë. Të gjitha autoritetet kryesore të shekullit të dytë dhe të tretë vërtetojnë se shkrimtari ishte Marku. Ungjilli i tij qarkullonte tashmë mes të krishterëve aty nga mesi i shekullit të dytë. Autenticitetin e këtij Ungjilli e vërteton shfaqja e tij në të gjithë katalogët e hershëm të Shkrimeve të Krishtere Greke.

10. Si duhen konsideruar përfundimi i gjatë dhe i shkurtër i Markut dhe pse?

10 Megjithatë, përfundimi i gjatë dhe përfundimi i shkurtër që nganjëherë shtohen pas kapitullit 16, në vargun 8, nuk duhen konsideruar autentike. Ato nuk gjenden në shumicën e dorëshkrimeve të lashta, si në atë Sinaitik dhe Vatikani nr. 1209. Eusebi dhe Jeronimi, studiues të shekullit të katërt, janë të dy të mendimit se tregimi autentik mbyllet me fjalët «ishin të frikësuara». Ndoshta përfundimet janë shtuar për të zbutur mbylljen e menjëhershme të këtij Ungjilli.

11. (a) Ç’gjë tregon se Ungjilli i Markut është i saktë dhe ç’autoritet i Jezuit theksohet? (b) Pse Ungjilli i Markut është një ‘lajm i mirë’ dhe cilën periudhë mbulon?

11 Saktësia e tregimit të Markut duket nga përputhja e plotë e Ungjillit të tij jo vetëm me Ungjijtë e tjerë, por edhe me tërë Shkrimet e Shenjta nga Zanafilla deri te Zbulesa. Veç kësaj, Jezui paraqitet vazhdimisht si ai që kishte autoritet jo vetëm në fjalë, por edhe para forcave të natyrës, para Satanait e demonëve, para sëmundjeve e lëngatave, madje edhe para vdekjes. Prandaj, Marku e nis tregimin e tij me këtë hyrje të fuqishme: «Fillimi i lajmit të mirë për Jezu Krishtin.» Ardhja dhe shërbimi i tij ishin ‘lajm i mirë’, ndaj studimi i Ungjillit të Markut do t’u sjellë me siguri dobi të gjithë lexuesve. Ngjarjet e përshkruara nga Marku mbulojnë periudhën nga pranvera e vitit 29 të e.s. deri në pranverë të vitit 33 të e.s.

PËRMBAJTJA E MARKUT

12. Cilat ngjarje janë ngjeshur në 13 vargjet e para të Markut?

12 Pagëzimi dhe tundimi i Jezuit (1:1-13). Marku e nis lajmin e mirë duke identifikuar Gjon Pagëzorin. Ai është lajmëtari i parathënë që u dërgua të shpallte: «Përgatitni udhën e Jehovait! Bëjini të drejta rrugët e tij!» Për Atë që do të vijë së shpejti, Gjon Pagëzori thotë: ‘Ai është më i fortë se unë.’ Po, ai nuk do të pagëzojë me ujë, por me frymën e shenjtë. Më pas, Jezui vjen nga Nazareti i Galilesë dhe Gjoni e pagëzon. Fryma zbret porsi një pëllumb mbi Jezuin dhe një zë dëgjohet nga qiejt: «Ti je Biri im, i dashuri. Unë të kam miratuar.» (1:3, 7, 11) Jezuin e tundon Satanai në shkretëtirë dhe engjëjt i shërbejnë. Të gjitha këto ngjarje mjaft të gjalla janë ngjeshur në 13 vargjet e para të Markut.

13. Si e tregon që në fillim Jezui autoritetin e tij si «i Shenjti i Perëndisë»?

13 Jezui fillon shërbimin në Galile (1:14–6:6). Pas arrestimit të Gjonit, Jezui shkon të predikojë lajmin e mirë të Perëndisë në Galile. Sa përshtypje të bën mesazhi i tij! «Mbretëria e Perëndisë është afruar. Pendohuni dhe kini besim te lajmi i mirë.» (1:15) Ai thërret Simonin, Andrean, Jakovin dhe Gjonin të lënë rrjetat e të bëhen dishepuj të tij. Ditën e sabatit ai fillon të mësojë në sinagogën e Kapernaumit. Njerëzit mahniten, sepse ai mëson «si një që ka autoritet e jo si skribët». Ai tregon autoritetin e tij si «i Shenjti i Perëndisë», duke nxjerrë një frymë të ndyrë nga një njeri i demonizuar dhe duke shëruar vjehrrën e Simonit, që ishte e sëmurë me ethe. Lajmi merr dhenë, dhe natën «tërë qyteti» mblidhet para shtëpisë së Simonit. Jezui shëron shumë të sëmurë dhe dëbon shumë demonë.—1:22, 24, 33.

14. Si e tregon Jezui autoritetin e tij për të falur mëkatet?

14 Jezui tregon cili është misioni i tij: «Që të predikoj.» (1:38) Ai predikon në tërë Galilenë. Kudo që shkon, dëbon demonë, shëron të sëmurë, ndër të cilët një të lebrosur dhe një paralitik, të cilit i thotë: «Mëkatet e tua të janë falur.» Disa skribë arsyetojnë me vete: ‘Kjo është blasfemi. Kush mund t’i falë mëkatet, përveç Perëndisë?’ Jezui e pikas se ç’po mendojnë, ndaj tregon se «Biri i njeriut ka autoritet të falë mëkatet», duke i thënë paralitikut të ngrihet e të shkojë në shtëpi. Njerëzit i japin lavdi Perëndisë. Kur Levi (Mateu), që është taksambledhës, bëhet ithtar i tij, Jezui u thotë skribëve: «Unë nuk erdha të thërras të drejtët, por mëkatarët.» Ai tregon se është «Zotëri edhe i sabatit».​—2:5, 7, 10, 17, 28.

15. Çfarë thotë Jezui për ata që mohojnë mrekullitë e tij dhe si shprehet për lidhjet familjare?

15 Më pas, Jezui formon grupin e 12 apostujve. Disa të afërm të tij i kundërvihen në një lloj mënyre, e më pas disa skribë nga Jerusalemi e akuzojnë se i dëbon demonët me anë të sundimtarit të demonëve. Jezui i pyet: «Si mund të dëbojë Satanai Satanain?» Pastaj i paralajmëron: «Kushdo që blasfemon kundër frymës së shenjtë, nuk do të ketë falje kurrën e kurrës. Ai është fajtor për mëkat të përhershëm.» Ndërkohë, e ëma dhe vëllezërit vijnë ta kërkojnë dhe Jezui ndihet i nxitur të thotë: «Vëllai im dhe motra e nëna ime është kushdo që bën vullnetin e Perëndisë.»​—3:23, 29, 35.

16. Ç’mëson Jezui me anë të ilustrimeve për ‘mbretërinë e Perëndisë’?

16 Jezui fillon të mësojë «sekretin e shenjtë të mbretërisë së Perëndisë» me anë të ilustrimeve. Ai flet për mbjellësin e farës që bie në lloje të ndryshme toke (që ilustrojnë njerëzit e ndryshëm që dëgjojnë fjalën) dhe për llambën që vihet mbi mbajtëse. Në një ilustrim tjetër, Jezui thotë se Mbretëria e Perëndisë është tamam si një njeri që hedh farën në tokë. «Toka vetvetiu jep fryt dalëngadalë: më parë filizin, pastaj kallirin e së fundi kokrrën e pjekur në kalli.» (4:11, 28) Gjithashtu, bën edhe ilustrimin e kokrrës së sinapit, e cila ndonëse nga të gjitha farat është më e vogla, rritet e bëhet me degë të mëdha që bëjnë hije.

17. Si e tregojnë mrekullitë e Jezuit deri ku shkon autoriteti i tij?

17 Jezui bën një mrekulli tjetër. Tek kalojnë detin e Galilesë, ai ndal një erë të fuqishme dhe deti i egërsuar qetësohet kur ai urdhëron: «Pusho! Hesht!» (4:39) Në vendin e gerazenëve, Jezui nxjerr një «Legjion» demonësh nga një njeri dhe i lejon të hyjnë në një tufë me rreth 2.000 derra, të cilët, më pas turren drejt greminës dhe bien në det. (5:8-13) Pas kësaj, Jezui kalon me barkë në bregun tjetër. Atje, një grua që kishte 12 vjet që s’i pushonte rrjedhja e gjakut, shërohet duke prekur rrobën e Jezuit, që po shkon të ringjallë vajzën 12-vjeçare të Jairit. Vërtet, Biri i njeriut ka autoritet mbi jetën dhe mbi vdekjen! Megjithatë, në vendlindjen e Jezuit, njerëzit e vënë në dyshim autoritetin e tij. Ai çuditet që atyre u mungon besimi, megjithatë u bie «përqark fshatrave, duke mësuar njerëzit».​—6:6.

18. (a) Si zgjerohet shërbimi i Jezuit? (b) Ç’e shtyn Jezuin të mësojë e të bëjë mrekulli?

18 Zgjerohet shërbimi në Galile (6:7–9:50). Pasi i udhëzon dhe u jep autoritet të predikojnë, të mësojnë, të shërojnë njerëzit e të dëbojnë demonët, Jezui i nis 12 apostujt 2 e nga 2. Emri i Jezuit është bërë mjaft i njohur dhe disa mendojnë se është Gjon Pagëzori i ngritur nga të vdekurit. Kjo mundësi e shqetëson Herodin, pasi gjatë festës së ditëlindjes së tij Gjonit iu pre koka. Apostujt kthehen nga udhëtimi i predikimit dhe i raportojnë Jezuit për aktivitetin e tyre. Një turmë e madhe njerëzish ndjek Jezuin nëpër tërë Galilenë dhe ai ndien ‘keqardhje për ta, sepse janë si dele pa bari’. Kështu, ai nis t’u mësojë shumë gjëra. (6:34) Me dashuri ai edhe i ushqen, po, ushqen 5.000 burra me pesë bukë e dy peshq. Pak kohë më pas, kur dishepujt në barkë luftojnë me një stuhi rrugës për në Betsaidë, ai shkon drejt tyre duke ecur mbi det dhe qetëson erën. S’është çudi që edhe dishepujt ‘mahniten shumë’!​—6:51.

19, 20. (a) Si i qorton Jezui skribët dhe farisenjtë? (b) Ç’gjë çoi në qortimin e Pjetrit?

19 Në krahinën e Genesaretit, Jezui diskuton me skribët dhe farisenjtë që kanë ardhur nga Jerusalemi, për ngrënien me duar të palara dhe i qorton që ‘lënë urdhërimin e Perëndisë dhe mbajnë fort traditën e njerëzve’. Ai thotë se njeriun nuk e ndot ajo që hyn tek ai nga jashtë, por e ndotin ato që dalin nga brenda, nga zemra, domethënë ‘arsyetimet e dëmshme’. (7:8, 21) Duke shkuar në veri drejt viseve të Tirit dhe të Sidonit, ai bën një mrekulli për një johebreje: dëbon një demon nga e bija e një gruaje nga Sirofenikia.

20 Si kthehet në Galile, Jezuit i vjen sërish keq për turmën që e ndjek dhe ushqen 4.000 burra me shtatë bukë dhe ca peshq të vegjël. Pastaj, i paralajmëron dishepujt të ruhen nga majaja e farisenjve dhe e Herodit, por për momentin ata nuk e kapin domethënien. Tani i vjen radha një mrekullie tjetër: shërimit të një të verbri në Betsaidë. Gjatë një bisede rrugës për në fshatrat e Cezaresë së Filipit, Pjetri thotë me bindje se Jezui është «Krishti», por më pas kundërshton shumë kur Jezui flet për afrimin e vuajtjeve dhe të vdekjes së Birit të njeriut. Jezui e qorton për këtë: «Largohu nga unë, Satana, sepse nuk mendon si mendon Perëndia, por si njerëzit.» (8:29, 33) Jezui i nxit dishepujt ta ndjekin vazhdimisht për hir të lajmit të mirë. Nëse u vjen turp për të, atij do t’i vijë turp për ta kur të mbërrijë në lavdinë e Atit të tij.

21. (a) Cilët e shohin «mbretërinë e Perëndisë, tashmë të ardhur me fuqi» dhe si? (b) Si thekson Jezui nevojën për të vënë Mbretërinë në vend të parë?

21 Gjashtë ditë më pas, kur janë në një mal të lartë, Pjetri, Jakovi dhe Gjoni kanë privilegjin të shohin «mbretërinë e Perëndisë, tashmë të ardhur me fuqi», kur vështrojnë Jezuin të shpërfytyruar në lavdi. (9:1) Jezui tregon edhe një herë autoritetin e tij duke dëbuar një frymë të pagojë nga një djalë dhe thotë për herë të dytë se po afrojnë vuajtjet dhe vdekja e tij. Ai i këshillon dishepujt të mos lejojnë asgjë që t’i pengojë të hyjnë në jetë. A të bëhet pengesë dora? Prite! Këmba? Prite! Syri? Flake tej! Më mirë të hysh në Mbretërinë e Perëndisë i gjymtuar, se të hidhesh i tëri në Gehenë.

22. Ç’këshilla jep Jezui gjatë shërbimit në Pere?

22 Shërbimi në Pere (10:1-52). Jezui shkon në kufi të Judesë dhe «matanë Jordanit» (në Pere). Farisenjtë e pyesin për divorcin dhe ai shfrytëzon mundësinë për të shprehur disa parime hyjnore për martesën. Një i ri pasanik e pyet si të trashëgojë jetën e përhershme, por trishtohet kur dëgjon se për të pasur një thesar në qiell duhet të shesë zotërimet e të bëhet ithtar i tij. Jezui u thotë dishepujve: «Është më e lehtë që të kalojë një deve nëpër një vrimë gjilpëre, sesa të hyjë një i pasur në mbretërinë e Perëndisë.» Ai u jep zemër atyre që kanë braktisur gjithçka për lajmin e mirë, duke u premtuar «në këtë kohë njëqindfish . . . bashkë me përndjekje, dhe në sistemin që po vjen, jetën e përhershme».​—10:1, 25, 30.

23. Ç’bisedë dhe ç’mrekulli bëhet rrugës për në Jerusalem?

23 Jezui me 12 apostujt marrin rrugën për në Jerusalem. Jezui u flet për herë të tretë për vuajtjet që e presin dhe për ringjalljen. Ai i pyet nëse janë në gjendje të pinë kupën që po pi ai dhe u thotë: «Kushdo që dëshiron të jetë i pari ndër ju, të jetë skllavi i të gjithëve.» Duke dalë nga Jerikoja, një lypës i verbër thërret buzë rrugës: «Bir i Davidit, Jezu, ki mëshirë për mua!» Jezui i kthen shikimin të verbrit, dhe kjo është mrekullia e fundit shëruese e regjistruar nga Marku.—10:44, 47, 48.

24, 25. (a) Me cilat veprime e vërteton Jezui autoritetin e tij? (b) Me cilat argumentime u përgjigjet ai kundërshtarëve? (c) Ç’paralajmërim i jep Jezui turmës dhe kë lavdëron para dishepujve të tij?

24 Jezui në Jerusalem dhe në rrethinat e tij (11:1–15:47). Ngjarjet ndjekin shpejt njëra-tjetrën. Jezui hyn në qytet i hipur mbi një kërriç dhe populli e quan Mbret. Të nesërmen ai pastron tempullin. Krerët e priftërinjve dhe skribët kanë frikë nga ai dhe duan ta vrasin. «Me ç’autoritet i bën këto gjëra?»—pyesin ata. (11:28) Me mjeshtëri, Jezui ua kthen me një pyetje tjetër dhe u tregon ilustrimin e kultivuesve që vranë trashëgimtarin e vreshtit. Ata e kuptojnë ku do të dalë dhe e lënë të qetë.

25 Pastaj, ata dërgojnë disa farisenj që ta zënë në gabim në lidhje me çështjen e taksave. Si kërkon një denar, Jezui pyet: «Të kujt janë kjo shëmbëlltyrë dhe ky mbishkrim?» Ata ia kthejnë: «Të Cezarit.» Atëherë ai thotë: «Paguajini Cezarit gjërat e Cezarit, kurse Perëndisë gjërat e Perëndisë.» S’është çudi që ata mrekullohen me të! (12:16, 17) Më pas, saducenjtë që nuk besojnë te ringjallja mundohen ta zënë në kurth me pyetjen: ‘Nëse një grua ka pasur shtatë burra njëri pas tjetrit, gruaja e kujt do të jetë ajo kur të ringjallet?’ Jezui përgjigjet menjëherë se ata që ngrihen nga të vdekurit do të jenë «posi engjëjt në qiej», se nuk do të martohen. (12:19-23, 25) «Cili është i pari i të gjitha urdhërimeve?»—pyet një nga skribët. Jezui përgjigjet: «I pari është: ‘Dëgjo, o Izrael, Jehovai, Perëndia ynë, është një Jehova, dhe duaje Jehovain, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë mendjen tënde dhe me gjithë forcën tënde.’ I dyti është: ‘Duaje të afërmin tënd si veten.’» (12:28-31) Pas kësaj, askush s’guxon më ta pyesë. Autoriteti i Jezuit si mësues i përsosur është i padiskutueshëm. Turma e madhe dëgjon me ëndje dhe Jezui i paralajmëron të ruhen nga skribët që kapardisen. Pastaj ai lavdëron vejushën e varfër para dishepujve të tij, që futi më shumë se të tjerët në arkën e thesarit të tempullit, sepse dy qindarkat që hodhi ishin ‘gjithë sa kishte për të jetuar’.​—12:44.

26. Cili është i vetmi fjalim i gjatë i dokumentuar nga Marku dhe me cilin paralajmërim përfundon?

26 I ulur në Malin e Ullinjve nga ku duket tempulli, Jezui flet veçmas me katër nga dishepujt e tij për ‘shenjën’ e përfundimit të këtyre gjërave. (Ky është i vetmi fjalim i gjatë i dokumentuar nga Marku dhe është paralel me atë të Mateut në Mt kapitujt 24 dhe 25.) Fjalimi përfundon me paralajmërimin e Jezuit: «Atë ditë ose atë orë s’e di askush, as engjëjt në qiell, as Biri, përveç Atit. Atë që po jua them juve, ua them të gjithëve: qëndroni vigjilentë.»​—13:4, 32, 37.

27. Përshkruaj ngjarjet që ndodhin para se Jezui të tradhtohet në Getsemani.

27 Aty afër, në Betani, një grua e miros Jezuin me vaj aromatik të kushtueshëm. Disa shprehen se ky është një harxhim i kotë, por Jezui thotë se veprimi i saj është i shkëlqyer, është një përgatitje për varrimin e tij. Në kohën e caktuar, Jezui dhe 12 apostujt mblidhen në qytet për të kremtuar Pashkën. Ai bën të ditur se kush do ta tradhtojë dhe themelon darkën e përkujtimit bashkë me dishepujt e tij besnikë. Pas kësaj, nisen drejt Malit të Ullinjve. Rrugës Jezui u thotë se ata do të largohen të gjithë. «Unë nuk do të largohem»,—thotë me zë të lartë Pjetri. Por Jezui ia kthen: «Vërtet po të them që sonte, para se gjeli të këndojë dy herë, ti do të më mohosh tri herë.» Kur arrijnë në një vend të quajtur Getsemani, Jezui veçohet për t’u lutur dhe u kërkon dishepujve të qëndrojnë vigjilentë. Lutja e tij arrin kulmin me fjalët «Abba, o Atë, gjithçka është e mundur për ty. Hiqe këtë kupë nga unë. Megjithatë, jo çfarë dua unë, por çfarë do ti». Jezui kthehet tri herë te dishepujt dhe të tria herët i gjen duke fjetur, edhe «në një kohë si kjo». (14:29, 30, 36, 41) Por ka ardhur ora. Ja ku shfaqet edhe tradhtari!

28. Si ndodh arrestimi i Jezuit dhe si merret në pyetje nga kryeprifti?

28 Juda afrohet dhe puth Jezuin. Kjo është shenja që u ka dhënë burrave të armatosur të krerëve të priftërinjve për ta arrestuar. Ata e çojnë në oborrin e kryepriftit ku shumë japin dëshmi të rreme kundër tij, por dëshmitë e tyre nuk përputhen. Jezui nuk nxjerr asnjë fjalë. Në fund, kryeprifti e pyet: «A je ti Krishti, Biri i të Bekuarit?» Jezui ia kthen: «Unë jam.» Kryeprifti thërret: ‘Blasfemi!’ dhe të gjithë e dënojnë, duke thënë se meriton të vdesë. (14:61-64) Poshtë në oborr, Pjetri e ka mohuar Jezuin tri herë. Një gjel këndon për herë të dytë dhe Pjetri, që i kujtohen fjalët e Jezuit, s’përmbahet dot e shpërthen në lot.

29. Ç’tregon Marku për gjyqin e fundit dhe ekzekutimin e Jezuit? Si del në pah se gjithë kjo lidhet me çështjen e Mbretërisë?

29 Sapo gdhin, anëtarët e Sinedrit këshillohen me njëri-tjetrin dhe e dërgojnë Jezuin të lidhur te Pilati. Ai e kupton menjëherë se Jezui s’është kriminel dhe përpiqet ta lirojë. Megjithatë, meqë turma e nxitur nga krerët e priftërinjve këmbëngul, në fund ai e dorëzon Jezuin që të varet në shtyllë. Jezui çohet në Gólgotha, (që do të thotë «Vendi i Kafkës»), dhe varet në shtyllë me një mbishkrim ku tregohet akuza kundër tij: «Mbreti i judenjve.» Kalimtarët e shajnë: «Të tjerët i shpëtoi, por veten nuk e shpëton dot!» Në mesditë (ora e gjashtë) tërë vendin e mbulon një errësirë deri në orën tre pasdite. Pastaj, Jezui thërret me zë të lartë: «Perëndia im, Perëndia im, përse më ke braktisur?», dhe jep frymë. Tek sheh gjithë këtë, një centurion thotë: «Pa dyshim që ky njeri ishte Biri i Perëndisë.» Jozefi nga Arimatea, anëtar i Sinedrit që beson te Mbretëria e Perëndisë, i kërkon Pilatit trupin e Jezuit dhe e fut në një varr të gërmuar në shkëmb.​—15:22, 26, 31, 34, 39.

30. Çfarë ndodh te varri ditën e parë të javës?

30 Pas vdekjes së Jezuit (16:1-8). Ditën e parë të javës tri gra shkojnë te varri shumë herët. Për habinë e tyre, gurin e madh në hyrje e gjejnë të lëvizur. ‘Një i ri’ që është ulur brenda, u thotë se Jezui është ngritur. (16:5) Nuk është më atje, por po shkon para tyre në Galile. Ato ikin nga varri duke u dridhur dhe të frikësuara.

PËRSE ËSHTË I DOBISHËM?

31. (a) Si e vërteton Marku se Jezui është Mesia? (b) Ç’gjë tregon autoritetin e Jezuit si Biri i Perëndisë dhe ku e vuri ai theksin?

31 Falë këtij portreti të gjallë të Jezu Krishtit, të gjithë lexuesit e Markut, nga koha e të krishterëve të parë deri më sot, kanë mundur të dallojnë përmbushjen e shumë profecive nga Shkrimet Hebraike që lidhen me Mesinë. Që nga fjalët e para: «Ja, unë po dërgoj përpara teje lajmëtarin tim», deri tek ato që tha Jezui në agoni kur ishte në shtyllë: «Perëndia im, Perëndia im, përse më ke braktisur?», tërë tregimi i shërbimit të tij të zellshëm të dokumentuar nga Marku, përputhet me ato që ishin parathënë në Shkrimet Hebraike. (Mar. 1:2; 15:34; Mal. 3:1; Psal. 22:1) Veç kësaj, mrekullitë që bëri, mësimi i tij i shëndoshë, mënyra e paqortueshme si hodhi poshtë akuzat, mbështetja e plotë te fryma dhe Fjala e Jehovait, si dhe kujdesi i butë për delet, janë gjëra që e dallojnë si Ai që erdhi me autoritet si Biri i Perëndisë. Ai mësoi «si një që ka autoritet», autoritet që e kishte marrë nga Jehovai, dhe e vuri theksin te ‘predikimi i lajmit të mirë’, domethënë, se «mbretëria e Perëndisë është afruar», pasi kjo ishte vepra e tij kryesore në tokë. Është provuar se mësimi i tij u sjell dobi të jashtëzakonshme të gjithë atyre që i kushtojnë vëmendje.​—Mar. 1:22, 14, 15.

32. Sa herë e përdor Marku shprehjen ‘mbretëria e Perëndisë’ dhe cilat janë disa parime udhërrëfyese që nxjerr në pah ai për të fituar jetën nëpërmjet Mbretërisë?

32 Jezui u tha dishepujve: «Juve ju është lejuar të kuptoni sekretin e shenjtë të mbretërisë së Perëndisë.» Marku e përdor 14 herë shprehjen ‘mbretëria e Perëndisë’ dhe nxjerr në pah shumë parime që janë si udhërrëfyes për ata që duan të fitojnë jetën nëpërmjet Mbretërisë. Jezui tha: «Kushdo që e humbet shpirtin e vet për hirin tim dhe të lajmit të mirë, do ta shpëtojë.» Duhet larguar çdo gjë që mund të bëhet pengesë për të fituar jetën, sepse: «Është shumë më mirë të hysh në mbretërinë e Perëndisë me një sy, sesa të hidhesh me dy sy në Gehenë.» Gjithashtu, Jezui tha: «Kushdo që nuk e pranon mbretërinë e Perëndisë si një fëmijë, nuk do të hyjë kurrsesi në të» dhe «sa e vështirë do të jetë për ata që kanë para të hyjnë në mbretërinë e Perëndisë». Ai tha se, ai që e kupton se zbatimi i dy urdhërimeve të mëdha vlen shumë më tepër se gjithë blatimet e plota të djegura dhe flijimet, ‘nuk është larg nga mbretëria e Perëndisë’. Këto dhe mësime të tjera lidhur me Mbretërinë që gjejmë në Ungjillin e Markut, na japin shumë këshilla të mira që mund t’i zbatojmë në jetën tonë të përditshme.​—4:11; 8:35; 9:43-48; 10:13-15, 23-25; 12:28-34.

33. (a) Si mund të nxjerrim dobi nga Ungjilli i Markut? (b) Cilën rrugë duhet të na nxitë Marku të ndjekim dhe pse?

33 Lajmi i mirë «sipas Markut» ndoshta mund të lexohet nga fillimi në fund për një ose dy orë. Ai i siguron lexuesit një rishikim emocionues, të shpejtë dhe dinamik të shërbimit të Jezuit. Leximi me një frymë i këtij tregimi të frymëzuar, si dhe studimi më i thellë dhe meditimi rreth tij, do të jenë gjithnjë të dobishëm. Sot ungjilli i Markut është i dobishëm për të krishterët që përndiqen, njësoj siç ishte në shekullin e parë, sepse të krishterët e vërtetë tani përballen me «kohë kritike, të vështira për t’u përballuar», dhe kanë nevojë për drejtim të frymëzuar si ai që gjendet në këtë tregim për Shembullin tonë, Jezu Krishtin. Lexoje këtë Ungjill, mrekullohu me ngjarjet që ndjekin me shpejtësi njëra-tjetrën dhe ndiq hapat e Kryepërfaqësuesit dhe Përsosësit të besimit tonë, Jezuit, me të njëjtin gëzim të pathyeshëm që shfaqi ai! (2 Tim. 3:1; Hebr. 12:2) Po, shihe atë si një njeri të veprimit, lër të të pushtojë zelli i tij dhe imito integritetin e tij të pamposhtur dhe guximin e tij para sprovave dhe kundërshtimit! Kjo pjesë e pasur e Shkrimeve të frymëzuara le të të ngushëllojë! Qoftë e dobishme për ty, ndërsa ndjek rrugën e jetës së përhershme!

[Shënimi]

a Të fitojmë gjykim të thellë nga Shkrimet, vëll. 2, faqja 337, anglisht.

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo